imagesJanë të njohura debatet për një rol të natyrshëm dhe adekuat të INSTAT në zhvillimin ekonomik të vendit. Ato kanë qënë e janë në radhë të parë teknike e profesionale. Në këtë rafsh të shumta kanë qënë artikujt e mi në vite, në revista apo shtypin e përditshëm. Por gjithsesi sugjerimet kanë rënë në vesh të shurdhër. Pushteti i ideve është diçka, ndërsa pushteti i shtetit me sa duket është gjithçka, të paktën në vendin tonë.

Personalisht statistikën e shoh dhe e trajtoj si një instrument drejtimi nga më kryesorët si në nivel makro ekonomik për ekonominë kombëtare në tërësi, por dhe në nivel mikro, ku të dhënat e saj shërbejnë si bazë për shqyrtim, analiza, konkluzione, rekomandime dhe jo anasjelltas, ku të dhënat statistikore, shërbejnë kryesisht si bazë për të plotësuar raportet e shkruara më parë pavarësisht të dhënave. Si instrument drejtim ato janë të nevojshme e të domosdoshme gjatë hartimit dhe miratimit të një plani zhvillimi strategjik të ekonomisë,  një dege të saj apo ndërmarrje; deri tek hartimi i një plani biznesi ndërmarrjeje apo ferme që operon për treg. Në këtë rafsh ndaj të njëjtin gjykim dhe vlerësim me ata që mendojnë se qoftë edhe me statistikat aktuale, pavarësisht nga mangësitë, mund të nxirren përfundime dhe rekomandime shumë të rëndësishmee të vlefshme për zhvillimin aktual të vendit. Kryesorja është të lexohen dhe të njihen të dhenat statistisikore.

E tillë është psh shifra e punësimit sipas sektorve të ekonomisë tone. Mjafton të shikosh se sa është numuri i punonjësve të deklaruar në bujqësi nga INSTAT dhe se sa është numuri i paguesve të kontributit të sigurimeve shoqërore të deklaruar nga INSTAT apo ISSH, t’i krahasosh ato se si kanë qenë për vitet parardhëse të zgjedhjeve të vitit 2006, 2009, 2013. Nga shqyrtimi dhe analiza e tyre apo gjithë burimeve statistikore në tërësi mund të shohësh se të dhënat e INSTAT, përdoren për shumë synime si atë për të furnizuar,  FMN, BB, BE por zor se janë përdorur si instrument drejtimi, qoftë nga partitë politike. Zor se janë përdorur ato si bazë për shqyrtimin e zgjidhjen e problemeve të akumuluara në deficitin e sigurimeve shoqërore që vjen gjithnjë në rritje e shtohet çdo vit mbi 5 miliard lekë; për trajtimin e këtyre të dhënave në programet elektorale dhe qeverisëse, megjithëse nderkohë as në 2009 nuk kanë munguar premtimet elektorale për reformën e sigurimeve shoqerore apo posaçërisht të pensioneve,  premtimet dhe hartimin e programeve të punësimit.

Mjafton që Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, i emeruar javën e kaluar, i njohur dhe me eufemizmin CEO i INSTAT,  të ndalej  në tre publikimet më të fundit të këtij institucioni si  Tregetia e Jashtme-Shtator 2013; Anketa e Forcave të Punës, Tr II 2013; Buletini Statistikor TR II-të e të tregonte se çfarë mund të bëhet më mirë, ndryshe nga gjendja e gjetur në institucion.

Psh le të shohim publikimin:”Rezultate kryesore nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës Tremujori i dytë i 2013”. tabelën nr 3: Struktura e punësimit sipas aktiviteti ekonomik dhe gjinisë...të shprehur  në përqindje,  thuhet  se të punësuarit në bujqësi në Tr 1/2012 ishin 45.6 %  ndërsa  në Tr 1/2013, arritën në 48.7 %, dhe 48.8 % në Tr II -2013. Edhe lexuesi më i zakonshëm do të donte të informohej  se çfarë përfaqësojnë konkretisht këto të dhëna në terma absolute dhe si shkon kjo dukuri që prezanton INSTAT, me prirjen e përgjithshme progresive sunduese kudo në botë: – është modernizim drejt sa më pak fermave bujqësore por më produktive!? Por në trajtën kur të dhënat janë të gjitha në % nuk e mëson dot, pa le ta kuptosh se si ka mundësi të ndodhë kjo rritje kaq e shpejtë, e numrit të të punësuarve në bujqësi në një kohë kur popullsia e fshatit po sipas INSTAT, vjen duke u pakësuar ndërsa ajo e qytetit duke u rritur ?! Kujt i shërben kjo situatë e statistikës?! A mund ta kuptosh këtë dukuri (rritjen e të punësuarve në bujqësi) nëse përpiqesh të krahasosh këto të dhëna me numrin e kontribuesve të sigurimeve shoqërore në bujqësi (i cili sipas ISSH për vitin 2012 ishte 168513 vetë nga 294783 vetë që i kanë paguar në vitin 2009). Natyrisht do të dish, metodikën e llogarritjes në këtë ose atë rast, cili është efekti e pagimit të tyre në bilancin e sigurimeve shoqërore e më tej efekti i këtij të fundit në buxhetin e shtetit i cili që në Mars 2013, u paraqit me defiçit fiskal korrent, dhe tani së fundi kjo po bëhet një dukuri kronike. Nëse i referohesh Bilancit të forcave të punës, për tremujorin e dytë të publikuar nga INSTAT, rezulton se numri mesatar i të punësuarve në sektroin privat bujqësor  është 518 796 persona. Kur krahason seritë kohore nuk mund të mos gjesh pasaktësi.

Në këto kushte lind natyrshëm pyetja: A lind e nevojshme që publikimit Anketa Tremujore e Forcave të Punës t’i bëheshin disa ndryshime të vogla, të tilla që do të mundësonin që leximi i saj t’i mundësonte kujtdo për ta integruar dhe krahasuar të dhënat përkatse  të saj me ato të evidencave të tjera. Mendoj se po.

Por kjo varet nga fakti nëse statistikat nuk konsiderohen si qëllim në vetvete, me preteksin se ashtu i kërkon EUROSTAT, por nëse ky sherbim konceptohet si shërbim ku të dhënat statististikore  përdoren realisht si instrument për të kuptuar e zgjidhur këtë ose atë situate ekonomike e sociale. Me këto apo ato ndryshime sado të vogla qofshin do kishim fillesat e një mentalitet të ri si për hartimin ashtu dhe përdorimin e statistikave si instrument drejtimi. Nisur nga shëmbulli i mësipërm, herët apo vonë kjo do të bënte që të gjithë përfshirë dhe politikbërsit dhe programbërsit të rishihnin premtimet e tyre për rritjen e punësimit të mëtejsëm në bujqësi, pavarësisht se kanë premtuar shtimin e tyre me 150 mijë vetë apo ata me 250 mijë vetë, t’i ballafaqonin këto premtime me prirjen afatgjatë progresive më pak ferma bujqësore por më  produktive. Ndërkohë do të hidhej njëkohësisht dritë mbi atë se nuk është herezi që drejtori paraardhës matimaticien i  INSTAT  të zëvendësohet nga një ekonomist e jo nga një ekonomist i zakonshëm por dhe një ekonomist me titullin DR.

Aty nga viti 2000, kur z.Gjergji Filipi vjen në Ministrinë e Tregëtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik dhe caktohet përkohësisht në Sektorin e Politikave  të Tregëtisë së Jashtme, ku rri pak kohë vetëm disa javë.

Në atë kohë në sektor ishte shtruar një detyrë fare e thjeshtë: Punonjësit e Statistikës të Drejtorisë që mbulonte politikat e tregëtisë së jashtme, të përgatisnin  dhe publikonin mbi bazën e informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe INSTAT, të dhënat mbi 10 dhe 100 produktet më kryesore të eksportit dhe importit, si me kodet përkatse, por ashtu dhe në trajtën më të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë  sipas kodit dyshifror-sipas produkteve. Në këtë trajtë evidenca mbi produktet e eksport-importit jo vetëm që do kuptohej e do të përdorej sa për të njohur gjendjen, prirjes e zhvillimit nga kushdo por edhe që sektori dhe Ministria të realizonin detyrat e veta funksionale mbi hartimin e politikave tregëtare apo Strategjinë përkatse. (Strategjia u hartua)

Por me sa di unë z Gjergj Filipi u largua shpejt nga sektori, pa mbyllur muajin, për tu ngarkuar me një detyrë më të rëndësishme. Por nga ana tjetër informacioni me të dhënat mbi 100 produktet më kryesore të eksport- importit në Shqipëri, informacion dhe evidencë e hapur për të gjithë përdoruesit nuk u sigurua e nuk u publikua. Për fat të keq  ajo nuk është publikuar ende ashtu siç duhet, të paktën për gjykimin dhe vlerësimin tim.

Kjo mund të shihet fare qartë nëse i hidhet një sy publikimi të hershëm të INSTAT, Buletini Statistikor i cili përmban midis të tjerash:-Tabela – Eksportet e Mallrave Kryesore

Duke iu referuar publikimit më të fundit për tremujorin e dytë të vitit 2013 mund të lexosh  tek tabela 7.2:

Untitled1Burimi: Buletini Statistikor T II, INSTAT(2013)

Pra megjithse Evidenca eksportet ose importet e mallrave kryesorë është publikuar e publikohet çdo tremujor në Buletinin Statistikor, ato nuk të japin një ide të plotë e të saktë për gjendjen reale  e jo më që të shërbejë si instrument drejtimi. Kjo jo vetëm për faktin se numri i produkteve më kryesorë  te ekportit siç shihet nga tabela kufizohet në 10-të dhe ajo nuk shtrihet pse jo në 100 produktet kryesore ashtu siç ndodh zakonisht në vende të tjera dhe që e mundëson teknologjia e sotme kompjuterike. Por çështja është se produktet e prezantuara, pavarësisht etiketimit Eksportet e Mallrave Kryesore në realitet nuk janë 10 produkteve, më përfaqësuese më kryesore të eksporteve aktuale, qoftë sipas kriterit të vlerës  ashtu dhe atij të tonazhit. Akoma në zërat e mallrave kryesorë të eksportit shënohet zëri duhan cigare, që ka qënë i tillë në komunizem , por nuk është sot.

Mjafton t’i referohesh Evidencës tjetër që publikon INSTAT Tregtia e Jashtme. Aty mëson se grupimi i produkteve minerale, lëndë djegëse, energji elektrike, përbën mbi 40 % të volumit të eksportit gjithsej. Pra tabela e mësipërme nuk ka kuptim pa produkte të tilla  të eksportit  si ai i naftës bruto, energjisë elekrtike, çimento. Në trajtën që është publikimi i INSTAT- Eksportet e mallrave kryesorë  si atëhere (vitin 2000) dhe tani nuk të ndihmon as për të kuptuar se cfarë ka ndodhur e ndodh në ekonominë shqiptare përsa i përket eksportit dhe efekteve të tij kur gjatë periudhës 2009-2013, volumi i eksportit është më se dyfishuar e jo më, të ndihmojë në hartimin e politikave përkatse të zhvillimit ekonomik dhe tregëtisë. Ndërsa në kushtet kur këto vitet e fundit është rritur dukshëm eksporti i naftës bruto, por në të njëjtën kohë në aspektin fiskal kjo nuk është reflektuar në treguesit fiskalë dhe aktualisht buxheti i shtetit ka  shkuar në drejtim të kundërt me atë të ekoprteve duke rënë në defiçit fiskal korrent nuk mund të mos e dëgjosh me ëndje z.Shpëtim Nazarko, i cili thotë popullorshe e me shpoti se kjo i përngjet asaj situate të fshatarit që kur e pyetën si dole nga pazari i Korçës? ( Cfarë rezulton nga rritja e eksporteve të naftës bruto, në aspektin fiskal?!)  Ai i përgjigjet, Shkova me kalë dhe u ktheva me kër. Gjithsesi me defiçit fiskal korrent nuk mund të vazhdohet gjatë pa rënë në recension.

Ndërkohë nuk mund të mos të bëjë përshtypje stoicizmi i punonjsve të INSTAT, për të vazhduar praktikat rutinë, që veç në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit  nuk janë. Këtë koracim dhe stoicizëm ndaj praktiva ekzistuese rutinë zor se do ta shpjegonin dhe autorët e teatrit absurd. Megjithse atë mund ta ndryshojë shumë lehtë, drejtori i ri i INSTAT z.Gjergji Filipi. Shumë punonjës administrate janë stoikë dhe refraktarë ndaj ndryshimit, ndaj ideve sado te sakta të jenë ato  por nuk janë të tillë ndaj pushtetit ekzekutiv.

Z.Filipi mund të ndryshojë fare lehtë sa më sipër për faktin se punojësve rutinorë dhe stoikë të INSTAT mjafton t’u tregojë publikimin e kohës së Zogut: –Statistikë e Tregëtisë së Jashtme vjeti 1938. Aty mëson se në vitin 1938, Eksportet  të grupuara  sipas klasifikimit të mëposhtëm ishin: 8.3 %-Shtazë të gjalla;  -35.4 %- Sende ushqimore e pije; 56 % -Lëndë të para ose gjysëm të punueme, 0 %- Produkte të fabrikueme dhe 0.3 % Monedha e copa ari. Por kjo evidencë përmbledhse ishte e integruar me Tabelën Eksportim i gjanave më kryesore në vjetë 1931-1938, ose Tabelës Importim i artikujve  mâ kryesore  në vitet 1931-1938. Këto tabela që jepnin të dhëna në sasi dhe në vlerë ishin në harmoni me informacionin tjetër më të detajuar për çdo produkt eksporti dhe importi. Pra kushdo mund të shihte dhe atëhere por dhe tani  pas 75 vjetësh situatën ekonomike të vendit në vitin 1938, pa u hallakatuar nga një evidencë në tjetrin të INSTAT. Fakti  se vendin kryesor në eksportet e zinte nafta bruto ndërsa në importet, benzina , vajguri, gazoili, mbeteshin dukshëm prapa importit të pëlhurave të pambukta, grurit, misrit, duke zënë jo më tepër se 10 % të importit gjithsej, nuk ka shumë ndryshime  të mëdha kur pjesa dërmuese e naftës së vendit ekportohet dhe po pjesa dermuese importohet, ndersa përpunimi është stopuar ndonse u privatizua nga operatorë “strategjikë” amerikanë.  Paraqitja por dhe harmonizimi i tabelave për të dhënë një pamje tërësore , të saktë dhe të integruar të statistikave, në vitin 1938, është dukshëm më përpara se ajo e vitit 2013, Të paktën për Tregtinë e Jashtme. Mjafton vullneti i Drejtorit të ri z Gjergji Filipi dhe shumçka ka për të ndryshuar për mirë.

 

 

 

 

One Response to Sfidat më të thjeshta por sinjifikative të Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT

  1. Ermelinda Meksi says:

    Statistikat si mates I shkalles se zhvillimit te vendit

    Statistikat zyrtare, duhet t’u paraprijnë ndërtimit të strategjive të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Kjo ka ndodhur dhe ndodh rëndom në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Pa njohje të sakte të situatës aktuale, nuk mund të ndërtosh të ardhmen afatmesme dhe aq më tepër atë afatgjatë. Ka një gjykim i cili merr vleren e një “aksiome”: Niveli i statistikave zyrtare tregon masën e zhvillimit të një vendi!
    Në këtë këndvështrim, pak është bërë për sistemin statistikor në Shqipëri. Eshtë ecur shumë më ngadalë nga sa kërkonin ritmet e zhvillimit të një vendi qe pretendon të bëhet venden kandidat ne BE. Kritika te forta dhe te drejperdrejta jane bere ne raportet e BE per sistemin statistikor ne vend. Mungesat e vazhdueshme statistikore i ndjejnë ekonomistët, politikbërësit dhe vendimmarrësit, bizneset, akademikët, analistët e ekonomisë, vetë gazetaret dhe publiku i gjerë.
    Më konkretisht: statistikat ekzis¬tuese, kryesisht ato tremujore, vuajnë
    së pari, nga vonesa e publikimit të të dhënave. Pra, ato dalin me rreth 90 ditë me vonesë për tremujorin që u referohen (p.sh publikimi i PPB-së tremujore ).
    Së dyti, në terma tremujore, nuk kemi të dhënën e Produktit të Brendshëm Bruto sipas metodës së shpenzimeve dhe të të ardhurave. Nuk njohim tregues të investimeve, të kursimeve, të konsumit në terma private dhe publike.
    Së treti, nuk kemi të dhëna mbi indekse të prodhimit industrial, as në terma mujore dhe as në terma tremujore, që në praktikën evropiane sinjalizojnë zhvillimet në aktivitetin ekonomik.
    Dega e bujqesise eshte nje nga deget me te pambuluara me te dhena mujore, tremujore dhe vjetore. Ka disa vlëresime tremujore te cilat nuk mund te konsiderohen matje dhe statistika te mirefillta. Së katërti, treguesit e deflatorëve të PBB-së nuk behen publike, madje edhe kur botohen, janë të viteve të kaluara, edhe ato jo të detajuara sipas degëve.
    Ndërkaq statistikat e tregut të punës mbeten një problem madhor i statistikave zyrtare. Sa herë që ato publikohen, shoqërohen me një zhurmë mediatike dhe të analistëve, sepse me shumë çorientojnë, se sa japin një vlerësim të saktë për numrin e të punësuarve, të të papunëve, të forcës së punës dhe përfundimisht të normës së papunësisë.
    Punësimi në sektoret bujqësorë mbetet gjithashtu elementi mbi të cilin lindin debatet dhe që krijon hapësira për dyshime. Veçanërisht kur të punësuarit gjithsej rriten apo ulen në varësi të rritjes apo të uljes së të punësuarve në bujqësi, siç ka ndodhur në vitet 2007-2009.
    Një tjetër problem janë statistikat e çmimeve të konsumit, të cilat ndonëse duken më të plotat dhe më të mirëmbajturat dhe publikohen çdo muaj, kanë problemet e tyre serioze. Indeksi Çmimeve të Konsumit (ICK) matet mbi një shportë konsumi tashmë të vjetëruar, atë të vitit 2007, struktura e së cilës nuk i përgjigjet situatës aktuale të strukturës së konsumit të një familjeje mesatare shqiptare në vitin 2013.
    Ne vendet e BE shporta rishikohet në çdo 2-5 vjet, ndersa tek ne edhe pas 6 vjetesh nuk është bërë publike kur ajo do të rishikohet.
    Nga ana tjetër, statistikat e ndërmarrjeve që dalin nga anketat strukturore, janë mjaft të vonuara, ato dalin me një deri në dy vite vonesë.
    Kurse statistikat demografike mbeten një çeshtje tjetër e rëndësishme, që ndonëse absorbojnë burime të mëdha financiare dhe njerëzore, përsëri nuk gëzojnë besueshmëri të plotë, siç duhet të gëzonin rezultatet e dala nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.
    Statistikat monetare vlerësohen relativisht të plota dhe thuajse të publikuara në kohë reale. Megjithatë, një sistem më efikas informatizimi, përllogaritës dhe kontrollues mund t’i bëjë ato edhe më të gatshme në kohë për përdoruesit dhe vendimmarrësit. E njëjta gjë mund të thuhet për statistikat e bilancit të pagesave, ku shpejtësia e publikimit mund të rritet.
    Një shtyllë e rëndësishme për t’u monitoruar dhe përmirësuar, mbeten statistikat e qeverisë apo të buxhetit. Pasi këto të dhëna karakterizohen shpesh nga botimi me vonese i tyre.
    Në tërësi sistemi statistikor, kryesisht ai që lidhet me INSTAT, është i avashtë dhe pak aktiv. Mendoj se zyrat e statistikave nëpër qarqe dhe bashki si edhe prodhuesit e tjerë të statistikave administrative (tatime, dogana, zyra të gjendjeve civile….) duhet t’u nënshtrohen një detyrimi të madh ligjor, për të raportuar në kohë dhe saktësisht.
    Besueshmëria e statistikave mbetet e ulët, sa kohë që ato shoqërohen nga një proces i fortë rishikimi dhe sa kohë që varësia politike është e dukshme në prodhimin e tyre. Tipik për këtë është rishikimi i shumëpërsëritur i treguesve të rritjes ekonomike tremujore i PPB, i cili sipas një analize statistikore rezulton se ata fillimisht janë të mbivlerësuar dhe pastaj rishikohen dret uljes, që të kemi rritje në tremujorin pasardhës e kështu me radhë.
    Analiza hedh dritë e na sinjalizon se PPB e rishikuara paraqesin devijime domethënëse, krahasuar me vlerat e fundit të publikuar. Kjo kërkon të reflektohet me kujdes nga INSTAT mbi arsyet e rishikimeve, nëse ato janë rezultat i vlerave të publikuara në fillim, ose nga ndryshimi i metodologjive të përdorura.
    Nuk mund të vazhdohet me fabulën e rrobave të bukura të mbretit të Andersenit, në një kohë që nëpërmjet satistikave të sakta kërkohet diagnostikim i situatës, nga e cila buron terapia dhe zgjidhja e duhur. Mendoj se duhet ndërtuar një raport i drejtë ligjor midis stafeve teknike dhe atyre politike, për adresimin e duhur të përgjegjësive. Eshtë e vërtetë që vendimet i marrin politikanët, por është detyrë e ekonomistëve të thonë se cilat janë pasojat e këtyre vendimarjeve.
    Krenaria e qeverise se kaluar ishte rritja e PPB,e cila megjithese rishikohej vazhdimisht permendej vetem shifra fillestare e mbivleresuar.Edhe ne fjalen e lamtumirës së ish kryeministrit sipas zakonit te tij u fol për rritje të PPB 11 herë.,pa sqaruar kujt periudhe I referohej.Por nga llogaritjet rezulton se PPB në 2012 rritet realisht ndaj1996 (vite për të cilat të dhënat gjenden në internet dhe në INSTAT) vetëm 1,8 here (PPB nominale rritet 1360/346=3,9, të cilën po ta deflatojmë me 2,17 herë, sa është rritja e inflacionit, del se rritja reale e PPB është vetëm 1,8 herë). Shifer kjo shume here me e vogel se ajo qe permendi ish kryeministri Berisha e per te cilin askush nuk shprehu ndonje ndjeshmeri per kete pasaktesi qe do trondiste cdo qyetar europian.
    Pervec mungeses se pasaktesise ne duhet ten a shqetesoj fakti se me këtë nivel të rritjes ekonomike, nuk mund të adresohet as varfëria e jo më të arrihen standartet europiane të jetesës.
    Prandaj para drejtuesve te rinj te INSTAT,Drejtorit dhe Keshillit Kombetar te Statistikave, shtrohen sfida te medha disa prej te cilave kane te bejne me adresimin e mangesive qe parashtrova me siper.
    Keto ceshtje I kam ngritur edhe me pare por I risolla perseri ne vemendje e nxitur nga ky artikull shume interesant I Koco Brokes qe adreson me te njejtin shqetesim para drejtuesit te ri te INSTAT nevojen per statistika cilesore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.