Sot bizneset ndodhen përballë një realiteti të ri. Në fillim të viteve ‘90 ekonomia shqiptare në hapat e saj të parë kishte nevojë pothuajse për gjithçka, duke e krahasuar me një tokë të thatë, që pavarësisht sasisë së ujit që i hidhje përsipër, ajo do ta përthithte menjëherë dhe do të kërkonte më shumë e më shumë produkte, pavarësisht cilësisë.

Por koha ka bërë të sajën dhe konsumatori shqiptar ka tashmë të ardhura më të larta dhe një eksperiencë më të madhe përsa i përket produkteve që ata dëshirojnë. Ata dinë mirë se cilësia, mënyra e prodhimit dhe origjina e produktit që ata përdorin bën diferencën. Mjafton të kujtojmë numrin e madh të makinave gjermane Mercedez Benz në rrugët e Shqipërisë.

Globalizimi, marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit, por dhe me vendet e BE-së kanë hapur dyert e kufijve shqiptarë, duke garantuar cilësi gjithnjë e më të lartë të produkteve dhe një çmim më konkurrues. Në këtë këndvështrim, gjersa konsumatorët janë gjithnjë e më të kënaqur, bizneset përballen me gjithnjë e më shumë vështirësi përsa i përket të ardhmes së tyre.

Kjo vjen pasi shumë industri tona janë implementuese të teknologjive, apo metodave të huaja të prodhimit, duke na bërë ne ndjekës të konkurrentëve. Mungesa e eksperiencës dhe shpenzimi në minimum për kërkim dhe inovacion e përkeqëson ende dhe më tej situatën. Sipas një raporti ndërkombëtar, bizneset shqiptare renditen të fundit në rajon dhe në Europë përsa i përket përqindjes së të ardhurave vjetore të shpenzuara për inovacion, duke izoluar gjithnjë e më shumë hapësirat që bizneset tona të jenë konkurrues në një ambient ku produkti nuk njeh kufij. Shumë prej nesh gjithnjë e më shumë përdorin internetin për të blerë një pallto nga Italia apo një libër të mirë në origjinal nga Amerika.

Të gjitha këto janë shembuj se teknologjia ka mundësuar konsumatorin vendas të ketë zgjedhje. Ndërkohë që biznesi shqiptar duhet të bashkohet dhe të kuptojë minimalisht sjelljet e konsumatorëve vendas dhe më pas të jetë në gjendje të studiojë sjelljen e industrive të caktuara përballë këtyre preferencave apo presioneve që vijnë nga jashtë. Duke huazuar idetë e Adam Smithit, përsa i përket specializimit të punëve për të rritur mirëqenien dhe produktivitetin, do të ishte mirë që dhe bizneset të delegojnë ose bashkëpunojnë me institucionet e specializuara për kërkim për të përballuar më mirë sfidat që ata hasin.

Për këtë arsye universitetet private apo publike po krijojnë institucione të mirëfillta kërkimore të cilat do të mund t’i vinin në ndihmë bizneseve tona apo dhe politikëbërësve. Kapacitetet njerëzore në institucionet publike dhe në biznese e kanë të pamundur të përqendrohen krejtësisht në studim të ekonomisë dhe tregut. Për këtë arsye, në këtë situatë që ndodh rrallë në Shqipëri, të gjitha palët e përfshira do të ishin te fituara dhe për këtë arsye duhet krijuar kjo urë lidhëse kaq e nevojshme për konkurrencën në ekonominë tonë për vitet e ardhshme.

 

One Response to Ku dhe si mund t’i ndihmojnë universitetet biznesin dhe konsumatorin!

  1. Iva_91 says:

    Nuk ke dhene pergjigje as se ku dhe as se si universitetet mund te ndihmojne bizneset dhe konsumatorin.ose shkruaj nje artikull me te gjere e jo vetem nje paragraf permbylles,ose ndrysho titullin e artikullit.Gjithe te mirat!

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.