Startup-et – një element i ri për rritjen e dinamizmit së ekonomisë Shqiptare!

alb startups

Standartet e jetesës përcaktohen nga rritja e prodhimi. Inovacioni përcakton rritjen e prodhimit. Por çfarë përcakton inovacionin?

Kështu fillon përmbledhja e librit “Shteti sipërmarrës”  që përshkruan rëndësinë e madhe që shteti ka, në ndihmën që historikisht i ka dhënë “prapaskenave” të krijimit dhe ndërtimit të produkteve inovative më të rëndësishme në botë. Mjafton të përmendet që 75% e përbërjeve molekulare të aprovuara nga Food and Drug Administration (‘93- ’04) kanë rrënjët në laboratorët kombëtar të financuar nga shteti amerikan.

E njëjta gjë në sektorin e informacionit dhe komunikimit ku nëpërmjet fondacionit kombëtar të shkencës u bë e mundur shpikja e algoritmit që sot përdoret nga Google. Sikurse financimet e para për të krijuar Apple, që kanë ardhur pikërisht nga fondet e investimeve për kompanitë e vogla të qeverisë amerikane. Gjithashtu teknologjitë që e bëjnë iPhon-in smart janë të financuara nga fondet shtetërore – interneti, rrjeti wireless, sistemet e pozicionimit, ekranet touch, dhe e fundit inteligjenca artificiale – SIRI.

Natyrisht do jeni duke komentuar që ne (Shqipëria apo shteti), nuk i ka të njëjtat burime, infrastrukturë apo kulturë inovacioni që kanë amerikanët, dhe kjo është e vërtetë, por nëse vazhdojmë të mendojmë gjithnjë në këtë mënyre nuk do arrimë asnjëherë të mos jemi një ndër vendet më të varfër në Europë.

Është pikërisht ky objektivi i këtij artikulli, t’i kthejë përgjigje pyetjes së mësipërme (Çfarë përcakton inovacionin?) dhe të identifikojë paradigma të reja të rritjes ekonomike nëpërmjet një sistemi hibrid të startup-eve në Shqipëri.

Në disa artikuj të këtij blogu jam ndalur tek sistemi i inovacionit dhe anekse të tij (analiza e situates së Venture Capital në Shqipëri) për të kuptuar kompleksitetin, avantazhet dhe alternativat që mund të krijohen për ndërtimin e një ekosistemi efiçent të inovacionit.

Sigurisht që në Shqipëri kemi një sistem inekzistent apo embrional të startupeve, ku aktorët jane informal dhe pak herë kuptojnë avantazhet e përfshirjes në një sistem të tillë, proçese të pa-standartizuara ku kontratat mbeten akoma në nivele të një ekonomie shkëmbimi dhe ku planifikimi i një ideje në planin e biznesit është akoma koncept për bankat e universitetit.

Por dukeqënëse jemi në këtë situatë, pse duhet të tentojmë te zhvillojmë një sistem të Startupeve? Çfarë të mirash sjell?

Zakonisht, startupet funksionojnë në dy makro-rrugë, në rastin e një inovacioni inkremental (të pjesshëm) marrin një proces ekzistent dhe tentojnë ta thjeshtojnë ose ta bëjnë ndryshe duke përmirësuar një nga aspektet e produktit/shërbimit, dhe në rastin e një inovacion radikal, sipërmarrësit nisen nga një nevojë e tregut akoma të pa-adresuar dhe tentojnë të ofrojnë një produkt apo shërbim për të kënaqur këtë kërkesë.

Në të dy rastet kuptohet qartë që startupet sjellin në treg produkte/shërbime me karakteristika të përmirësuara (në çmim apo cilësi), ose produkte totalisht të reja duke konkurruar paradigmat ekzistues dhe rrjedhimisht duke venë në lëvizje mekanizma që rrisin ndjeshëm dinamizmin e sektorëve përkatës.

Për të ilusturuar më në praktikë avantazhet e zhvillimit të një sistemi të tillë, supozojmë se kemi një sektor të ekonomisë, agrikulturën, me prezencë të 3 kompanive  A,B dhe C. Të treja të fokusuara në prodhimin dhe përpunimin e vajit të ullirit.

Në rastin e parë (inovacion inkremental), supozojmë që një sipërmarrës krijon një kompani startup D, që arrin të përmirësojë një nga proçeset e prodhimit duke ulur koston pa ndryshuar cilësinë. Kështu që kompania D arrin të nxjerrë në treg një produkt me cilësi të njëjtë me të tre kompanitë aktuale në treg por me çmim më të ulët. Në këtë pikë, të tre kompanitë ekzistuese, për të “mbijetuar”, duhet të identifikojnë strategji të reja për të ulur edhe ato çmimin ose përmirësuar karakteristikat e produktit (cilësinë).

dynamicKështu që hyrja e komanisë Startup D, krijon kushtet që sektori të bëhet më dinamik dhe më i konkurrueshëm duke përmirësuar ndjeshëm karakteristikat e produktit të ofruar, në këtë rast çmimin e vajit të ullirit. Gjithashtu, mundëson edhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në rastin e dytë (inovacion radikal), supozojmë që një sipërmarrës identifikon nevojën që tregu ka për energji elektrike më pak të kushtueshme duke u bazuar në burimet natyrore të një vendi, në këtë rast – diellin. Kështu që krijon një kompani startup X, duke adoptuar nje teknologji të re që arrin të prodhojë energji elektrike me çmim më të ulët (-30%), nëpërmjet paneleve (pasqyrave) diellore. Kështu që, një pjesë e madhe e tregut do të tërhiqet nga kushtet e favorshme të energjisë elektrike dhe do të zgjedhë këtë formë të furnizimit duke konkurruar ndjeshëm aktorët aktual në treg, që medoemos  duhet të ulin çmimin për të mbijetuar.

Hyrja e kompanise startup X në këtë treg, jo vetëm që mundëson uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe si rrjedhojë rritjen e konkurrencës në sektor, por në mënyre indirekte rrit fuqinë blerëse të konsumatorit duke liruar 30% të barrës së mëparshme që në shportën e konsumit e mbante energjia elektrike. Konsum që mund të alokohet në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Është e qartë që në rastin e dytë (kur kemi të bëjmë me inovacion radikal) shpesh-herë ndodh që për të krijuar dhe përmirësuar një nga variablat e sistemit duhet të sakrifikohet një tjetër variabël. Në këtë rast, përmirësohet çmimi dhe përkeqësohet punësimi. Duke ulur çmimin e energjisë elektrike ndjeshëm, mund të rrezikohet jetëgjatësia e konkurrentëve të mëparshëm, që mund të shkojnë drejt falimetimit. Por ky është element që nuk përbën problem për sistemet e inovacionit. Është fenomen që në një ekonomi kapitaliste quhet “krijim shkatërrues”. Element i domosdoshëm për ndërtimin e një sistemi dinamik të ekonomisë.

Kështu që në momentin që kërkojmë të ndërtojmë një ekonomi dinamike me bazë inovacionin nëpërmjet startupeve, duhet të kuptojmë kush janë avantazhet dhe disavantazhet e ekosistemit aktual të Shqipërisë?

Avantazhet që duhet të vlerësohen dhe shfrytëzohen në ekosistemin ekonomik shqiptar!

Forca punëtore

14309003-yes-we-can-simbolo

Krahu i lire i punës. Shqipëria pozicionohet në vendet e para për rrogën mesatare më të ulët në Europë dhe sigurisht, ky element
përbën një ndër avantazhet më të rëndësishme të sistemit.

Talenti shqiptar që studion apo punon jashtë. Shqipëria nuk duhet ta humbi mundësinë për të tërhequr trurin e derdhur jashtë dukeqënëse, asnjëherë, nuk ka qënë më e lehtë të tërhiqet talenti shqiptar që jeton e punon jashtë në këto kohe të krizës ekonomike botërore.

Më qëllon shpesh të lexoj në mediat shqiptare që është e vështirë që studentët e shkolluar jashtë të adaptohen me kushtet/rregullat/mënyrat e të punuarit në Shqipëri, dhe për këtë jam pjesërisht dakort, dukeqënëse atë që profesionistët e rinj mund ti sjellin një kompanie, zyre te administratës publike apo organizate OJF, përveç eksperiencës së huaj në dije është praktika dhe kultura e punës, aq e nevojshme për ekonominë e “brishtë” shqiptare.

Njohuria e gjuhëve të huaja. Për fat të mirë kemi një përqindje të lartë të njohurisë së gjuhëve të huaja që në kombinim me krahun e lirë të punës, krijojnë kushtet për t’u shfrytëzuar nga anekset e shërbimeve të suportit, një shembull është fenomeni i Call-Centers.

Kultura e raportit me punën.Shumë nga vendet e europës perëndimore (Itali, Spanjë) kanë probleme në lidhje me kulturën e punësimit dhe sipërmarrjes, meqënse pjesa më e madhe e të rinjve pasi mbarojnë ciklin e studimeve preferojnë të punësohen në vende fikse, të mbrojtur edhe nga sisteme të ngurta të kontratave të punës dhe sindikatave.

Në Shqipëri ndërkohe nuk ekziston ky problem. Të rinjtë nuk kanë në mendje punësimin afatgjatë në një kompani dhe sistemi i sindikatave nuk është i fortë, element që krijon një sistem më dinamik të punësimit duke “mundësuar” favorizimin e meritokracisë.

Pozicionimi i mirë gjeografik

Shqipëria ndodhet në kufi me vendet e Bashkimit Europian dhe në qendër të Europës dhe si rezultat mund të shfrytëzohet kosto e ulët e transportit. Në krahun tjetër, pikërisht për avantazh të pozicionimit gjeografik, mund të shfrytezohen kanalet energjitike të Europës Perëndimore, rasti i TAPit.

Kosto e lirë e jetës

Tirana, qyteti më i shtrenjtë në Shqipëri është edhe kryeqyteti më i lirë në Europë për sa i përket kostos së jetës (qeratë e lira të shtëpive + kosto e ulët e ushqimit). Element ky që duhet të shfrytëzohet kur të mendohet për incentivat e tërheqjes së investitorëve dhe sipërmarrësve të huaj.

Regjimi i ulët fiskal

Shqipëria ka dhe duhet të mbajë një regjim të ulët taksor. Në një diskutim para pak ditësh me një investitor indian, po më tregonte që kishte mbetur shumë i habitur kur lexonte në një artikull për regjimin fiskal të ulët në Shqipëri dhe po analizonte mundësitë e investimit në Shqipëri. Nuk duhet të sakrifikohet një avantazh kaq i madh për të përmbushur kriteret që mund të kërkohen edhe nga institucione ndërkombëtare (FMN).

________________________________________________

Vazhdon ne pjesën e dytë të artikullit: 

– Disavantazhet e ekosistemit te startupeve ne Shqiptar;  

– Ku mund të përqëndrohen incentivat e ndërtimit të këtij eko-sistemi?

– Mënyrat e përfshirjes së dorës publike në krijimit dhe zhvillimit e një sistemi të start-ups?

– Përfundimet dhe sygjerimet

 

8 Responses to STARTUP ALBANIA – YES WE CAN!

  1. Admir Ramadani says:

    shrujtur mir dhe qarte,komplimente.
    disa komente me shume sesa ndonje pyetje/kritik…

    “Kerkesa” e tregun per Private equity.
    -Vehiklet financiar ku mundesohet start-upet jane private equity funds/venture capital. Nuk e kam menduar ndonjehere nese egziston e gjith mundesia per grumbullime te tilla.Po qe ka hapsira per te qene krijues. Private equity eshte nje aset klas hume ekzotik(jo likuid, long term,shume risk,shume return,informacion i limituar). Ne jemi cik egzotik, por per karakteristika te kqija jo te mira-sektori financiar eshte shume boring per te asistuar struktura te tilla. Megjithate keto skrutura nuk kane nevoj per nje public capital market te mirfillt(qe mungon) duke qene se jane partnershipe. Kjo nga nje avantazh mund te jete nje disavantazh pasi ne pjesen me te madhe realizimi i fitimit behet duke shitur ate nepermjet nje IPO.

    Supply e Private Equity/Ventur capital.
    -Furnitoret e fondeve jane Angel Investors, Venture capital, dhe Kompanite e medha. Une gjykoj se ne shqiperi e vetmja mundesi gjendet tek Kompanite e Medha. Angel Investors jane ne formen e koshurinjet e shokeve apo shok, apo shok te shokeve teper te ngusht-por qe “besa”-ky virtut kaq i rendesishem i bie t’na ndihmonte ne shqiptare ne boten e finances pasi krijon besimin reciprok,si duke ka qene e fjetur per shume kohe.Venture Capital funds mund te funksionojne por vetem nese kapitali esht i huaj-por qe i frikson cik ligjori qe nuk i zgjigh dot kontratat nese ka probleme-megjithese ca kapital US, German, apo Austrian eshte kanilizuar ne ekonomi ne disa investime.
    Kompanite e medha mendoj se eshte potenciali me i madh te cilat promovojne kompanite me te vogla te sektorit te tyre, praktik e quajtur “corporate venturing”, ku investitoret quhen zakonisht “strategic partners”.

    • ALTIN KADAREJA says:

      Per piken e pare – “Kerkesa” e tregut per Private equity.
      Private Equity merren shume pak me Startups, jane me shume Venture Capitals dhe per te stimuluar ndertimin e ketyre kompanive duhen incentiva fiskal, mbrotje te kontratave e nje sere gjerash te tjera qe i ke ketu http://www.ekon.al/2012/06/08/hallka-qe-mungon-ne-ndermjetesimin-financiar-venture-capitals-pjesa-1/

      Per piken e dyte – Supply e Venture capitals
      Jam dakort qe jane kompanite e medha qe duhet te bejne pjesen me te madhe te lojes por kjo pasi te kene kuptuar avantazhet qe ofrohen nga ndertimi i Startupeve, qe rrjedhimisht duhet te incentivohet me fonde publike.

      Linja kryesore e nderhyrjes publike, ne thelb eshte risku i madh qe nje ndertimi i nje Startup perben qe automatikisht le pothuajse jashte sistemin bankar.

  2. Shqiptari says:

    Tani e mire eshte tema e zgjedhur por qe te quash avantazh rrogat e uleta me thithjen e trurit nga jashte me duket pak absurde. Shqiperia nuk eshte e vertete qe kan rroga te uleta, ketu rrogat jane mizerje aq sa nuk arrijne te krijojne nje shtrese te mesme solide. Keshtuqe cilesia e nje sipermarresi te ri do te varet nga kualiteti qe do investoje dhe kualiteti i nderuar paguhet prandaj ne perendim startup-et jane te sukseshem pasi bazohen ne kualitet. Po ta ilustroj me thjeshte: Qe nje sipermarres i ri te krijoje nje software per te informatizuar nje proces qe perdoret masivisht ne shqiperi duhet te gjeje burime njerezore te pershtatshme per kete sipermarrje ose te adaptoje nje sherbim te ngashem nga jashte me nje kosto te larte. Tani me thuaj se sa i afte eshte ai te marri nje krah te “lire pune” themi nje student dhe te garantoje sukses. Zero eshte i destinuar te deshtoje, pasi kualitet ketu jane me numra. Po qe se behet fjale per call center me nga 20mije leke ne muaj jane sa per te mbajtur frymen gjalle dhe nuk rrisin as nivelin e krahut te punes dhe as ekonomine.

    • ALTIN KADAREJA says:

      Pershendetje Shqiptari,

      ke kapur shume tema tek ky komenti jot. Po mundohem te pergjigjem, por kerkoj ndjese nese kam anashkaluar ndonje pike.
      Eshte shume e vertete qe ne Shqiperi kemi rroga shume te uleta dhe nuk arrime dot te krijojme nje shtrese te mesme, por gradualisht ne fillim me punesim dhe pastaj me specializim rrogat do te rriten. Nese do te ishte keshtu cfare duhet te thoshte nje punetor ne Kine apo ne Indi qe paguhen $10/jave, per ato nuk ka shprese dhe nuk kane per t’u zhvilluar asnjehere?
      Ne krahun tjeter, nuk duhet te harrojme qe jo te gjithe sistemet ekonomik jane te njejte. Jo te gjithe kane aftesi dhe mundesi te ndertojne nje sistem sherbimesh te mirefillte. Ne rastin tone duhet te fokusohemi aty ku mund te konkurojme dhe rrogat e uleta per ate forme punesimi qe kerkohet jane avantazh. (Do ndalem me shume tek pjesa e dyte e artkullit per keto pika).
      Per sa i perket talentit te huaj, kriza ekonomike i ka limituar shume hapsirat europiane per punesim dhe shume nga studentet Shqiptar e kane gjetur te veshtire te punesohen ne vendet ku jane shkolluar. Per kete brez, eshte totalisht e mundur te kthehen dhe te punojne ne Shqiperi.

  3. Haki Shpata says:

    Shume artikull interesant!
    Per mendimin tim Startup-et duhet te financohen nga burimet private dhe bankat te cilat, fatkeqesisht ne Shqiperi akoma nuk po marin funksionin e tyre kryesor, ate te kreditim financimit. Mos beni krahasime me SHBA, ai eshte shtet shume i madh qe vjel taksa jashtezakonisht te medhaja dhe qe i japin mundesine te financoje programe (Statrup-e) qindra miliona dollareshe.

  4. MARSIDA says:

    Jam dakort me te gjitha pikat me siper. Vleresoj sidomos faktin e thithjes se trurit nga jashte qe duhet te jete baza e fillimit te ketij projekti le te shpresojme efektiv. Eshte e vertete se duke ulur papunesine,e cila kohet e fundit ka arritur ne shifrat 17-18%,kalohet gradualisht edhe te konkurrenca. Megjithate duhen pare gjerat sic jane e te jemi pak realiste : Shqiperia me shume sesa vendi yne po merr permasat e nje toke te premtuar per ne qe studiojme e jemi te shkolluar jashte per vete faktin e thjeshte se ne momentin qe ben nje kerkese pune duhet te kalojne vite e vite qe te therrasin qofte edhe per te bere nje praktike. Keshtu qe te pjesa e cituar e meritokracise do te isha pak me shume skeptike. Ndersa me pelqen shume ideja e Venture Capital per arsye se sistemi yne ekonomik,qe perfshin sistemin industrial apo edhe ai teknologjik eshte akoma ne hapat fillestare keshtu qe ka shume pune per te bere dhe duke pasur parasysh gjithmone se eshte me i pershtatshmi ne fazat e zhvillimit do te krijoje mundesi te reja per punesim. Edhe taksimi i ulet eshte ne favorin tone keshtu qe pse jo per nje rrjedhje e nje burim investimesh nga jashte qe mund te rrisin edhe te ardhurat e le te shpresojme edhe te krijojne nje “middle class” edhe ne Shqiperi.

  5. A.Lekaj says:

    Komplimente per artikullin, e faleminders, se kur lexoj artikuj te ketij lloji qe deshmon se ne Shqiperi ke njerez qe vezhgojn dhe mendojn,
    dy atributet kryesore te nje lideri un djej nje lehtsim e knaqsi, se shpesh her me bjen nje pesimez se mduket sikur jena shtet i bam vec prej followers.

    pa u ndal shum ne start up, venture capital e private equity
    un deshta me u ndal te inovacioni.

    Me ba inovacion, duhen ndjek 3 rrug.
    1. concepti i paradigmes (me e thy paradigmen me e vu gjithnje ne diskutim ne menyr konstruktive)
    2. me u perqendru te paradokset
    3. me u ushtru me shum te multisensorialiteti

    dhe sistemi i shkollimit e edukimit shqiptar nuk e favorizon te menduarit ne menyr inovative, ku profesori/prindi jane figura qendrore qe nuk mund tju vehet ne diskutim fjala, edhe kshtu individi edukohet ne at menyr qe nuk i ven kurr ne diskutim faktet.
    edhe tjetra qe nuk asht ma pak e randsishme, duhet me u hek kompleksi i inferioriteti ndaj ”te huajit” qe din qe mundet ma shum se na. Ju besoj se e keni provu, gjithcka eshte qeshtje perkushtimit.

  6. arbsi says:

    Urime Z. Kadare per Ekon.al nje mrekulli startup idesh ne Shqiperi per cdokush, me qellimin e larte ti sherbejme Shqiperise me idete dhe expertzen tone modeste. Eshte hera e pare qe marr pjese ne Ekon.al.

    Nje pike shume e vemendshme raporti juaj per startups ne shqiperi dhe shpresoj te arrijme ne nje pike te perbashket:
    Pata fatin ne 2007 te vij ne Balkans dhe vecanarisht ne Shqiperi me nje equity fund mng.(Syberius-integral part of JPMorgan) per nje mundesi vendosje kapitali (short term initial-collateral initial)…rezultati..NEGATIV. Ne kete pjese nuk dua te shpjegoj pse-ne., por dua ti rikthehem idese time se Shqiperia ka nevoje qe politika te heq dore nga sipermarrja dhe ideja a lire e investimit te kapitalit. Per sa kohe qe politika ne Shqiperi luan rolin e deputetit, te ministrit, te sipermarrsit dhe te menaxherit ne te njejten kohe, do te jete e veshtire qe guximtaret sipermarres te kapitalit te kene hapesire investimi…idete dhe kapitalet e tyre do te jene nen presion te atmosferes jo te favorshme te nxitjes se startup. Startup forms jane te ndryshme ne vende te ndryshme. Nuk eshte e nevojshme te funksinoje si nje venture capital, eshte e rendesishme te krijohet nje KULTURE baze e pjesmarresve (investitoreve) se si do te krijohet kodi I etikes ne investim (nuk e di a eshte I stabilizuar akoma ne shqiperi) dhe nje sere axhendash ne vijim qe kane te bejne direct me startup (shuma fillestare-shuma e investimit-shuma e fondit te rezerves per fondet e rrezikut-detalet per ROI-bordi I drejtoreve dhe pergjegjesia ne formen e liability funds midis bordit drejtues dhe investitoreve etj. etj.) Pra mund te behet nje startup bazuar ne kushtet ekonomike dhe te cultures se kapitalit ne shqiperi. Mundesisht ne kushtet e shqiperise startup te mos jet shume I diversifikuar (si cdo fillim eshte I veshtire te manaxhohet).
    Koha per startup capital existon dhe kapitalet ne Shqiperi existojne…duhet guximi I atyre qe jane te hapur dhe te guximshem ti sherbejne kapitalit te tyre the vendit te tyre. Startup capital eshte nje nga format e shkelqyera te prosperitetit ekonomik the kultiures ekonomike
    Me kryesorja eshte politika larg duart nga kapitali. Do te bej dhe nje kerkese nga experienca ime Banka Shqiptare larg duart nga investimet stratup (kur te jete koha do te jap idene time te funksionit te bankes shqiptare)

    Happy capitalism!!

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.