handshakePas 11 shtatorit në SHBA, Homeland Security informonte qytetarët amerikanë për nivelin e rrezikut që i kanosej vendit në varësi të informacioneve që kishin mbi ndonjë sulm të mundshëm terrorist. Këshillimi i publikut nëpërmjet autoriteteve jepej me ngjyrë të kuqe në rast se rreziku i një sulmi ishte i lartë dhe me ngjyrë të gjelbër për rrezikun e ulët. Një metodë e thjeshtë që komunikonte saktë një informacion aq jetik për qytetarët. Në Shqipëri është zhvilluar një mënyrë e re e informimit të qytetarëve mbi rrezikun që ka ekonomia apo republika. Përgjatë 4 viteve të shkuara shqiptarët dëgjuan dy variante të asaj se çfarë po ndodhte me ekonominë tonë, së pari të kryeministrit Berisha, i cili ofronte statistika dhe interpretime pozitive për ekonominë, në simbolikën e mësipërme një ngjyrë e gjelbër, dhe kryetarit të opozitës së atëhershme zotit Rama, i cili shprehej se Shqipëria ishte në gjendje të mjerueshme dhe me varfëri alarmante, pra një dritë e kuqe e ndezur në mënyrë konstante.

Dje Kryeministri i ri, zoti Rama, në sallën e pritjes në Kryeministri, informoi ministrat, ambasadorët, publikun se gjërat jo vetëm që janë keq, por janë më keq se ç’shihet sot dhe se ai do të kërkojë një mobilizim të gjithanshëm të publikut për të adresuar këto vështirësi. Ndërkohë që është e vërtetë që financat publike në Shqipëri përgjatë vitit 2013 nuk kanë qenë të forta; për tetë muajt e vitit 2013, të ardhurat totale në buxhet arritën 210.5 miliardë lekë. Kjo përkthehet në 7.2 % më pak se parashikimi i buxhetit për këtë periudhë dhe 3.8 % më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërkohë që publiku është i vetëdijshëm për vështirësitë e ekonomisë vendase, kur PPB po rritet me vetëm 1.7%, kur borxhet ndaj bizneseve private janë në qindra milionë euro, kur kreditimi nuk po njeh rritje, nuk duket sikur është në ndihmë të askujt, as të qytetarëve, as të ministrit të financave, as të vetë Kryeministrit kur i adresohen publikut se “kemi një gjendje që e kemi gjetur më keq se ç’e prisnim, por që gjasat janë të jetë edhe më keq se ç’e lexojmë ne në këtë fazë shumë fillestare të qeverisjes”, apo se “arka e shtetit është bosh”.

Nga ana tjetër, ministri i Financave përmend se të ardhurat në buxhet janë sa “23.7% e PBB, rënie kjo e nivelit të të ardhurave ndër më të fortat në dy dekadat e fundit, me përjashtim të vitit 1997”.

Për të kuptuar përse këto dy fjalime janë dëmtuese për ekonominë tonë, po perifrazoj një shprehje të famshme të kryetarit të Rezervës Federale, Alan Greenspan, i cili pyeste se nga mund ta dimë ne se gjendja ekonomike e sotshme dhe vlera e aseteve në treg nuk vjen nga një entuziazëm irracional i qytetarëve, dhe që kur të merret vesh mundet të pasohet nga një kontraktim i gjatë i ekonomisë? Në këtë kuptim paralajmërimi i kuq i ofruar nga kryeministri Rama dhe ministri i Financave Cani për ekonominë tonë thotë se: qeveria e mëparshme nuk ka qenë racionale në shpenzime, qytetarët kanë qenë të gënjyer për gjendjen e ekonomisë sonë, dhe na vjen keq, por në gjithë këtë gënjeshtër duhet të zgjohemi dhe të shohim se jemi keq dhe s’ka mbaruar këtu, por do të bëhemi më keq. Në rast se ky fjalim do të vinte në periudhë zgjedhjesh elektorale nuk do merrej shumë parasysh, por fakti që kryeministri Rama e paraqet publikisht do të ndryshojë krejtësisht rrjedhën e vendimeve të qytetarëve për konsum dhe investim, dy shqetësime të Bankës së Shqipërisë. Çdo referencë në përqindje të të ardhurave në buxhet nuk merret vesh lehtësisht nga qytetarët, por të përmendësh vitin 1997, në krizë ekonomike sjell në mendje humbje të investimeve private dhe një gjendje pasigurie të lartë. Për të shpjeguar krizat ekonomike shumë ekonomistë i adresohen sjelljes joracionale të qytetarëve, ku besimi se gjërat janë mirë apo do të bëhen më mirë pavarësisht se ç’thonë shifrat.

Së dyti, në takimin e fundit të mbajtur në OKB, kryeministri Rama ka futur Shqipërinë në një grup me pesë shtete të tjera: Ethiopia, Gana, Haiti, Malaui, dhe Senegal. Sipas statistikave, Haiti i ka të ardhurat vjetore për frymë afërisht 700 $, Etiopia $ 470, Gana 1600 $, Maluai 268 $, Senegali 1031 $. Këto të dhëna tregojnë qartësisht se vendet e këtij grupi janë vende të varfra kur krahasohen me Shqipërinë, e cila i ka të ardhurat 4148 $ për frymë në vitin 2012. Zyra e Blair në këtë sipërmarrje do të ofrojë mbështetje teknike për këtë rrjet me gjashtë anëtarë, ku Shqipëria është pjesëmarrëse. Kryeministrat do të mblidhen së bashku njëherë në kaq kohë për të diskutuar mënyrat më të mira për të përmirësuar ekonomitë e tyre me ndihmën e Bankës Botërore dhe me shtytjen e Toni Blair. Ky lajm në Shqipëri u paraqit i cunguar nga media, por ato ndërkombëtare kanë paraqitur më të plotë arsyet e takimit të kryeministrit tonë me shefin e OKB-së dhe Blair. Pyetja qëndron se, përse ky informacion nuk u bë publik i plotë për qytetarët vendas, dhe së dyti, a duam të rikthehemi në politika ekonomike të Botës së Tretë?

2 Responses to Rama, Blair dhe politikat ekonomike të Botës së Tretë

  1. ana says:

    Pse shqiperia nuk eshte vend i botes se trete?

  2. Admir Ramadani says:

    Dje kur po ndigjoja Obamen ne konference per shtyp ne lidhje me “shut-down-nin” mu kujtua sesa jo-sensitive eshte tregu i bonove/obligacioneve qeveritare shqiptare ndaj indikatoreve fiskal. Si eshte e mundur qe gjate Qeverise Berisha duke qene se vazhdimisht nenkontraktoret nuk paguheshin nga qeveria, yielded the shumat e ofrura nuk u ndikuan fare(kane qene te larta per arye tjeter)!!!, nderkoh qe ne US nese shteti nuk fillon te paguaj nenkontraktoret, nje armagedon pritet ne tregjet per treasuries.

    Mengoj se e tejkalon cik kritiken per lidhjen tone me boten e trete dhe ndikimet negative te fjalimeve te Rames ne ekonomi. yielded duhet te kishine eksploduar tashme nese me vertet borxhet te pashlyera jane te konsiderueshme. Ne kete pik fajin me te madh do ja vija menaxhimit financar te qeverise berisha e cila ka ndihmuar ne krijimin e nje “irrational exhuberance” ala shiller/greenspan, nderkohe qe nuk paguante faturat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.