1_learningPara disa ditësh në emailin tim mbëriti mesazhi i mëposhtëm nga Universiteti i Miçigan-it, lidhur me ndjekjen dhe përfundimin e kursit on line Hyrje në Financë: “I dashur Koço Broka: Ne do të dëshironim  t’u ftojmë ju të na tregoni rreth ekperiencës suaj në këtë kurs. Ju lutem na ndihmoni për të kuptuar se si ju bashkëvepruat me këtë kurs.” Kjo është një praktikë më se e zakonshme për çdo student që ka mbaruar ose vazhdon Universitet Amerikane. Por gjithsesi së bashku me emailin tjetër, për urimin e bërë në  përvjetorin e parë të fillimit të kurseve online në USA, në kuadrin e programit Coursera, ndaj gjithë komuniteti pjesëmarrës në to, ky do të mbetet për mua personalisht një email jo i zakonshëm.Si të tillë  mendoj se ja vlen për tu përgjigjur edhe publikisht.

Megjithëse ndarja e mendimeve, ideve, ekperiencave me shokët e shkollës dhe kolegët e punës ka qënë një praktikë gati e zakonshme gjatë gjithë jetës sime, në fakt kjo ftesë përbën një risi për mua. Kjo jo vetëm se vjen pak kohë pasi albanologu Robert Elsie ka thënë se në Shqipëri

“Ka shumë njerëz që duan të shkruajnë, të shprehen por ka shumë pak që dëgjojnë”

Mbase është jeta e sotme shqiptare ku njerzit më shumë shprehen dhe askush nuk dëgjon”.Kërkesa për tu dëgjuar vjen deri në Shqipëri nga një prej Universiteteve më të mira amerikane si ai i Michigan-it dhe ndërkohë një prej lektorve më instruktivë dhe më konstruktive që kam patur gjatë gjithë jetës sime studentore e pastudentore më se 40 vjeçare, z.Gautman Kaul. Nga ana tjetër nuk mund të mos ndjehesh keq kur kjo kërkesë më se e zakonshme, nuk kërkohet qoftë dhe pedagogëve të jashtëm këtu në Shqipëri.

Një shtysë për ndjekjen e këtij kursi ka qënë risia e programit Coursera. Ai është në thelb një program që besoj se do të realizojë një revolucion ose me saktë një etapë të re në zhvillimin e arsimit të lartë si në USA por pse jo dhe në Shqipëri, një etapë ku masivizimi i këtij arsimi shkon në harmoni sa me rritjen e cilësisë, aq me uljen e kostos së tij. Ai do të kontribuojë për reduktimin e masterizimit dhe doktorarizimit kaba, të tipit kooperativisto-socialist që po ndodh në vendin tonë dhe të mundësojë vënien e arsimit të lartë në shërbim sa të individëve aq dhe të zhvillimit ekonomik e social të vendit, ballafaqimin dhe kapërcimin e sfidave me të cilat po ndeshet ekonomia por dhe ndaj analfabetizmit funksional, jo vetëm të 15 vjeçarve. A nuk është vështirë të shihet, se në këtë periudhë zgjedhjësh ka me shumicë premtime dhe pak debate reale zgjidhjesh, qoftë dhe si produkt i shumimit të analfabetëve funksionalë?! Fola për masterizimin dhe doktorarizimin kooperativisto-socialist se ashtu si në kooperative vëmendja në arsimin e lartë në përgjithësi e atë privat në veçanti është përqëndruar ndaj proçesit, numrit të studenteve të rregjistruar e që vazhdojnë studimet dhe jo ndaj rezultatit.

“Vëmendja në arsimin e lartë në përgjithësi e atë privat në veçanti është përqëndruar ndaj proçesit, numrit të studenteve të rregjistruar e që vazhdojnë studimet dhe jo ndaj rezultatit”

Krejt e kundërta ndodh dhe ka ndodhur me programin Coursera dhe kursin Hyrje në Financë, të cilat kanë midis të tjerash si tipar masivizimin e arsimit që ai të jetë i aksesueshëm nga të gjithë. Investimi më i çmueshëm që mund të bëjnë individët është arsimimi. Veçoria e tyre është se auditori i një kursi on line (leksioni) nuk kufizohet brenda një klase apo auditori 50-200 vetësh. Tashmë numri i ndjekësve të kursit është mijra dhe dhjetra mijë studentë dhe për më tepër mund të ndiqet në disa gjuhë të botës në të njëjtën kohë, tani për tani, pa pagesë. Por siç nënvizon z. Gautman Kaul kjo nuk do të thotë se ndjekja e kurseve online është realisht falas, (ishte dhe është falas në kuptimin se nuk pagova para) por duheshin siç kish thënë lektori 5-10 e më shumë orë studim në javë. Mjafton të mbahet parasysh se gjatë çdo jave, përveç dëgjimit, studimit dhe kuptimit të leksionit duhej të zgjidhje 8-10 ushtrime e probleme në javë. Ndërkohë nuk mungonte dhe forumi ku studentet shkëmbejnë pyetje dhe përgjigje për çështje të ndryshme të leksionit apo ushtrimeve. Për të marrë çertifikatën e përvetësimit të kursit duhej të  merrje mbi 70 pikë nga 100 pikë të mundshme në provimin final dhe të kishe marrë paraprakisht  mbi 70 pikë  të paktën në 5 teste nga 9 testet javore. Për këdo ish e qartë se nuk kishte testim vetëm në fund, por në fund kishte një testim final.Vlerësimi nëpërmjet detyrave javore përbën një nga filozofitë kryesore të Hyrje në Financë dhe të gjithë kurseve në kuadrin e programit Coursera. Është e tepërt të thuhet se pa kryer ushtrimet çdo javë mbi nivelin e prezantuar nuk e merrje kursin. Shumë prej ushtrimeve dhe problemeve nuk mund të zgjidheshin pa dëgjuar, pa studiuar me vemendje dhe pa kuptuar leksionin.Si të tilla kontrolli i dijeve është kurorëzim i asaj se mësimdhënia e koncepteteve ekonomike bëhet në funksion të zbatimit të tyre në jetë në praktikë dhe s’ka asgjë të përbashkët me pyetje të stisura dhe provime akoma më të stisura siç mund të ndodhë jo rallë herë.Por kushdo mund të prekte deklarimin e Z.Goul Kaul:

”Unë jam më i interesuar në të mësuarin se sa në testimin tuaj, në atë çka ju dini, më tepër se në atë çfarë ju nuk dini”

Në këtë aspekt sikur studentët shqiptarë të punojnë kaq ose aq orë, ushtrime e probleme, sipas lëndeve sa rekomandon Z.Gautman Kaul  natyrisht cilësia e Universiteteve do ndryshojë jo pak.  Kjo mënyrë e kontrollit të njohurive, megjithse mund të kërkojë disa shpenzime fillestare, shmang korrupsionin por dhe çdo dyshim e pretendim të studentit se pedagogu  “nuk të dha hakën”, por ndërkohë vendos një raport krejt tjeter të studentëve shqiptarë me pedagogët e anasjelltas, me provimin, të mësuarit e përgatitjen për to. Coursera në tërësi dhe Hyrje në Financë në veçanti është një praktikë e shkëlqyer për të konkurruar ndaj alternativës që është realizuar në vendin tonë masivim pastaj cilësi. Toleranca ndaj dobësive të cilësisë së përgatitjes së studenteve në emër të masivizimit i ka kushtuar dhe do i kushtojë shumë shtrenjtë ekonomisë dhe shoqërisë sonë dhe ka për të ushqyer një luftë midis të aftëve dhe të paaftëve, në një shkallë të tillë që pavarësisht nga moderacioni dhe maskat, ajo për të cilën fliste Ismail Kadare në Dimri i Vetmisë së Madhe, dyzet vjet më parë, do të mbetet një lodër fëmijësh.

Por cilat ishin disa nga shtysat e tjera të drejpërdrejta për të ndjekur dhe siguruar çertifikatën e kursit Hyrje në Financë?! Shtysat nuk kanë qënë të lidhur me sigurim e një dëshmie, diplome apo çertifikate për përvetësimin e kursi, ndonse dhe kjo mund të rezultojë e vlefshme. Ato lidhen së pari, se si pedagogu i jashtëm i Hyrjes në Ekonomiks do ishte e dobishme për mua por dhe për studentët të njihesha dhe përvetësoja drejpërdrejt ekperiencën e Universiteteve Amerikane sidomos nga ata që zor se t’i mban xhepi, si ai i Michigan-it, Stanford-it, Pennsylvani-së etj. Së dyti, hulumtimi mbi stanjacionin e stokut të kredive, rënia e kredive të reja, nivelin e madh të kredive të këqia në vendin tonë, përveç efekteve të krizës evidentoi mangësitë në cilësinë e planbizneseve për kredimarrje nga sipërmarrsit dhe menaxherët nga njëra anë por dhe të pranuara nga bankat e nivelit të dytë nga ana tjetër dhe mungesen e njourive të duhura në financë. Së treti deklarimet e sugjerimet e viteve të fundit sidomos të Bankës Botërore, për të kaluar nga sistemi dy kolonësh në sistemin tre kolonesh të sigurimeve shoqerore, duke shtuar kolonën me zgjedhje krahas dhe përveç atyre detyruese kërkon njohuri elementare bazë në fushën e financave, që nuk i kam marre gjatë kryerjes së shkollës së lartë dyzet vjet të shkuara. Së katërti, një vit më parë filloi prezantimi i programit IPARD-Like. Por për të fituar nga grantet konkurruese të BE, fermerët shqiptarë duhet të kenë midis të tjerash të paktën njohuritë fillestare  jo thjesht teorike por dhe praktike për koston oportune dhe kuptimin lidhur me konceptet financare IRR (Norma e brendshme e kthimit) dhe NPV (Vlera aktuale neto) etj.  Projekti i investimit të tyre të konsiderohej/et i pranueshëm dhe i realizueshëm kur NPV > 0, IRR> 0. Në se plotësohen këto kushte, krahas kushteteve të tjera ambjentale apo standartet, fermeri apo agropërpunuesit mund të përfitojnë falas shumën prej 50 përqind të shpenzimeve të pranueshme për investim pasi ta kenë përfunduar atë.

Në këtë rafsh kursi Hyrje në Financë paraqet një shëmbull të shkëlqyer, të shpirtit praktik amerikan, që zor se e kanë mundësuar dhe e mundësojnë tekset e përkëthyera në fushën ekonomike nga autorë të mirënjohur apo të përgatitur nga shqiptarë

Ekperienca e z.Gautman Kaul ishte mbresëlënëse. Që në fillim ai prezantoi se një ndër objektivat e kursit është që studentët të jenë në gjendje të kuptojnë ambjentin e tyre dhe politikat publike në lidhje me të, për të aftësuar këdo për të ndërmarrë vendime të mira në jetë ose në profesionin përkatës. “Në qoftë se ju do të kuptoni bashkëveprimin midis marrjes së vendimeve, çfarë po ndodh dhe politikave publike, ky kurs do t’ju ndihmojë ju do të theksonte shpesh herë z.Gautman Kaul. Dhe kishte të drejtë. Por kryesore për të mundësuar kuptimin ishte inkurajimi i tij, për të motivuar veten për të mësuar, për të dëgjuar në mënyrë aktive, për tu bërë pjesëmarrës aktiv, për të lexuar dhe studjuar në mënyrë kritike dhe jo thjesht si konsumator. Dhe për këtë jo pak rëndësi ka motivimi, nevoja për të mësuar si një instrument që nevojitet për jetën dhe jo thjesht për një certifikat-diplomë.

Ai e konsideronte dhe e realizonte veten jo thjesht si transmetues dijesh, por në radhë të parë si lehtësues, trajnier për të orientuar në çështjet kryesore, duke vënë në dispozicion si ligjëratat e shpjegimet e tij, që mishërojnë thelbin e Financës, në nivel hyrës ashtu dhe duke inkurajuar referimin e tekseve të shumta për Financat, por duke kujtuar të mbahet parasysh e të respektohet copyright. Kushdo mund te prekte deklarimin e tij se “Ju studentët jeni në qëndër të të mësuarit dhe të mësuarit ndodh kur ju jini të relaksuar, ju jeni të kënaqur dhe doni të mësoni. Roli im nuk është t’u ushqej me lugë ju, kjo nuk ju aftëson. Unë jam më shumë i interesuar që ju të kuptoni “pse dhe si gjerat punojnë ?”

Eshte e tepërt të thuhet se Hyrja në Financë, dhe se z.Gautman Kaul, i realizoi më së miri , shtysat e mija për të ndjekur këtë kurs dhe përfitimi im ishte i gjithanshëm. Por druaj se eksperienca ime mund të kenë sado pak vlerë për universitetin e Miçiganit. Por besoj se ja vlen të njihen nga studentët pedagogët, lektorët e Universiteteve Shqiptare. Në çdo rast Hyrje në Financë dhe Coursera në tërësi janë një rrugë e shtruar dhe mjaft domethënse se si mund dhe ku është e mira të ecë arsimi i lartë në vendin tonë.

Tagged with:
 

2 Responses to Nje eksperience me Courseren!

  1. Erion Prendi says:

    Pervec Courseres, eshte hapur edhe platforma EdX per kurse online nga Universiteti i Harvardit. Megjithate mbetem skeptik per vleren e kurseve te tilla, krahasuar me programet neper shkolla duke qene se testimet mund ti plotesoje dhe nje person tjeter nepermjet kopmjuterit dhe jo personi i regjistruar. Gjithashtu shume kurse jane specifike dhe me njohuri shume te thjeshta, dhe pa ndonje vlere ne formimin akademik dhe kjo eshte aresyeja qe ne fund te kursit merr vetem nje certifikate, dhe nuk ofrohen kurse te plota ku mund te perfitosh diplome.

  2. evi says:

    Sot po diskutohet vazhdimisht nese programet online do arrijne nje dite te zevendesojne shkollen tradicionale, dhe ndersa kjo mbetet akoma per tu pare, keto kurse i japin mundesi studenteve te zgjerojne njohurite ne nje teme te caktuar, qofte dhe para marrjes se leksionit, duke nxitur debatin ne klase (ndryshe nga me perpara kur profesori ishte njohesi i vetem i temes gjate shpjegimit).

    Qe te marresh certifikaten, duhet te ndjekesh dhe te pergjigjesh me cdo detyre/test te dhene dhe nuk besoj se dikush do ta bente kete per dike tjeter per 10 deri ne 14 jave, pa patur interes per kursin.
    Kurset variojne nga bazike ne me te avancuara ne menyre qe ti pergjigjen shtresave te ndryshme te eksperiencave qe deshirojne te regjistrohen ne keto kurse.

    Personalisht, mendoj se keto kurse jane nje menyre shume e mire dhe eficiente e prezantimit te nje lende, si dhe mundesojne marrjen e njohurive ne nje teme te caktuar interesi pa qene nevoja te regjistrohesh ne nje program 1-2 vjecar masteri (ne pamundesi). Nuk besoj se keto kurse kane patur sukses deri me tani nga deshira e pjesemarresve per te marre certifikate sesa per te marre njohuri falas dhe nga profesore te mirenjohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.