Banka e Shqipërisë foli. Tani është radha e Bankës Tregtare
Për gjitha problemet që ka tranzicioni ekonomik i Shqipërisë, Banka Qendrore mbetet një institucion që nuk ka pasur luhatje në besueshmëri nga ana e publikut vendas. Si e tillë ajo ka mundur të mbajë inflacionin nën kontroll gjatë viteve të tranzicionit si dhe të krijojë shtratin e duhur rregullator për të lejuar krijimin e institucioneve financiare që kanë çuar në investime e rritje të produktivitetit të ekonomisë dhe bizneseve vendëse.
Por nga ana tjetër publiku është shumë pak i kultivuar në çështjet e ekonomike sa për të analizuar apo përvetësuarvendimet që ndërmerr Banka Qendrore dhe arsyetimet e saj. Kjo distancë mes publikut dhe Bankës Qendrore ka të ngjarë që të ngushtohet në vitet e ardhshme, kur shumë qytetarë do të kenë një kredi në monedhën vendase në bankat tregtare. Në këtë rast çdo ndryshim ose ulje e normës së interesit nga guvernatori i bankës qendrore, gjithmonë në rast se pavarësia institucionale vazhdon siç është sot, do të shndërrojë këtë pozicion në më të rëndësishëm se vetë Kryeministrin e vendit, ashtu siç thoshte dhe Bill Klinton në vitet 1990: është ekonomia, budalla.
Gjatë katër viteve të fundit Banka e Shqipërisë ka reaguar në kohë dhe me vendosmëri për të mënjanuar çdo efekt negativ në sistemin financiar vendas. Si shembull mund të përmendim suksesin në parandalimin e një paniku bankar në vitin 2008, duke rikthyer tërësisht besimin te bankat vendase, aq sa sot thuhet se po pëlcasin nga depozitat e qytetarëve. Së dyti, mori masa të duhura për monitorim e mbikëqyrje të përditshme të bankave të nivelit të dytë. Të dyja këto masa vunë në test besueshmërinë dhe aftësinë e bankës qendrore për të reaguar në kohë dhe me fuqinë e duhur për të përballur me sukses një situatë financiare të paprecedentë për ekonominë.
Nga ana tjetër masa e tretë lehtësuese për ekonominë reale vendase ka qenë dhe ndjekja e një politike monetare ekspansioniste, duke ulur normën bazë të interesit. Mund të kujtojmë se në fillimet e krizës globale, shtator 2008, norma e interesit e bankës qendrore ishte 6.25%, duke u ulur në mënyrë të vazhdueshme, pothuajse çdo tre muaj deri sa sot ajo qëndron në 4.25%, pra 2 për qind më pak. Por sot një ndër shqetësimet legjitime të Bankës Qendrore është mosreagimi i bankave të nivelit të dytë ndaj ndryshimit të normës bazë të interesit, ku interesat për kreditë mbeten në të njëjtat nivele, dhe madje edhe ritmi i rritjes së kredisë vazhdon të jetë i ulët, njëlloj si më parë. Reagimi i institucioneve private është në kontrast me kushtet favorizuese që ka krijuar politika fiskale e qeverisë për sistemin e taksave në vend, të cilat u aplikuan për fatin e bizneseve tona afërsisht një vit para se bota të goditej nga kriza më e madhe financiare e tetëdhjetë viteve të fundit.
Për këtë arsye, shumë mund të pyesin se çfarë rëndësie ka mosndryshimi i normës bazë të interesit në 4.25% gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës për ekonominë vendase?
Në vetvete dhe fakti që kjo normë nuk është ulur më tej është një tregues i mirë në parashikimin e Bankës për mbarëvajtjen e ekonomisë vendase dhe inflacionit në muajt e ardhshëm. Në fjalën e tij guvernatori Ardian Fullani u shpreh se ‘parashikimet bazë për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen vijojnë t’u përmbahen vlerësimeve tona të mëparshme për një rritje ekonomike pozitive, por nën potencial’.
Politika monetare e Shqipërisë është në pozicion të mirë, ndryshe nga shumë vende të botës, përfshirë dhe vende të zhvilluara, si Anglia dhe Amerika, ku bankat qendrore kanë ulur koston e huasë afërsisht në zero dhe janë detyruar të ndjekin politika të paprecedenta monetare për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë (quantitative easing). Për këtë arsye politika monetare e Shqipërisë ka akoma hapësirë për të ndikuar apo ndihmuar ekonominë vendase dhe në rastet ekstreme në të ardhmen. Por padyshim që tani pesha kryesore u mbetet bankave të sektorit privat, të cilat duhet të rrisin gamën e produkteve që ofrojnë për bizneset dhe qytetarët. Gjithashtu, politikat e ndjekura nga bankat tregtare gjatë viteve të para duhen rishikuar dhe të bëhen më elastike për t’u përshtatur me kushtet e reja të ekonomisë vendase. Për fat të keq shumë ide të mira biznesi nuk materializohen për shkak të procedurave të tilla si mungesës së kolateralit. Një ndër sugjerimet e dhëna nga institucionet ndërkombëtare për shtytjen e rritjes ekonomike është ndërtimi i strukturave të kreditimit që kanë në fokus ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë mbi 90% të bizneseve private në vend. Vështirësitë ekonomike nuk i filloi ekonomia shqiptare, por aktorët e ekonomisë shqiptare mundet ta kalojnë këtë ngërç së bashku.
“Për fat të keq shumë ide të mira biznesi nuk materializohen për shkak të procedurave të tilla si mungesës së kolateralit…”
Se pari, mungesa e kolateralit nuk eshte procedure, por fenomen. Te kerkosh kolateral eshte nje praktike shume e mire kredidhenie qe mbron banken dhe depozituesit. Nuk duhet harruar qe kriza filloi ne Amerike per shkak te uljes se standarteve te kredidhenies.
Se dyti, nuk eshte detyre e bankave te financojne biznese te reja qe s’kane as pervoje ne treg, as kolateral. Ne gjithe boten sipermarrjet e reja financohen nga business angels ose venture capital funds (shiko shkrimin e botuar tek kjo faqe mbi kete teme). Nuk eshte faji i bankave qe tregjet financiare jane jo te plota ne Shqiperi.
Se treti, nese mungesa e kolateralit po pengon kreditimin e bizneseve te konsoliduara, zgjidhja nuk mund te jete t’u kerkosh bankave te japin kredi pa kolateral, por te shikosh se ku calon puna me sistemin e regjistrimin te pronave. E di autori qe shumica e apartamenteve te reja ne Tirane jane te pahipotekuara?