Opt_kushtNë matematikë, optimizimi i funksionit dhe metoda e multiplikatorit të Lagranzhit është një gjetje fenomenale. Akoma më fenomenale është aplikimi i saj në fushat e teorive ekonomike. Jo vetëm për zgjidhjet e sakta numerike që ofron, por edhe për mënyrën analitike dhe të logjikimit që ofron.

Ushtrimi i logjikës në trasformimin dhe konkretizimin e koncepteve ka qënë një nga obiektivat e fenomenologjisë, si një përqasje që fillon me eksplorimin e fenomeneve. Fenomenale është gjithashtu dhe metoda e Hegelit si modeluesi më i madh i fenomenologjisë.

Fenomenologjia Hegeliane e sheh realitetin si një proçes vazhdimisht në ndryshim, si aktivitet në lëvizje, në thellimin e konceptit te hapësirës e akoma me tepër të kohës. Koha është në lëvizje, realiteti është në lëvizje. Ka lidhje logjike midis konceptit Hegelian të realitetit vazhdimisht të ndryshueshëm në kohë dhe konceptit ekonomik të vlerës në kohë të parasë.

Por më fenomenale tek Hegeli është metoda logjike që ai përdor për ndarjen e gjësë (ose qënies) që ai e quan gjëja”në vete” ose gjëja sesi është, dhe gjëja “për të tjerët” sesi të tjerët e shohin këtë gjë. Akoma më tepër është trasformimi i gjësë”në vete” tek ajo që ai e quan, gjëja “për vete”. Kur gjëja “në vete” behet gjëja “për vete”, kjo përkon me krijimin e një koncepti. Këtu gjëndet një lidhje tjetër midis fenomenologjisë dhe optimizimit.

Diferencimet midis gjësë “në vete”, “për vete” dhe “për të tjerët” i kam trajtuar në shembullin me noten muzikore SOL. Nota SOL përfaqëson fillimisht gjënë “në vete”. Në postimin e mëparshëm (shih “Nota muzikore SOL “në vete”, “për vete” dhe “për të tjerët” sipas Hegelit ) mora një shembull sesi ndryshon gjëja “në vete” nga gjëja “për të tjerët” ku gjëja “në vete” nuk ndryshon. Pastaj është gjëja “në vete” që ndryshon, dhe nga të tjerët, ky ndryshim nuk vihet re aspak.Po e vazhdoj arsyetimin tim mbi notën SOL duke marrë shembullin e mëposhtem.

Një muzikant luan në fizarmonikën e tij disa melodi, në një shesh ku kalojnë turistë. Qëllimi i tij është të tërheqë vëmendjen e turisteve me instrumentin, me talentin, me meloditë që luan, në mënyre që turistet ta pelqejne për ti dhënë para. Optimizimi i funksionit të të ardhurave të muzikantit varet tërësisht nga performanca e tij interpretuese. Kjo do të thotë se turistët që kalojnë në shesh duhet ta dëgjojnë, ta pëlqejnë artin e tij dhe japin para. Më bukur luan melodinë muzikanti, më shume e pëlqejnë turistët, më shumë të ardhura fiton.

Funksioni i të ardhurave është lidhur drejtpërdrejt me performance e tij, në shembullin që po trajtojmë. Vazhdojmë të supozojmë se muzikantit tone me fizarmonikë i krijohet një komplikim, le të themi tasti i notës SOL nuk i funksionon mirë, nuk bie sa herë që muzikanti e shtyp, duke bërë që melodia të mos luhet me cilësinë që ai dëshiron. Në mënyrë që muzika të luhet e rregullt me të gjitha notat dhe me cilësinë e duhur, atëherë muzikanti ndryshon impostimin ose tonalitetin e melodisë, ajo të luhet e plotë dhe të mos varet nga tasti i dëmtuar i notes SOL, ngaqë ky tast herë bie here nuk bie. ( psh nga tonaliteti SOL muzikanti e luan melodinë në tonalitetin MI). Muzikanti këtë gjë e bën spontanisht, i lire, në mënyrë instiktive.

Nga pikpamja e funksionit të ardhurave , krijohet një kushtëzim dhe kthehet në funksion i kushtezuar i të ardhurave. Optimizimi i këtij funsioni tashmë ndjek rregjimin e optimizimit të kushtëzuar. Lidhja teori-praktikë që analizohet është optimizimi i funksionit të kushtëzuar i të ardhurave të muzikantit që luan para turistëve në shesh, nëpërmjet një vendimi manaxherial që ai kryen, impostimi në një tonalitetit tjetër. Nëpërmjet këtij vendimi, ai e luan melodinë me të njëjtën cilësi, pa u ndikuar nga tasti që i funksionon. Kështu ai optimizon funksionin e kushtëzuar të të ardhurave sipas optimizimit të kushtëzuar.

Si shtrihet më gjërë ky shembull në sistemin ekonomik?

Biznesmenë, sipërmarrës, manaxherë apo politikëberës në ekonomi, janë operues individuale ose të grupuar apo persona të zgjedhur me detyra e objektiva të përçaktuara. Aftësia manaxheriale varet drejpërdrejt nga niveli intelektual individual. Supozojmë se kjo është në varësi të moshës, e cila arrin pikën kulmore, le të zgjedhim psh. grupmoshën 40-50 vjeçare. Atëherë (sipas të njëjtit supozim), optimizimi i funksionit të kushtëzuar do orientohet drejt faktit që politikëbërësit dhe manaxherët më eficientë në sistemin ekonomik do jenë në grupmoshën 40-50 vjeçare.

Nëse në këtë moment, politikëbërësit dhe manaxherët më eficientë të sistemit ekonomik janë në grupmoshën 40-50 vjeçare, pas një periudhe dhjetvjeçare kjo efiçensë do spostohet te ata që në këtë moment i përkasin grupmoshës 30-40 vjeçare dhe që në dhjetvjeçarin e ardhshëm përgatiten të hyjnë në grupmoshën 40-50 vjeçare (e përsëris që çështja e grupmoshës është një supozim mbi shembullin që po trajtojmë, ama këtë trajtim mund ta aplikojmë dhe me shembuj të tjerë të pafund në hapësirën ekonomike).

Për optimizimin e funksionit të kushtëzuar të manaxherëve ekonomike apo politikëbërësve të saj, spostimi është i ngjashem si në rastin e muzikantit që ndryshon impostimin. Muzikanti ndryshon impostimin e tonalitetit sikurse firmat ndryshojne administratorët, drejtuesit, modifikojnë kostot, modifikojnë mënyrat e shfrytëzimit të kapitalit, implementojnë teknika të reja, ndryshojë apo trajnojnë personelit etj, sikurse edhe shoqerija duhet të ndryshojë politikëbërësit e saj në varësi të aftësive intelektuale e manaxheriale.

Optimizimi që përkon me krijimin e një koncepti, apo me ndryshimin nga “në vete” te “për veten”, përcakton gjithashtu optimizimin e të ardhurave, maksimizimin e fitimit, minimizimin e kostove, përmirsimin e një procesi dhe/ose shërbimi të një biznesi, futjen e një procesi dhe/ose shërbimi te ri. Gjithashtu biznesmeni koncepton një ndryshim në strukturën e tij manaxheriale dhe/ose ndryshimin e manaxherëve, administratori koncepton ndryshime në teknikat e prodhimit, modifikime në kosto apo tranime personeli, kapitali mund të ndryshojë struktura të reja shfrytezimi, etj.

Më e rëndësishme është kur shoqëria ndërgjegjësohet mbi politikëbërjen e saj, efiçensën dhe situatën reale në të cilën ndodhet dhe si pasojë ndjen nevojshmërinë për ndryshime. Nga ana tjetër politikëbërësit kuptojnë se politikat e tyre nuk jane më të mira, nuk funskionojnë më, jane kthyer ne politikëbërës “për vete” e kanë krijuar kushtet për lindjen e koncepteve mbi rishqyrtimin, zëvëndësimin, largimin e tyre, etj.

Pra optimizimi i kushtëzuar spostohet në kohë dhe spostimi kohor i optimizimit të kushtëzuar përkon me krijimin apo përforcimin e konceptit të optimizimit “në vete” që kthehet në optimizim “për vete” e që përkon gjithashtu me përshtatjen e transformimeve të realitetit “për vete” vazhdimisht në ndryshim .

 

One Response to Fenomenologjia e optimizimit të kushtëzuar

  1. Nini says:

    duhet me mor ca leksione fizarmonike para se me kuptu shembullin mire ;)))

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.