Dje u zhvillua Konferenca Kombëtare “Forcimi i Bashkëpunimit mes Politikëbërjes dhe Kërkimit në Shkencat Sociale në Shqipëri” . Çfarë kishte në axhendën e saj dhe çfarë u diskutua?

Scientific research.

Kjo konferencë ishte rezultat i një pune paraprake të bërë nga kërkues të angazhuar të programit RRPP. U theksua rëndësia e përdorimit të gjetjeve të komunitetit kërkimor në Shqipëri në proceset e zhvillimit, hartimit apo dhe analizimit të politikave në vendin tonë. Kjo shërben në mirëqeverisje dhe në përfaqësim më të mirë të të gjitha grupeve të interesit në vend. Një dialog i gjerë me përfaqësues të qeverisë, donatorë, kërkues, drejtues universitetesh është shumë i rëndësishëm për të inkurajuar një debat konstruktiv se cilat mundet të jenë rrugët më të mira që mund të ndiqen për të bashkërenduar objektivat dhe interesat e përbashkët. Kjo iniciativë shërbeu gjithashtu për të evidentuar disa prej problematikave që hasin sot kërkuesit në shkencat sociale për sa i përket metodologjisë së kërkimit në vend, të dhënave zyrtare që mund të përdoren në kërkim apo dhe të komunikimit me politikëbërësit për gjetjet apo analizat e tyre. Ky është proces i vështirë dhe sfidues, por që me reformat e ndërmarra në arsimin e lartë si dhe mbështetja institucionale për kërkuesit e rinj kohët e fundit, falë edhe programit RRPP, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ketë sukses në këtë iniciativë për të forcuar bashkëpunimin mes këtyre dy fushave, pra politikëbërjes dhe shkencave sociale.

Të pranishëm ishin aktorë nga të gjitha palët; politikëbërja, kërkimi shkencor dhe sipërmarrja private. Cilat ishin perspektivat e secilës palë?

Gjatë të gjithë fazës së implementimit të projektit është vënë re interes i madh nga përfaqësues të të gjitha fushave të interesit. RRPP ka krijuar rrjetin e kërkuesve të rinj në vend apo edhe të  institucioneve bashkëpunuese. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Universitetin Europian të Tiranës, i cili është dhe koordinator kombëtar. Gjithashtu kemi mbështetur Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale, si dhe Fakultetin e Ekonomisë, Universitetin Bujqësor, Universitetin e New York-ut në Tiranë, INSTAT si dhe disa OJQ kërkimore si SECED apo DSA. Tematikat e mbuluara nga këto institucione janë të ndryshme, duke filluar nga barazia gjinore në politikë, migrimi në Shqipëri, ndryshimet demografike dhe impakti në zhvillimin e fëmijëve apo dhe çështje ekonomike si efekti i remitancave në vend apo i së drejtës së pronësisë. Gjatë kësaj periudhe gjetjet e kërkueseve të mbështetur nga programi RRPP janë konsultuar dhe ndarë me institucione të ndryshme shtetërore dhe grupe interesi që kanë qenë direkt të interesuara. Duhet thënë se institucionet publike treguan, si gjatë konferencës, por edhe më parë, gatishmëri dhe interes për gjetjet e komunitetit shkencor. Duhet thënë se urat e komunikimit nuk janë formale apo institucionale, dhe shpeshherë rezultate që mundet t’u vinë në ndihmë atyre,  nuk arrijnë në kohën e duhur. Shqetësimi që vinte nga politikëbërësit është dhe relevanca e kërkimit shkencor duke kërkuar që këta të fundit të jenë më shumë në komunikim me kërkuesit  për nevojat reale që këta  institucione kanë.

A dolën rezultate apo bashkëpunime konkrete nga kjo konferencë?

U  diskutua se mundësitë për ndikimin politik mund të përcaktohen në tri faza kryesore të ciklit të politikëbërjes. Së pari  gjatë formulimit;  në përkufizimin e problemit, axhendës, vlerësimin e situatës aktuale etj. Gjatë zbatimit të politikës në vlerësim të instrumenteve politike, hulumtime mbi veprimtaritë procedurale, operacionale dhe efikasitetin e përdorimit të burimeve, vlerësime të kushteve aktuale etj. Dhe së fundi gjatë procesit të llogaridhënies, vlerësimit të ndikimit e rezultateve.

Çfarë presin kërkuesit shkencorë pas kësaj konference? Po politikëbërësit?

U  vu re një përkushtim dhe interes për këtë dialog, që deri më sot ka ekzistuar jo formalisht. Shtrimi i kësaj problematike në një konferencë kombëtare lejon formulim më të saktë të kërkesave dhe shqetësimeve të të dyja palëve. Për shembull, u diskutua se kush duhet të vendosë tematikën e kërkimit, apo reflektimi për sa u  përket kapaciteteve njerëzore për t’i ardhur në shërbim politikëbërjes sa më profesionalisht dhe nëse kërkuesit tanë mundet të jenë të paanshëm në institucionet publike apo private.

A shihen ura bashkëpunimi reale? Cila palë ka më shumë nevojë për tjetrën ?

Këto janë shqetësime reale dhe u pranua se ka pasur një ndjenjë mosbesimi nga politikëbërësit për rezultatet kërkimore. Por me rritjen e profesionalizimit, krijimi i komunitetit kërkimor me kërkesa të larta për metodologji shkencore dhe rritja e të dhënave ka bërë që ky hendek të zbutet vitet e fundit. Rëndësia e bashkëpunimit u theksua dhe nga zv/ministri i Arsimi dhe Shkencës, Halit Shamata. Po ashtu ky dialog vjen në një kohë kur INSTAT po bëhet më i hapur me komunitetin shkencor për sa i përket aksesit të të dhënave dhe rritjes së besueshmërisë së të dhënave të tyre falë kontributit që qeveria zvicerane dhe donatorë të tjerë kanë dhënë përgjatë viteve për mbledhjen dhe trajnimin e stafit.

Sa e ndihmon ky bashkëpunim zhvillimin e vendit?

Realizimi i synimeve strategjike të zhvillimit të Shqipërisë kërkon bashkëpunimin e të gjitha palëve: bashkëpunim të universiteteve me biznesin; bashkëpunim të qeverisë me universitetet; bashkëpunim të qeverisë me shoqërinë civile të angazhuar në hulumtime shkencore apo në mbështetje të politikave të caktuara; dhe së fundmi në bashkëpunim ndërkombëtar. Është e rëndësishme që Shqipëria të promovojë kërkues të rinj me eksperiencë ndërkombëtare. Shumë prej sfidave në vend, siç u theksua dhe nga ambasadori zviceran Wittwer, janë të natyrës rajonale dhe globale. Shqipëria ka nevojë të forcojë rrjetin e bashkëpunimit me kërkues nga rajoni për të adresuar së bashku shumë prej problemeve sociale dhe ekonomike. RRPP ka qenë ndër promovuesit kryesorë të kësaj iniciative. Nga viti 2008, kemi organizuar 5 konferenca ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë më shumë se 500 kërkues nga rajoni dhe më gjerë. Interesi për kërkim nga Ballkani shfaqin kërkues nga  Anglia, Rusia, Australia si dhe nga Amerika. Në këtë këndvështrim ky program ka pasur një kontribut të rëndësishëm në inkurajimin e rrjeteve të reja për kërkuesit vendas dhe për inkurajimin e bashkëpunimin institucional në rajon.

Kjo konferencë zhvillohet në kuadrin e RRPP. Çfarë është ky program dhe sa projekte janë implementuar deri më tani?

Programi Rajonal për Promovimin e Kërkimit Shkencor (RRPP) në Ballkanin Perëndimor ka si qëllim kryesor zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor në fushat sociale. Në këtë program marrin pjesë Shqipëria, Bosnja & Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ky program ka në themel të tij bashkëpunimin ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. Për hartimin e tij ka shërbyer një proces i gjerë konsultimi, në të cilin janë përfshirë institucione kërkimore shkencore, kapacitete individuale të njohura nga të gjitha vendet e rajonit, si edhe nga Zvicra dhe vendet e tjera Europiane. Veprimtaria e RRPP fokusohet në tri drejtime kryesore të ndërlidhura mes tyre: dhënie grantesh për projekte kërkimore shkencore, të cilat trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me procesin e tranzicionit në vendet e veçanta, si edhe për të gjithë rajonin; përgatitje të trajnimeve metodologjike mbi tematikën dhe gjuhën e komunikimit; Krijimin dhe forcimin e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit rajonal. Në tri vitet e fundit janë mbështetur mbi 10 projekte kërkimore me vlerë totale 722,534 frangash zvicerane, duke e bërë donatorin kryesor në këtë fushë. RRPP financohet plotësisht nga Agjencia Zvicerane Për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC. Ky program implementohet nga Universiteti i Friborgut në Zvicër dhe menaxhohet nga Prof.Dr. Nicholas Hayoz si dhe nga koordinatorja Jasmina Opardija. Ne kemi zyra rajonale në Maqedoni, Kosovë, Serbi si dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Të gjithë koordinatorët janë të rinj me pasion dhe dëshirë për të kontribuar në avancimin e kërkimit në Ballkan.

Mendoni se në Shqipëri ka premisa të afërta për të ndërtuar një treg idesh apo kërkimi shkencor? 

Gjatë konferencës Prof. Dr Adrian Civici theksoi se idetë ashtu sikundër dhe mallrat kanë vlerë, dhe ndoshta më të madhe. Për këtë arsye në rast se Shqipëria arrin të krijojë një treg për idetë, pra për kërkimin shkencor,  i cili të jetë me vlerë për biznesin, shtetin apo dhe institucione të tjera private atëherë kjo do të garantojë konkurrencë dhe rritje të profesionalizimit. Gjatë konferencës u përmend edhe një iniciativë mjaft interesante nga znj.Eneida Gurja, Drejtoreshë e AIDA-s. Ky institucion po mundohet të bëhet ndërmjetës mes nevojave të biznesit për kërkim dhe studentëve te nivelit Master dhe doktoraturë në universitetet publike dhe private. Duke qenë se kjo iniciativë është institucionale dhe ka gjetur mbështetje të gjerë nga bizneset dhe universitetet unë besoj se Shqipëria së shpejti do të ketë tregun e saj të kërkimit shkencor.

BOX

Kërkues dhe politikëbërës; perspektiva të ndryshme, qëllime të njëjta

Kërkuesja e Qendrës UET, Blerjana Bino prezantoi disa gjetje të aktiviteteve paraprake të zhvilluara në kuadër të nismës mbi dialogun për politikëbërjen në Shqipëri. “Shpresojmë të jetë një komunikim i vazhdueshëm me synim ndërtimin e instrumenteve konkrete për bashkëpunimin mes sferave të politikëbërjes, shkencave sociale dhe sektorit privat, sipërmarrja, shoqëria civile etj.”. Disa nga perspektivat e komunitetit të kërkuesve ishin ndërtimi i komunitetit të kërkuesve në shkencat sociale, artikulimi i interesave të përbashkët, ndërtimi i axhendës së kërkimit në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, zhvillimi i kapitalit njerëzor, kualifikimet profesionale dhe akademike, metodologjia, menaxhimi i projekteve, mbledhja e fondeve për kërkim, strategjitë e komunikimit, qarkullimi i kërkuesve midis sferave të politikëbërjes, akademisë, biznesit dhe shoqërisë civile, rrjetëzimi dhe bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar etj. Ndërsa perspektivat e politikëbërësve lidheshin me shpërndarjen dhe komunikimin e rezultateve të kërkimit, duke përdorur edhe mediumet e komunikimit, artikulimin e komunitetit të kërkuesve në shkencat sociale, kërkesa që shkollat doktorale të kenë prioritet nevojat e zhvillimit të vendit me projekte të aplikueshme.

 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.