Duke qënë larg Shqipërisë dhe si shumë të tjerë si unë, mundohem të lexoj në mënyrë  të vazhdueshme për atë se ç’ndodh në vendin tonë. Si kur lexoj ashtu edhe kur jam me pushime në Shqipëri, më ndodh shpesh të më kapi një ndjenjë e thellë rebelimi si rrjedhojë e së cilës më vjen të gërthasë me sa fuqi kam. Një rebelim me ne si qytetarë. Një rebelim me hipokrizinë dhe mungesën e sinqeritetit ndaj vetes që shfaqim çdo ditë, dhe që na bën të harrojmë që duhet shumë vullnet dhe sakrificë për tu bërë qytetarët e mirë që aq shumë dëshirojmë.

Ndërsa mburremi çdo ditë me të ashtuquajturat bukuri që na ka falur natyra, dështojmë të dallojmë varfërinë shpirtërore në të cilën jetojmë. Ne jemi një shoqëri që nuk investon në ide, kulturë, art, sport por që gjeneron mediokritet dhe banalitet të cilat më pas ja servir vetes si arritje.

Ndërsa në Shqipëri flitet për rritje ekonomike, shumë pak analizohen burimet mbi të cilat bazohet kjo rritje, si po përdoren ato, dhe mbi të gjitha si po investohet në rigjenerimin e tyre. Mos vallë po hamë gjë vetveten dhe po e thërrasim “zhvillim”?! Ne pranojmë te gënjehemi cdo ditë me përalla mbi sukseset tona ndërsa mohojmë atë që duket sheshit: të rinjë të keqformuar, pa aftësi konkuruese, që vinë vërdallë për të vrarë kohën, por ama të diplomuar.

Ndërsa të gjithë e pranojmë që struktura e korruptuar shtetërore është një nga pengesat kryesore të investimeve të huaja cilësore dhe sipërmarrjes vendase, të rinjtë e përmendur më lart janë sot më të etur se baballarët e tyre për të qenë burokratët e rradhës. Me siguri më dëshirën e mirë për të përmirësuar/shpëtuar vendin, edhe nëse kjo do të kërkonte vet-sakrifikim.

Mafia është ulur këmbëkryq në vendin tonë të dashur dhe kjo pranohet gjerësisht si fakt në shoqëri. Por kur na thonë se janë pikërisht paratë e pista të mafias që na lejojnë të hamë e pimë qyl duke mos punuar ose punuar shumë pak, na preket sedra dhe ju kujtojmë historinë e lavdishme të këtij populli trim dhe liridashës.

Në raste festash fetare të gjithë nuk kursehemi të lavdërojmë tolerancën e besimit që karakterizon këtë shoqëri. Një tolerancë kjo që vështirë ti besohet ndërsa sheh egërsinë e mardhënieve tona ndërqytetare, ku imponimi i vullnetit tekanjos të më të fortit ndrydh çdo ditë shpirtin e lirë të individit. Ndërsa ne jemi tepër të zënë në garën për të qenë i forti i rradhës në këtë cmenduri kolektive, harrojmë që janë fëmijët tanë ata të cilët do i mbajnë pasojat.

Gjakmarrja është dëshmia e trishtueshme e prapambetjes, depresionit, dhe injorancës në të cilën gjendemi. Më e trishtueshme se gjakmarrja vetë është paftyrësia më të cilën ne e injorojmë këtë plagë. Ne duhet të na vijë turp, fëmijëve tanë duhet ti vijë turp, gjyshërve tanë duhet ti vijë turp, këtij dheu duhet ti vijë turp për çdo familje të ngujuar dhe jetë të rrezikuar. Por ne turpin e kemi ngrënë me bukë.

Që sistemi shëndetsor, në vend që të kurojë sëmundje, është kthyer në një kancer shoqëror me kosto maramendëse për xhepat e qytetarëve të thjeshtë këtë e pranojmë po të gjithë. Nga ana tjetër askush nga ne nuk pranon të dëgjojë për mundësinë e një rishikimi rrënjësor të sistemit që do kërkonte sakrifica nga të gjithë. Ne nuk na pëlqejnë sakrificat. Ne na pëlqenë qyli. Prandaj ne mundohemi të gjejmë “anën” për të dalë nga bataku vetëm atëherë kur na troket në derë. Pikërisht sepse jemi përtaca dhe qylaxhi, ne kemi nevojë që sistemet tona të kenë hapsira për këto “anë”.

Jemi po ne që kemi qejf të dëgjojmë për një rol gjithnjë e më të madh të shtetit në aktivitetin social-ekonomik, pavarsisht se nuk gjen shqiptar që nuk shfryn, shan, mallkon sa herë që i duhet të ndeshet me strukturat e tijë. Por ashtu si një dështak ka nevojë për dikë ose dicka të cilës ti verë fajin për mizerjen e tijë më shumë se sa dëshirë për të ndryshuar gjërat, ashtu edhe ne si popull kemi nevojë për shtetin e korruptuar, i cili ka në dorë çdo gjë, për të justifikuar dështimet tona individuale dhe shoqërore.

Janë pikërisht këto hipokrizi dhe mungesa e sinqeritetit ndaj vetes që tregon paaftësinë dhe frikën e madhe që kemi për të marë në dorë të tashmen tonë me qëllim për të ndryshuar të ardhmen. Është pikërisht kjo pasiguri dhe tendenca jonë për të bërë pazar me këdo që na siguron një copë bukë pa punë që qëndron në thelb të krizave tona përsëritëse dhe dështimit për t’ju bashkuar Europës së ideve dhe qytetarëve të lirë. Sepse çdo gjë ka cmimin e vet.

Prandaj kur nesër të dëgjoni një mik që flet për shtetin që duhet të bëj më shumë, ndalojeni dhe pyeteni nëse e ka konsideruar që mbase Shqipëria ka nevojë për një shtet që ndërhyn më pak dhe qytetarë që punojnë më shumë për ti dalë zot vetvetes dhe jo në kurriz të të tjerve. Çfardo llojë përpjekje për të patur një shtet të madh, të cilit ti lemë në dorë përparimin tonë individual dhe shoqëror, në një kohë kur ne nuk kemi kuptuar akoma vlerën e të vërtetës, lirisë dhe drejtsisë është e thënë të dështojë ashtu siç deri më sot.

“Do të njihni të vërtetën, dhe e vërteta do ju bëjë të lirë”- Gjoni 8:32, Dhjata e Re

 

3 Responses to Për një shoqëri të ndërtuar mbi të vërtetën

  1. Koço Broka says:

    I nderuar z Stringa. Urime për shpirtin tënd qytetar. Jam plotësisht dakort me Ju kur shkruani “Për një shoqëri të ndërtuar mbi të vërtetën”
    Gjithsesi, ende kam nw kujtesë diskutimin e njw studenteje, të Juridikut, e cila jo më pak e rebeluar se ju, ngriti shetesimin per frustimin e madh që kziston këtu në Shqipëri.
    Por shoqet e shoket e saj në një pjesë të madhe nuk gjejnë punë kur mbarojnë shkollën. Për rrjedhjë mendoj se rebelimi nuk mjafton Cfarë duhet bërë më tej pwr të ndwrtuar një shoqëri të ndertuar mbi të vërtetën ?!
    Mendoj se ky forum mund te bëjë jo pak në këtë aspekt.

    Më pëlqeu ideja juaj “Prandaj kur nesër të dëgjoni një mik që flet për shtetin që duhet të bëj më shumë, ndalojeni dhe pyeteni nëse e ka konsideruar që mbase Shqipëria ka nevojë për një shtet që ndërhyn më pak dhe qytetarë që punojnë më shumë për ti dalë zot vetvetes dhe jo në kurriz të të tjerve. Çfardo llojë përpjekje për të patur një shtet të madh, të cilit ti lemë në dorë përparimin tonë individual dhe shoqëror, në një kohë kur ne nuk kemi kuptuar akoma vlerën e të vërtetës, lirisë dhe drejtsisë është e thënë të dështojë ashtu siç deri më sot.”
    Ndaj mjaft gjëra të pwrbashkëta me Ju, pwr rolin e shteti në ekonominë e tregut
    .
    Më bën përshtypje fakti se thuajse gjithë studentët që kanë studjuar jashtë, e pranojnë këtë ide dhe nuk mungojnë ta amplifikojnë. Ndërsa une si pedagog i Hyrjes në Ekonomiks, më duhet ta shtjelloj me studentët e mi.

    Por duhet të dish se në mjaft Universitete private ketu në Shqipëri, nuk bëhet lënda Hyrje në Ekonomi e jo më të trajtohet në mënyre të qartë dhe të plotë çeshtja e rolit të shtetit në ekonominë e tregut.(antyrisht kjo çeshtje trajtohet por jo aq dhe sidomos jo ne ate trajte sa dhe si e trajtoni Ju studentet qe kini mbaruar ne perendim

    Nderkohe në Shqiperi në rafshin praktik vihet re një reminishencë e së kaluar lidhur me pritshmërinë nga shteti që e ushqen paradoksalisht (demokracia-zgjedhjet)!?
    Te jem me konkret. Kudo ne botë edhe në SHBA bujqesia merr subvencione.
    Keto nuk ishin te munduara dot nga shteti shqiptar deri në vitin 2004,për një fakt te thjeshte se buxheti me te ardhurat nuk mbulonte shpenzimet korrente.Mbeshtetja e fermerve realizojej nepermjet projekteve te caktuara te BB, USAID, SNV, etj

    Me pas kur u rritën te ardhurat ka filluar subvencionimi dhe mbështetja e bujqësise dhe e fermerve. Por kjo rezultoi dhe në të njëjtën kohë u bë një karem shume i mirë për vota. Cila Parti Politike u premton me shume fshatarve mbeshtetje financiare merr me shume vota dhe këtëe radhe duke brohoritur me shume per nje qeverisje të vogel.
    Po te besh nje krahasim te thjeshtë midis subvencioneve që realizohen sot nga qeveria shqiptare, me ate qe pritet te filloje gjashtemujorin e dyte duke realizuar financime nga BE edhe per fermeret shqiptare, nëpermjet IPARD, mund te dallosh qarte se ka dallime te medha thelbesore ne rolin e shteti ne ekonomi.
    Ne rastin e pare realizohet nje transferim i thjeshte, duke ruajtur stakuone e bujqesise shqiptare, ne rastin e dyte, ka nje konceptim mjaft te perpunuar qe e mbeshtet financimin vetem ne se realiohet NPV pozitive, pra vetem ato projekte qe realizojne rritjen e produktivitetit uljen e kostos, rritjen e konkurrueshmerise se bujqesise shqiptare.

    Projekti IPARD, deshmon se cilesia e universiteteve te shumta ne numur nuk i pergjigjet kesaj kerkese

    Pra nga transmetimi i ideve me liberale apo me efikase per rolin e shtetit në ekonomine e tregut , kerkohet se cfare duhet ndryshuar konkretisht ne praktiken ekonomike shqiptare, në Universitet.
    Gjithsesi urime per shkrimin
    Koço

  2. Elona says:

    Urime per shkrimin Z.Stringa!!! Eshte nje ze i brendshem i te gjithe intelektualeve shqiptare, mendoj une. Eshte gjendje qe te vret, qe te mbush syte me lot kur e sheh, kur sheh se c’rini po mbjell ai vend dhe se ne c’kushte behet jeta per pjesen me te gjere te popullsise. Por ajo pyetje qe me rri cekan ne koke mua eshte c’te bejme qe ta nxjerrim shqiperine nga kjo gjendje?? si duhet te veprojme??? une isha aty 2 vjet, kontribuova ne fakultetin ekonomik te nje universiteti privat dhe brenda meje ndjeja trishtim se sa pak vleresohet pedagogu sot, dhe se sa pak pedagoge me vlera ka, se sa kaos eshte nje cdo drejtim jete dhe ne cdo fushe zhvillimi, sa pak rregull, organizim, korrektesi gjen kudo qe te drejtohesh. U detyrova te largohem prape..me zemer te thyer..kthehem me mall dhe nate e dite mendoj: c’te bejme per te rregulluar gjendjen?? te kthehemi?? kush na hap rruge?? duhet nje strukture, nje organizem qe ti mbledhe te gjitha mendjet e ndritura dhe te krijoje nje sistem te organizuar per ti sherbyer shqiperise. Une do isha e para qe do kontribuoja si te mundja!!

  3. […] Histerezis ndodh kur ekuilibri i ardhshëm i papunësisë varet nga nivelet e papunësisë së maparshme, apo papunësia e lartë vazhdon në nivele të tilla për një kohë të gjatë për shkak të efekteve permanente që lënë shoket negative në ekonomi. Papunësia mesatare  në Shqipëri nga viti 2000 deri me tani ka qënë rreth 14% duke mos shkuar asnjëherë poshtë 12%. A kemi ne një situatë “Histerezis” në Shqipëri, dhe nga se është shkaktuar ajo? Kjo pyetje kërkimore duhet tashmë të kishte entuziazmuar kërkuesit shqiptarë pasi tregon për drejtimin e duhur të politikave strukturore të tregut të punës. Për më tepër papunësia ështe një problem akut social. Ne kemi qënë vokal ndaj problemit të papunësisë si këtu. […]

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.