Gjatë dy javëve të fundit vëmendja e tregjeve financiare lokale dhe globale ka qenë Qipro, edhe pse që prej qershorit të vitit të kaluar diskutohet për opsionet e shpëtimit (“bailout”), kur Qipro bëri kërkesë formale për asistencë partnerëve në Eurozonë dhe FMN-së. Qipro ka gati dy vjet që nuk ka më akses në treg (shteti nuk mund të finacojë borxhin në treg, si Portugalia, Greqia dhe Irlanda). Në 2011 arriti të sigurojë një kredi prej €2.5bn (14% e PBB-së) nga Rusia, që i lejoi të mbulojë nevojat për financim në 2012.

Qipro është një ekonomi e vogël, që përben vetëm 0.2% te PBB të Eurozonës. Ekspozimi i bankave ndaj Greqisë dhe një shpërthim i tregut të brendshëm të kreditit (“credit bubble”) vendosi vendin në një situatë finaciare shumë delikate. Situata u komplikua kryesisht për shkak të madhësisë së sitemit bankar në krahasim me PBB-në e vendit prej €18bn në 2011 (8.1x më i madh duke konsideruar edhe filialet e bankave Qipriote jashtë vendit). Sipas të dhënave të fundit zyrtare (Janar 2013) depozitat përbënin një total prej rreth €68bn, kreditë rreth €72bn dhe borxhi total shtetëror në qarkullim rreth €15bn.

Marrëveshjen përfundimtare Qipro e arriti me Eurogrupin të hënen (25/03/13). Sic ishte diskutuar më parë, nëpërmjet ESM, Qipro do të marrë një financim prej €10bn (rreth 60% e PBB-së së vendit) që do të përdoren për financimin e borxhit (pagesa e borxhit që skadon dhe emetimit e titujve të rinj) dhe të deficitit buxhetar primar. Ndërsa pjesa tjetër e financimit që i nevojitet, që janë rreth €5bn do të arrihet duke ndërhyrë në sistemin bankar vendas., faktori që bëri kaq të vështirë arritjen e një marrëveshje më parë. Laiki Bank do të shkrihet menjëherë. Prej saj do të krijohet “një bankë e mirë” që do të bashkohet tek Bank of Cyprus dhe një “bankë e keqe” që do të shkrihet me kohën. Likuiditetin do të vazhdojnë ta kenë të garantuar nga Banka Qëndrore Europiane nëpermjet mekanizmit ELA (Emergency Liquidity Assistance). Ky proces do të mbikëqyret nga Banka Qëndrore e Qipros së cilës i është dhënë autoritet i plotë javës që shkoi për të operuar si Instituti që do të mbikëqyrë dhe drejtoje ristrukturimin e borxhit e si rrjedhim nuk do të ketë nevojë për aprovimin nga Parlamenti.

Depozitat e siguruar (nga autoritetit kombëtar i sigurimit të depozitave) poshtë €100,000 nuk do të preken. Ndërsa depozitat mbi €100,000 dhe obligacionet e pasigurara do të pësojnë humbje të konsiderueshme (deri në 40% “haircut”). Situatës së Qipros i është dhëne forma e një “ristrukturimi bankar” më tepër se taksim i depozitave. Për këtë do të duhet aprovim nga Parlamenti kur të firmoset “MoU” (Memorandum Mirëkuptimi) për programin qe jane kërkuar disa ditë sa detajet e plotë të formulohen (pritet të jetë javën e parë të Prillit). Bankat në Qipro u rihapën pas gati dy javesh, të enjten. Aktualisht janë vendosur një sërë kontrollesh mbi kapitalin që do të zgjasin të paktën një muaj ose deri sa të mendohet se situata është qetësuar. Shuma maksimale që mund të tërhiqet brenda ditës është €300, ndërsa transferta mbi €5,000 kanë nevoje për aprovim nga Banka Qëndrore e Qipros.

Edhe pse arritja e një marrëveshje qetësoi përkohësisht tregjet dhe ishte një arritje, rreziqet mbeten si nga ana e detajeve të mëtejshme si nga ana e implementimit. Në Qipro pritet një rënie prej 10-12% e PBB-së për disa vite në vazhdim. Ky do të jetë rezultat i goditjes që sektori më i rëndësishëm per punësim dhe të ardhura në vend pësoi. Pritet se edhe papunësia do të mund të arrijë mbi 20% në dy vitet e ardhshme. Shqetësimi tjetër vjen nga ajo që ndodhi në Qipro për të ardhmen e Europës. Krijimi i një precedenti ku depozituestit mund të preken nëse banka ose shteti nuk janë më solvent do të ketë efekte negative për ekonominë e Eurozonës në tërësi. Sigurisht sa ndodhi forcon nevojën e krijimit të Bashkimit Bankar (Banking Union) që është në process e sipër. U pa qartë se Gjermania nëpërmjet Qipros forcoi tezën e saj se problemet në nivel sovran duhen zgjidhur nga brenda dhe sa më herët me reforma rajonale. Shtetet u vunë në dijeni se ndarja e problemeve rajonale nga të gjithë shtetet e grupit është e limituar. Kjo nga ana tjetër po shton presionet e nevojave të financimit në treg të bankave të tjera, këtë javë ne nivele qe nuk shiheshin pas futjes se OMT-së (Outright Monetary Transactions, program i Bankës Qëndrore Europiane). Javën që vjen, në 4 Prill pritet takimi mujor i Bankës Qëndrore Europiane. Në kontekstin aktual vëmendja nuk ështe tek interesi (konstant 0.75%) por tek mënyrat se si mund të ndërhyjë ECB-ja në kanalin e kredisë për të përmirësuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare në periferi. Sa ndodhi në Qipro, rrit presionet ndaj saj dhe nevojës për ndërhyrje edhe pse tregu i ka pritjet mjaft të ulëta për takimin e rradhës.

Burimet e të dhënave: Bloomberg, Financial Times, Goldman Sachs ECS Research, Credit Suisse Securities Research.

 

One Response to QIPRO?

  1. joen says:

    quality over substance 🙂

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.