Debatet ekonomiko-politike të zgjedhjeve të përgjithshme të pranverës 2013 do të mbahen mend gjatë dhe do të duhet të kujtohen nga analistët e ekonomisë në vend përgjatë viteve në vazhdim. Dy partitë kryesore, në dëshirën e tyre për të qenë sa më tërheqëse për votuesit, tashmë janë futur në grackën e fushatës elektorale duke premtuar gjithçka dhe, të jemi realistë, asgjë.

Ka mbi një vit që është hedhur ideja e një takse progresive, dhe jemi tre muaj para zgjedhjeve, ku qytetarët, bizneset, investitorët e huaj nuk kanë asnjë të dhënë se çfarë nënkupton kjo taksë përveçse dëshirës për ta ndryshuar. Është premtuar heqje taksash nga qeveria dhe nga opozita në një periudhë kur duhet të jetë e kundërta. Në vendet fqinje janë rritur në mënyrë të vazhdueshme taksat në këtë periudhë të vështirë ekonomike. Në Serbi vetëm disa muaj më parë TVSH-ja u rrit me 2 për qind, duke ardhur në linjë me nivelin e aplikuar në Shqipëri. Në këtë periudhë kur Qipro, vend anëtar i BE-së, është në ethe të thella përsa i përket të ardhmes së saj ekonomike; Greqia ka mbi pesë vjet që është në recesion, dhe mbi 50 për qind e të rinjve të papunë; Italia dhe Spanja janë akoma duke iu ‘lutur’ tregjeve ndërkombëtare që t’i besojnë ekonomisë së tyre dhe t’i mundësojnë të marrin hua me të lirë për të kaluar ngërçin ekonomik; në të gjithë këtë situatë, Shqipëria ia ka ngenë për të shpenzuar kohë për asgjë më shumë sesa filozofi ekonomike.

Në këtë mishmash idesh e opinionesh të panevojshëm për një vend të vogël si Shqipëria, me një ekonomi në lindje dhe një administratë shtetërore akoma të paftilluar për rolin e saj, ne kërkojmë të bëjmë hipoteza dëshirash sesi do të na duhet të ndërtojmë marrëdhëniet ekonomike shtet – qytetar – biznes.

Kështu ka disa javë që bizneset, të cilët aktualisht paguajnë një taksë të sheshtë prej 10 për qind, kanë kërkuar heqje taksash për një sërë produktesh apo shërbimesh që ato prodhojnë. Përqendrimi i tejskajshëm i debatit mbi taksat ka lënë mënjanë analizën reale të ekonomisë vendëse. Në tërë retorikën e saj politika e trajton Shqipërinë si një vend të izoluar, performanca ekonomike e të cilit do të varet krejtësisht nga dëshira dhe vullneti i politikëbërësve, të cilët premtojnë se kanë aftësi çudibërëse. Ajo që na mëson kriza e fundit botërore është padyshim e kundërta. Politikanët janë po aq të aftë sa politikat e tyre dhe institucionet që u vijnë në ndihmë. Optimizmi dhe vizioni i tyre zgjat sa një fjalim, por ekonomia ka nevojë për qëndrueshmëri dhe hapa të kujdesshëm në reformat që ndërmerr për të siguruar një jetesë të mirë për vitet, dhe jo muajt e ardhshëm.

Në këtë vërshim alternativash, shumë analistë janë tërhequr tashmë nga interpretimi i ofertave politike-ekonomike, pasi ato janë larg seriozitetit që kërkon ekonomia dhe janë shndërruar në një betejë të imagjinatës së politikanëve, ku secili ofron çdo ditë nga një opsion të daljes nga vështirësia ekonomike. Kotësia e debatit, gjoja ekonomik, u theksua nga drejtoresha e re e Bankës Botërore për rajonin juglindor, e cila tha në pak fjalë se partitë politike në vend po bëjnë premtime të cilat nuk do të mund ti mbajnë dot pas 23 qershorit. “Cilado qeveri që vjen në pushtet nuk do të ketë mundësi t’i ulë shumë taksat, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Rajonit”. Ndaj e sollëm në vëmendje dhe rastin e fundit në Serbi pak më lart.

 

2 Responses to Taksat nuk do të ulen; nuk duhet të ulen

  1. adi says:

    urime per shkrimin……kalimi nga nje sitem regresiv(tvsh=20 dhe tfitimi=10%) ne ate progresiv duke ulur tvsh-n, dhe duke ulur nen 10% tfitimin per te ardhura te ulta dhe le te themi gjysmes se te ardhurave te mesme, dhe duke ngritur tfitimin mbi 10% per te adhura te larta, do sillte rritje te konsumit ne vend, per shkak se individet me te ardhura te ulta kane nje propensitet me te larte konsumi se ato me te ardhura te larta(duke pasur parasysh qe “permanent income hypothesis” e friedman eshte treguar te jete shume e lekundur empirikisht- rrezuar nga disa sudime empirike ne nuk vertetojme dot nese njeresit me te ardhura te ulta eshte nje iluzion econometrik). kjo do ishte nje shtyse per ekonomine e cila gjithashtu e kalibruar ne vlerat e duhura do permiresonte situaten e financave bublike.

  2. Olti says:

    Rritja e taksave per bizneset e medha nuk me duket shume ide e mire per faktin se sic dihet ne Shqiperi konkurrenca ne shume tregje eshte e dobet. Per pasoje dhe si perfundim pesha do te binte mbi popullsine. Rritja e eficiences dhe efektivitetit te administrates tatimore mbase do te ishte nje hap i mire per te ruajtur nivelin e te ardhurave pa rritur taksat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.