Fox Marble është një kompani për të cilën shumë pak prej nesh, përfshirë dhe autorin, kanë dëgjuar më parë. Një ndër arsyet është se në botën shqiptare biznesi operon në fshehtësi dhe rrallë herë ata janë transparentë me publikun e gjerë. Për të bërë një prezantim të shkurtër, Fox Marble është një kompani e cila operon 100% në Kosovë dhe që javën e shkuar ka bërë më shumë punë për rregullimin e imazhit të shtetit të Kosovës se shumë pushtetarë të marrë bashkë.

Kjo kompani, e cila ka zyrat qendrore në Londër, ka marrë të drejtën për të nxjerrë mermer nga toka e Kosovës me koncesion për 25 vjet. Fox Marble në vizionin e saj për të bërë sa më cilësor përpunimin e mermerit ka patur nevojë për fonde financiare për investime të mëtejshme. Dhe ajo ka zgjedhur që këtë ta bëjë duke iu drejtuar publikut të huaj. Ajo është kompania e parë në Kosovë dhe në rajon që është pranuar të tregtojë aksione në Bursën e Londrës, arritje kjo që u përcoll me shkrime të shumta nga mediumet botërore si: Financial Times, The Daily Express, London Evening Standard, The Business Desk etj. Sipas Financial Times, ky mermer kaq cilësor ka shërbyer dhe për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë në ShBA. Kristofer Gilbert, drejtor Ekzekutiv i kompanisë, është shprehur se listimi në bursën e Londrës mundësoi që kompania të akumulonte 9.6 milionë paund ose 12 milionë euro nëpërmjet shitjes së aksioneve për të investuar më tej në përpunimin e nxjerrjen e mermerit. Duhet theksuar që kjo kompani është krijuar vetëm në vitin 2011.

Ky shembull shërben për t’i treguar biznesit shqiptar se në 20 vjet ekonomi tregu ata kanë humbur mjaft nga mundësia për të zgjeruar dhe më tej aktivitetin ekonomik në vend e në rajon dhe për të shfrytëzuar në maksimum instrumentet financiare për të akumuluar fonde financiare me kosto minimale. Shpeshherë përfaqësues të biznesit në vend si Konfindustria dhe Business Albania kanë argumentuar se Banka Qendrore duhet të ulte normën bazë të interesit më shumë dhe më herët, në mënyrë që, sipas tyre, të luftohet mungesa e likuiditetit në ekonomi. Por asnjë nga këto organizata nuk ka ndërmarrë ndonjë fushatë publike për të orientuar bizneset në vend mbi mundësinë e listimit në bursë dhe përfitimit që ato do të kenë më pas.

Banka e Shqipërisë në mënyrë konstante tregon se depozitat në vend vetëm rriten nga muaji në muaj, por kredia vazhdon me një rritje të ngadaltë, duke treguar fuqinë e madhe që kanë bankat si të vetmet institucione financiare në vend. Bankat e nivelit të dytë kanë fuqi të madhe në dhënie kredie dhe kushtet që ato kanë vendosur për të dhënë kredi kanë ardhur duke u rritur pas krizës financiare të vitit 2008. Duke qenë se shumë prej kompanive private e ndjenë se aksesi në bankat e nivelit të dytë ishte gjithnjë e më i vështirë, atëherë është e pashpjegueshme përse këto biznese nuk janë munduar të gjejnë alternativa të tjera financimi si listimi në Bursën e Tiranës.

Në këtë bursë aktualisht ka zero kompani vendase të listuara, ndërkohë që Bursa e Zagrebit numëron 233 kompani, Bursa e Beogradit 1339 kompani, Bursa e Maqedonisë 70 kompani dhe Malit të Zi 55. Nga ana tjetër vlera e këtyre bursave varion dhe arrin deri në 22 miliardë dollarë në Kroaci dhe 2 miliardë dollarë në Maqedoni.

Bursa e Tiranës është në operim dhe ka njerëz që janë të gatshëm të punojnë në interes të kompanive në vend, por me të vetmin kusht që pasqyrat vjetore financiare (bilanci, pasqyra e fitim/humbje dhe cash flow-t) duhet të jenë të audituara (kontrolluara) nga ekspertë kontabël të pavarur dhe të mbulojnë një periudhë kohore për tre vitet e fundit financiarë. Ndoshta kjo kërkesë ka ndikuar që në Shqipëri të mos kemi asnjë kompani të listuar në bursë. Ndaj dhe në fillim të artikullit shkruhet se në botën shqiptare biznesi operon në fshehtësi dhe rrallë herë ata janë transparentë me publikun e gjerë dhe me shtetin, prej të cilit vazhdojnë të presin gjithnjë e më shumë.

 

5 Responses to Të listohesh apo jo? Kjo është pyetja.

  1. FLORA DISHNICA says:

    Besart…doja te beja nja dy observime per pjesen e dyte..ne lidhje me aktivizimin e Burses se Tiranes..pranoj se kam njohje siperfaqesore te funksionimit te Burses. Megjithate edhe nese arrijme te kemi bilance te kontrolluara nga audit te pavarur dhe per tre vjet, dhe kompanite shqiptare fillojne te operojne me me teper transparence, Bursa ne vetvete eshte nje kompani me mjaft veshtiresi ne operim (dhe eshte mire te jete private..)
    Duhet pasur sistemi elektronik per trading (shitje blerje te aksioneve) si ai qe perdoret ne bursa te tjera se pari..kosto qe per momentin nuk kam neper duar por qe jane te larta. Se dyti, nese nje biznes listohet..procedura ndiqet nga bankat, te cilat me tej do te veprojne si garantues likuiditeti. Sot ne Shqiperi nuk ka banka me Departament te pershtatshem te ndjeki listimin e me pas negocimin e aksioneve. Bankat e huaja nuk mund te operojne ne Shqiperi, sepse ka limitime logjistike dhe ligjore, dhe nje Banke Investimi e huaj, akoma me teper sot, nuk mund te operoje ne nje treg ku nuk ka akses.

    Ne fakt observimet jane edhe ne forme pyetje,…sepse me intereson dhe pelqen qe kjo teme po analizohet seriozisht (ketu i referohem edhe emisionit mbi kete teme)

    Faleminderit

  2. IDLIR GJATA says:

    Pershendejte Besart

    Se pari doja te te pershendesja per vemendjen qe ngren mbi kete ceshtje e cila eshte nje nga mungesat e ekonomise Shqipetare.
    Se dyti pervec veshtiresive qe jane ngritur ne artikull e me pas ne komentin e Flores, doja te ngrija nje tjeter ceshtje. Ne operacionet e trading neper bursa sipas rregullave nuk duhet qe tregu te kete informacion mbi ate qe do behet ne te ardhmen. Psh shembull, kompanite e konsulences nuk duhet te kene komunikim me jashte gjate periudhave qe behen Merge and Aquisition midis kompanive te ndryshme. Ne nje vend relativsht te vogel si Shqiperia ku rrjedhja e informacionit eshte shume e madhe dhe me nje shperhapje te jashtezakonshme, si mund te menaxhohej ky problem ? A mund ta bente kjo Bursen e Tiranes nje parajse per spekulatoret ?

  3. Besart says:

    Pershendetje,

    Une jam i idese qe bursa e tiranes te shihet thjesht si nje institucion ndermjetesues njesoj sic jane bere sukseshem bankat ne Shqiperi.
    Kishte shume persona qe shihnin dhe bankat si firma piramidale. Zakonisht ne marrim me shume dyshim cdo gje te re. Bursa e tiranes ka nevoje te shfrytezohet mekanizmat i gjen tregu me pas lehtesisht. Per kete arsye besoj se detajet e operimit te burses mbeten per tekniket dhe une nuk marr persiper te jap ndonje ide per te. Por ajo qe me shqeteson eshte se perse bizneset ne Shqiperi nuk kane mundur te behen po aq transparent me shtetin dhe publikun.

    • JOHANNES ESTRADA says:

      Mbase sepse po te ishin transparent do humbisnin shume? Ka nje shprehje te famshme te Rockfeller-it (vertetesia e te ciles eshte e diskutueshme): “me kontrolloni cdo vit te biznesit tim pervecse te parit”. Kjo besoj se pershkruan dhe nje pjese te madhe te biznesit shqiptar.

  4. Dritan Shano says:

    Natyrisht, listimi ne Bursen e Tiranes nga ana e shpk-ve dhe sha-ve shqiptare do te behej ne rast se keta operatore ekonomike do te kishin nevoje per kapital, dhe jo se me do qejfi mua, qeverise apo organizmave nderkombetare (sic me ka rene rasti te debatoj ne te shkuaren) dhe aq me pak se te gjitha vendet e rajonit kane nje Burse te veten operative. Listimi ne burse eshte nje proces multiplanesh qe lidhet me a)strukturen e pronesise se kompanive/firmave shqiptare (99% e te cilave jane biznese te vogla, me sakte te vockela fare qe hapen dhe mbyllen me nje fare shpejtesie te pashendetshme); b) besueshmerine pothuaj inekzistente mbi titujt e pronesise se paluatjshme te ketyre kompanive/firmave – ceshtje e cila vec do te filloje te marre udhe me funksionimin e Gjykates Administrative dhe permbylljen e regjistrimit te pronave anembane Shqiperise e garantimit qe ato nuk tjetersohen administrativisht sa hap e mbyll syte; c) besueshmerine pothuaj inekzistente mbi bilancet vjetore te kompanive/fimave dhe po ashtu mbi administraten fiskale qe i certifikon ato, si dhe mosfunksionimin ende te Agjensise se Falimentit; dhe d) besueshmerine inekzistente ndaj biznes-planeve (me se shumti te sajuara sa per te shtene ne dore sadopal likuiditet), dobesia e te cileve shtohet edhe me shume nga paparashikueshmeria e ndryshimeve ligjore te shpeshta te cilat afektojne performance e bizneseve…. a ka elemente te tjere? padyshim qe po, por po shkruaj keto meqe eshte e djele.
    Se fundmi, qe Bursa te funksionoje dhe te jete kredibel duhet doemos te jete private. mbi te gjitha duhet te linde si nje grassroot necessity. A kane operatoret ekonomike shqiptare nevoje per kapital? Mendoj qe po. a Jane ata te organizuar? ka nje arradhe Dhomash dhe Shoqatash… ku e gjejne kapitalin? dy menyra tradicionale (beaten paths): hua personale dhe kredi bankare. T’i besh kompanite/firmat shqiptare qe t’i drejtohen mekanizmit ndermjetesues te Burses kerkon nje modernizim te Mentalitetit ende oriental te shekullit te kaluar te te berit biznes, nga njera ane, dhe nje kompani private pak te zhvidhosur nga trute, qe te pranoje te listoje kompani/firma shqiptare me te gjitha/ apo qofte edhe nje pjese te problemeve qe permendem me lart. goxha rruge per te bere….

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.