Debati mbi sistemin e taksave, ashtu sic pritej, ngjalli diskutime e debate të shumta qoftë në blog e qoftë në faqen tonë në facebook. Gjithesi, mendimi im është që diskutimet e shumta që ka ngjallur kjo temë gjatë muajve të fundin në publik vazhdojnë të ngelen disi të paplota. Ato nuk prekin disa nga cështjet e rëndësishme rreth sistemit të taksave që një vend duhet të ketë. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të mbaj detyrimisht një qëndrim të caktuar për debatin në fjalë, por të listoj disa nga cështjet që duhen konsideruar në mënyrë pak më të detajuar, për të arritur në fund të një përfundim pak më të ndryshëm nga opsionet që na janë paraqitur deri më tani.

Fillimisht, është e rëndësishmë të kuptojmë se Shqipëria është një vend në zhvillim. Kjo do të thotë se institucionet tona politiko-ekonomike nuk janë ato te vendeve të zhvilluara, e për rrjedhojë shume nga rezultatet që ne shohim në tregun shqiptar janë të ndikuar dhe nga ky fenomen. Ky është një argument te i cili do rikthehem disa herë gjatë këtij shkrimi e prandaj gjykoj se është i rëndësishëm të paraqitet që në fillim.

Pika e taksimit optimal.

Cdo debat mbi sistemin e taksave, fillon me atë që quhet Kurba e Lafferit (nga Art Laffer, nje ekonomist amerikan).

Sinqerisht, do na lodhësh kokën me teorira të tilla?

Ju premtoj që është shumë e thejshtë, dhe diskutimi ka për qëllim vetëm përdorimin e intuitës. Kurba e Lafferit sugjeron se nëse shteti takson 0%, atëhere do mblidhte 0 lek.

Te DeMotivational jemi? Mos je gjë NN?

Ok, kjo është e thjeshtë. Por Kurba e Lafferit gjithashtu thotë se nëse shteti takson 100% të të ardhurave atëhere do të grumbullojë përsëri 0 lek. Pse? Sepse nëse shteti grumbullon të gjitha fitimet e një individi, atëhere askush nuk do kishte më incentivë për të punuar. Pse vallë duhet të punojë nëse shteti grumbullon gjithcka që ti do kishe fituar? Pra është e qartë që në dy ekstremitetet e nivelit të taksimit, grumbullimi i të ardhurave do ishte 0%. Prej këtu mund të deduktojmë se marrdhënia ndërmjet taksimit optimal dhe sasisë që një shtet grumbullon është e ngjashme me figurën e mëposhtme – pra një kurbë me një pikë maksimale ndërmjet 0% dhe 100%.

Laffer

Figura 1 – Kurba e Lafferit

Merita e Lafferit ishte të sugjeronte se një shtet mund të ulte normën e taksimit dhe në fakt të grumbullonte më shumë të ardhura.

Pse është e rëndësishme kjo për Shqipërinë? Fillimisht sepse nje studim i mirfilltë qe synon të krijojë disa matje për një funksioni të tillë nuk është pasqyruar nga asnjëra prej forcave kryesore politike. E dyta, sepse qartësisht tregon që aftësia për të grumbulluar më shumë të ardhura do të varet nga niveli në kurbë i sistemit të taksimit. Ka patur raste kur ulja e taksave në fakt ka krijuar rritje të ardhurash. Por nga ana tjetër, për aq kohë sa ky funksion është një kurbë, do të thotë se eventualisht përfitimet nga uljet e taksave do minimizohen ose zhduken komplet – pra funksioni nuk është linear. Kjo është e rëndësishme në një periudhe elektorale ku premtime për ulje apo eleminim taksash të shumëllojshme dëgjohen rëndom. Jo cdo shkurtim taksash gjeneron të ardhura më shumë.

Duhet grumbullimi maksimal?

Deri tani kemi parë cështjen e taksimit vetëm nga një këndvështrim, ajo e nivelit optimal për të ardhurat buxhetore. Por dikush me shumë të drejtë mund të pyesë nëse ky në vetvete është një objektiv i drejtë. Janë të shumtë ekonomistët që mendojnë se roli i shtetit në një ekonomi duhet të jetë i limituar, e për rrjedhojë objektivi i grumbullmit maksimal me shumë gjasa do kundërshtohej nga ata.

Në këtë rast debati do përqëndrohej tek eficenca, pra tek aftësia e shtetit për të ndërhyrë në sektorë specifik të ekonomise dhe të përmirsojë rezultatet që ofron tregu privat. Më konkretisht, jemi të gjithë dakord besoj që ndërtimi i infrastrukturës rrugore apo ofrimi i shërbimit policor në një shoqëri moderne, per arsye teknike te cilat nuk po i përshkruaj këtu, merret përsipër nga shteti thuajse totalisht. Por debati se sa e justifikuar është ndërhyrja e shtetit në fusha si arsimi apo shëndetësia është ende mjaft i hapur edhe në shoqëritë më të zhvilluara.  Për rrjedhojë edhe sasia që duhet të taksoj shteti për të ofruar këto shërbime është një debat i pambyllur. Pra sic e shihni, shumëkush mund të dëshiroj të merret me një aspekt komplet tjetër të taksimit sic është eficenca e shtetit për të garantuar shërbimet për të cilat takson. Besoj jemi dakord që kjo temë është evituar thuajse komplet në debatin mbi sistemin tatimor.

Pabarazia

Qartësisht një nga argumentet më të mëdha, sic përmendet fortësisht edhe në debatin tonë, për taksim të lartë e progresiv është pabarazia në një shoqëri. Sipas kësaj pikëpamje shoqëritë e zhvilluara po vuajnë gjithmonë e më shumë nga nivele në rritje të pabarazisë.

Pse është e rëndësishme kjo? Nën një këndvështrim pabarazia nuk duhet të jetë problem në kapitalizëm ku njerëzit do fitojnë aq sa meritojnë sipas talentit të tyre. Fatkeqësisht gjërat nuk janë kaq të thjeshta e mundësitë që dikujt i ofrohen gjatë jetës kanë rëndësi. Për të ofruar shanse të barabarta (shkollim, transport, shëndetësi) mbase duhen taksuar më shumë të pasurit, ashtu sic shprehet z. Ramadani në debatin tonë.

Akoma më tej, pabarazia e madhe dhe monopolizimi i parasë zakonisht shoqërohet dhe me monopolizim të pushtetit politik në një shoqëri duke përkeqësuar institucionet e saj sic duket në Figurën 2. Ju kisha thënë që do ktheheshim përsëri të institucionet!

 Relationship-between-Income-Inequality-and-GDP-Per-Capita

Figura 2 – Gini Coefficient është një matës i pabarazisë

Pra një argument i mirë për progresivitetin dhe nivelin e lartë të taksave është parandalimi i këtij fenomeni.

Shumë mirë pra, u zgjidh gjithcka, për të rritur e zhvilluar demokracinë

duhet mbështetur një taksim progresiv!! Viva la revolucion!!

Fatkeqësisht gjërat nuk janë kaq të thjeshta, përsëri.  Sic thashë më sipër, shoqëritë me pabarazi ekonomike shfaqin dhe pabarazi politike. Problemi është se ne nuk e dimë shumë mire se cila nga pabarazitë shkakton tjetrën (ne ekonomistët themi që variablat janë endogjene). Nëse mendojmë se taksimi progresiv do zgjidhte këtë problem, po supozojmë se është pabarazia ekonomike që shkakton atë politike. Fare lehtë ama mund të supozojmë se procesi shkak-pasojë ka kah të kundërt. Mund të ndodhë që njerëz të caktuar të kenë monopolizuar pushtetin politik, dhe prej tij kanë ardhur dhe përfitimet ekonomike. Në këtë rast një taksim edhe pak më i lartë (duke supozuar se mund t’u grumbullohet këtyre individëve të pushtetshëm) nuk do bënte asgjë për të zgjidhur këtë problem shoqëror. Individët e pasur do vazhdojnë të gjenerojnë përjetësisht pasuri të shumta falë sistemit politik, e pabarazia do vazhdojë të ekzisojë edhe nëse ata paguajnë 5-10% më shumë taksa. Në këtë rast problemi kryesor janë institucionet politike të një vendi, e jo më sistemi i taksimit.

Kuptohet që nëse kjo është e vërtetë sistemi i sheshtë i mbrojtur nga z. Fehlinger ka një avantazh sado të vogël. Duke thjeshtuar kodin e taksave ul mundësinë e korrupsionit dhe abuzimit duke garantuar sado pak më shumë të ardhura.

A janë taksat vërtet kaq të rëndësishme?

Në fakt kjo është pikëpamja që kam filluar të besoj më shumë kohët e fundit, pra që me pak fjalë sistemi i taksave ka më pak rëndësi sec reklamohet shpesh!

Cfarë?? Taksat nuk kanë rëndësi??

Ok, e di që ngjan pak si cmenduri po më lini ta argumentoj. Sic e thashë më sipër, arsyeja pse shteti takson është se disa shërbime si infrastruktura apo policia nuk ofrohen mirë nga sektori privat. Atëhere ne si shoqëri paguajmë paraprakisht taksat dhe shteti na ofron më vonë shërbimin e kërkuar. Por, sic thashë më sipër, nuk ka një dakordësi absolute se ku, sa dhe si duhet të ndërhyjë shteti. Shumë shoqëri të zhvilluara kanë nivele të ndryshme të shërbimeve që ofrohen nga sektori publik.  Nëse supozojmë për një moment se shteti është në gjendje të ofrojë shumë mirë disa prej këtyre shërbimeve (dhe në shumë vende të zhvilluara kjo është vertetuar) atëhere ka ndonjë ndryshim të madh nëse një shërbim e blen vetë apo e paguan paraprakisht me taksa? Kuptohet që jo.

Hmmm, kam ca dyshime, a mund të na e vërtetosh këtë me

ndonjë evidence?

Shumë kollaj, shtetet skandinave kanë nivele taksimi total (pra jo vetëm për të ardhurat personale, e matur si përqindje e GDP-së) gati dy-fish më të lartë se SHBA , por norma rritje ekonomike për 40 vitet fundit dhe standart jetese gati identik, sic shihet në Figurën 3 (klikoni grafikun për ta parë më qartësisht).

 fredgraph

Figura 3

Pra në një shoqëri që shteti arrin të të garantoj se taksat e tua do të të kthehen në shërbime publike një nivel i lartë taksimi nuk është më problem (kuptohet që kjo kundërshton pjesërisht teorine e Lafferit – ose më saktë ekonomistët do thonin se kemi të bëjmë me ekuilibra të shumëfishtë, pra me një nivel optimal taksimi që varet dhe nga faktorë të tjerë dhe nuk është unik). Po nëse shteti nuk e garanton dicka të tillë? Kuptohet që atëhere lindin probleme. Italia fqinj është një rast i tillë, ku nivelet e taksave kanë qënë përjetësisht të larta në kërkim të “modelit skandinav” por nivelet e rritjes ekonomike kanë qënë të dobëta dhe niveli i evazionit fiskal konsiderohet i lartë. Pse vallë duhet të pagujë dikush taksa të larta kur niveli i shërbimeve publike nuk e justifikon dicka të tillë?

*   *   *

Në vend të përfundimit

Pra sic e shihni, debati kthehet përsëri te niveli i zhvillimit institucional të një vendi, sic ju paralajmërova. Në vend të përfundimit dua të them vetëm se debati i taksave, sic e patë dhe nga shembujt e mësipërm, nuk është debat i thjeshtë sepse objektivat e një sistemi  tatimor mund të jenë të ndryshëm për individë të ndyshëm. Shumë prej këtyre argumentave në rastin shqiptar janë prekur pak ose aspak, duke e bërë debatin jo shumë serioz sipas mendimit tim modest. Akoma më tepër, lidhja e sistemit tatimor me atë institucional të një vendi duket se është i rëndësishëm. Si pasojë, mbase ajo cka duhet të debatojmë është dicka tjetër? Jo rastësisht disa nga përfaqësuesit e opozitës në debatet e taksave kanë thënë se buxheti i tyre është i justifikuar, megjithëse ulen e taksat dhe rriten shpenzimet, sepse “do ulet korrupsioni”. Shumë mirë, por në këtë rast a mos ishte vallë debati që duhej bërë që në fillim mbi ulje korrupsionit e jo mbi nivelin e taksave?

One Response to Taksat – një debat jo i plotë?

  1. Albi says:

    Nje nga artikujt me te mire qe kam lexuar ketu, e ka kapur komplet saktesisht problemin. Gjynah qe nuk eshte komentuar me shume.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.