uncle_sam_brokeSa duhet të jetë borxhi publik i Shqipërisë? A rrezikojmë nëse ky borxh kalon nivelin e 60% të PBB? A mund të sigurohet një rritje ekonomike e qëndrueshme me një borxh që rritet? Deri në cilin nivel mund të tolerohet kjo dukuri? Cilët janë faktorët që duhen marrë parasysh në një analizë të tillë?

Këto janë pyetjet rreth së cilës vërtitet debati politik dhe ai ekonomik, i ashpërsuar së fundmi pikërisht për faktin se buxheti i planifikuar për vitin 2013 parashikon një rritje të borxhit në nivelin e 62,7% të PBB.

Në këtë shkrim do të mundohem të argumentoj se niveli i borxhit publik nuk është qëllim në vetvete. Pavarësisht faktit se niveli i borxhit publik kalon apo jo pikën e ekuilibrit të artë prej 60% (të paktën kështu argumenton Traktati i Maastricht-it), ky indikator i konsideruar me vete nuk mund të japë të dhëna të mjaftueshme (por edhe të besueshme) për ekonominë dhe konkurrueshmërinë e saj, dhe se, përveç kësaj shifre, duhen marrë në konsideratë edhe shifrat të cilat kanë të bëjnë me konkurrueshmërinë e ekonomisë, faktin nëse vendi konsiderohet ekonomi e maturuar apo ekonomi në zhvillim, nevojën për investime në infrastrukturë, madhësinë e qeverisë, ngarkesën fiskale, klimën e biznesit dhe prirjen e ekzekutivit për reforma të qëndrueshme strukturore.

Gjithashtu në këtë shkrim do të mundohem të argumentoj se më i rëndësishëm sesa i niveli i borxhit në vetvete, është sigurimi i rritjes ekonomike të vendit, i reduktimit të papunësisë, i hedhjes së bazave për zhvillimin e mëtejshëm të tij nëpërmjet rritjes së investimeve publike.

Gjatë viteve të kaluara, më shpalosjen e plotë të krizës më të rëndë që ekonomia globale ka kaluar ndonjëherë, kanë ndodhur një seri faktesh, ngjarjesh dhe rrethanash, të cilat do të na lehtësojnë gjykimin për çështjen që përpiqem të trajtoj në këtë shkrim.

Tetor 2012-Deklarata e FMN në Tokio dhe pika e kthesës

Kur Olivier Blanchard, kryeekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, deklaroi përpara dy muajsh ne Tokio, në takimin vjetor të institucioneve financiare ndërkombëtare, se të dhënat tregonin që marrja e masave për konsolidimin e menjëhershëm fiskal, për reduktimin e shpenzimeve dhe masa të tjera shtrënguese, po vërtetohen se janë një përqasje e dështuar për vendet që po i aplikojnë ato me fanatizëm, të gjithë analistet këtë e komentuan si ndryshim të kursit tradicional konservator të FMN.

Kjo ndodhi në prezantimin e raportit vjetor “World Economic Outlook” (Prognoza për Ekonominë Botërore), ku zt. Blanchard deklaroi atë që shumë pak ekonomistë prisnin: kursi i osteritetit, i propaganduar me fanatizëm dhe i aplikuar si e vetmja formulë që mundëson daljen nga kriza, jo vetëm që nuk po jep rezultate, por po i largon vendet nga rruga e rritjes ekonomike, duke prodhuar kështu me shumë papunësi, më pak taksa të mbledhura dhe eventualisht recesion ekonomik dhe, për rrjedhojë, më shumë borxh publik. Deklarata e zt. Blanchard gjeti jehonë të nesërmen nga vetë kreu i FMN-së, znj. Lagarde, me shpjegimin se ndërsa FMN mbështeste plotësisht konsolidimin fiskal në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, nga ana tjetër i nxiste vendet të aplikonin strategji fleksibël për t’iu përshtatur kushteve specifike të gjithsecilit, me qëllim kryesor rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe sigurimin e rritjes ekonomike dhe uljen e nivelit të papunësisë.

Sigurisht kjo deklaratë u komentua gjerësisht si ndryshim i kursit konservator të FMN dhe si një qëndrim që shkonte kundër “fiksimit” gjerman të aplikimit të osteritetit fiskal me çdo kusht. E vërteta, si gjithmonë, qëndron diku në mes: FMN nuk ndryshoi kurs, por pragmatizmi i saj kuptoi (më në fund) se osteriteti nuk funksionon në çdo kusht dhe në çdo rrethanë, dhe nuk është qëllim në vetvete për sa kohë mund të sjellë një spirale zbritëse recesionet ekonomik dhe të rritjes së papunësisë. Përfundimi: jo vetëm që nuk arrihet konsolidimi fiskal, por parametrat makroekonomikë vijojnë të bëhen gjithnjë e më shumë shqetësues, deri në falimentimin e vendit (rasti i Greqisë).

Amerikanët vepruan të parët

Në të vërtetë amerikanët vepruan të parët. Në 13 shtator të 2012, kreu i Bankës Qendrore Amerikane, Ben Bernanke, njoftoi se institucioni i tij ishte i gatshëm të rifillonte etapën e tretë në procesin e “Lehtësimit Sasior” (Quantitative Easening  QE3), nëpërmjet hedhjes mujore të 40 miliardë USD për rifinancimin e tregut të huave hipotekore (Mortgage Backed Securities-MBS) për të rritur çmimet e këtyre titujve dhe mbajtur të ulëta interesat, ndërsa do ta mbante të pandryshuar normën bazë të interesit të monedhës amerikane.

Amerikanët ndërmorën këtë politikë monetare aspak konvencionale vite më parë, për t‘i bërë ballë krizës më të rëndë financiare e më pas ekonomike që po gjunjëzon botën dhe ekonominë e tyre. Pavarësisht risqeve që kjo politikë mbart (më shumë se 1,5 trilionë USD të hedhura në tregun financiar nëpërmjet ndërhyrjeve QE1, QE2 DHE QE3), ekonomia amerikane duhej në radhë të parë të prodhonte rritje ekonomike dhe të stabilizonte normën e lartë të papunësisë (afro 10% në mes të vitit 2011). Në mënyrë domethënëse, me gjithë pozicionet fiskale të palëve shumë të ashpërsuara, politika e Bankës Qendrore Amerikane u përkrah përgjithësisht nga të dyja forcat kryesore politike (sigurisht pati edhe zëra kundër), duke u konsideruar si një instrument që sjell risk një risk të pranueshëm, dhe i vetmi që mund të përdorët për të ndaluar rënien në humnerë të ekonomisë më të madhe botërore.

Pavarësisht se amerikanët ishin të parët,  një instrument i tillë i ngjashëm u përdor dhe vazhdon të përdoret edhe nga Banka Qendrore Europiane nëpërmjet programeve njëvjeçare dhe trevjeçare të “Operacioneve Afatgjata të Rifinancimit” (Long Term Refinancing Operations-LTRO), nëpërmjet zgjerimit të bazës së aseteve që sistemi bankar mund të përdorë si asete të njohura nga BQE, në këmbim të eurove të financuara nga BQE.

Më tej, një shembull tipik i përdorimit të politikës monetare jokonvencionale është ndërhyrja e fundit e BQE për të blerë titujt financiarë të qeverive të eurozonës, veçanërisht të vendeve të cilat ndodhen në vështirësi, si p.sh. Italia dhe Spanja. Mario Dragi deklaroi në gusht të vitit 2012 se Banka që ai drejtonte ishte e gatshme të ndërmerrte “të gjithë hapat e nevojshëm” për të shkëputur ciklin vrastar të borxhit të lartë publik të disa vendeve dhe pamundësisë së sektorit bankar për të rifinancuar këtë borxh. Dragi deklaroi gjithashtu se misioni për shpëtimin e euros e detyronte BQE të ndërmerrte këta hapa aspak të zakonshëm për të (me gjithë kundërshtimin e fortë gjerman). Dhe në fakt, BQE eventualisht po tejkalon misionin e saj, duke kapërcyer të drejtën për të ndërmarrë politikë monetare, deri në kufijtë e politikes fiskale. Por siç kuptohet, këto janë masa të jashtëzakonshme në kohëra të jashtëzakonshme.

Disa studime të rëndësishme empirike dhe me influencë

Reinhart dhe Rogoff, dy profesorë të mirënjohur të ekonomisë, respektivisht të Universiteteve të Maryland dhe Harvard, publikuan në janarin e vitit 2010 një ndër punimet shkencore ekonomike me më shumë ndikim të viteve të fundit: “Rritja ekonomike në kohën e borxheve”.

Analiza ekonomike empirike shtrihej përgjatë 200 vjetëve të fundit, mbulonte 44 vende të ndryshme të botës dhe merrte në shqyrtim e konsideratë 3700 analiza, të dhëna, fakte dhe shifra të publikuara nga institucione shtetërore, agjenci, organizata etj..

Autorët, për arsye të studimit, i ndanë vendet në katër kategori: ato me borxh publik nga 0% deri në 30%; 30% deri në 60%; 60% deri në 90%, si dhe ato me borxh më të madh se 90%. Të dhënat ekonomike të 200 viteve të fundit u analizuan, pikërisht për të gjetur funksionalitetin midis rritjes ekonomike dhe nivelit të borxhit. Nëpërmjet analizës regresive matematikore, u ndërtua edhe funksioni përkatës. Punimi bëri disa gjetje shumë interesante:

– Së pari, niveli optimal i borxhit në një ekonomi në zhvillim dhe të zhvilluar rezultonte të ishte 90% i PBB; rritja e borxhit pas këtij niveli sillte zvogëlimin me 1% të rritjes ekonomike (pra, ulja e eficiencës së rritjes ekonomike si rezultat i akumulimit të borxhit publik)

– Së dyti, për ekonomitë në zhvillim, kur niveli i borxhit të jashtëm kalon pragun e 60% të PBB, rritja ekonomike bie me afërsisht 2%. Punimi gjithashtu argumentonte se nuk kishte një lidhje të dukshme shkak-pasojë, në ekonomitë e zhvilluara, të nivelit të borxhit dhe inflacionit respektiv.

Punimi, i cili pati jehonë të gjerë në mendimin ekonomik botëror, nuk ishte i pari në llojin e tij për sa u përket gjetjeve të arritura: me parë, dy ekonomistë të tjerë, Kumar dhe Woo, sugjerojnë përsëri të njëjtin prag prej 90% të borxhit si kufirin optimal; megjithatë, tre ekonomistë të tjerë, si Caner (2010) dhe Elmeskov e Sutherland (2012) e kanë përllogaritur këtë prag më ulët, në nivelin e 77% të PBB. Checherita and Rother (2010) and Baum et al. (2012) dalin në përfundime të njëjta, për një sërë vendesh të zonës euro.

Nuk është vendimtar borxhi, por konkurrueshmëria

Shumë pak individë janë në dijeni të faktit se në vitin 2009, kur kriza ekonomike përfshiu plotësisht vendet e BE-së, Gjermania dhe Spanja, sot vendet respektivisht referencë për sa i përket suksesit ekonomik dhe dështimit ekonomik, ndodheshin në situatë të anasjellë, nëse do të merreshin në konsideratë vetëm indikatorët e borxhit publik dhe deficitit buxhetor.

Spanja kishte një borxh publik brenda kritereve të Maastricht-it (45% të PBB) dhe një deficit buxhetor shumë të ulët, me afro 1,8%. Në dallim nga Spanja, Gjermania kishte një borxh publik relativisht të lartë (83% e PBB) dhe një deficit buxhetor 3,3%.

Fakti i mësipërm është shumë domethënës. Ai tregon qartë se, pavarësisht rëndësisë shumë të madhe që kanë treguesit e borxhit publik dhe deficitit buxhetor, përsëri në thelb të suksesit ekonomik të një vendi qëndron niveli i konkurrueshmërisë së ekonomisë së tij, shpenzimet e kontrolluara, fleksibiliteti i tregut të punës dhe hapësirat për t’i përmirësuar ato, barra fiskale etj…

Një argument tjetër na vjen përsëri nga SHBA. Ne biem dakord se ekonomia amerikane përfaqëson ekonominë më konkurruese në botë, më dinamike dhe më fleksibël, por që sigurisht po vuan krizën e tejzgjatur ekonomike. Në këto kushte, debati mbi borxhin publik zuri një vend të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale amerikane. Në tezat e Romney-it, kandidatit republikan, konsolidimi fiskal u konsiderua si prioritet numër një i presidencës së tij, dhe se këtë konsolidim ai (kandidati për president) do ta realizonte mbi të gjitha duke: a) reduktuar shpenzimet e larta të qeverisë dhe b) duke ulur taksat, me qëllim dhënien e oksigjenit për ekonominë amerikane, e cila nuk po prodhonte rritjen e kërkuar ekonomike dhe nuk arrinte dot të reduktonte normën e lartë të papunësisë (afro 8,3%).

Vini re me kujdes faktin se Romney nuk premtoi në asnjë mënyrë që të shpaloste një axhendë të detajuar për reduktimin e borxhit publik, sepse sipas tij, së pari, ai duhet të rikthente rritjen ekonomike në Amerikë dhe pastaj të ndërmerrte hapa për konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Në rastin e Shqipërisë, mendoj se janë të shumtë parametrat makroekonomikë, të cilët duhet të merren parasysh. Besoj se, duke marrë në konsideratë argumentet e mësipërme, të gjithë biem dakord që niveli i borxhit në vetvete, i zhveshur nga indikatorë të tjerë ekonomikë, nuk mund të ofrojë një platformë të mirë dhe unike për të gjykuar mbi domosdoshmërinë e mbajtjes së tij më poshtë apo më sipër nivelit të 60%. Sigurisht që ne do të preferonim që niveli i borxhit tonë publik të ishte sa më i ulet, mundësisht të mos ekzistonte fare. Në këtë rast, nuk do të kishim aspak diskutime të tipit të mësipërm.

Por, nga ana tjetër, biem gjithashtu dakord se si çdo entitet ekonomik në këtë botë, si çdo sipërmarrje ekonomike, edhe qeveritë e kanë borxhin të domosdoshëm për të zhvilluar vendin, për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë, për të financuar operacionet e saj. Në fund të ditës, kjo është arsyeja pse borxhi ekziston si instrument po aq i lashtë, sa edhe shoqëria e organizuar njerëzore që ne njohim sot.

Le t‘i hedhim një sy të shpejtë parametrave të tjerë ekonomikë, të cilët, sipas mendimit tim, duhet të merren në konsideratë, ndërsa gjykojmë për nivelin optimal të borxhit tonë publik.

Në vitin 2004, niveli i borxhit publik ishte 57,7%, ndërsa vendet e rajonit (Rajoni) e kishin këtë nivel në 44%. Gjatë kësaj kohe janë paguar mjaft borxhe të vjetra të Shqipërisë kundrejt vendeve të tjera, dhe borxhi publik është rritur vetëm me 3,7%, ndërkohë që rajoni e ka rritur atë me 11%, dhe vendet e eurozonës me 18,4%.

Deficiti fiskal, gjatë viteve të krizës është ulur me 1,5%, ndërsa në  rajon është rritur me 2%. Të ardhurat buxhetore në Shqipëri, në periudhën e krizës janë rritur me 4,4%, në rajon me vetëm 1,8% dhe në eurozonë rritja është negative me -0,8%.

Shqipëria është sot në rajon vendi me borxhin më të ulët të huaj (afro 1/3), pjesa tjetër e borxhit është denominuar në lekë. Gjatë periudhës së krizës, mirëqenia e shqiptarëve (rritja PBB kundrejt indeksit të çmimeve) është rritur me 13,5%, ndërkaq në rajon është rritur me 2,9% dhe kjo rritje është negative për vendet e BE-së. Gjatë viteve të krizës, Shqipëria ka investuar rreth 26,6% (publike dhe private) në punët publike, ndërsa rajoni 23%. Në vitin 2006, investimet e huaja direkte në Shqipëri-IHD zinin 3% të PBB, ndërsa në rajon kjo shifër ishte 9,6%. Në vitin 2012, këto investime do të zënë 8,5%, ndërsa në rajon 7%.

Shqipëria është i vetmi vend, që gjatë periudhës 2005-2011 ka trefishuar eksportet dhe IHD-të. Në vitin 2005, eksportet shqiptare ishin 530 milionë euro, në vitin 2011 janë 1405 milionë euro; investimet e huaja direkte në vitin 2005 ishin 278 milionë USD, dhe sot janë 1 miliard e 97 milionë USD.

Rritja eksponenciale e IHD-ve dhe e eksporteve shqiptare tregojnë shumë për aftësinë konkurruese të ekonomisë së saj. Edhe në këto vite të krizës më të madhe globale ekonomike të ndërmarrë ndonjëherë, Shqipëria është ndoshta ndër të vetmet vende në botë që kanë trefishuar nivelin e eksporteve dhe të IHD-ve.

Pra, në kushtet kur kredidhënia nga ana e sistemit bankar po shënon ritme rritjeje gjithnjë e më të shtrënguara, kur ekonomia është dhe mbetet mjaft konkurruese, kur paratë e marra borxh (rritja e borxhit) do të shkojnë të gjitha në investime infrastrukturore, të cilat kanë një normë kthimi ekonomik 1:4, dhe kur pa asnjë mëdyshje, të gjitha vendet, SHBA, BE, janë duke përdorur politika monetare jokonvencionale për të nxjerrë nga kriza e tejzgjatur ekonomitë e tyre, atëherë personalisht mendoj se qeveria shqiptare ka detyrimin të ndërhyjë në treg me mekanizmat që ajo disponon, sigurisht me kujdesin e kërkuar. Deri më sot, ajo (qeveria) ka qenë shumë e kujdesshme, duke ulur në maksimum nivelin e shpenzimeve të saj (vetëm 28% e PBB, ndër 10 qeveritë më të vogla në botë) dhe duke mbajtur të ulët gjithashtu ngarkesën fiskale, për të nxitur rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit.

Mbi të gjitha, kjo qeveri ka detyrimin absolut ta orientojë ekonominë e vendit drejt sigurimit të rritjes ekonomike dhe reduktimit (aq sa është e mundur në këto kushte) të papunësisë. Ky është misioni i saj më i rëndësishëm. Në këtë përqasje nuk mund dhe nuk duhet të ketë slogane apo leksione të ngurta skolastike.

Dhe për sa kohë rritja ekonomike është prioritare dhe kur rritja e borxhit publik me afro 2% shkon e tëra në investime për vepra publike, atëherë kjo rritje e lehtë e borxhit është thjesht një rritje e zakonshme, në kohëra ekonomike të jashtëzakonshme.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/10/nje-borxh-i-zakonshem-per-kohera-te-jashtezakonshme/#ixzz2Efgw1aPE

Disclaimer: Mendimet e shprehura në këtë artikull nuk janë detyrimisht ato të stafit. Nëse doni të merrni pjesë ne debatin mbi borxhin publik mund të na kontaktoni me shkrimet tuaja. 

 

5 Responses to Një borxh i zakonshëm për kohëra të jashtëzakonshme

  1. Nini says:

    Shkrimi duket teper interesant, dhe zakonisht ne debate te tilla ka plot argumente si ne favor te rritjes se borxhit ashtu edhe kundra saj, perderisa niveli optimal eshte e veshtire te percaktohet me saktesi. Por ajo qe duhet patur parasysh eshte fakti se te pakten ne tre vitet e fundit treguesit buxhetore faktike kane rezultuar ndryshe nga ata te planifikuar dhe ktu kam parasysh te ardhurat, ku megjithe ndryshimet e vazhdueshme fiskale realzimi ka qene shume larg pritshmerive. Kjo shpjegon edhe faktin se perse Qeveria nuk ka realizuar nje nga objektivat e saj fiskale krysore: reduktimin e borxhit dhe mbajtjen e tij nen nivelit 60%. Kujtoj qe ky objektiv vazhdon te jete i shprehur ne planin buxhetor afatmesem dhe ne kuadrin makroekonomik dhe fiskal. Duke mos e marr per baze nivelin 60% dhe duke hequr nje kufi te siperm te borxhit cfare garancie ka qe te ardhurat e vitit 2013 do realizohen sipas parashikimit? Ka mundesi qe ky fakt (mosrealzimi i te ardhurave) te ndikoj ne nje nivel me te larte te borxhit faktik per vitin 2013? Ne kete pike debati nuk duhet bere pse shkoi borxhi 62 apo 70% e PBB, por ne cilat projekte dhe investime duhet dhene ky stimul fiskal ne menyre qe te ndikoje ne menyre sa me eficente rritjen ekonomike. Pasi ka dhe nje koincidence qe e marrim rastesore: stimuli fiskal po jepet ne nje vit zgjedhjesh dhe duke marr te mireqene faktin qe nuk do keqperdoret, ka shume studime qe thone qe efekti i ketij stumli ne vite elektorale priret te jete me i dobet. Ky eshte thelbi per mendimin tim. Une uroj qe situata te jete pozitive po jam disi pesimist (do doja shume mos te isha dhe uroj te jem gabim) kur mendoj edhe per modelin ekonomik qe ka vendi yne (a kemi nje model ekonomik?), informalitetine larte qe ne kohe krizash duket se tenton te rritet akoma me shume dhe fatkeqesiht ate gropen e madhe te sistemit te pensioneve qe na ve para nje rreziku jashtezakonisht te larte dhe shume te afert nese nuk vendoset per nje reformim rrenjesor i cili padyshim do konsensus te gjere per tu zbatuar.

  2. Ernesto says:

    Se pari dua te them qe jam dakort qe problemi nuk qendron tek borxhi, por te perdorimi i tij ne raport me rritjen e PPB per koke e gjithashtu se sa ne linje rritja e ketij te fundit eshte ne perputhje me objektivat e shpallura.

    Se dyti, personalisht jam ndjekes i ketij siti pasi besoj tek incentivat dhe keto te fundit cojne qe ne nje vite paraelektoral qeveria te rise shpenzimet ne menyre qe te “manipuloje” voten. Per kete ka shume evidenca empirike gjate historise, e ku problemet dalin ne long term. http://www.cbsnews.com/8301-505123_162-39740151/why-the-federal-reserve-needs-to-be-independent/

    Se treti mendoj se indekset kryesore te matjes se ecueshmerise se nje ekonomie duhet te jene. Rritja e konkureshmerise se biznesit, Rritja e PPB per koke, Ulja e nivelit te variferise ,Rritja e kohezionit social dhe niveli i punesimit.

    Se katerti ne Amerike debati nuk mund te dilte jashte borxhit, pasi me kalimin e 1 janar 2013, ekzekutohen mekanizma fiskal menyre qe te ulet borxhi. Problemi qendronte midis 2 kendveshtrimeve te ndryshme per menyren e uljes se borxhit, njeri i Romney-it qe mendonte se duheshin ulur shpenzimet e shtetit ( Heqja e Obama-care) dhe e dyta e Obames qe mendonte se duhet te rriteshin taksat per shtresen me te pasur te shoqerise. Ne Shqiperi nuk ekziston nje mekanizem i tille dhe as propozime qe paraqesin nje trade-off nga politika.

  3. adi says:

    Studimet tregojne qe rritjen e borxhxit justifikohet ne kushtet kur kemi nje renie drastike te eknomise dhe inflacioni eshte nen kontroll apo ka tendenca deflacioniste, apo ne nje recesion te madhe.studimet nuk justifikojne politika ekspansionite gjate cikleve normale(recesione normale).

    Shumica e argumentave jane te arsyeshme, por kam disa pyetje

    – nga te dhenat qe shfaqen shqiperia nuk duket ne gjendje te jashtezakonshme.nese nuk eshte e tille pse justifikohet politika ekspansioniste fiskale?nuk duhet nje qeveri e djathte tja le ate tregut meqe situata nuk qenka dhe aq e keqe?

    -Nuk e shikoj dot lidhjen midis rritje se konkueshmerise dhe politikave ekspansionite fiskale.konkueshmeria rritet duke implementuar reforma strukturore qe ne vetvete fiskalisht jane “shtrenguese”(ulje shpenzimesh) dhe jo “ekspansionite”.

    – si e rikoncilon gjetjet e rogoff/reinhart qe kur nje ekonomi ne zvhillim e kalon pragun 60%, gpb-ja bie me 2% ne vazhdim? Trajtimi i borxhit behet ndryshe me nje vend ne zvhillim si ne dhe ndryshe per vendet e zhvilluara. Nuk me duket e drejte te referosh pjesen me te madhe te studimeve per vendet e zhvilluara dhe pragun 90% qe i perket vetem atyre.

    flm

  4. marylou says:

    gjithashtu eshte e rendesishme te kihet paraysh qe rritja e borxhit nuk perkhthehet domosdoshmerisht ne rritje te investimeve publike, ne rastin e shqiperise. ky kalim i borxhit mbi nivelin 60% mund te jete pjeserisht i fshehur, dmth shkon ne pagimin e faturave /detyrime te prapambetura per projekte qe jane realizuar gjate 2012-es.

  5. V says:

    Bie dakort me ate qe thote Ernesto ne fillim. Duhet pare se si eshte perdorur borxhi ne Shqiperi. Per mendimin tim, duke pare qe nuk pati asnje veper madhore energjitike, por vec gjera shume te vogla shit-blerje hidrocentralesh minore, apo disa privatizime ne kohe te gabuar me cmime te gabuara, mund te thuhet se borxhi Shqiptar eshte keqperdorur (per te qene politikisht korrekt po perdor fjalen keqperdorim). Kur Amerikanet dhane leke BKT-se per projekte agrikulturore ato nuk shkonin per te blere autokombajna por Mercedeza. Nga ana tjeter as fshatari nuk kishte faj, sepse ne Shqiperi ende nuk eshte zgjidhur(dhe akoma nuk eshte) alfa e cdo lloj sistemi modern qofte kapitalist qofte me tone welfare, qe eshte prona private. Pervec rruges se Kombit e bere me kosto shume me te larta se sa duhej, borxhi Shqiptar nuk ka adresuar asgje relevante.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.