Artikulli i mëposhtëm u vendos ne faqen tonë në Facebook dhe gjeneroi shumë komente. Ato mund ti shihni këtu. Duke qënë se kemi patur dhe artikuj të tjerë me fokus bursën shqiptare vendosëm ta publikojmë në blog për të vazhduar diskutimet.

____________________________________________________________________________

Intervistë me z. Artan Gjergji, ekspert i Tregjeve Financiare. Cilat janë arsyet sipas tij, që nuk po çelet ende Bursa e Tiranës, frika dhe dëshira për informalitet dhe evazion fiskal, që i bën subjektet e ndryshme të mos mblidhen dhe të procedojnë për këtë hallkë, e cila sot është imperativ në zhvillimin madh global të ekonomisë botërore…

A ka një lloj frike të pashpjegueshme të shqiptarëve ndaj Bursës së Tiranës që duket sikur po shtyhet në kalenda?
“Nuk besoj se ka lidhje me frikën në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Megjithatë, që përpara se të ndodhte kriza globale e tregjeve imobiliare dhe financiare, ngurrimi i shqiptarëve (kryesisht bizneseve), për ta parë bursën si një alternativë mjaft e mirë për financimin e aktivitetit të tyre, vjen kryesisht për shkak të  “stereotipit” negativ të krijuar nga eksperienca aspak e mirë, që pati shembja e skemave piramidale në ekonominë e vendit.
Nëse shtojmë këtu edhe mungesën e njohurive të mjaftueshme financiare të publikut, si dhe perceptimin e gabuar që ekziston në masë në publik se e vetmja mënyrë për të financuar aktivitetin e biznesit është forma e huamarrjes (kredi banke, leasing, mikro-kredi etj.), i bën ata të rrinë larg të panjohurës. Në anën tjetër, edhe pse mes tyre mund të ketë individë me njohuri të kënaqshme në tregjet financiare dhe përfitimet e mëdha që sjellin ato, përsëri, eksperienca negative me skemat piramidale, i bën të kërkojnë patjetër sipërmarrjen e shtetit në këtë iniciativë, ende të panjohur dhe të paprekur në vend”.
 Mendoni se nuk janë pjekur kushtet dhe potenciali i biznesit shqiptar është ende i pamjaftueshëm për të filluar listimin në Bursën e Tiranës?

 

“Në gjykimin tim, kushtet për fillimin nga funksionimi i Bursës së Tiranës janë pjekur prej kohësh, dhe kjo kryesisht për dy faktorë që janë të rëndësishëm: e para, nevoja për fonde jo të kushtueshme financimi, me qëllim përshtatjen dhe ristrukturimin e biznesit sipas kërkesave në rritje dhe konkurrencës së lartë globale. Në këto kushte, financimi i aktivitetit, nëpërmjet tregut të kapitaleve, duke emetuar letra me vlerë kapitali (aksione) apo letra me vlerë borxhi (obligacione), përbën një alternativë shumë më pak të kushtueshme për biznesin vendas. Fatkeqësisht, ky i fundit se ka kuptuar ende këtë potencial. Dhe e dyta, maturimi i aktivitetit financiar të një pjese të shëndetshme të biznesit vendas. Me këtë kam në mendje ushtrimin e aktivitetit me transparencë të plotë ndaj autoriteteve fiskale, si një kusht i domosdoshëm për t`u listuar në një bursë letrash me vlerë. Kjo sepse aksionet e biznesit që listohet me qëllim rritjen e kapitalit, blihen nga miliona individë. Për rrjedhojë, suksesi dhe dështimi i këtyre bizneseve ndikon një grup të madh njerëzish. Ndaj është e nevojshme që bursa vete, por edhe entet rregullatore të jenë mjaft kërkues në aspektin e transparencës financiare ndaj bizneseve. Në ditët e sotme, një pjesë jo e vogël e biznesit vendas, nuk do e kishte problem çështjen e transparencës, duke marrë parasysh përfitimet e mëdha që u sjell financimi nëpërmjet bursës”.
Cilat mendoni se janë fajtoret kryesore për mosfunksionimin e Bursës së Tiranës: Institucionet vendase apo këshillat e institucioneve të huaja?
 “Faktorët janë kompleksë, por unë gjykoj se tre janë kryesorët:
 a) Mos maturimi i klasës së biznesit dhe tendenca për të operuar në informalitet dhe evazion fiskal, është një ndër shkaqet kryesore që i ka mbajtur këto subjekte larg bursës. Nga ana tjetër, deri më sot nevoja e tyre për fonde është plotësuar nga sistemi bankar në vend, i cili paradoksalisht, kur i vlerëson (para se t’i kreditojë), u pranon të dy bilancet.
b) Mos mbështetja e klasës politike (e të gjitha krahëve) ndaj këtij segmenti të rëndësishëm të tregut financiar. Kjo ndihmë ndër të tjera mund të ishte shumë ë rëndësishme kryesisht duke kanalizuar një pjesë të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore nëpërmjet Bursës, siç kanë bërë pa përjashtim të gjitha vendet e lindjes (duke filluar nga Maqedonia e Mali i Zi deri ne Rusinë e largët). Gjithashtu, mund të kishte pasur edhe një mbështetje fiskale për të nxitur bizneset të listohen në Bursë, duke u reduktuar taksat ose duke i përjashtuar nga taksat për një periudhë të caktuar kohore.
 c) siç me të drejtë pyesni edhe ju, neglizhenca dhe mosmbështetja direkte e donatorëve të ndryshëm. Në gjykimin tim, institucione financiare prestigjioze financiare si Banka Botërore dhe FMN, duke mos arritur kurrë të shfajësohen që e lanë Shqipërinë në vorbullën financiare të skemave piramidale (kujtojmë se prezenca e tyre s’ka munguar asnjëherë në Shqipëri), u treguan mjaft të kujdesshme në periudhën pas-piramidave, duke vënë theksin tek një sistem bankar i shëndetshëm dhe i mirërregulluar. Natyrisht edhe fondet e tyre, edhe asistenca dhe këshillimi i tyre janë alokuar në këtë drejtim prej ka e kaq vitesh. Rezultati? Aktualisht kemi një sistem financiar asimetrik, me një sektor bankar relativisht të zhvilluar mirë dhe një sistem jo-bankar (ku hyn dhe bursa e tregu i kapitaleve) ende të pazhvilluar, edhe pse ekzistojnë si koncepte juridike (institucione amorfe) prej vitesh”.
Pse nuk e artikulon asnje nga forcat politike domosdoshmerine e saj…
 Klasa politike nuk është e ka ndonjë ndryshim të madh nga ambjenti publik. Thënë këtë, kam në mendje faktin se frika e përsëritjes së një skenari të ri të skemave piramidale (në mënyrë naive ka njerëz që mendojnë se bursa është kumar), e bën klasën politike, t’i qëndrojë ftohtë një skenari të nxitjes së bursës. E këtë e bëjnë duke u fshehur pas frazave boshe” “kur të jetë e nevojshe, e krijon vetë biznesi”.
Cilat mendoni se duhet të ishin hapat e biznesit shqiptar për të krijuar klimën e nevojshme për funksionimin e saj.
“Në radhë të parë duhet të kuptojmë që nuk e krijon biznesi Bursën. Ai e përdor atë për të gjetur fonde të lira financimi. Presioni pozitiv i biznesit në këtë drejtim, mund të shtyje Qeverinë që të nxisë zhvillimin e Bursës së Tiranës. Por, në situatën ku kemi arritur, gjykoj se një Bursë Tirane do të bëhej e mundur, vetëm me bashkimin e disa bankave kryesore të nivelit të dytë, të cilat të merrnin përsipër zhvillimin e këtij sektori jo si konkurrencë e sektorit banka, por si pjese komplementare e tij”.
Tagged with:
 

9 Responses to Informaliteti dhe evazioni fiskal, mbajnë drynin e Bursës së Tiranës

  1. ALTIN KADAREJA says:

    (ne pergjigje te komentit ne fcb)

    Mr. Gjergji
    Shqiperia nuk eshte ne planetin mars dhe as shume larg botes se zhvilluar ekonomike, keshtu qe nuk eshte e nevojshme te luajme gjithmone rolin e viktimiva dhe pa shprese per te ndryshuar status quo aktuale. Jam shume dakort kur thua qe kerkon shume pune.

    Por, tek lexoja mesazhin tend me lindi nje pyetje duke cituar ate qe ke thene ne artikull:
    “Në gjykimin tim, kushtet për fillimin nga funksionimi i Bursës së Tiranës janë pjekur prej kohësh…”

    Si mund te filloje te funksionoje kjo burse, kur ashtu sic thua ti bursa ka ka te pakten 9 vjet qe eshte lene ne meshire te fatit, e qe bursa ka fonde vetem sa per rrogen e 5-6 punonjesve ….dhe skane para as per te blere letra e stilolapsa…. Dmth, nuk kuptoj si jane pjekur kushtet per fillimin nga funksionimi?

    Artan, une me te drejte flas per strategji start-up, marketingu dhe komunikimi sepse nuk ka menyre tjeter per te qene konkurrent ne treg. E keni bere nje business plan ju? Si ne te kundert, mund te bashkosh kerkese-oferte ne sherbimin qe ofron? Duhet te gjenden incentivat per te gjithe palet e interesuara ne sherbim. E keni bere kete?

    Dhe mos harro, realitet i ndryshem nuk do te thote REALITET I PAMUNDUR.

  2. Artan Gjergji says:

    Altin,

    Aty ku me citon ti, une them qe jane pjekur kushtet qe te funksionoje Bursa. Kjo dmth ekziston nje kerkese dhe oferte reale per kapitale ne treg. Thene ndryshe, nga ana e OFERTES PER LETRA ME VLERE ….. biznesi shqiptar ka arritu ne fazen qe rritet me nje shpejtesi me te madhe se sa mundesite per financim nga sistemi bankar (kete te fundit e pengojne limite ligjore te akspozohet vetem ndaj 1 biznesi mbi nje nivel te caktuar kapitali). Keshtu qe, ka biznese potenciale qe mund te rrisin kapitalin e tyre duke emetuar letra me vlere (aksione ose obligacione korporatash), nepermjet burses. Ne anen tjeter, ekziston nje KERKESE PER LETRA ME VLERE ….sepse bankat jane overliquidity (niveli i larte i depozitave), e kjo per shkka se investitoret skane alternativa financiare. I vetmi instrument financiar ku mund te inestojne eshte letra e Borxhit Qeveritar (bono ose Obligacion). Pra ka nje uri per te diversifikuar pozicionet e inestimit (kursimit). Po te shkosh me thelle, edhe vete bankat apo institucionet qe kane likuiditet te tepert si Fondet e Pensioneve, Fondet e Investimeve, apo Posta e ndonje institucion tjeter, mund te jene ne anen e KERKESES ne kete treg. Mos llogarisim edhe institucionet qe mund te jene te interesuara nga jashte per te diversifikuar portofolet e tyre.

    Keshtu, ne mes te nje KERKESE dhe OFERTE ekzistuese, ka edhe INSTITUCIONE prezente …. ka edhe KUADER LIGJOR per cdo gje (listim, IPO, Take Over, Prospectus, Corporate Bonds, Municipal Bonds, Custody Banks etc etc etc).

    Kesaj i thone qe JANE PJEKUR KUSHTET QE TE KETE NJE BURSE TE ZHVILLUAR NE SHQIPERI……

    Sa per statusin aktual …. nese do arrihej te thyhej akulli, dhe kompania e pare te listohej …. atehere nuk eshte problem per Qeverine, te financoje aktivitetin e BURSES…deri sa te kaloje Break-Even Point.

    Por fatkeqesisht ne kete pike ku kemi ardhur, shpresa ime ka mbetur vetem organizimi i BANKAVE …qe me nje Ortakllek te Perbashket te krijojne nje Sistem Elektronik te ngjashem me NASDAQ, qe te nxisin edhe bizneset te drejtohen drejt Burses. Une nuk them qe eshte e pamundur …. thjesht them qe eshte e veshtire …. e me thene te drejten une jam lodhur duke luftuar !!!

    • ALTIN KADAREJA says:

      Artan,
      Nuk ka dyshime mbi kerkesen dhe oferten, dhe per kete me duket sikur jemi te gjithe dakort. Ai qe une ngre si problem eshte menyra e bashkimit te kerkeses dhe ofertes, dhe ketu futet ne loje Bursa e Tiranes dhe strategjite qe implementon. Por mesa duket, keto nuk ekzistojne dhe per kete une kembegul qe kushtet per fillimit te funksionimit nuk jane pjekur. Kompanite nuk i kane te qarta avantazhet e listimit dhe investitoret nuk kane besim tek qendrueshmeria dhe soliditeti i kompanive shqiptare.

  3. Blendi says:

    Mendoj se kemi nje mungese te infrastruktures ligjore per te krijuar nje burse funksionale ne plot kuptimin e fjales,plus qe siguaria qe ofrojne organizmat ose institucionet ne mbrojtje te investitorit nese kryhen transaksione ne burse nuk eshte e besueshme.Pra garancia qe japin ketu eshte shume e ulet si nga ana e biznesit dhe shtetit e normalisht bursa e Tiranes do hasi shume veshtiresi per tu krijuar nga disa individ qe e mbeshtesin.Duhet te kete incentiva me te medha qe te realizohet dicka e tille :)))))

  4. eri says:

    Eshte nje teme sa e diskutuar aq dhe delikate.
    I ndoqa komentet ne fcb dhe me pas ketu. Nuk mendoj se nuk jane pjekur kushtet qe biznesi te listohet, eshte e vertete biznesi shqiptar e di shume mire se cdo te thote burse dhe listim…i intereson ose jo?…kjo eshte tjeter gje. Por te pakten ne dijenine time kohet e fundit po pergatiten kompani per te bere IPO, dhe me asistence te eksperteve te huaj. Dhe kuptohet kjo nuk eshte e lehte, teoria dhe praktika jane disi shume larg nga njera-tjetra.

    Ne lidhje me komentin e Altinit: Ne sitin e internet, aktiviteti i fundit daton ne 14 dhjetor (nuk thote cilin dhjetor por supozojme 2011) ne nje trajnim qe ka marre pjese stafi dhe vazhdojne me te tjera trajnime qe ka kryer stafi. Ne kete pike kam dy konsiderime. E para, mungon cfaredo lloj seminari dhe trajnimi i biznesit apo investitoreve potencial ne ato avantazhet qe flisja perpara. E dyta, nese une ne rolin e investitorit apo kompanise qe dua te listohem, shikoj vetem trajnime, nje pikepyetje mbi aftesine e stafit e ngre.

    OK hyra dhe e lexova website ne internet dhe nuk e di se cfare faqe ka vizituar Altini, se ne faqe te pare nuk kishte trajnime stafi, por ajo qe me ra ne sy ishte qe Bursa e tiranes ishte pjese e nje projekti se bashku me bursat e tjera. Dhe kete lajm une e kam lexuar ne newspaper ketu ne London qe ne mars per iniciativen e 8 bursave te europes juglindore, te mbeshtetur nga donatoret. Ndoshta duhet te jemi me realiste. Dhe nese kjo eshte e vertete mendoj se per ta arritur eshte bere nje pune shume e madhe nga ana e vet burses.

    Po ne website pashe se kishte disa konferenca te zhvilluara nga bursa ne bashkepunim me ifc per ndergjegjesimin e biznesit. Pra pavaresisht se “bursa ka fonde vetem sa per rrogen e 5-6 punonjesve ….dhe skane para as per te blere letra e stilolapsa…”perseri duket se gjen menyra per te bere dhe forume biznesi… e jo trajnime…

    Ndoshta miq duhet te kthejme syte e ta shikojme realitetin sic eshte dhe te mos flasim po te njejtat fjale gjithmone, duhet keshtu duhet ashtu… ndoshta Artan kane ndryshuar gjerat dhe jane paksa me te prekshme, nuk jane me si me pare kur ju keni qene pjese e stafit… Dhe ndoshta eshte mire qe ti bejme nje up-date dhe informacioneve, pasi tregjet kane ndryshuar, ashtu si ka 2 vjet qe Mali i zi nuk ka me 2 bursa por vetem 1…

  5. ALTIN KADAREJA says:

    Eri,
    te pershendes per komentin. Po te futesh tek siti i burses se Tiranes http://tse.com.al/ dhe tek shkosh tek njoftime/aktivitete do e gjesh qe aktiviteti i fundit eshte ne dhjetor…
    Nga komenti juaj, nuk arrij dot te kuptoj kush eshte teza qe mbroni. Dmth, ti thua qe tregu financiar shqiptar dhe bursa jane gati qe te fillojne operimin? Dhe kjo sepse kane marre pjese ne nje seminar se bashku me 8 bursat juglindore? Dhe per kete duhet shume pune per tu arritur? Dhe per te gjitha keto, ne duhet te jemi me realist?

  6. eri says:

    Altin ndoshta nuk e ke kuptuar cfare thuhet… Nuk behet fjale qe bursa e tiranes ka marre pjese ne nje seminar me 8 bursa te tjera… Jo Altin, 8 bursa kane nenshkruar nje platforme per te vepruar se bashku si psh nasdaq omx,dhe kjo eshte mbeshtetur teknikisht nga usaid…
    Per mendimin tim kjo nuk eshte pak, eshte arritje, strategji… Nuk e di si mund ta quani Ju…

  7. Pol says:

    Pershendetje,

    Deridiku eshte e kuptueshme qe “Informaliteti dhe evazioni fiskal, mbajnë drynin e Bursës së Tiranës” , por me shume se kaq un do te shtoja se:

    – “Informaliteti dhe evazioni fiskal” mbajne akoma me teper dryna se kaq, te akoma me teper problematikave se kjo –

    por

    thelbi i metejshem i arsyetimit dhe argumentimit llogjik do te shtrohet, se kush i mban celsesat e ketyre drynave te “Informalitetit dhe evazionit fiskal” ?!

    A ka qartesi pas asaj qe vjen pas?!
    Apo mjegulla vazhdon dhe me tej?!

    Ketu veme re, nese problemi eshte vetem kaq, apo akoma me i madh me i thelle e me i gjere.

    Ju falenderoj
    Me respekt

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.