Komiteti  i  Baselit  për  Mbikqyrjen Bankare është  një  organizëm për bashkpunimin në  fushën e mbikqyrjes botërore bankare me qëllim përmirësimin e kësaj mbikqyrje. Komiteti krijon mundësinë  e shkëmbimit të  informactionit ndërmjet autoriteteve mbikqyrëse të  shteveve të  ndryshme me qëllim nxitjen e një  qëndrimi  të  përbashkët. Gjithashtu, Komiteti publikon standarte dhe rregulla në  fusha të  caktuara të  mbikqyrjes banakare  nëse kjo shihet si e nevojshme. Standartet ndërkombëtare mbi nivelin e përshtatshëm të  kapitalit  bankar, të  njohura në  ambientin bankar  me  emrin e thjeshtë  “Basel”, janë  një  nga publikimet më  të  rëndësishme të  këtij Komiteti.

Standartet  e para mbi mjaftueshmërinë  e kapitalit u publikuan në  vitin 1988 dhe njihen me emrin “Basel I”.  Në  vitin 2004 Komiteti  publikoi  serinë  e dytë  të  standarteve mbi mjaftueshmërinë  e kapitalit, të  njohur si “Basel II”, e cila zëvëndësojë  Basel I. Si rrjedhoje e krizës globale financiare  në  të  cilën  u gjëndëm disa vite më  parë , vendet e G20 aprovuan në  samitin e Seulit (Nëntor 2010) propozimin për ndryshimin e standarteve mbi mbikqyrjen  bankare  me qëllim  forcimin e sajë  dhe përmirësimin e menaxhimit  të  rrezikut  në  sektorin bankar.  Si rrjedhoje Komiteti publikoi në  2011 “Basel III”, një  përmbledhje standartesh që  zëvëndësojnë  Basel  II.  Implementimi Basel III po bëhet shkallë  shkallë  duke filluar  këtë  vit (2012) dhe pritet të  përfundojë  në  2019.

Qëllimi i Basel III është  të  përmirësojë  menaxhimin e rrezikut  në  sektorin bankar si dhe të  përmirësoje aftësinë e këtij sektori për  të  përballuar  tronditjet që  mund të  shkatohen nga krizat  ekonomike  apo financiare në të ardhmen. Për të  arritur këtë qëllim  Basel  III  vendosi  detyrime  më  strikte se Basel II mbi mjaftueshmërinë  e kapitalit  bankar, si dhe vendos për here të  parë  detyrime  mbi likuiditetin  në  këtë  sektor. Është  e rëndësishme të  theksohet se Basel  III  përcakton  detyrimet minimale që  duhet  të  ndjekin bankat  dhe  secili  shtet mund të  vendos  detyrime  edhe  më  strikte për  bankat që  operojnë  në  teritorin e tijë  nëse e sheh të  arsyeshme.

Rritje e cilësisë  dhe sasisë  së  kapitalit minimal të  detyrueshëm

Rregullat e reja mbi mjaftueshmërinë  e kapitalit do të  rrisin cilësinë  dhe sasinë  e kapitalit që  bankat duhet të  kenë  duke shtrënguar kushtet  se çfarë  mund të  klasifikohet si kapital si dhe duke rritur raportin e detyruar të  këtij kapitali kundrejt aktiveve totale të  ponderuara për rrezikun. Për të  kuptuar  se di do të  arrihet  rritja e cilësisë  së  kapitalit është  e rëndësishme të  kuptojmë  cilat janë  përkufizimet kryesore të  llojeve të  kapitalit dhe se si kanë  ndryshuar ato me hyrjen e Basel III:

Tier I Common – Matës i kapitalit aksioner themelor të  një  banke.

Kapital Tier I – Ky paraqet kapitalin themelor të  një  banke, që  përfshin kapitalin aksioner dhe fitimin e pashpërndarë . Me hyrjen e  Basel III, disa lloje kapitali të  cilësuara si me pak cilësore, si psh. tatimi i shtyrë  aktiv,  janë  përjashtuar nga klasifikimi si kapital Tier I.  Gjithashtu rregullat e reja  përjashtojn në shumicën e rasteve  njohjen (recognition) e interesave jokontrolluese si pjesë  e kapitalit  Tier I. Përllogaritet  që  afërsisht  240 miliard  euro  kapital që  klasifikohej  si Tier I me Basel II nuk i plotëson kushtet për këtë  klasifikim nën Basel III.

Kapital Tier II – Ky paraqet kapitalin “dytësor”, më pak cilësor se kapitali Tier I, që  përfshinte elemente si rezervat e paraportuara, rezervat e përgjithshme, borxhin  e subordinuar, dhe atë  që  njhet me termin kapital “hibrid”. Kapitali “hibrid” është  ai kapital që  ka disa cilësi  si të  borxhit  (shëmbull: pagesat për investitorët që  klasifikohen si interes dhe si rrjedhojë  zbriten si shpenzime për qëllim taksash)  por që  shihet si kapital  nga këndveshtrimi i depozitorëve (klientëve) sepse vjen pas depozitave në  hierarkinë  e liquidimit. Me hyrjen e rregullave të  reja pjesa  më  e madhe e kapitalit “hibrid”, siç e njohim, nuk do të  mund të  klasifikohet si kapital Tier II.

Kapitali Total – Ky  kapital është  përgjithësisht  shuma e kapitalit  Tier I dhe Tier II. Është  e rëndësishme që  kapitali Tier II nuk mund të  jetë  më  i madh se kapitali Tier I, që  do të  thotë  që  të  paktën  50% e kapitalit total të  një  Banke duhet të  jetë  kapital Tier I.

Për të  kuptuar se çfarë  nënkupton rritja e sasisë  së  kapitalit minimal të  detyruar, është  e rëndësishme të  kuptojmë  se si matet  sasia e kapitalit  dhe si ka ndryshuar ajo me hyrje në  Basel III. Si nën Basel II dhe Basel III  minimumi i detytuar i kapitalit për një  banke shprehet  si raport  i kapitalit  në  krahasim me aktivet  totale të  ponderuara  për rrezikun (“ATPR”). Për të  llogaritur aktivet  totale të  ponderuara për rrezikun, aktivet e një  banke ponderohen në përputhje me kategoritë e gjera të rrezikut nocional, të cilave  i caktohet  një peshë  rreziku në përputhje me shumën e kapitalit  të nevojshëm për mbështetjen e tyre. Tabela e mëposhtme  përmbledh formulat  matëse  të  sasisë  së  kapitalit, minimumet e detyrueshëm nën Basel II dhe Basel III, dhe ndryshimet e minimumeve të  detyrueshme ndërmjet Basel II dhe Basel III.

Matësit e Sasisë  së  Kapitalit

Minimumi i Detyrueshëm

Emri

Formula

Basel II

Basel III

Nryshimi

Raporti i Tier I Common Tier i Common/ATPR

2%

7%

5%

Raporti i Kapitalit Tier I Kapitali Tier I/ATRP

4%

8.5%

4.5%

Raporti i Kapitalit Total Kapitali Total/ATRP

8%

10.5%

2.5%

Raporti i “Leverage” Kapitali Tier I/AMTA*

0%

3%

3%

(*) Aktivet mesatare tremujore të  axhustuara

Nga më  lart, dallojmë  qartë  që  minimumi i detyrueshëm për  të  gjithë  matë sit e sasisë  së  kapitalit është  rritur. Gjithashtu, Basel III ka futur edhe Raportin e “Leverage” si një  matës tjetër përveç  atyre të  Basel  II. Kompania e vlerësimit  të  kredive  Fitch përllogarit  që  29 institucioneve  më  të  rëndësishme financiare në  botë  (global systemically important financial institutions) mund t’ju nevojitet  afërsisht  566  miliard dollarë  në  kapital  aksioner  shtesë  brënda  2018  për  të  kënaqur kërkesat e Basel III. Gjithashtu  përllogaritet  që  insitucioneve  financiare  Europiane do t’ju nevojitet  afërsisht 1.1 triliard euro kapital total shtesë  brënda 2019.

Detyrimet e reja mbi liquiditetin

Pëpara krizës financiare, vëmendja e mbikqyrjes bankare ishte përgjithesisht e fokusuar tek mjaftueshmëria e kapitalit. Zhvillimet e krizë s financiare  vunë  në  dukje që  liquiditeti  është  po aq i rëndësishëm sa kapitali në  menazhimin e rrezikut në  sektorin bankar. Rregullat e Basel  III  vendosin për herë  të  parë  standartet  globale minimale  mbi likuiditetin. Qëllimi i këtyre standarteve  është  të  nxise bankat  të  kenë  asete  likuide  të  cilësisë  së  larte të  mjaftueshme  për të  përballuar tronditjet e një  krize. Detyrimet e vendosura nga Basel III mbi likuiditetin janë  në  formën e dy raporteve matës të  quajtur Raporti i Mbulimit të  Likuiditetit (Liquidity Coverage Ratio)  dhe Raporti i Fondeve të  Qëndrushme Neto (Net Stable Funding Ratio).

Raporti i Mbulimit të  Liquiditetit  kërkon që  bankat  të  kenë  minimalisht   një  sasi “aktivesh  shumë  likuide” të  barabartë  me nevojat  totale neto për  para (rrjedhjet neto negative të  parasë)  në  muajin në  vazhdim. Në  rastin ideal, patja e kësaj sasie aktivesh  likuide  do të  lejonte bankën të  mbijetonte  për një  muaj në  mungesë  fondesh si rrjedhoje e një  krize liquiditeti. Është  e rëndësishme të  kuptohet që  egziston një  mundë si  statistikore që  një  aktiv  i konsideruar si shumë  likuid të  kthehet në  jolikuid gjatë  një  krize, dhe si rrjedhoje periudha e mbijetesës së  bankës të  jetë  edhe më  e vogël seç parashikohet. Më  poshtë  është  parqitur formula e Raportit të  Mbulimit të  Liquiditetit.

Detyrimi i dytë  mbi likuiditetin është Raporti i Fondeve të  Qëndrueshme Neto. Ky detyrim ka si qëllim të  krijojë  stimuj që  bankat të  kenë  më  shumë  forma të  qëndrueshme fondesh për të  financuar aktivet me pak likuide. Raporti i Fondeve të  Qëndryshme kërkon që  investimet dhe huatë  e dhëna nga banka me afat më  të  gjatë  se një  vit të  mbështeten nga burime fondesh të  qëndruesheme. Që  fondet  të  konsiderohen  të  qëndrushme ato duhet  të  jenë  a) me afat më  të  gjatë  se një  vit ose  b) me afat më  të  shkurtër se një  vit por nga burime të  konsideruara të  qëndrueshme. Më  poshtë  është  parqitur  formula e Raportit të  Fondeve të  Qëndrueshme Neto.

Ndikimi i Basel III në ekonomi

Basel III do të  sjelli një  rritje  të  kapitalit  aksioner  dhe liquiditetit  në  sektorin bankar  e  shoqë ruar me një  rritje të  kostos për fondet e nevojshme. Krediti  i ekonomisë  nga  sistemi  bankar parashikohet  të  ulet  në  planin  afatgjate  me  4.6%  në  vendet që  janë  pë rfshirë  nga  kriza  aktuale  dhe me 14.8%  në  vendet  që  nuk janë  ndikuar  nga kjo krizë . Si rrjedhojë  disa studime parashikojnë  një  ulje mesatare të  fitimit mbi kapitalin (return on equity) prej 4%  për  bankat  në  Europë  dhe 3%  për  bankat në  Amerikë. Gjithashtu  parashikohet që  kostot e implementimit,  përfshirë  përmiresimin e sistemeve të  raportimit për t’ju përshatur rregullave të  reja, do jenë  po aq të  larta sa dhe ato të  Basel II. Për më  tepër, futja a rregullave të  reja rrit kompleksitetin e ambientit në  të  cilin operon  sektori bankar.

Komiteti  i  Baselit  ka arritur  përfundimin që  të  mirat  nga  Basel III  janë  më  të  larta  se kostot  e  kësaj rregullore  në  ekonomi. Ky përfundim është  arritur  duke marë  të  mirëqenë  që  tregu ka mundësi  të  plotësojë  nevojat  për  kapitalin shtesë  që  kërkon  Basel III. Komiteti  beson se kriza  si ajo që  po kalojmë  kanë  kosto  shumë  të  larta  për  ekonominë  dhe se rregulat e reja do të  zvogëlojnë  frekuencën dhe dëmin e krizave bankare në  të  ardhmen duke rritur aftësinë e sektorit bankar për të përballuar humbjet.

Që Basel III të arij qëllimin e tij është shumë e rëndësishme një vlerësim i saktë i rrezikut ndaj të cilit bankat janë eksposuar (shih përdorimin e “aktiveve totale të ponderuara për rrezikun” në matjen e mjaftueshmërisë së kapitalit). Kriza financiare tregoi që bankat jo vetëm që ishin jo mirë të kapitalizuara por edhe të paafta për të vleresuar drejtë rrezikun e instrumentave financiar në të cilat kishin investuar. Megjithëse futja e detyrimeve per likuiditetin ndihmon në këtë drejtim, autoritetet mbikqyrëse duhet të jenë shumë të vëmëndshëm për të garantuar që modelet e përdorura nga bankat për të vlerësuar drejtë rrezikun e pozicionit të tyre financiar janë të përshtatshme.

Ndikimi i Basel III në strategjinë e sektorit bankar

Basel III ndikon theksueshëm  në modelet  e  biznesit në  sektorin bankar. Bankat  po rivlerësojnë  strategjinë  e tyre për të  parë  cilat aktivitete  ti  zgjerojnë  dhe cilat  ti  reduktojnë  ose mbyllin si rrezultat i rregullave të  reja. Detyrimi për rritje të  kapitalit minimal dhe rregulat e reja të  likuiditetit i bëjnë  disa aktivitete bankare, përfshirë  dhe portofolin aktual tregtar, me pak fitimprurës  se  më  parë. Bankat po shohin mundësitë  për të  zgjeruar investimet e konsideruara likuide dhe po zvogëlojnë  aktivitetet që  kanë  efekt negative në  matjen e likuiditetit sipas Basel III. Aktivitetet që  nuk kanë  ekspozim në  pozicionin financiar dhe që  gjenerojnë  të  ardhura në  formë  komisionesh do bëhen më  tërheqëse për këtë  sektor. Bankat do të  bazohen gjithnjë  e më  shumë  në  depozitat  nga klientët si formë  më  e qëndrueshe  financimi, ndërsa do të  duhet të  rishikojnë  çmimin e kredive që  japin si rrjedhojë  e rritjes së kostove.

 

Referencat:

http://www.bis.org/publ/bcbs189.pdf

http://www.bis.org/bcbs/basel3.htm

http://www.bis.org/publ/bcbs128b.pdf

http://www.ey.com/Publication/vwLUAssets/Making_every_drop_count:_Basel_III_liquidity_requirements_and_implications_for_US_institutions/$FILE/Making%20every%20drop%20count-Basel%20III%20liquidity%20requirements%20and%20implications%20for%20US%20institutions.pdf

http://www.pwc.com/us/en/financial-services/publications/viewpoints/assets/viewpoint-Basel-III.pdf

http://www.kpmg.com/Global/en/IssuesAndInsights/ArticlesPublications/Documents/basell-III-issues-implications.pdf

http://www.imf.org/external/pubs/ft/wp/2011/wp11119.pdf

http://www.fitchratings.com/creditdesk/press_releases/detail.cfm?pr_id=750022

http://lexicon.ft.com/Term?term=core-tier-one-capital

Basel III and European banking: Its impact, how banks might respond, and the challenges of implementation (McKinsey, 2011)

 

 

3 Responses to Basel III dhe Ndikimi i Tij

  1. ALTIN KADAREJA says:

    Ami, artikulli eshte i mire dhe shume i qarte. Kisha dy pika qe do doja ti diskutonim bashke:

    1) Nderkohe qe Basel III rrit likuiditetin ne sektorin bankar, cfare mund te themi per sektoret e tjere te ekonomise nderkohe qe niveli i kreditimit nga bankat kundrejt ketyre sektoreve pritet te ulet dhe kosto e kapitaleve pritet te rritet?

    2) E dyta, lidhet me modelin e biznesit te bankave. Ai po ndryshon rrenjesisht, qofte per uljen e margins te perfitimeve, qofte per kushtet e krizes ekonomike prej dhe drejt sektorit bankar, po ashtu edhe per ndryshimet teknologjike qe po ndryshojne totalisht kete sektor. Por ajo qe duket te jete tendeca kryesore eshte ndarja e biznesit retail me ate investment, dmth bankat qe perpara perfshinin te dy linjat e biznesit duke grumbulluar te ardhura nga retail dhe investuar keto te ardhura ne “investment”, tani po tentojne te krijojne dy linja te ndara biznesi me qellim trasparencen e perdorimit te parave te klienteve.

    P.S-kemi bere nje debat te lezetshem me disa komentues tonet tek ky artikulli http://www.ekon.al/2012/05/21/ne-nje-kohe-te-ndryshimit-te-rregullave/

  2. AZMI STRINGA says:

    Altin,

    Se pari me lejo te sjelle ne vemendjen tende dhe lexuesve te tjere qe kam shtuar nje paragraf te fundit ne pjesen rreth ndikimit te Basel III ne ekonomi. Kjo qe erdhi per te theksuar nje aspekt me shume te rendesishem qe nje lexues tek Peshkpauje vuri ne dukje.

    Per sa i pekte pyetjeve te tua:

    1. Eshte e rendesishme te kuptojme qe sektoret e tjere ne ekonomi jane edhe investitore/depozitore por edhe kliente te bankave. Masat e reja bejne qe bankat te kerkojne forma financimi me cilesore/te qendrueshme nga investitoret. Keta investitore do marin nje rrezik me te madhe mbi vete dhe si rrjedhoje do kerkojne nje shperblim me te madhe. Nje pjese te kesaj kostoje te rritur bankat do ja kaloje klieneve te tyre huamares. Duke patur parasysh qe roli i bankave eshte te menaxhojne rrezikun dhe alokojn kapitalin ne menyren me efikase, pritet, si rrezultat i masave te reja, nje tkurrje te kreditimit dhe si rrjedhoje nje rritje ekonomike me te avashte. Gjithashtu rritja e kerkeses per investime likuide mund te reflektohet ne kreditim me kohezgjatje me te vogel, qe perkthehet ne rrezik rifinancimi me te madh per huamaresit. Me pak fjale shoqeria po pagaun per me shume siguri ne sistem.

    2. Per sa i perket modelit besoj se mbetet akoma per tu pare ne vitet ne vazhdim pas daljes nga kriza. Sot vihet re qe bankat jane shume konservatore ne aktivitetet qe ndermarin dhe po fokusohen gjithnje e me shume ne ate qe dine te bejne me mire (pikat e tyre te forta). Kjo eshte edhe me e thejsuar per bankat europiane te cilat jane goditur goxha nga kriza. Ndersa nuk ka nje larmi aq te larte sa me pare ne produkte bankare, vihet re nje fokus i madhe i bankave ne vendet ne zhvillim si Amerika Latine dhe Asia. Me kalimin e krizes, oreksi i bankave dhe investitoreve per rrezik do te rritet dhe kjo do te perkthehet ne ndryshime ne modelet e biznesit dhe larmi aktivitetesh.

    Ami

  3. Dorin Rama says:

    Artikull shume i qarte e informues!
    Deshiroj te shtoj edhe nje element qe mendoj se eshte i rendesishem ne rekomandimet qe jane bere nga komiteti i Baselit per Basel III. Kriza tregoi se bankat paten nje defekt lidhur me prociklicitetin. E thene me qarte, ato shpendanin me shume kredi ne fazen e larte te ciklit dhe shprendanin me pak kredi ne fazen e ulet te ciklit, cka thekson me shume prociklicitetin e ekonomise. Per kete Basel III propozon nje shtese prej 2.5% fondesh vetjake ne fazen e larte te ciklit. Kjo shifer i shtohet 7% te raportit te Tier 1 Common.

    Gjithashtu nje limit i Basel III qe diskutohet ne forumet ekonomike boterore sot eshte edhe veshtiresia qe rregullat e tij krijojne per financime te medha afatgjate si infrastruktura gjigande apo shndrrime te sistemeve energjitike (Europa permes Paktit te Stabilitetit synon uljen e importit te energjise dhe krijimin e me shume impianteve te energjise jeshile, cka kerkon kredi afatgjate).

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.