borxh

Personalisht më ka rënë rasti t’i përgjigjem pyetjes së medias se çfarë vlerësimi kam rreth situatës fiskale të shtetit, bazuar në të dhënat e pesëmujorit të publikuara fillimisht nga gazeta Panorama ? Mbështetur në ato të dhëna kam deklaruar :

Shqipëria tashmë ka hyrë në atë që Ministri i Financave, deklaroi në qershor të vitit të kaluar, ka hyrë në luginën e ferrit. Shifrat e konfirmojnë në mënyrë të plotë këtë gjë. Kemi qënë në proçesin e rënies së ritmeve të rritjes. Tashmë kemi hyrë në krizë fiskale, financiare dhe besoj dhe ekonomike.  Akti i parë që duhet të marrë qeveria e dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit është rishikimi i buxhetit. 

Në këto kushte lind natyrshëm pyetja:  A duhet të heq dorë unë nga analiza dhe konstatimet e mija, mbi bazën e të dhënave të 5 mujorit, dhe të konformohem me vlerësimin e Moody-s? Megjithse jam admirues i Thoreau-On the Duty of Civil Disobedience, personalisht nuk mendoj si Nastradini, se ku kishte ngulur shkopin ai, ishte qëndra e botës. Por dhe të ec sipas berihaj, vetëm se thotë Moody-is, kur të dhënat dhe analiza flasin për diçka ndryshe, mendoj se nuk është e saktë.

Besoj se shumëkush e ka lexuar ose ka dëgjuar për një shkrim të  Sabina Veizaj, Bode: Kriza ka çuar ekonominë në “Luginën e Ferrit”. Qershorin e vitit të kaluar.“Kriza e sotme ekonomike në të cilën është përfshirë mbarë Europa, por edhe ekonomia vendase, i ngjan “Luginës së Ferrit”. Ky ka qenë “përkufizimi” që i ka bërë ministri i Financave, Ridvan Bode, gjëndjes së ekonomisë sonë përballë krizës, në një takim që Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit organizuan dje për të diskutuar mundësitë sesi mund të dilet nga ky rreth gati vicioz. “Tranzicioni për vendet e rajonit tonë nuk ishte aq i dhimbshëm ekonomikisht, pasi baza e nisjes ishte shumë më e dhimbshme, por kriza aktuale dhe marrja e masave për kapërcimin e saj realisht i ngjajnë ‘Luginës së Ferrit’, nevojës për të kapërcyer”, – tha Bode.

Pra kur bëhet fjalë për profeci, një meritë të veçantë ka zoti Bode, megjithse ai karakterizohet edhe nga dyzimi i deklaratave të veta  siç ka ndodhur me deklaratën e tij të Tetorit 1996 apo me deklaratën e tij të javës së kaluar. Media si vizive apo ajo e shkruar nuk “guxuan” ta japin të plotë  fjalën e Ministrit të Financave mbajtur në Sheraton, megjithse ajo u rregjistrua e plotë nga ana e tyre dhe sipas të gjithë përcaktimeve të gazetarisë, përbënte dhe përbën lajm. Nuk guxoi as Ministria e Financave që nuk e ka publikuar ende atë fjalë, por as vetë Banka e Shqipërisë që është kujdesur të publikojë fjalën e parapregatitur dhe jo fjalën e mbajtur në aktivetin e vet në Sheraton  në ditët e para të Qershorit 2012. Ky është  për gjykimin dhe vlerësimin tim një nga problemet reale në Shqipëri, që ka stimuluar agravimin e situates dhe ndoshta mund të ketë efekte dhe për rikuperimin e saj. Ja pse debati dhe diskutimi për berihaj meriton vemendje.

Natyrshëm lind pyetja: Situata e sotme fiskale  e shtetit gjatë pesëmujorit 2013 është  produkt i profecisë së z. Bode? Qershorin e vitit të kaluar apo profecisë së ekonomistëve të tjerë, apo produkt i krizës globale  dhe pafuqisë të politikave fiskale dhe ekonomike të ndjekura deri tani  për të adresuar e  frenuar rënien e mëtejshme fiskale?

Për gjykimin dhe vlerësimin tim nuk është e tepërt të thuhet se situata aktuale fiskale e pesëmujorit nuk është rezultat  i profecisë së z.Bode, apo i deklarimeve që kanë bërë mjaft ekonomistë dhe sidomos përfaqësuesit e biznesit  në fund të vitit 2008 apo fillim të vitit 2009. Për të argumentuar këtë mendoj se është e nevojshme të lemë tani për tani profecitë dhe le t’u drejtohemi parashikimeve të Ministrisë së Financave apo Këshillit të Ministrave nëpërmjet instrumentave të tillë si Kuadri Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2010-2012(VKM Nr 21, datë 14.01.2009)  por dhe në realizmin faktik të tyre rezulton si më poshtë :

Të dhënat flasin qartë. Në fund të vitit 2012, niveli i të ardhurave buxhetore ishte vetëm 330.4 miliard leke, pra më pak se sa niveli i të ardhurat buxhetore të parashikuara për vitin 2009, në masën prej 334.8 miliard lekë dhe shumë më pak se  sa niveli i tyre prej 456.3 miliard lekë të parashikuar për vitin 2012.  Megjithë mos kryerjen e shpenzimeve të parashikuara në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal të Janarit 2009, në këto rrethana  një pjesë e konsiderueshme e shpenzime janë realizuar me borxh i cili nga 740.1 miliard lek i parashikuar në fund të vitit 2012, ka arritur 828.3 miliard lekë.

Pra çështja është se parashikimi i bërë nga Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave, nuk u konfirmua në praktikë.  Parashikimi rezulton jo realist. Dhe kjo është  produkt i efekteve të krizës globale ekonomike, produkt i moszhvillimit dhe mosarritjes të ritmeve të parashikuara të saj, që me gjithë akselerimin e borxhit kundrejt parashikimit, megjithë  gati dyfshimin e eksporteve në vitin 2012, ndaj vitit 2009 ekonomia shqiptare nuk i realizoi objektivat e saj. Tashmë ajo është përballë jo vetëm ndaj rënie se ritmeve , të cilat i ka përjashtuar Kuadri Makroekonomik  Fiskal  por dhe përballë tronditjeve të thella ekonomike e fiskale, të cilat kanë vazhduar të thellohen. Kursimet publike kanë ecur kreshendo ndaj zeros, dhe shpenzimet kapitale po bëhen gati të gjitha me borxh ose privatizim.Kjo është situata fiskale që rezulton nga të dhënat e pesëmujorit. Në kushtet kur tatim fitimi, dhe për rrjedhojë dhe fitimi është në vitin 2012 më i vogël se sa në vitin 2008, në kushtet kur shtesa vjetore e stokut të kredisë bankare po shkon drejt zeros,  në kushtet e rritjes se kredive të këqia, në nivelin e ¼ të kredive gjithsej, megjithë rritjen e IHD në krahasim me vitin 2008 e sidomos 2006, renia e  investimet private dhe publike  që pritet të jetë më e madhe pas rishikimit të buxhetit të shtetit do kontribuoje  në një spirale negative të rritjes së PBB-së, në një renie të ritmeve e cila po i afrohet zeros. Kjo është produkt i gjykimit dhe vleresimit të funksionit të prodhimit

Ishte kjo tendencë e situatë që shihej dhe mund të shihej nga kushdo edhe në Qershorin e 2012,   që “imponoi” z. Bode të bënte deklaratën e vet.  Përkundrejt qëndrimit të Prof.Dr Adrian Civici “Borxhi publik ka nivele shqetësuese”(shih gazeta Shqip 17 Qershor 2010), qëndrimeve të FMN-së: “Shqipëria të ulë defiçitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm”;”Qeverisë i duhet angazhim i fortë politik për të rikthyer stabilitetin financiar” ka mbisunduar teza se “Borxhi publik është brenda parametrave të parashikuar” për të arritur në pretendimin e Prof.Dr Agim Kukeli  në artikullin e datës 25 Qershor 2012-“Mbi defiçitin buxhetor dhe borxhin publik” ku  do të konkludonte: ”Pra një rritje e borxhit publik mbi kufirin e “artë” të 60% është ekonomikisht e mundshme dhe do të çlironte e bënte të mundur potenciale për të cilat do të merrnim bekimin e brezave”.  Ku koracimi teorik do të shërbente më pas për heqjen e kufirit tavan të borxhit. Lidhur me këtë alternativë jam shprehur edhe ne EKONAL, që vitin e kaluar.
Si duke  i referuar të dhënave të gazetës Panorama por sidomos dhe atyre të Ministrise së Financave për pesëmujorin e vitit 2013, rezulton se situata makroekonomike e fiskale është agravuar më tej, duke u karakterizuar nga disa  dukuri.

Fillimisht duhet evidentuar se dhe të dhënat e publikuara fillimisht gazeta Panorama, kanë si burim Ministrinë e Financave. Përgjithësisht ato janë të njëjta por me disa ndryshime të vogla por mjaft sinjifikative.

Ato kanë si tipar të përbashkët se të ardhurat buxhetore gjithsej paraqiten me të ulta jo vetem në terma reale por dhe nominale krahasuar me të dhënat e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Natyrisht në terma absolute ato kanë ndryshime jo të vogla. Sipas gazetës Panorama, të ardhurat buxhetore për 5 mujorin e parë kanë qënë vetëm 125.1 miliard lekë duke “dëshmuar” njëkohësisht efektet e politikave të fundit fiskale për uljen e mëtejshme të tatim taksave. Ndërsa të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, flasin sikur këto politika fiskale janë ezauruar nga mirëadministrimi fiskal dhe për rrjedhoje të ardhurat buxhetore të muajit Maj 2013, janë pothuajse ose vetem pak më pak se  ato të vitit të kaluar.

Krejt ndryshe paraqitet gjendja me shpenzimet. Ndërsa shpenzimet kapitale, paraqiten, të njëjta  si nga gazeta Panorama ashtu dhe Ministria e Financave ose 33 237 milion lekë, ndryshe ndodh me shpenzimet korrente, dhe për rrjedhojë dhe për shpenzimet gjithsej. Ndërsa në tërësi të dhënat për shpenzimet janë të njëjta, në rastin e të dhënave të Ministrisë se Financave rezulton se shpenzimet korrente paraqiten 3473 milion lekë më tepër, që përfaqëson pagesën e prapambetur të TVSH-së së rimbursueshme ndaj Kurum, të realizuar në Maj 2013, shifra të cilat nuk janë paraqitur në rastin e publikimit të buxhetit të konsoliduar nga gazeta Panorama. Ky fakt hedh poshtë pretendimin e z Kadia se :” Së fundmi, është e papranueshme që ekspertë apo parti politike të shprehen publikisht se borxhi publik në Shqipëri është, jo 60% i PBB-së, por për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj kompanive private, ai është 100% i PBB-së.”  Në vend të lojës me kungulleshka  është detyrim i shtetit, Ministrise së Financave, të publikojë se sa është detyrimi real që u ka shteti, biznesit, si për pagimin e puneve të bëra ashtu dhe për mosrimbursimin e TVSH.  Fakti që vetëm ndaj Kurum kishte 3473 milion lekë , e bën imperative shmangjen e lojës me kungulleshka dhe publikimin e detyrimeve reale, psh me 31 Maj apo 30 Qershor 2013. Pa nje diagnose të saktë nuk mund të ketë terapi të saktë.

Por pavarësisht dallimeve të sipërpërmendura  rezulton në të dy rastet, se me të ardhurat buxhetore nuk mbulohen  as shpenzimet korrente, të cilat janë më të mëdha se  sa të ardhurat buxhetore gjithsej. Ndërkohë, të gjitha investimet publike dhe ripagesa e principalit të borxhit bëhen me borxh.  Ky është fakti themelor që ka shqetësuar mjaft ekonomistë që kanë qënë të shqetësuar para se të arrihej në këtë situatë dhe jo thjesht disa shifra me të cilat merret z Kadia në trajtesën e vet.

Ndërkohë që defiçiti buxhetor edhe sipas Ministrisë së Financave paraqitet 38.2 miliard ose sa dyfishi i vitit të kaluar, është e pritshme  që në gjashtëmujorin e dytë të shkurtohen shpenzimet kapitale dhe ato të jenë shumë më pak se gjashtëmujorin e parë. Po t’i shtojmë kësaj faktin se kredia e re dhënë nga sektori bankar ka qënë gjatë katërmujorit të parë vetëm 45.6 miliard nga 70.8 miliard lekë që ishte ajo në të njëtën periudhë të vitit të kaluar, rezulton se situata e borxhit publik është agravuar tashmë në vendin tonë dhe mund të agravohet më keq, me premtimet për uljen e mëtejshme të tatim -taksave.

Tashmë që mbaroi mandati i qeverisë të para zgjedhjeve të 23 Qershorit,  kjo situatë  duhet zgjidhur nga Qeveria e re. Kjo është kryesorja. Nëse mendimi ekonomik dhe debati në EKONAL i shërben sado pak kësaj zgjidhje  ai do të ishte i dobishëm. Një gjë është e sigurt, berihaj nuk i shërben kësaj zgjidhje. Vetëm debati i lirë dhe konstruktiv mendimi i shëndoshë ekonomik, mund të kontribuoj në kapërximin e kësaj situate.  Në këtë kuadër më  del parasysh ajo që evidentohet për Sistemin amerikan të qeverisjes,  që ka vlerë për çdo qeveri në botë që del e formohet pas zgjedhjeve :

“Që me fillimin e detyrës, presidentët e rinj ballafaqohen me një barrë çështjesh që presin zgjidhje.  Ata trashëgojnë një buxhet të hartuar dhe të kthyer në ligj shumë kohë përpara se ata të vinin në detyrë, si dhe programe shpenzimesh të konsiderueshme (të tilla si asistenca e veteranëve, pagesat e Sigurimeve Shoqerore dhe Kujdesit Shëndetsor për të moshuarit), të cilat kanë mandat ligjor dhe nuk mund të jenë subjekt ndryshimesh.”

Me gjithë tiparet e  përbashkëta, situatat janë unike dhe zgjidhjet janë unike për çdo vend. Ato kërkojnë mendimin dhe debatin e lirë, tej politizimeve.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.