panic2

Profeci të vetërealizueshme janë parashikime hipotetike të njerëzve mbi ekonominë, që ndikon në sjelljen e tyre dhe që sjell ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve për shkak të veprimit të tyre, dhe jo të ndonjë arsyeje reale ekonomike.

Për shembull, në rast se sistemi bankar nuk është aspak në rrezik, por qytetarët besojnë se është, atëherë tërheqja masive e parave nga bankat do të sillte krizë në sistemin bankar duke e bërë atë profeci të vetërealizueshme.

Kështu është e vërtetë që kriza financiare botërore e vitit 2008 nuk mundi të prekte ekonominë vendase menjëherë, por thirrjet e vazhdueshme në media dhe interpretimet e ekonomistëve vendas për një krizë të mundshme, e bazuar në ndjesi personale dhe jo në studime, për pak sa nuk shtynë vendin drejt një krizë bankare, ku depozitat vetëm në periudhën korrik-shtator 2008 vlerësohet se janë tkurrur me rreth 49.1 miliardë lekë ose rreth 7 për qind e vlerës së tyre. Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë ishin të menjëhershme dhe të suksesshme, duke ndryshuar sjelljen e qytetarëve në kushte paniku dhe kaosi idesh në vend.

Po të shohësh median e shkruar dhe atë vizive, ditët e fundit po qarkullon sërish një tjetër thirrje publike për krizën që kanos ekonominë vendase. Këto argumente ofrohen në formë profesionale dhe në këtë mënyrë sërish mundet të ndryshojë sjelljen e qytetarëve të pakualifikuar për të bërë këto dallime të rëndësishme të termave ekonomikë. Kriza e radhës, që synohet të vetërealizohet sipas konceptit të përmendur në krye të artikullit, i atribuohet borxhit të shtetit shqiptar. Këta ekonomistë  me grada të larta shkencore kanë një qasje tejet pesimiste për ekonominë vendase, duke paralajmëruar për rrezikun që pret ekonominë shqiptare në muajt që vijnë, duke thënë shpesh se jemi përballë krizës së borxhit publik, situatës katastrofike të borxhit publik, apo se po merret borxh për rroga etj. Argumenti i tyre kryesor është se borxhi publik tashmë ka kaluar nivelin 60% të PBB-së, një rregulli i vetë-imponuar i qeverisë shqiptare.

Le ta fillojmë me shqetësimin e parë të tyre se borxhi publik ka kaluar vlerën e 60% të PBB-së e për këtë arsye jemi në prag të falimentimit.

Së pari, Shqipëria ka qenë dy herë më parë në këtë prag falimentimi, jo në vitin 1996, siç përmendet shpesh prej këtyre ekonomistëve, por  në vitet 2000 dhe 2002, ku borxhi publik ishte 61.1% dhe 62.8% e PBB-së, respektivisht. Në këto vite vendi jo vetëm që nuk falimentoi, por përkundrazi, investimet publike lehtësuan vështirësitë e krizës energjetike që kaloi vendi në ato vite të vështira. Duhet thënë se pas tre vitesh borxhi sërish u ul në nivelet e mëparshme, deri në vitin 2012, kur dhe ritmet e rritjes ekonomike ishin të ulëta.

Së dyti, kostoja e marrjes hua nga Republika e Shqipërisë nuk varet vetëm nga niveli i borxhit publik, por në besueshmërinë e politikave fiskale të qeverisjes, nga dinamika e zhvillimit ekonomik si dhe, gjatë viteve të fundit, nga shëndeti i bankave të nivelit të dytë.

Për shembull Spanja, në vitin 2010 e kishte borxhin publik vetëm 49% të PBB-së. Më të ulët se Shqipëria, por ekspozimi i bankave të nivelit të dytë në Spanjë dhe borxhi i lartë i qeverive lokale sollën përkeqësim të menjëhershëm të kushteve duke e çuar gati në falimentim shtetin spanjoll. Ndërkohë që Japonia e ka borxhin publik afërsisht 200% të PBB-së, por sërish është e besueshme nga tregjet në aftësinë e saj për të paguar këtë borxh. Duke iu rikthyer Shqipërisë, mund të themi se bankat e nivelit të dytë dhe publiku vendas mbeten besues ndaj borxhit publik dhe nuk mendojnë se Shqipëria është në krizë të borxhit sovran, siç pretendohet nga disa ekonomistë vendas. Kjo shihet më qartë nga të dhënat në ankandin e fundit të datës 13 qershor 2013 për bonot e thesarit me maturim 12-mujor, ku norma e interesit ishte 5.6%, krahasuar me 6.5% një vit më parë. Shumë ekonomistë do të argumentonin se kërkesa e lartë për bono thesari vjen si rezultat i mungesës së alternativave për investim. E vërtetë, por sërish bonot e thesarit mbeten alternativë e besueshme investimi.

Së treti, Shqipëria në dhjetë vitet e fundit ka patur historikisht nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon, ndaj ky nuk përbën lajm. Ajo që mbetet me rëndësi është ritmi i rritjes së borxhit në kohën e krizës ekonomike të viteve 2009-2013. Shqipëria ka ritmin më të ulët të rritjes së borxhit publik nga niveli 59.4% në 2009, në 61.9% në 2012. Pra, rritje e borxhit me vetëm 3% dhe po të krahasohet me Kroacinë, shihet qartë se borxhi ynë publik është nën kontroll. Në Kroaci, për shembull, borxhi publik në 2009 ishte 29% e PBB-së dhe në 2013 mendohet të ketë arritur vlerat 53 % të PBB-së. E njëjta situatë është për Serbinë, ku borxhi publik u rrit nga 29% e PBB-së në 2009, në 60.5% të PBB-së në 2013!

Së fundmi, është e papranueshme që ekspertë apo parti politike të shprehen publikisht se borxhi publik në Shqipëri është, jo 60% i PBB-së, por për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj kompanive private, ai është 100% i PBB-së. Që do të thotë se detyrimi aktual nuk është 6 miliardë euro, por  afërsisht 10 miliardë euro. Në rast se kjo është e vërtetë, do të thotë që shteti shqiptar u ka pa shlyer 4 miliardë dollarë kompanive shqiptare…

Në vend të përfundimit po citoj vlerësimin e agjencisë amerikane të vlerësimit të kreditit të korporatave dhe vendeve sovrane Moody’s, e cila e ka vlerësuar Shqipërinë me gradën B1, duke u shprehur se “ekonomia dhe financat publike të Shqipërisë pritet të jenë stabël”, duke hedhur poshtë profecitë e këqija të disa ekonomistëve shqiptarë

Tagged with:
 

4 Responses to Profecitë e gabuara të ekonomistëve

  1. J says:

    Shume i bukur artikulli, te pergezoj. Doja te shtoja qe eshte shume i rendesishem krahasimi i borxhit me vendet e tjera te rajonit, ose me interesat qe paguajne keto shtete ne tregjet nderkombetare per te marre borxh. Megjithate nje tjeter diskutim i rendesishem eshte perdorimi i ketij kapitali, ku duhet te theksohet qe ne nje sistem si i joni ka rreziqe sepse ne vend qe te investohet, ai perfundon ne spiralet e korrupsionit dhe pasurimit te nje grushti individesh, dhe keshtu polarizon shoqerine. Gjithashtu, a justifikon zhvillimi i vendit nje rritje te tille te borxhit publik?
    ps. Japonia eshte nje rast absurd qe perdoret shpesh per krahasime nga politikanet, jo vetem shqiptare. Ai vend mbahet ne kembe nga konfidenca e tregut. Nje ndryshim ne pritshmeri mund ta rrenoje vendin nga sot neser kur je ne nje pozicion te atille.

  2. Florina says:

    “Për shembull, në rast se sistemi bankar nuk është aspak në rrezik, por qytetarët besojnë se është, atëherë tërheqja masive e parave nga bankat do të sillte krizë në sistemin bankar duke e bërë atë profeci të vetërealizueshme.”

    Plotësisht pajtohem.

  3. Koço Broka says:

    Artikulli ngjall interes se prek një fakt tjetër, të cilin e parashtron me aq mjeshtëri z Dan Ariely lidhur me ekonomiksin e sjelljen jo racionale, se sa kjo sjellje, mbështetet në gjykime dhe analiza, përfshirë ato mbi situatën ekonomike sociale, apo bazohet, në atë që shqiptarët e quajnë sipas berihaj (bën siç bëjnë të tjerët, pa pasur një mendim të vetin).

    Që në fillim, duhet thënë se me këtë artikull shkruesi angazhohet të koracojë praktikat e berihaj, të cilat kanë qënë të përhapura jo vetëm në monizëm por jo pak edhe tani në pluralizëm dhe në ekonomi, ku debatet nga ekonomik janë transformuar në një debat politik.

    Si për t’i vënë kapak “argumentave” të tij Ai konkludon: “Në vend të përfundimit po citoj vlerësimin e agjensisë amerikane të vlerësimit të kreditit të korporatave dhe vendeve sovrane Moody’s e cila e ka vlerësuar Shqipërinë me gradën B , duke shprehur se “ekonomia dhe financat publike të Shqipërisë pritet të jetë stabël” duke hedhur poshtë profecitë e këqia të disa ekonomistëve shqiptarë.”

    Personalisht pavarësisht dhe më parë se të botohej ky artikull më ka rënë rasti t’i përgjigjem pyetjes së medias se çfarë vlerësimi kam rreth situatës fiskale të shtetit, bazuar në të dhënat e pesëmujorit të publikuara fillimisht nga gazeta Panorama? Mbështetur në ato të dhëna kam deklaruar : Shqipëria tashmë ka hyrë në atë që Ministri i Financave, deklaroi në qershor të vitit të kaluar, ka hyrë në luginën e ferrit. Shifrat e konfirmojnë në mënyrë të plotë këtë gjë… Kemi qënë në proçesin e rënies së ritmeve të rritjes. Tashmë kemi hyrë në krizë fiskale, financiare dhe besoj dhe ekonomike… ” Akti i parë që duhet të marrë qeveria e dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit është rishikimi i buxhetit. Në këto kushte lind natyrshëm pyetja: A duhet të heq dorë unë nga analiza dhe konstatimet e mija , mbi bazen e të dhënave të 5 mujorit, dhe të konformohem me velrësimin e Moody-s. Megjithse jam admirues i Thoreau-On the Duty of Civil Disobedience, personalisht nuk mendoj si Nastradini, se ku kish ngulur shkopin ai, ishte qëndra e botës. Por dhe të ec sipas berihaj, vetëm se thotë Moody-is, kur të dhënat dhe analiza flasin për diçka ndryshe, mendoj se nuk është e saktë.

    II
    Besoj se shumkush e ka lexuar ose ka dëgjuar për një shkrim të Sabina Veizaj, Bode: Kriza ka çuar ekonominë në “Luginën e Ferrit”, Qershorin e vitit të kaluar.
    – “Kriza e sotme ekonomike në të cilën është përfshirë mbarë Europa, por edhe ekonomia vendase, i ngjan “Luginës së Ferrit”. Ky ka qenë “përkufizimi” që i ka bërë ministri i Financave, Ridvan Bode, gjendjes së ekonomisë sonë përballë krizës, në një takim që Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit organizuan dje për të diskutuar mundësitë sesi mund të dilet nga ky rreth gati vicioz. “Tranzicioni për vendet e rajonit tonë nuk ishte aq i dhimbshëm ekonomikisht, pasi baza e nisjes ishte shumë më e dhimbshme, por kriza aktuale dhe marrja e masave për kapërcimin e saj realisht i ngjajnë ‘Luginës së Ferrit’, nevojës për të kapërcyer”, – tha Bode.

    Pra kur bëhet fjalë për profeci (të thënët e gjerave që do të ngjajnë, para se të ndodhin), një meritë të veçantë ka zoti Bode, megjithse ai karakterizohet edhe nga dyzimi i deklaratave të veta siç ka ndodhur me deklaratën e tij të Tetorit 1996 apo me deklaratën e tij te javës së kaluar.

    Media si vizive apo ajo e shkruar nuk “guxuan” ta japin të plotë të plotë fjalën e Ministrit të Financave mbajtur në Sheraton, megjithse ajo u rregjistrua e plotë nga ana e tyre dhe sipas të gjithë përcaktimeve të gazetarisë, përbënte dhe përbën lajm. Nuk guxoi as Ministria e Financave që nuk e ka publikuar ende atë fjalë, por as vetë Banka e Shqipërisë që është kujdesur të publikojë fjalën e parapregatitur dhe jo fjalën e mbajtur në aktivetin e vet në Sheraton në ditët e para të Qershorit 2012. Ky është për gjykimin dhe vlerësimin tim një nga problemet reale në Shqipëri, që ka stimuluar agravimin e situatës dhe ndoshta mund të kete efekte dhe për rikuperimin e saj. Ja pse debati dhe diskutimi për berihaj meriton vëmendje.

    III
    Natyrshëm lind pyetja: Situata e sotme fiskale e shtetit gjatë pesëmujorit 2013 është produkt i profecisë së z. Bode Qershorin e vitit të kaluar apo profecisë së ekonomistëve të tjerë, apo produkt i krizës globale dhe pafuqisë të politikave fiskale dhe ekonomike të ndjekura deri tani për të adresuar e frenuar rënien e mëtejshme fiskale?

    Për gjykimin dhe vlerësimin tim nuk është e tepërt të thuhet se situata aktuale fiskale e pesëmujorit nuk është rezultat i profecisë së z.Bode, apo i deklarimeve që kanë bërë mjaft ekonomistë dhe sidomos përfaqësuesit e biznesit në fund të vitit 2008 apo fillim të vitit 2009. Për të argumentuar këtë mendoj se është e nevojshme të lemë tani për tani profecitë dhe le t’u drejtohemi parashikimeve të Ministrisë së Financave apo Këshillit të Ministrave nëpërmjet instrumentave të tillë si Kuadri Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2010-2012(VKM Nr 21, datë 14.01.2009) por dhe në realizmin faktik të tyre rezulton si më poshtë :
    “Ecuria e treguesve ekonomike dhe fiskale sipas Kuadrit Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2010-2012.

    ec

    Të dhënat flasin qartë. Në fund të vitit 2012, niveli i të ardhurave buxhetore ishte vetëm 330.4 miliard leke, pra më pak se sa niveli i të ardhurat buxhetore të parashikuara për vitin 2009, në masën prej 334.8 miliard lekë dhe shumë më pak se sa niveli i tyre prej 456.3 miliard lekë të parashikuar për vitin 2012. Megjithë mos kryerjen e shpenzimeve të parashikuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal të Janarit 2009, në këto rrethana një pjesë e konsiderueshme e shpenzime janë realizuar me borxh i cili nga 740.1 miliard lek i parashikuar në fund të vitit 2012, ka arritur 828.3 miliard lekë.

    Pra çështja është se parashikimi i bërë nga Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave, nuk u konfirmua në praktikë. Parashikimi rezulton jo realist. Dhe kjo nuk është produkt i profecisë së gabuar të disa ekonomistëve në vitin 2008 -2009, por produkt i efekteve të krizës globale ekonomike, produkt i moszhvillimit dhe mosarritjes të ritmeve të parashikuara të saj, që me gjithë akselerimin e borxhit kundrejt parashikimit, megjithë gati dyfshimin e eksporteve në vitin 2012, ndaj vitit 2009 ekonomia shqiptare nuk i realizoi objektivat e saj. Tashmë ajo është përballë jo vetëm ndaj rënie se ritmeve , te cilat i ka përjashtuar Kuadri Makroekonomik Fiskal por dhe përballë tronditjeve të thella ekonomike e fiskale, të cilat kanë vazhduar të thellohen. Kursimet publike kanë ecur kreshendo ndaj zeros, dhe shpenzimet kapitale po bëhen gati të gjitha me borxh ose privatizim.Kjo është situata fiskale që rezulton nga të dhënat e pesëmujorit. Në kushtet kur tatim fitimi, dhe për rrjedhojë dhe fitimi ështe në vitin 2012 më i vogël se sa në vitin 2008, në kushtet kur shtesa vjetore e stokut të kredisë bankare po shkon drejt zeros, në kushtet e rritjes se kredive të këqia, ne nivelin e ¼ te kredive gjithsej, megjithë rritjen e IHD në krahasim me vitin 2008 e sidomos 2006, renia e investimet private dhe publike që pritet të jete më e madhe pas rishikimit të buxhetit të shtetit do kontribuoje në një spirale negative të rritjes së PBB-së, në një renie të ritmeve e cila po i afrohet zeros. Kjo është produkt i gjykimit dhe vleresimit të funksionit të prodhimit, në kushtet e realitet ekonomik shqiptar dhe jo produkt i ndonje profecie ekonomistësh.

    Ishte kjo tendencë e situatë që shihej dhe mund të shihej nga kushdo edhe në Qershorin e 2012, që “imponoi” z Bode te bënte deklaratën e vet, e jo se “profecia” e tij thelloi këto tendenca të vitit të kaluar. Alibia se kjo situate është produkt i profecisë si për deklarimet e z Bode ashtu dhe për ekonomistë e tjerë është vetëm një alibi, që përpiqet të shmangë shkakun e vërtetë të situates aktuale dhe sidomos kapërximin e saj. Përkundrejt qëndrimit të prof.dr Adrian Civici “Borxhi publik ka nivele shqetesuese”(shih gazeta Shqip 17 Qershor 2010, qëndrimeve të FMN-së: “Shqipëria të ulë defiçitin buxhetor dhe borxhin e brendshshëm”;”Qeverisë i duhet angazhim i fortë politik për të rikthyer stabilitetin financiar” ka mbisunduar teza se “Borxhi publik është brenda parametrave të parashikuar” për të arritur në pretendimin e prof.dr Agim Kukeli në artikullin e datës 25 Qershor 2012-“Mbi defiçitin buxhetor dhe borxhin publik” ku do të konkludonte:”Pra një rritje e borxhit publik mbi kufirin e “artë” të 60% është ekonomikisht e mundshme dhe do të çlironte e bënte të mundur potenciale për të cilat do të merrnim bekimin e brezave”. Ku koracimi teorik do të shërbente më pas për heqjen e kufirit tavan të borxhit. Lidhur me këtë alternativë jam shprehur edhe ne EKONAL, që vitin e kaluar dhe për rrjedhojë nuk po ndalem me hollësi më tej në pretendimet e z Kadia.

    Si duke i referuar të dhënave të gazetës Panorama por sidomos dhe atyre të Ministrise së Financave për pesëmujorin e vitit 2013, rezulton se situata makroekonomike e fiskale është agravuar më tej, duke u karakterizuar nga disa dukuri.
    Fillimisht duhet evidentuar se dhe të dhënat e publikuara fillimisht tek gazeta Panorama, kanë si burim Ministrinë e Financave ”. Përgjithësisht ato janë të njëjta por me disa ndryshime të vogla por mjaft sinjifikative.

    Ato kanë si tipar të përbashkët se të ardhurat buxhetore gjithsej paraqiten me të ulta jo vetem në terma reale por dhe nominale krahasuar me të dhënat e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Natyrsisht në terma absolute ato kanë ndryshime jo të vogla. Sipas gazetës Panorama, të ardhurat buxhetore për 5 mujorin e parë kanë qënë vetëm 125.1 miliard lekë duke “dëshmuar” njëkohësisht efektet e politikave të fundit fiskale për uljen e metejshme të tatim taksave. Ndërsa të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, flasin sikur këto politika fiskale janë ezauruar nga mirëadministrimi fiskal dhe për rrjedhoje të ardhurat buxhetore të muajit Maj 2013, janë pothuajse ose vetem pak më pak se se ato të vitit të kaluar.

    Krejt ndryshe paraqitet gjendja me shpenzimet. Ndërsa shpenzimet kapitale, paraqiten, të njëjta si nga gazeta Panorama ashtu dhe Ministria e Financave ose 33 237 milion lekë, ndryshe ndodh me shpenzimet korrente, dhe për rrjedhojë dhe për shpenzimet gjithsej. Ndërsa në tërësi të dhënat për shpenzimet janë të njëjta, në rastin e të dhënave të Ministrisë se Financave rezulton se shpenzimet korrente paraqiten 3473 milion lekë më tepër, që përfaqëson pagesën e prapambetur të TVSH-së së rimbursueshme ndaj Kurum, të realizuar në Maj 2013, shifra të cilat nuk janë paraqirur në rastin e publikimit të buxhetit të konsoliduar nga gazeta Panorama. Ky fakt hedh poshtë pretendimin e z Kadia se :” Së fundmi, është e papranueshme që ekspertë apo parti politike të shprehen publikisht se borxhi publik në Shqipëri është, jo 60% i PBB-së, por për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj kompanive private, ai është 100% i PBB-së” Në vend të lojës me kungulleshka është detyrim i shtetit, Ministrise së Financave, të publikojë se sa është detyrimi real që u ka shteti, biznesit, si per pagimin e puneve të bera ashtu dhe për mosrimbursimin e TVSH. Fakti që vetëm ndaj Kurum kishte 3473 milion lekë , e bën imperative shmangjen e lojës me kungulleshka dhe publikimin e detyrimeve reale, psh me 31 Maj apo 30 Qershor 2013. Pa një diagnose të saktë nuk mund të ketë terapi të saktë.

    Por pavarësisht dallimeve të sipërpërmendura rezulton në të dy rastet, se me të ardhurat buxhetore nuk mbulohen as shpenzimet korrente, të cilat janë më të mëdha se sa të ardhurat buxhetore gjithsej. Ndërkohë, të gjitha investimet publike dhe ripagesa e principalit të borxhit bëhen me borxh. Ky është fakti themelor që ka shqetësuar mjaft ekonomistë që kanë qënë të shqetësuar para se të arrihej në këtë situatë dhe jo thjesht disa shifra me të cilat merret z Kadia në trajtesën e vet.

    Ndërkohë që defiçiti buxhetor edhe sipas Ministrisë së Financave paraqitet 38.2 miliard ose sa dyfishi i vitit të kaluar, është e pritshme që në gjashtëmujorin e dytë të shkurtohen shpenzimet kapitale dhe ato të jenë shumë më pak se gjashtëmujorin e parë. Po t’i shtojmë kësaj faktin se kredia e re dhënë nga sektori bankar ka qënë gjatë katërmujorit të parë vetëm 45.6 miliard nga 70.8 miliard lekë që ishte ajo në të njëtën periudhë të vitit të kaluar, rezulton se situata e borxhit publik është agravuar tashmë në vendin tonë dhe mund te agravohet më keq, me premtimet për uljen e mëtejshme të tatim -taksave.

    Këtë situatë nuk do ta shohë z. Kadia. Për më tepër ai pretendon se kjo është një situatë e stisur nga disa ekonomistë që paskan “ një qasje tejet pesimiste për ekonominë vendase, duke paralajmëruar për rrezikun që pret ekonominë shqiptare në muajt që vijnë, duke thënë shpesh se jemi përballë krizës së borxhit publik, situatës katastrofike të borxhit publik, apo se po merret borxh për rroga etj. “ produkt dhe rrjedhojë nga “profecitë e gabuara të ekonomistëve”

    E keqja nuk konsiston në “profecinë” e Qershorit të vitit të kaluar të z Bode. Përkundrazi e keqja konsiston në mospublikimin, mosdëgjimin dhe mos analizimin e asaj “profecie” dhe për rrjedhojë në marrjen e masave adekuate të dhënë nga vetë Ministri i Financave z Bode.

    Situata e rënduar fiskale dhe e agravimit të borxhit publik nuk mund të zhbëhet as me një njoftim të zyrës së shtpit të Ministrisë së Financave “ Njoftim mbi vlerësimin e kreditit të Shqipërisë nga agjensia Moody’s” të cilin nuk mungon ta citojë dhe z Kadia.

    Jo z Kadia kjo situatë nuk është një situatë e prejardhur nga “profecitë”
    Vetë publikimi i Ministrisë së Financave për buxhetin e konsoliduar të 5 mujorit hedh dritë se është bërë imperative që publikut ti bëhen të njohura detyrimet e tjera të papaguara që i ka Qeveria biznesit.
    Pëkundrejt pretendimit të z Kadia se “Shqipëria është ajo çfarë thotë Moody’s-B1 stabël në fakt tashmë po pranohet gjithnjë e më gjerësisht se megjithse në Shqipëri është shmangur recensioni, remitancat po bien, defiçi buxhetor dhe borxhi publik po rriten.

    Ndërsa të dhënat e fundit të pesëmujorit dëshmojnë se situata e rënduar fiskale dhe përballja me krizën e borxhit publik tashmë është një realitet që duhet ndryshuar e përmirësuar.
    Tashmë që mbaroi mandati i qeverisë të para zgjedhjeve të 23 Qershorit, kjo situatë duhet zgjidhur nga Qeveria e re. Kjo është kryesorja. Në se mendimi ekonomik dhe debati në EKONAL i shërben sado pak kësaj zgjidhje ai do të ishte e dobishëm. Një gjë është e sigurt, berihaj nuk i shërben kësaj zgjidhje. Vetëm debati i lirë dhe konstruktiv mendimi i shëndoshë ekonomik, mund të kontribujë në kapërximin e kësaj situate. Në këtë kuadër më del parasysh ajo që evidentohet për Sistemin amerikan të qeverisjes, që ka vlerë për çdo qeveri në botë që del e formohet pas zgjedhjeve: ”Që me fillimin e detyrës, presidentët e rinj ballafaqohen me një barrë çështjesh që presin zgjidhje…

    Ata trashëgojnë një buxhet të hartuar dhe të kthyer në ligj shumë kohë përpara se ata të vinin në detyrë, si dhe programe shpenzimesh të konsiderueshme (të tilla si asistenca e veteranëve, pagesat e Sigurimeve Shoqerore dhe Kujdesit Shëndetsor për të moshuarit), të cilat kanë mandat ligjor dhe nuk mund të jenë subjekt ndryshimesh.” Me gjithë tiparet e përbashkëta, situatat janë unike dhe zgjidhjet janë unike për çdo vend. Ato kërkojnë mendin dhe debatin e lirë, tej politizimeve.

    Koço Broka

  4. […] pesëmujorit 2013 është  produkt i profecisë së z. Bode? Qershorin e vitit të kaluar apo profecisë së ekonomistëve të tjerë, apo produkt i krizës globale  dhe pafuqisë të politikave fiskale dhe ekonomike të ndjekura […]

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.