A ju ndodh të mendoni, tek shëtisni në rrugët e Tiranës, se një përqendrim të tillë dyqanesh dhe pikash të vogla shitjeje nuk e keni hasur në asnjë vend të Europës? Madje edhe në vendet fqinje jashtë BE-së si Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, tregu duket më i përqëndruar sesa ai shqiptar. Për një krahasim të thjeshtë, mund të përmendim që ndërmarrjet me 1-4 te punësuar në Shqipëri në vitin 2010 rezultonin 91.566 e përfaqësonin 91% te numrit total të ndërmarrjeve, me mbizotërim të sektorit tregtar (44% të totalit të ndërmarrjeve) dhe të formës ligjore “Person fizik” per 80% të tyre ( burim: INSTAT 2010). Në Maqedoni një klasifikim pak i ndryshëm në vitin 2011 na dëshmon që ndërmarrjet me 1-9 punonjës janë 60.614 e përfaqësojnë 82% të numrit total të subjekteve me 37% të tyre pjesë të sektorit tregtar (burim: State Statistical Office 2011).

Por pse ndodh kjo në Shqipëri dhe cilat janë arsyet që fshihen pas një copëzimi të tillë, kaq të ndryshëm nga realitete të tjera ekonomike?

Për të analizuar efektivisht arsyen së pari duhet kuptuar pse struktura më të  mëdha të “retail-it” (tregut të pakicës) janë në përgjithësi mbizotëruese në tregje të tjera. Strukturat me përmasa të mëdha kanë disa  avantazhe, që i lejojnë të  mbizotërojnë në tregje kompetitive. Avantazhi kryesor i lidhur me përmasat, përmendur dhe në artikuj të tjerë të këtij blogu, ka të bëjë me efiçencën ekonomike të këtyre strukturave nga pikëpamja e kostove.

Çdo ekonomist e di se një strukturë ekonomike ka një sërë kostosh që nuk ndryshojne proporcionalisht me volumet e aktivitetit, ose më saktë rriten më pak se proporcionalisht me rritjen e volumeve. Të tilla janë psh. kostot e personelit, kostot e lidhura me mirëmbajtjen e strukturës, kostot e lidhura me qeramarrien e objektit apo amortizimin në rast blerje etj. Pra ky grup kostosh ka nevojë të shpërndahet në volume gjithmonë e më të mëdha deri në arritjen e një mase kritike për të garantuar të ashtuquajturat Ekonomi të Shkallës, dhe në heterogjenitet të ofertës apo të njësive ekonomike për të garantuar Ekonomitë e Shtrirjes (Përfshirjes), dy lloj situatash ekonomike të një kompanie që prodhojnë reduktim të kostos për njësi produkti apo shërbimi të tregtuar, përmes specializimit në rastin e parë dhe sinergjive në rastin e dytë. Reduktimi i kostos unitare gjeneron reduktim të nivelit të çmimeve në një treg kompetitiv.

Për pasojë strukturat e mëdha në tregun e pakices, konkretisht supermarketet apo qendrat tregtare janë njësi më efiçente ekonomike e si të tilla, bëhën mbizotëruese në tregjet në të cilat lindin.

Avantazhi i dytë i një përqëndrimi më të madh të ofertës tregtare për konsumatorët është mundësia për të garantuar një produkt apo shërbim të kontrolluar. Marrim rastin e një oferte artikujsh ushqimorë që përbëjnë një kategori sensitive për konsumatorin duke qenë subjekt skadencash. Verifikimi i cilësisë së ofertës nga ana e autoriteteve të kontrollit të cilësise apo respektimit të kushteve të higjenës e parametrave të tjerë minimalë të cilëve duhet t’i përmbahen ambientet e tregtimit, është mjaft më i lehtë nëse tregu nuk është ekstremisht i fragmentuar.

Së fundi, me ndryshimin e zakoneve të konsumit që zakonisht diktohen nga ritmet e jetesës dhe faktori “kohë e lirë në dispozicion”, konsumatorët orientohen më shumë ose më pak drejt pikave të shitjes që propozojnë një asortiment më të gjerë. Në Shqipëri ritmi i jetesës lejon akoma vizita në dyqane specifike e megjithatë, në qytetet e mëdha e kryesisht në Tiranë ku përqëndrohet mbi 50% e fuqisë blerëse shqiptare, tashmë vihet re një tendencë orientimi e konsumatorit të mesëm gjithnjë e më shumë drejt një dyqani ose rrjeti dyqanesh me asortiment më të gjerë për të marrë maksimumin  e mundshëm në një interval kohor të reduktuar, me një garanci sigurie më shumë.

Pra nëse strukturat e mëdha gjejnë një përhapje masive në tregje të tjera, cila është arsyeja  qe fshihet pas fragmentimit  ekstrem të tregut në Shqipëri?

Konsiderojmë fillimisht tregun ushqimor të pakicës si një nga tregjet kryesore të produkteve të masës, ku kërkesa dhe oferta B2C (business to consumer) takohen më masivisht dhe nga ku kushtëzojnë, përmes një procesi invers, hallkat e tjera të katenës së vlerës.

Në këtë treg ekzistojnë disa subjekte tregtare të mëdha, konkretisht 4 rrjete supermarketesh dhe nje mori subjektesh tregtare të vogla, të ashtuquajturat “dyqane të lagjes”. Zakonisht çdo konsumator ka përjetuar  momentin kur në dalje të një supermarketi ka qenë i pajisur me kupon tatimor dhe në dalje të një “marketi lagje” nuk ka pasur një të tille, ose i është dhënë në rastin më të mirë një shirit i printuar nga një paisje tjetër elektronike.

Por mendoj se pak konsumatorë kanë menduar në atë moment se gjendeshin përballë një dëshmie të arsyes kryesore pse në vendin tonë tregu është kaq i fragmentuar.

E pra, ai moment në të cilin  një dyqan i vogël, megjithëse i pajisur me një kasë fiskale, nuk lëshon një kupon tatimor, duke mos regjistruar kështu shitjen në paisjen fiskale, është momenti në të cilin lind një avantazh i tmerrshëm në treg për këtë operator dhe momenti vendimtar që ndryshon ligjësitë normale të konkurrencës në tregun shqiptar. Në peshore integrohet një element i ri me natyrë ekstra-ekonomike i cili rrjeshtohet mes të famshmeve pika force (S-Strengths) në analizën e pozicionimit strategjik SWOT të çdo biznesi për ata që mund ta përdorin, dhe ndër pikat e dobëta (W – Weaknesses) për operatorët që nuk mund ta shfrytëzojnë këtë avantazh. Emri i tij, shprehur me një eufemizëm, është “Avantazh fiskal” ose në mënyrë më pak diplomatike “Evazion”.

Por si ndikon ky fenomen në nxjerrjen jashtë loje të operatorëve më të mëdhenj të tregut?

Analizojmë sërish tregun e supermarkeve që plotëson nevojat primare të konsumatorëve. Në tregun shqiptar sot përafërsisht 80% e kërkesës në sektorin ushqimor orientohet drejt dyqaneve te vogla dhe vetëm pjesa e mbetur drejt rrjeteve të 4 markave rajonale e ndërkombëtare të supermarketeve prezente në Shqipëri dhe disa markave të tjera supermarketesh lokale. Në një treg me 2.8 milionë banorë (burim: INSTAT) dhe PBB për frymë rreth 4500 Euro/vit (burim: CIA Factbook), është e kuptueshme që 20% e kërkesës komplesive për produkte ushqimore nuk përfaqëson një masë kritike tërheqese për katena të mëdha supermarketesh. Nga ana tjetër, shtrirja e aktivitetit në pjesën tjetër të tregut është e vështirë për shkak të konkurrencës intensive të një sërë operatorësh që kanë dy avantazhe të mëdha në strukturën e kostove.

I pari është avantazhi që lind nga mospagesa e plotë ose e pjesshme e taksave pasi, në çdo rast që një produkt shitet pa u regjistruar në paisjen fiskale, lind një benefit për shitësin, i barabartë me 20% të TVSH-së mbi vlerën e atij produkti që nuk derdhet në arkën e shtetit dhe 10% të Tatimit të munguar mbi fitimin që gjeneron ai produkt. Të gjithë këto elementë bëjnë që rrjetet e supermarketeve, të detyruar të regjistrojnë shitjen e çdo produkti për shkak të madhësisë, pra monitorueshmërisë dhe përkatësisë në grupe ekonomike të huaja, të ndeshen në një disavantazh kostosh që çon në një ofertë tregtare më pak tërheqese se ajo e dyqaneve të vogla për konsumatorin. Ky rezultat ekonomik përcaktohet nga një eliminin i avantazheve të lidhura me përmasat nga barra fiskale që, në të kundërt, subjektet e vogla të tregut të pakicës arrijnë të evitojnë.

Së dyti, supermarketet duke pasur sipërfaqe më të gjëra e duke qenë më të mirëorganizuara në nivel investimi në pajisje, personeli të trajnuar, kushtesh të përshtatshme për ruajtjen e produkteve dhe kontrollesh më të rrepta mbi cilësinë e ofertës, suportojnë një grup kostosh strukture që, nga njëra anë garantojnë një oferte tregtare cilësore e të sigurtë për bleresit por nga ana tjetër ka nevojë të shpërndahet në volume të konsiderueshme shitjesh, në mënyrë që kurba e kostos unitare afatgjatë të prodhojë avantazhe në kompetitivitet. Këto të fundit do të përktheheshin më pas në avantazhe në çmimin final të shitjes.

Por impakti qe kursimet fiskale të subjekteve të vogla tregtare kanë mbi grafikun e kostove unitare të një produkti, duke qenë se paraqiten si kursime mbi koston variabël, përkthehen në mënyrë të menjëhershme në një çmim më të ulët për produkte të ngjashme. Kjo çon në një riorientim të kërkesës masive drejt këtyre subjekteve dhe pamundësi të strukturave të mëdha të përfitojnë nga avantazhi i përmasave, që për definicion, në një treg ku ligjet e konkurrencës janë të njëjta për të gjithë, prodhojnë kompetitivitet më të lartë të tyre e mbizotërim të supermarketeve apo qendrave tregtare.

Konsumatori shqiptar për pasojë merr një ofertë më pak të garantuar duke mos pasur një përfitim të madh ne cmime sepse, operatorët më të mëdhenj të tregut do te mund te ofronin të njëjtat cmime, ndoshta edhe më kompetitive, nëse do të mund të arrinin volumet e shitjes që do lejonin një optimizim të strukturës së tyre të kostove. Për momentin, ato pak operatorë prezentë në treg janë akoma larg një sistemi kostosh efiçent për shkaqet e sipërpërmendura dhe kjo e ben tregun pak atraktiv për investime të mëtejshme dhe konsolidim të modeleve ekonomike të ngjashme me ato te vendeve më të zhvilluara.

Së fundi, duhet kuptuar që informaliteti i tregut të pakicës si pikë kontakti mes biznesit dhe konsumatorit,  shkakton një parregullsi në të gjithe zinxhirin e vlerës sepse është e natyrshme që nëse pikat e shitjes nuk zgjedhin të shesin në mënyrë të rregullt nga pikëpamja fiskale, nuk do të pranonin as të blinin në mënyrë të rregullt. Për pasojë problemi transferohet në hallkat e sipërme të shpërndarjes me shumicë, prodhimit apo importit duke shkaktuar një fragmentim tërësor të të gjithe rrjetit të krijimit të produkteve apo shërbimeve, mbytje të rritjes, pamundësi lindjeje të tregtarëve apo prodhuesve të mëdhenj por mbi të gjitha, pamundësi të tërheqjes së investimeve të huaja.

Impakti i këtij fenomeni në ekonomi pra është mjaft i gjerë dhe ndoshta kërkon një analizë më të detajuar. Por ajo që është e rëndësishme të perceptohet në këtë fazë është arsyeja kryesore në bazë të problemit të copëzimit të shumë sektorëve në ekonominë shqiptare  dhe ndërgjegjësimi mbi nevojën e realizimit të një aksioni fiskal kryesisht mbi subjektet e vogla në kontakt me konsumatorin e fundit.

Veprimi i organizuar i administratës tatimore do të orientohej kështu mbi shkaktarin e vërtetë të inefiçencës, tregun e shitjeve me pakicë, si gjenerator i parë i informalizimit të ekonomisë që më pas shpesh trashëgohet në mënyrë të forcuar në rrugëtimin që produkti përshkon deri tek konsumatori, me të gjitha pasojat e ashpra që ka mbi rritjen e ekonomisë së një vendi dhe konkurrueshmërinë e bizneseve të rregullta në treg. Çdo ndërhyrje në hallka të tjera të prodhimit dhe distribucionit, siç është bërë dendur deri sot, ka të bëjë më tepër me luftën ndaj pasojës, sesa ndaj shkakut.

Disa hapa teorikë janë ndërmarrë në këtë drejtim. Mund të përmendet ligji i vitit 2008 mbi detyrimin e bizneseve të vogla për të paraqitur një bilanc në format të thjeshtuar dhe mbi pajisjen e detyrueshme të këtyre subjekteve me kasa fiskale. Zbatueshmëria është shtrirë gjate tre viteve në vazhdim dhe në të vërtetë proçesi nuk mund të konsiderohet akoma i implementuar. Në thelb duhet theksuar se ndërhyrje të tilla legjislative janë vetëm pjesërisht të suksesshme pasi, për të prodhuar një ndryshim efektiv në treg, duhet të shoqërohen me organizimin e administratës për një sistem kontrollesh sistematike dhe ndëshkimesh tatimore lidhur jo vetëm me pajisjen, por mbi të gjitha përdorimin e pajisjeve fiskale nga operatorët e shpërndarë të tregut të shitjeve me pakicë.

 

4 Responses to Kaosi i Tregut Shqiptar

  1. Drini says:

    Po mire, dkqse ekzistojne avantazhe per ekonomine nese shkrihen subjektet tregtare te vogla, kush do ishin sipas teje incentivat e qeverise ne lenien jashte tregut te punes te afersisht 228.915 te punesuarve(91.566 ndermarrje *2,5 (mesatarja e te punesuarve ne keto ndermarrje)?
    Une e shof me gradual kete ndryshim, dhe me ne afatgjate.

  2. Dea says:

    Po te pergjigjem me
    nje statistike te thjeshte: ne Shqiperi papunesia efektive mendohet te jete rreth 30% (CIA Factbook), ne cdo vend tjeter europian ku mbizoterojne strukturat e medha ne treg eshte me e ulet se 30%,madje edhe ne kushtet e nje krize te theksuar. Atehere, per deduksion llogjik mendon se ekzistojne me shume vende pune ne nje shoqeri ku tregu perbehet nga struktura te vogla apo struktura me te medha te organizuara? Pergjigja eshte e qarte.

  3. Drini says:

    Pyetja ime nuk ishte cili nga modelet prodhon me shume punesi! dhe nuk jam fort dakort me kete raportin e fundit qe fute ne analize: treg i perqendruar/ papunesi,kjo sepse nuk ka korrelacion te forte me te dyja variablat. Megjithate, po e vazhdoj si dikutim dhe po perdor te njejtin burim informacioni tuajin (CIA factbook), qe mos te kemi probleme me vertetesi te dhenash.

    Ju informoj qe Maqedonia qe ju e merrni si nje nder vendet krahasuese, duke deklaruar qe kane treg me te perqendruar se Shqiperia ka nje papunesi te deklaruar 31,4% dhe nuk dihet ajo efektive, ne krahasim me Shqiperine 13,3% papunesi te deklaruar qe me ponderim mund te shkoje ne 30%. Nderkohe eshte e vertete qe shtetet europiane kane papunesi me te ulet se 30% (edhe pse te larte, Spanja 23%) por kjo jo domosdomeshmerisht sepse kane tregje me te strukturuar. Marr ketu si shembull Turqine – 77% SME – 9% papunesi.

    Eshte po e vertete, qe tregjet me te perqendruar dhe te me strukturuar kane avantazhet qe ke permendur ne artikull, por nuk duhet te dilet ne konkluzione pa marre parasysh kushtet reale te tregut dhe impaktin qe hipotezat qe propozohen mund te kene. Nese forca punetore e Shqiperise eshte 1.053 million dhe punesimi aktual (me 13.3% papunesi) eshte 913,000 dhe nese forca punetore qe mendoni te ri-alokohet nga mikro-struktura te tregut ne makro-struktura eshte 290,000 – atehere impakti eshte 32% te punesimit aktual.

    Keshtu qe duhet treguar kujdes me revolucionet ekonomike propozon!

  4. Dea says:

    Atehere Drini, premisa e argumentit eshte e gabuar (dhe shifra perkatese qe sygjeron) pasi ne CIA Factbook thuhet se papunesia ne Shqiperi, pavaresisht nga shifra zyrtare, mendohet te superoje nivelin 30% per shkak se e gjithe fuqia punetore ne zonat rurale konsiderohet e vetepunesuar pavaresisht nga punesimi dhe te ardhurat efektive te kesaj kategorie – pra nuk ekzistojne te dhena per punesimin efektiv te kesaj kategorie. Dhe faktikisht 47.8 % e fuqise punetore konsiderohet e angazhuar ne sektorin bujqesor.
    Sa per Maqedonine, nuk po e konsideroj nje model per t’u ndjekur, thjesht nje rast vendi fqinj me nje perqindje te koncentrimit pak me te madhe se ne Shqiperi ne retail (megjithese ne cdo rast fragmentim shume te larte krahasuar me vende te tjera europiane dhe dhe me nje informalitet qe dhe ne ate rast konsiderohet i patolerueshem). Por sektori i retailit eshte gjithsesi me i perqendruar dhe po te shohesh, nje pjese me e madhe e fuqise punetore ne ate rast(63.4% ne Maqedoni kundrejt 29.2% ne Shqiperi) eshte e angazhuar ne Sherbime (ku sipas klasifikimeve ekonomike perfshihet dhe Tregtia dhe Shitja me pakice). Pra me pak fjale, perfundimi e sakte do mund te nxirrej duke vleresuar shperndarjen e te papuneve sipas sektoreve, jo shifren komplesive te papunesise.
    Se fundi, do te shtoja qe ky artikull nuk synon te promuovoje koncentrimin e tregut por te nxise nje eliminim te infomalitetit ne Shqiperi duke goditur subjektet qe ne fakt jane shkaktaret e vertete te tij dhe me pak te kontrolluarit deri sot per arsye shpeshhere extraekonomike. Informaliteti eshte nje plage e madhe qe pengon rritjen ekonomike. Reduktimi i tij eshte nje “must” per te nxitur zhvillimin. Koncentrimi i mepasshem i tregut eshte vetem nje pasoje dhe qellimi im ishte te theksoja se kjo pasoje nuk do te kete impakt afatmesem dhe aftagjate negativ mbi punesimin, perkundrazi, rritja ekonomike qe do te pasoje do te permiresoje situaten edhe ne kete drejtim.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.