– Kriza e eurozonës dhe efektet e saj të mundshme mbi ekonominë shqiptare kanë qënë përherë në fokusin tonë. Personalisht e kam të vështirë të ndjek shumë nga raportimet e ndryshme mbi krizën në eurozonë sepse shpesh janë të pasakta. Të pakta janë rastet kur ndjej se lajmi është raportuar pa gabime. Siç e kam shkruajtur te postimi im i parë, secili nga shtetet thjesht po përpiqet të mbrojë interesat e tij brenda një sistemi jo perfekt.

Pse është ky sistem jo perfekt? Unë jam përpjekur ta shpjegoj më parë, por zor se dikush mund ta thotë me fjalë më të thjeshta se sa Paul Krugman. (Një shënim i vogël: ky postim i Krugman është shembulli perfekt se ca do të thotë të jesh një ekonomist i mirë. Mbi të gjitha duhet një intuitë e mirë për të kuptuar proceset ekonomike dhe aftësia për ta shprehur atë thjeshtë. Për tu bërë nje profesionist i fushës duhet të mësosh se si atë intuitë ta shprehësh në një model matematikor e më pas të mësosh teknikat emipirike ekonometrike për të parë nëse të dhënat të japin të drejtë.Poasgjë nuk mund ta zëvendësoj një intuitë të mirë).

Një raportim pak më teknik mund të gjeni te ky raport i shkurtër i San Francisco FED. Aty duket qartë problemi i Eurozonës, ekonomitë nuk janë të mirë-integruara dhe niveli i inflacionit, e për rrjedhojë politika monetare e përshtatshme, është i ndryshëm në rajone të ndryshme.

Çfarë duhet bërë? Krugman beson se duhen ndërmarrë politika stimuluese. Për mua pa u zgjidhur problemi i politikës fiskale (që në këtë rast krijon atë që në ekonomi quhet “moral hazard”) nuk ka për të patur asnjë ndërhyrjë të fuqishme nga ana e Gjermanisë. Është e qartë se ata kanë frikën, të justifikuar plotësisht, se çdo zgjidhje e bazuar në stimul mometar thjesht do krijonte një krizë më të madhe në të ardhmen.

Ndërkohë, siç e kam thënë dhe te postimi i parë mbi Euroznën, Shqipëria nuk haset me këtë problem. Të paturit e monedhës tënde, ashtu si në rastin e Australisë, na jep hapësirë më të madhe për stimuj monetarë por edhe fiskal nëse lind nevoja. Problemi i “moral hazard” brenda një shteti të unifikuar nuk ekziston!

– Kuptohet që jo të gjithë e mendojnë kështu. John Cochrane është një nga profesorët e financës më të famshëm në botë, në Universitetin e Çikagos. Ai është gjithashtu një përfaqësues i denjë i “shkollës së Çikagos” për mendimin ekonomik. Në disa postime në blogun e tij ai vazhdon të shprehet për problemet strukturore të hasura nga ekonomitë europiane në krizë. Ky është rasti më i fundit, një postim mbi burokracinë e komplikuar italiane. Si rrjedhojë është një kundërshtar i politikave stimuluese apo shpëtimeve (“bailouts).

Unë mendoj se kjo qasje është e gabuar. Siç e kam shprehur dhe në një postim tjetër,   si dhe në komentet shoqëruese, ka një ndryshim të madh ndërmjet menaxhimit të kërkesës në periudhat afatshkurtra dhe ofertës në periudhat afatgjata.

Me pak fjalë, problemet që lindin nga goditjet e kërkesës në treg shkaktojnë ciklin e biznesit. Kur pyetja është pse një vend që prodhonte x të mira e shërbime në kohën t, prodhon më pak se x në një kohë t+1 zakonisht përgjigja është e lidhur me një shock (goditje) të kërkesës. Në këto raste stimujt fiskalë e monetarë janë të dobishëm.

Në rast se pyetja është pse një vend është më i pasur se tjetri, atëhere shpesh përgjigja ka të bëjë me probleme strukturore ose siç thonë ekonomistët, me anën e ofertës. Kjo do të thotë që tregjet funksionojnë më mirë në një vend se tjetrin. Probleme si korrupsioni apo burokracia që përmend Cochrane janë të rëndësishme për të na shpjeguar pse Italia është më e varfër se Gjermania. Ato nuk mund të na shpjegojnë pse Italia në 2012 është më e varfër se Italia në 2007.

Edhe komentatorë ekonomik në median shqiptare e kanë të vështirë ta kuptojnë ndryshimin. Ja një artikull nga Eduard Zaloshnja ku ai pyet nëse Rama dhe Berisha duhet të ndjekin politika “keynes-iane” apo “monetariste” për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Ata që kanë patur nerva ta lexojnë deri në fund këtë postim duhet ta kenë të qartë se përgjigja është “asnjëra nga të dyja”.

Arsyeja pse Shqipëria është relativisht e varfër lidhet me mosfunksionimin e mirë të tregjeve dhe institucioneve, e jo me mungesën e stimulit fiskal apo monetar. Në postimin tjetër do të fokusohem mbi teoritë e rritjes afatgjatë ekonomike dhe në ndryshimet e tyre nga teoritë afatshkurtra të menaxhimit të ciklit të biznesit.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.