pdHyrje në analizë: mbi spekullimet e shtypit në lidhje me hetimin Vodafone nga ana e Autoritetit të Konkurrencës

Nëse ka diçka që mësohet qysh në bankat e shkollës në të drejtën e konkurrencës është se tregu përkatës ku një veprim i caktuar i një kompanie mund të shtrembërojë konkurrencën në ndeshje me ligjin duhet të përkufizohet nga autoriteti përkatës hetues në mënyre sa me rigoroze të mundshme. Komisioni Evropian, në një Udhezim të tij të 1997 mbi përkufizimin e tregut përkates jep disa indikacione të dobishme në lidhje me faktorët që duhet të merren parasysh në këtë ushtrim. Nga mënyra se si përkufizohet tregu varet nëse një sipërmarrje ka pozitë dominante ose jo në ate “X” apo “Y” treg përkates dhe, rrjedhimisht, edhe mundësia e saj ose jo për të abuzuar me këtë pozitë.  Në lidhje me përkufizimin e tregut, kuotat e tregut janë vetëm fillimi i analizës për të arritur në përcaktimin nëse një sipërmarrje gëzon pozitë dominante në tregun përkatës, por ndërkaq jo faktor i vetëm që duhet të merret parasysh në këtë analizë. Më tej, nga pozita dominante në treg nuk buron automatikisht abuzimi me ketë pozitë në kundështim me ligjin. Pra, “pozita dominante” dhe “abuzimi” me të janë dy koncepte të ndara.  Është vetëm kjo e fundit që sanksionohet nga ligjet antitrust. E së fundmi, në lidhje me disa nga mënyrat me të cilat një kompani mund të abuzojë me pozitën e saj dominante në një treg të caktuar, nga pikëpamja ekonomike, çmimet diskriminuese – qoftë edhe të aplikuara ato nga një kompani me pozitë dominante në tregun përkates – mund të jenë pro-kompetitive.

Po ashtu, nëse ka diçka që mësohet në lidhje me një tjetër abuzim të mundshëm të pozicionit dominant në treg, shtrydhja e marzheve të fitimit të një konkurrenti nga ana e kësaj të fundit është se ky abuzim mund të ndodhë në rastin kur sipërmarrja në fjalë, vertikalisht e integruar, ka të paktën një pozitë dominante në tregun “upstream” (tregun e shumicës).

Në javet e fundit, në shtypin ditor shqiptar vihet re një tendencë për të tërhequr vëmendjen e lexuesit ndaj disa hetimeve në zhvillim e sipër të Autoritetit të Konkurrencës (më tej, “Autoriteti”) në tregun e telefonisë celulare, e specifikisht hetimin për abuzim të mundshëm të pozitës dominante ndaj njërit prej operatorëve të tij, Vodafone (më tej, “hetimi Vodafone”). Kurioze, e shtyrë rastësisht nga një komunikim për shtyp të Autoritetit të Konkurrencës së disa ditëve më parë, pas një hulumtimi mbi çfarë bëhet fjalë në lidhje me këtë hetim, shija e informacionit të marrë nga shtypi nuk ishte plotësisht e mirë.

Kur informacioni i përcjellë te publiku nuk është domosdoshmërisht i plotë dhe i gjithanshëm, advokacia e përhapjes së kulturës së konkurrencës që synohet në vendin tonë mund të dëmtohet në vend që të inkurajohet.

Konkretisht, një gazetë e përditshme ditët e fundit kishte publikuar një artikull ku gjerë e gjatë spekullonte mbi idene se operatori i telefonisë celulare Vodafone është në pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë në Shqipëri siç përkon me preokupimin aktual të Autoritetit në hetimin e tij të thelluar. Artikulli përmendte shifra të caktuara dhe burime materiali, por siç do të shpjegoj më poshtë, përfundimet që parashtrohen në të janë disa të shpejtuara e pa bazë ligjore.  Së pari, sepse nuk kuptohet ende sakte për cilin treg bëhet fjalë ku pozita dominante e Vodafone mund të ekzistoje. Së dyti, pasi tregu përkatës të jetë përcaktuar në mënyrë të plotë, sepse shifrat e përmendura në këtë artikull për kuotat e tregut nuk janë mjaftueshem për një analize të thelluar të pozitës së Vodafone në tregun përkatës, në kuptimin e fuqisë së tregut nga ana e kësaj sipërmarrjeje, duke pasur parasysh kufizimet kompetitive që ushtrohen mbi këtë operator, dhe të tjerë elemente duhet të merren parasysh.  Së treti, sepse artikulli në fjalë tregon vetëm njërën anë të historisë në lidhje me një politikë çmimesh “on/off net tariffs” të kryer nga Vodafone në vitet objekt i hetimit (ku tarifat e aplikuara thirrjeve janë të diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit dhe ato brenda rrjetit – pra nga përdorues Vodafone në përdorues Vodafone – janë më të ulëta se ato jashtë rrjetit – pra nga Vodafone në përdorues të operatoreve të tjerë të telefonisë celulare).  Siç do të parashtrohet më poshte, letërsia ekonomike është e ndarë për rastet kur këto mund të jenë kufizuese apo shtuese të mirëqënies së konsumatorëve.

Në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, që ka gjasa të jetë goxha fitimprurës, bën përshtypje agresiviteti i dukshëm, përshembull, në mesazhe publicitare, mes operatorëve si AMC, Vodafone apo edhe Eagle.  Një konfirmim për dinamicitetin e këtij tregu në Shqipëri është i dhënë edhe në një raport të ITU te 2012, që analizon mes të tjerash, zhvillimin e tregut të telefonisë celulare në vitet e fundit në Shqipëri. Në këtë raport pohohet se aktualisht, pas rritjes së madhe të viteve të fundit, përqindja e penetrimit të telefonisë celulare në Shqipëri është më e lartë se mesatarja e vendeve EU-27.(raporti është përfunduar para hyrjes së Kroacisë në BE, që e rrit numrin e vendeve anëtare në 28).

Një treg fitimprurës nuk tregon domosdoshmërisht se ndonjë nga kompanitë që operojnë në të kanë nje fuqi tregu të tille që mund të përkufizohet si pozitë dominante.  Ama, nuk tregon as të kundërtën.

xxx

Po t’i hedhësh një sy vendimit të Autoritetit mbi hapjen e hetimit të thelluar ndaj Vodafone vihet re se bëhet fjalë për tregun “e pakicës”, pra atë ku operatorët, si Vodafone, AMC etj, u ofrojnë konsumatorëve finalë shërbimin e telefonisë celulare. Për më tepër, në këte vendim, Autoriteti i referohet vetëm shërbimit të “telefonisë celulare me parapagesë”.

Por çështja është pak më e komplikuar se kaq. Kjo sepse në rastin konkret tregu “i produktit apo shërbimit” ka jo vetëm një dimension në pakice(në rastin konkret, ai i telefonisë celulare në Shqipëri apo vetëm ai me parapagesë, siç shprehet Autoriteti i Konkurrencës?), aty ku efektet e një abuzimi me një pozitë dominante të mundshme mund të shfaqen, por edhe një dimension në shumicë.  Ky i fundit, jo më pak i rëndësishëm, ka të bëje me terminimin e thirrjeve me zë në rrjetet e tyre përkatëse të çdo operatori të telefonisë celulare.  Ai përkufizohet si “Tregu me shumicë i terminimit” në rekomandimin e Komisionit Evropian të 2007 mbi tregjet përkatëse të produkteve dhe shërbimeve të telekomunikimeve elektronike.  Për të kuptuar se për çfarë bëhet fjale, le të japim një shembull konkret: tarifa e terminimit të thirrjeve me zë është çmimi i shumicës që operatorët e telefonisë celulare i faturojnë njëra tjetrës për të arritur përfunduesin fundor (dmth klientin që përdor rrjetin). Në këtë kontekst, respektohet parimi “pala thirrëse paguan”. Pra, nëse nga një numër Vodafone  thirret një numër AMC, përshembull, terminimi është çmimi që Vodafone i paguan AMC-se: ndërsa për Vodafone, tarifa e terminimit është kosto për AMC ajo është fitim.

Në këtë treg shumice të terminimit të thirrjeve me zë, Vodafone Albania është sipermarrës me fuqi të ndjeshme në treg (FNT). Sipas nenit 42, para. 1, i ligjit Nr.9918, datë 19.5.2008, “Për Komunikimet Elektronike në Republiken e Shqipërisë”,

AKEP-i [Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare] vendos ndaj sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg detyrimin për të plotësuar kërkesat e arsyeshme për akses dhe interkoneksion, si dhe për përdorimin e elementeve të veçanta të rrjetit dhe faciliteteve shoqëruese, në veçanti, në ato raste kur AKEP-i vlerëson se nga refuzimi i aksesit ose nga kushtet dhe termat e paarsyeshme, pengohet konkurrenca e qëndrueshme në tregun e pakicës, apo kur dëmtohen interesat e përdoruesve fundorë”.

Rrjedhimisht, Vodafone ka një pozitë të caktuar në tregun e shumices, aty ku terminimi i thirrjeve me zë në telefoninë celulare të çdo operatori konsiderohet si të qenurit treg përkatës më vete (e, për pasoje, edhe AMC, Eagle e Plus kane treg përkatës më vete).  Sipas Komisionit Europian,Chaque exploitant de réseau jouit de ce fait d’un monopole concernant la terminaison d’appels sur son réseau fixe ou mobile», që do të thotë se në tregun e shumicës të thirrjeve me zë çdo operator celular ka monopol.  Por kjo nuk nënkupton automatikisht mundësinë për të pasur pozitë dominante në tregun e pakicës e rrjedhimisht për të abuzuar me këtë të fundit.

Në Shqipëri, AKEP, në përputhje me rakomandimet e Komisionit evropian, ka marrë masa në nivel tregu me shumicë, pra atë të terminimit të thirrjeve me zë, që shkojnë drejt orientimit në kostot efeçientë të tarifave të terminimit, të cilat sipas Drejtorit të Rregullimit të Tregut në AKEP, « krijojnë stimujt për operatorët që [diferencat] të zvogëlohen ».  Sipas tij po ashtu, « Kur [u] themi operatorëve dominantë, që kemi përcaktuar si AKEP, operatorët me pjesë tregu më të madhe të arrijnë te niveli i kostos efiçente, që është një nivel më i ulët kostoje sesa operatorët e tjerë, në një periudhë kohore më të hershme sesa operatorët më të vegjël, [kjo] u krijon mundësinë operatorëve më të vegjël të paguajnë më pak dhe me tarifa më të ulëta drejt operatorëve të tjerë ».

Duam që Autoriteti i Konkurrencës të kthehet në « rregullator » të çmimeve të telefonisë celulare në tregun e pakicës për të mbrojtur konkurrentët e Vodafone dhe a është kjo në interesin afatgjatë të konsumatorëve? Pyetja është provokative por ka këtu një thelb, sipas meje, të arsyes se ku synon të çoje ky hetim.   Nuk besoj se duam këtë.  Çdo hetim i Autoritetit nuk operon në « vacuum », ai  duhet të marrë parasysh edhe kuadrin rregullamentor të Komunikimeve Elektronike në vend.  Në këtë prizëm, nuk është e thënë që aplikimi i tarifave on/off net nga ana e Vodafone, siç do të shpjegoj më tej, të jetë domozdoshmërisht në dëm të konsumatorit.

Ndërkaq, për t’ju kthyer tregjeve përkatese, ndryshe nga tregjet e shumicës, Vodafone ka një pozitë tjetër në tregun e shërbimit të telefonisë celulare me pakicë, pra ai i konsumatoreve finale.  Nëse ai mund të veçohet, siç u tha më sipër, në tregun e shërbimeve celulare me para- e pas-pagesë mbetet për t’u parë. Analiza e çdo efekti të tarifave të diferencuara brenda e jashte rrjetit nga ana Vodafone në tregun e pakicës nuk përjashton nevojën për të marrë parasysh tregun në shumicë të terminimit të thirrjeve me zë. Përkundrazi, është këtu që qëndron, siç do të shpjegoj në një postim të dytë, boshti i analizës.

Siç u tha më sipër, nëse ka në tregun përkatës – dy dimensionet e të cilit nuk mund të anashkalohen – ndonjë (apo disa) sipërmarrës në pozitë dominante, as kjo nuk do të thotë që ajo (apo ato) abuzojnë domosdoshmërisht me këtë pozitë.

Por le të kthehemi te spekulimet në shtyp mbi hetimin Vodafone.

celiac-discrimination1Hetimi i Autoritetit ndaj kompanise në fjalë:  Për cilin treg bëhet fjalë?  Aludimet e shtypit mbi të ashtuquajturën “pozitë dominante” të Vodafone

Le të lemë për momentin mënjanë çështjen e tregut të terminimit të thirjeve me zë, mbi të cilin nuk pashë shenjë në publikimit e vendimit për hetim të thelluar nga ana e Autoritetit, por e cila është kyçe për të kuptuar nëse ka abuzim të mundeshëm të pozitës eventuale dominante nga ana e Vodafone në shtrembërim të konkurrencës së lirë në treg, pasi ajo kërkon po ashtu një analizë të kuadrit regullator të telekomunikacioneve në Shqipëri, e që si e tille, përveç asaj qe u tha më sipër, shkon përtej qëllimit të këtij shkrimi.

Objekti i hetimit të autoritetit sipas vendimit të tij mbi hapjen e hetimit të thelluar në çështjen në fjalë duket se është « tregu me pakice i telefonisë celulare me parapagese në Shqipëri”.

Përtej analizës së tregut të tarifave të interkoneksionit – pra jo në pakicë, por në shumicë -, në lidhje me tregun me pakice, nga pikepamja e zëvendsueshmërise nga ana e konsumatorit, e para, nuk kuptohet pse tregu i produktit përkatës në pakicë duhet të përkufizohet në mënyre të tillë që të përfshijë telefoninë celulare me parapagesë, si edhe SMS-të, apo komunikimet nëpërmjet Internetit nga ana tjeter? Janë telefonatat celulare, nga njëra anë, dhe sms apo Interneti nga ana tjetër, të zëvendësueshme nga ana e konsumatorit? Së dyti jane telefonia celulare me parapagese e me pas-pagesë (tregu i pajtimtarëve) dy tregje produkti të ndara ? Sepse nëse nuk janë, mbase Vodafone në tregun më të gjerë të telefonisë celulare në nivel klientësh finale në Shqipëri mund të ketë mjaftueshëm kufizim konkurrencial nga ana e AMC, përshembull.   Në çështjen T-Mobile Austria/Tele.Ring, Komisioni përkufizoi tregun përkatës të produktit si ai “i telefonisë celulare në nivel klientësh finale”.

Artikullshkruesi/ja në artikullin e sipërpërmendur i referohej një Raport të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare ( më poshte « Raporti AKEP ») ku mund të gjenden informacionë mbi tregun e telefonisë celulare në Shqiperi.  Përkatesisht, në një tabele në faqen 12 të këtij raporti paraqiten të ardhurat e operatorëve të tregut të telefonisë celulare në Shqipëri si dhe evoluimi i tyre gjatë viteve 2003-2012.  Por se ku buron në këtë raport, sipas gazetarit apo gazetares, informacioni i pakontestueshëm se Vodafone është dominante në tregun përkatës ashtu siç Autoriteti e ka provizorisht përkufizuar në vendimin e tij për të hapur një hetim të thelluar, do të isha kurioze ta dija.  Mua së paku, në këtë tabelë në Raportin AKEP, dhe vetëm bazuar mbi këto të dhëna që lexoj, më duket se çdokush – në tregun e pakicës – mund ta shohë të paktën se konkurrenti AMC në vitin 2011 duket se ushtronte mbi Vodafone një presion të konsiderueshëm kompetitiv, pavarësisht kuotës së tregut 52 përqind të Vodafone (kur bëhet fjalë për kuotat e tregun në bazë të të ardhurave). Ndër të tjera, nëse marrim parasysh tregun e pajtimtarëve (në tabelen e faqes 13, lart, majtas) AMC e Vodafone kanë kuota tregu të ngjashme, biles ajo e AMC është më e lartë (përkatësisht, AMC 36.67 përqind dhe Vodafone 34.55 përqind).

Përtej kesaj, si konsumatore pyes veten, a janë kuotat e tregut të Vodafone absolute në tregun me parapagesë në vitin 2011 indikacion i pashmangshëm i një fuqie tregu të tille për ta kualifikuar këtë ndërrmarrje si me pozite dominante në tregun e pakicës – gjithnjë nëse tregu përkatës i pakicës mund të përkufizohet aq ngushtë sa « tregu i telefonisë celulare me parapagesë në Shqipëri » ?  Apo duhen parë edhe kuotat e tregut të konkurrentëve e sa këto mund të ushtrojnë presion kompetitiv mbi kompaninë objekt i hetimit? Personalisht me rezulton që kjo e dyta është analiza e duhur (Meqe ra fjala, kjo nuk përjashton mundësine që dy ose më shumë ndërrmarrje në një treg përkatës të kenë pozitë  kolektive dominante, por kjo do provuar).  Dominanca, në kuptimin e të drejtës së konkurrencës, nuk është e njëjta gjë me një kuotë tregu të lartë e marrë shabllon dhe pa analizuar edhe pozitën e konkurrentëve si dhe të tjerë faktore.

Pra, përmendja e terminologjisë se sektorit pa baza siç është nocioni « pozitë dominante », duke hedhur në letër ca shifra që lexuesi mbase i merr si të mirëqena, por pa specifikuar pse tamam, sipas gazetarit apo gazetares në fjalë, këto informacione provojnë se Vodafone ka vërtet pozitë dominante në tregun përkatës, nuk është domosdoshmërisht në dobi të lexuesit.

Për të qenë më specifikë, nëse Vodafone është vërtet në pozitë dominante në tregun përkatës duke mos harruar këtu një analizë të tregut të pakicës e shumicës, i takon Autoritetit të Konkurrencës ta përcaktoje, pas përfundimit të hetimit të saj të thelluar. Unë nuk marr përsipër të pohoj të kundërtën, në mungesë informacioni të mjaftueshëm për tregun në fjalë. Por, duket qartë se argumentimi ligjor i këtij artikulli mbetet pa bazë. Në këtë prizëm, ai i referohej vetëm kuotave të tregut të Vodafone sipas Raportit AKEP të sipërpërmendur, pa specifikuar ama, nga përmendja e tyre, jo vetëm ku mbështetej, në raportin në fjalë, te i ashtuquajtuari evidentim se kemi të bëjmë me një pozicion dominant, por ç’kuptim e ç’bazë kishte fjalia: “Mjafton të shikosh pozitën dominuese të operatorit kryesor, 52% sipas të ardhurave, në kushtet kur në Bashkimin Europian, pjesa e tregut e një operatori kryesues në BE (?) ishte 38% që në 2009-n.”?  Se mua më rezulton që, duke qenë se tregu përkatës është, nga pikëpamja gjeografike, i limituar në territorin e Shqipërisë, arsyetimi i mësipërm duket kryekëput i pasaktë dhe pa vlere të shtuar në analizën e çështjes.

Mbi të gjitha, nuk përmendej në artikullin e mësipërm pozita e konkurrentëve të tjerë të Vodafone në tregun e telefonisë celulare me pakicë si AMC, Eagle dhe Plus, përshembull.  Po ashtu mungon në këtë artikull si ka evoluuar tregu në fjalë gjatë viteve në të cilat sjellja e Vodafone po hetohet, a janë rritur kuotat e tregut të operatorëve të tjerë, etj.  Por këto nuk janë detaje jo të rëndësishme.

 

Për të përfunduar, në vendimin United Brands, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian e përcakton pozitën dominante si një pozitë fuqie ekonomike që i lejon një kompanie të ndalojë konkurrencën efektive në treg sepse ajo mund të sillet deri në njëfarë mase në mënyrë të pavarur nga konkurrentët, nga klientët dhe përfundimisht nga konsumatorët.” Sjellja në mënyre të pavarur nga konkurrentët, klientët e konsumatorët, pra, është kyçe në analizën nëse një kompani zotëron një pozitë dominantë  në tregun përkatës.  E bindur se këtë vendim e njeh fare mire Autoriteti, uroj që në analizën e tij të mund të marrë sigurisht parasysh kuotat e operatorin në hetim në tregun përkatës, por vetëm si pikënisje, e jo si pikëpërfundim i provës së një pozite dominante në të.

Siç shprehet edhe Komisioni Evropian, kuotat e tregut janë një indikim i dobishëm fillestar i fuqise së tregut, por Komisioni do t’i interpretoje ato në bazë të kushteve relevante të tregut.   Uroj dhe shpresoj që të njëjtën gjë të bëjë dhe Autoriteti, i bazuar, edhe një herë, mbi nevojën për të evituar që ai të kthehet, nëpërmjet një dënimi të pabazuar mbi rrethanat konkrete  si dhe evoluimin e tregjeve në fjalë, në rregullator çmimesh në telefoninë celulare me pakicë. (vijon)

 

12 Responses to Vodafone dhe çmimet diskriminuese: konkurrencë e ndershme apo abuzim me pozitën dominante?

  1. vjola says:

    artikulli mbart shume profesionalizem. eshte shume shume i mire.

  2. vjola says:

    artikulli mbart shume profesionalizem. eshte shume shume i mire.

  3. viola says:

    Artikulli ka shume profesionalizem. Eshte shume interesant.

  4. Marina says:

    Mungesa e statistikave ne Shqiperi eshte nje problematike e perhapur ne shume fusha ku si rezultat jo rralle kemi keqinformim nga mediat. Gjithsesi me vjen mire qe sillet ne vemendje te publikut kjo ceshtje, eshte koha per te reflektuar edhe nga ana jone si lexues, duhet te jemi me kerkues ndaj artikujve qe na serviren!

  5. soni says:

    artikull interesant. Ve theksin te rendesia e tregut te shumices si dhe te rendesia e fuqise kundervepruese te konkurrenteve elemente shume terendesishme per tu pare ne nje rast te tille.

    Gjithashtu edhe analiza e artikujve te gazetave eshte interesante por jo e plote se ka pasur edhe disa shkrime te tjera te gazetave per tu analizuar jo vetem nga pikepamja e ligjit por edhe nga pikepamja e etikes gazetareske ku smerret vesh ku eshte analiza ku eshte citimi e ku eshte raportimi.

  6. Kletia says:

    Ju falenderoj per komentet.
    Soni, jam dakort me ty, dhe besoj si ti se etika e profesionit te gazetareve do te kerkonte ndarjen qe ti thekson. Duke qene se analiza nga pikepamja e etikes gazetareske shkon pertej kompetencave te mia, mbeshtes sygjerimin tend e uroj qe kete standard ta kerkojme nga gazetaret, sic edhe Marina sygjeron. Angazhimi im si juriste e te drejtes antitrust eshte te ve theksin ne pasaktesira nga pikepamja ligjore qe rrezikojne te keqinformojne publikun ne nje fushe ky mireinformimi i tij eshte (dhe mbetet)kyç.

  7. andi says:

    E nisni shkrimin me citime nga shtypi dhe ne fakt qellimi eshte te godisni nje autoritet publik te pavarur ne mes te nje hetimi shume te rendesishem..si mundeni ti referoheni vetem shtypit dhe vendimit per hapjen e hetimit per te arritur ne konkluzione pa pritur vendimin e Autoritetit te njeanshme dhe ceshte me e keqja me presione te hapura ndaj autoritetit…
    nese jeni ajo qe thoni kush jeni ju qe i beni presioni nje autoriteti publik, kushdoqofte ai me deklarata te tipit…”Uroj dhe shpresoj që të njëjtën gjë të bëjë dhe Autoriteti, i bazuar, edhe një herë, mbi nevojën për të evituar që ai të kthehet, nëpërmjet një dënimi të pabazuar mbi rrethanat konkrete si dhe evoluimin e tregjeve në fjalë, në rregullator çmimesh në telefoninë celulare me pakicë…”


    shkrimi eshte nje avokati per Vodafone e padrejte per te respektuar institucionet te pakten dhe outputin e hetimit…edhe artikullshkruejsa, nese eshte e verteta dhe sjemi para rastit te ndonje perkthimi te ndonje artikulli te dhene gatshem pikerisht nga Vod, duhet ta shqiperonte mire…psh
    kuotat- shqip thuhet pjese tregu;
    kompetitiv-perkthehet konkurrues;
    rregullamentor—cdmth? mos e keni fjalen per rregullator…etj…

  8. Kletia says:

    I nderuar Zoti Andi,

    Se pari, dua te theksoj se nuk kam konflikt interesi me ceshtjen Vodafone, dhe as eshte kjo advokaci e fshehur ashtu sic ju supozoni. Kete caveat e sqaroj ne fakt dhe ne pjesen e dyte te artikullit tim.

    Thjesht si nje juriste perpara nje artikulli me pasaktesi juridike, shkrimi im synon te analizoje pse gjerat nuk jane kaq te thjeshta sa duken ne shikim te pare.

    Reagimi im nuk eshte aspak provokues ndaj Autoritetit, punen e te cilit e respektoj ne maksimum (e pres me kureshtje perfundimin e analizes se tij ne kete ceshtje), perkundrazi, por per mua si eksperte e fushes nuk eshte teper evidente, nga informacionet qe dispozoj – e qe jane ne fakt vetem ato publike – qe ne tregun perkates te pakices kompania ne fjale, sic artikulli te cilit i referohem me siper aludon, qenka automatikisht ne pozite dominuese ne tregun e pakices – sepse unw keshtu e lexoj artikullin e siperpermendur.

    Kjo nuk eshte per te thene qe nje kompani nuk mund te abuzoje me poziten e saj ne nje treg perkates te caktuar dhe efektet e saj eventualisht te shfaqen nje nje treg tjeter. Ajo qe une dua te them eshte, le te fillojme te shohim per cilin treg apo tregje behet fjale, informacion qe nuk ishte, edhe njehere,i plote ne artikullin e mesiperm. E me tej, le te shohim kuadrin rregullator, etj.

    Ju duhet ta dini, nese jeni ekspert i fushes ashtu si dhe une (duke ju falenderuar pet shqiperimin e dy-tre nocioneve duke qene se nuk ushtroj te drejten e konkurrences ne shqip) se komentet juridike per ceshtje te caktuara, qofte edhe per hetime te hapura, kryhen rendom ne literaturen e sektorit e nuk po shpik ndonje gje te re e as besoj se nje veshtrim kritik – mjafton ketu te shohesh sa eshte shkruar per ceshtjen Google para Komisionit Europian e cila ende nuk ka perfunduar – mund te lendoje sensibilitetin e disave e aq me pak te nje autoriteti. Ne kete pike nuk jam dakort me ju.

    Nese ne perceptimin tuaj kjo tingellon si presion, sepse ne komentin e mesiperm ajo qe une mbeshtes, eshte mbase e thene me nje ton te drejtperdrejte me lejoni t’ju sqaroj sa me poshte:
    me respektin me te madh per punen e Autoritetit, ajo qe dua te them me siper, me fjale te tjera, eshte se cmimet diskriminuese mund te jene si pro- ashtu edhe anti-konkurruese, dhe cdo vendim perfundimtar i kryer pa pare efektet ne tregjet ne fjale mund te jete ne demin afatgjate te konsumatorit, sepse ka literature ekonomike qe mbeshtet se ne kushte te caktuara tarifat diskriminuese brenda e jashte rrjetit rritin dhe jo ulin mireqenien e konsumatorit.
    Kjo nuk do te thote aspak paragjykim i perfundimit te Autoritetit, aq me pak qe nuk kam asnje element per ta bere kete.

    Duke uruar qe sqarimi i mesiperm te jete i mjaftueshem per te kthyer tonet e debatit ne fair play, dhe jo ofenduese, sepse sic ju parashtrova, nuk ka ne shkimin tim, per as edhe nje cast, asnje synim per te nderhyre ne misionin e tagrin ligjor te Autoritetit, por nje shprehje opinioni – e perseris, personal e aspak te influencuar nga askush – ne lidhje me nje artikull te shkruar per kete hetim,i cili tregon vetem njeren ane te historise dhe si i tille, mbetet jo ne dobi te mireinformimit te publikut, e duke rezervuar cdo koment pas perfundimit te hetimit ne fjale, ju falenderoj, gjithesesi, per vemendjen ndaj artikullit tim.

  9. andi says:

    Pershendetje Zonje,

    nga pergjigja juaj kuptohet ne subkoshience jeni dakort me konstatimin qe duhet te ishit treguar me e balancuar dhe me pak paragjykuese ndaj institucioneve publike….respekte

  10. Edi says:

    Heren e fundit kur une kryeva nje studim ne fushen e konkurrences ne Shqiperi ne 2008 konstatimi kryesor qe nxora ishte se nuk kishte interes nga mediat dhe per pasoje mungonte interesimi nga ana e publikut per ceshtjet e konkurrences. Eshte per te thene shyqyr qe media te pakten po zgjohet ne kete drejtim.

    Nuk e kuptoj kete Andin, artikulli qenka nga nje pikepamje shume akademike dhe biles shmang cfaredo konkluzioni mbi ceshtjen nen hetim. E vetmja teze qe parashtrohet eshte se mediat po ngaterrojne publikun me interpretim te dobet te fakteve apo edhe mungese te fakteve.

    Pike se pari, perkundrejt asaj qe thote Andi, artikulli eshte ne anen e Autoritetit te Konkurrences dhe asnje paragjykim nuk i behet. E dyta, Andi, me cfare kuptoj artikulli vijon, mbaje gjithe kete fryrje emocionale ndaj autorit dhe prit per pjesen e dyte te filmit. Se treti, e se fundmi, Autoriteti i Konkurrences nuk eshte nje femije jetim, ka te drejtat e veta te cilat po u shkelen AK i kerkon para gjykatave – nuk quhet “presion” nje artikull ne nje blog akademikesh.

  11. […] pakicës . Kjo, në fakt, përforcon tezën e parashtruar në pjesën e parë të  këtij shkrimi (artikullin e datës 25 tetor) se Vodafone nuk është automatikisht në pozitë dominuese në tregun e pakicës. Kjo edhe nëse […]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.