123Borxhi publik i shtetit shqiptar dhe deficiti buxhetor janë ndër temat më të nxehta të kësaj vjeshte dhe polemika të ngritura mbi mënyrat e financimit të deficitit vështirë se do fashiten shpejt. Qeveria shqiptare, me anë të një Akti Normativ (nr 6, dt. 4 Tetor 2013), i bëri disa ndryshime Ligjit nr 119/2012 “Për Buxhetin e vitit 2013”. Në këtë Akt Normativ kemi një rishikim të deficitit buxhetor i cili kalon nga 49 miliardë lekë (programuar në muajin Dhjetor 2012) në 83.5 miliardë lekë (vlerësimi në muajin Tetor 2013), me një rritje të deficitit buxhetor prej 34.5 miliardë lekësh (ose 245 milionë euro), rritje kjo e shkaktuar nga një rënie e të ardhurave të programuara prej 38.7 miliardë lekësh e shoqëruar me një ulje të shpenzimeve prej 4.2 miliardë lekësh. Në 9 muaj kemi një rritje prej 70% (!) të deficitit vjetor që ka si shkak të vetëm të saj rënien e fortë të të ardhurave buxhetore.

Qeveria, në një situatë që e konsideron alarmante, po e mbulon këtë vrimë të buxhetit duke marë hua sa në tregun e brendshëm (duke përfituar nga norma e interesit të Bonove të Thesarit në rënie të lirë) sa në atë ndërkombëtar (duke ju drejtuar fillimisht Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore). Megjithatë, rritja e ulët ekonomike që karakterizon vendin tonë dhe partnerët tanë ekonomikë kryesorë, si dhe niveli i borxhit, i cili, që kur u çlirua nga rripat e sigurimit të ligjit që e mbante të mbërthyer në nivelin e 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB), po i ngjan një ndërtese pa leje, të cilës nga viti në vit i rritet çatia (parashikimi i fundit e çon borxhin në nivelin e 73% të PBB), bëjnë që në vitet në vazhdim mbulimi i deficitit me borxh të ri të bëhet një rrugë me të përpjeta gjithmonë e më të forta. Nuk mbetet rrugë tjetër veç asaj të rishikimit të shpenzimeve nga njëra anë(duke u përpjekur për të bërë ekonomi, pra të rritet efektiviteti i çdo leku të shpenzuar) dhe të rritjes së të ardhurave në anën tjetër.

Rritja e të ardhurave, në përgjithësi, nuk është e lehtë pasi ato kryesisht rriten nëse ekonomia ka rritje. Ndër vite, qeveritë shqiptare kanë përdorur shitjen e aseteve publike (privatizimet) si një rrugë e lehtë që i ka dhënë pak oksigjen arkës së shtetit. Abuzimet me procesin e privatizimeve kanë qenë të shumta duke arrituar deri aty sa janë privatizuar edhe pasuri kombëtare që çdo vend i konsideron strategjike dhe detyrimisht publike. Por aseteve të shtetit një ditë do u vijë fundi, pra privatizimet nuk mund të shihen më thjesht si një rrugë për krijim të ardhurash të cilat mbulojnë vrimat e buxhetit dhe dështimin në mbledhjen e taksave, aq më keq për mbulimin e shpenzimeve të fushatave zgjedhore.

Pra, për të rritur të ardhurat e arkës së shtetit nuk mbetet veçse një rrugë: ajo e nxjerrjes në dritë të asaj pjese të ekonomisë shqiptare që lulëzon e patrazuar nga çfarëdolloj tatimi mbi fitimin a taksa të tjera. Disa hipoteza mbi nivelin e informalitetit në ekonominë shqiptare arrijnë deri në 50% të PBB-së. Janë rreth 600 miliardë lekë që u shpëtojnë statistikave zyrtare e mbi të cilat nuk paguhet asnjë lloj takse.

Evazioni fiskal nuk është dukuri shqiptare, por një nga problemet ekonomike më të mprehta me të cilat përballet sot bota e zhvilluar. Disa studime e vlerësojnë evazionin fiskal në Europë në nivelin e 1.000 miliardë euro në vit. Megjithatë, ndryshon nga vendi në vend intensiteti i evazionit, pra raporti i ekonomisë informale (ose ekonomisë gri) në lidhje me PBB-në, dhe perceptimi dhe stigmatizimi i tij nga ana e publikut. Vendet Skandinave, për të mbetur në Europë, kanë qenë historikisht një model pararojë dhe shembull për tu ndjekur.

Lufta kundër evazionit fiskal dhe ekonomisë informale natyrisht nuk është e lehtë. Këtë e tregon më së miri shembulli i Italisë, vend ku ndërgjegjësimi qytetar dhe lufta ndaj evazionit dhe krimit të organizuar janë në nivele shumë më të larta se tek ne, e ku sërish ekonomia informate arrin një përqindje të lartë në ekonominë kombëtare (një studimi Institutit Italian të Statistikave e vlerëson nivelin e evazionit në vend në 17% të PBB, por studime më të reja e ngrenë nivelin deri në 23% të PBB-së).

Kjo nuk do të thotë që lufta ndaj evazionit fiskal është e humbur pa e filluar. Aspak! Do punë sistematike nga ana e Administratës Tatimore dhe një ndërgjegjësim publik mbi këtë çështje. Pa u ndërgjegjësuar shqiptarët që evazioni fiskal është krim për arsye se:

së pari, minon themelet e ekonomisë tonë kombëtare dhe të vetë shtetit shqiptar;

së dyti, ai jep një kontribut themelor dhe esencial në krijimin e parave të pista (po aq sa, e mbase edhe më shumë se, aktivitete që perceptohen nga opinioni publik si më të rënda si p.sh. trafikimi i lëndëvë narkotike, trafikimi i qënieve njerëzore, shfrytëzimi i prostitucionit dhe kontrabanda), dhe janë burimi kryesor prej të cilit financohen aktivitete kriminale dhe aktivitete në dukje të pastra që përfaqsojnë fytyrën e pastër të organizatave kriminale.

Nga një këndvështrim tjetër, ai i konkurrencës së lirë, evazioni krijon një avantazh konkurrues të padrejtë të një biznesi kundrejt bizneseve që tatimet i paguajnë një më një. Nga pikëpamja etike, meqenëse të gjithë përfitojmë nga shërbimet dhe infrastrukturat publike, të gjithë duhet të japim kontributin tonë për financimin e tyre.

Pra strategjia e mundshme e luftës ndaj evazionit fiskal do të duhej të ishte e dyanshme: goditje sistematike e tij nga një anë dhe në anën tjetër një fushatë gjithë përfshirëse ndërgjegjësimi të qytetarëve në media (artikuj në gazeta, emisione radiofonike, debate televizive) dhe në shkolla, duke filluar nga cikli më i ulët (sepse koncepti i zbatimit të ligjit duhet ngulitur që në fëmijëri) e deri në debatet dhe konferencat në universitete.

Tre ide për Ministrin e Financave3ideas logo

Me modesti, po i parashtrojmë këtu Ministrit të Financave tre masa që mund të ndërmerren në një periudhë afatmesme,në lidhje me Taksën mbi Vlerën e Shtuar, si më e njohura nga publiku pasi “godet” konsumatorin. Për ta thjeshtuar diskutimin, TVSH-ja është një taksë që e paguan blerësi përfundimtar i një malli ose përfituesi i një shërbimi. Shitësi, ose ofruesi i shërbimit, i cili e ka përfshirë TVSH-në në çmimin me të cilin shet mallin ose ofron shërbimin, nuk bën gjë tjetër veçse mbledh TVSH-në e paguar nga konsumatorët dhe ja derdh arkës së shtetit. TVSH-ja pra është një taksë që paguhet vetëm në aktin final të një transaksioni tregtar dhe për këtë ky transaksion duhet rregjistruar me anë të kasës fiskale (e cila në aktin e rregjistrimit lëshon kuponin tatimor) ose të faturës tatimore. Në momentin që blini bukën në dyqanin poshtë pallatit dhe shitësi nuk ju lëshon kupon tatimor, ai është duke kryer evazion fiskal: po i fsheh Tatimeve një transaksion tregtar (shitja e një buke), që duhet deklaruar me ligj, dhe po mban për vete 20% të çmimit të bukës paguar prej jush që nuk i takon pronarit të furrës së bukës por shtetit.

Goditja e evazionit nga ana e shtetit do të mundësohej me anë të kontrollit në çdo aktivitet tregtar (hotel, restorant, lokal, dyqan, magazina, pika shitjeje, etj.) të paktën njëherë në vit dhe pa paralajmërim. Përgjatë orarit të hapjes, dy agjentë tatimorë bëjnë kontrollin e dokumentacionit dhe njëherazi vëzhgojnë xhiron reale të biznesit duke kërkuar lëshimin e kuponit ose faturës tatimore,me vlerën reale të transaksionit,nga biznesi dhe marrjen e kuponit ose të faturës nga çdo klient. Si lëshimi ashtu dhe marrja e kuponit janë detyrime ligjore dhe gjoba duhet t’u aplikohet si shitësve që nuk e lëshojnë ashtu edhe blerësve që nuk e marrin. Si rezultat i këtij kontrolli, taksimi i biznesit do të bëhej kundrejt kësaj xhiroje të vrojtuar (pra reale) e jo kundrejt asaj të deklaruar nga biznesi (sigurisht më e ulët). Kjo do ndihmonte dhe kryerje ne studimeve sektoriale mbi xhiron vjetore të bizneseve duke u nisur nga vendndodhja, lloji i biznesit dhe faktorë të tjerë ndikues.

Goditja e evazionit mundësohet dhe nga ndalimi me ligj i transaksioneve me paranë dorë për shuma që kalojnë një nivel të caktuar (p.sh. 10.000 lekë). Kalimi i transaksioneve nëpërmjet rrjetit bankar do të mundësonte një kryqëzim të vlerës së kuponit tatimor me vlerën e transaksionit bankar,gjë që mund të bëhet në mënyre automatike me krijimin e një qendre të përpunimit të të dhënave të mbledhura në rrugë telematike. Kjo do të detyronte bizneset të lëshonin kupon tatimor (dhe me vlerë reale, jo fiktive), pasi në të kundërt do kishte një ndryshim midis fluksit të kasës fiskale dhe fluksit të transaksioneve bankare. Kjo strategji duhet të ndërmerret në bashkëpunim me sistemin bankar në Shqipëri,në mënyrë që të ulet kostoja për bizneset e vogla të paisjes me makina POS (Point Of Sale) si dhe tu mundësohet sa më shumë qytetarëve qasje në shërbimet bankare bazë.

Problemi i kësaj strategjie qëndron në faktin që i takon blerësit të kërkojë kryerjen e pagesës me anë të kartës bankomat dhe lëshimin e kuponit ose të faturës tatimore. Derisa ndërgjegjësimi ynë qytetar të arrijë nivelet europiane, gjë që kërkon kohë dhe, siç u tha më sipër, një fushatë të vazhdueshme në media dhe në shkolla, ka strategji që mund të ndiqen që mund ta bëjnë më tërheqës kërkimin e kuponit.

Pra aty ku për momentin nuk do arrijë dot qytetaria të arrijë xhepi: një llotari kombëtare e lidhur me kuponin tatimor.Në çdo kupon tatimor shtypet një numër disa shifror. Një ose dy herë në javë, në një televizion kombëtar hidhet një short nga ku dalin dhe numrat (kuponat) fitues. Çmimi ndahet midis blerësit (pra mbajtësit të kuponit tatimor) dhe shitësit që ka lëshuar atë kupon, në mënyrë që të dyja palët të kenë shtysa për lëshimin e kuponit. Mundësia ose probabiliteti i fitimit do jetë në varësi të vlerës së kuponit tatimor. Pra kuponi tatimor i një darke familjare në restorant, me një vlerë prej 50.000 lekësh, do kete 1.000 herë më shumë mundësi të fitojë sesa kuponi tatimor i një kafeje në bar me vlerë 50 lekë. Në rast se mbajtësi i kuponit tatimor fitues nuk paraqitet për të tërhequr çmimin e fituar, shuma i kalon buxhetit të bashkisë/komunës ku ndodhet i rregjistruar aktiviteti tregtar që ka lëshuar atë kupon.

Kjo ide aplikohet prej disa vitesh në Tajvanin e largët, vend ku evazioni fiskal kishte arritur në nivele të larta. Çmimet e fituara nuk kanë vlera të larta, shkojnë në fakt nga 5 në 200 euro, por në të kundërt, mundësia e fitimit është shumë e lartë. Prej këtu dhe suksesi. Në vitin e parë të aplikimit të kësaj strategjie mbledhja e taksave nga TVSH-ja u rrit me 75% duke dyfishuar të ardhurat për buxhetin kundrejt një viti më parë.

Edhe në Çeki, nga shtatori i këtij viti, çdo blerësi i jepet mundësia të rregjistrojë kuponat, me anë të një sms-je nga telefoni celular, në faqen e Llotarisë Kombëtare të Kuponave Tatimorë. Dy herë në muaj shoqëria që administron llotarin shpërndan çmime me vlerë 20.000 euro gjithsej, dhe një herë në muaj shpërndahen tetë çmime me vlerë 10.000 euro secili dhe tetë makina, një për çdo krahinë të Çekisë.

Shqiptarët, këta frekuentues të paepur pikash basti apo kazinosh lagjeje,në një vend ku lulëzojnë llotaritë kombëtare në televizion (dy në një vend me më pak se 3 milion banorë) me siguri do e dashurojnë edhe këtë llotari me qëllime shumë më fisnike.

 

Tagged with:
 

3 Responses to “Për ca dollarë më shumë”

  1. B.Selmani says:

    Dicka sikur kjo pika qe keni cekur ne piken 3, dite me pare ishte aktuale edhe ne Maqedoni.
    Ne fakt, propozimi ishte qe qytetaret te gjitha blerjat qe kane realizuar gjate vitit, ti ruajne kuponat fiskal dhe ne fillim te vitit vijues, t’i paraqesin ne forme te raportit vjetor dhe t’ju kthehet nje perqindje % nga TVSH-ja.
    Me kete, secili person do kishte interes te kerkonte kupon. Megjithese do te haste ne shume pengesa, kjo ose propozimi juaj do te ishin ne interes te ngritjes se edukates fiskale te popullata.

  2. Leo says:

    Nuk jam aspak dakord me ndalinin e transaksioneve me para ne dore….jap rastin e nje vendi si italia, ku pikerisht ndalimi i transaksioneve me para ne dori mbi 1000 Euro ka ndikuar ne kete krize….ideja qe shumica e transaksioneve te levizi me ane te bankave eshte nje ide e gabuar per disa motive, midis te cileve qendorn kostoja e perdorimit te kartave nga shitersi dhe bleresi… Nje shembull konkret: nga 100 Euro qe nje person paguan ne itali me amerikan express, 3 Euro i mban banka per mundesimin e kryerjes se veprimit….dmth une mallin nuk e eshs me 100 por me 97….kjo gje eshte vetem per nje fitim bankar, dhe nje kontroll i rrepte i levizjes se parave eshte prapavija e rregjimeve aspak demokratike,,…Liria e perdorimit te prones(dhe paraja ne kete rast hyn tek prona)eshte nje liri kushtetuese, nuk duhet ne asnje menyre te nderhyet ne detyrimin e popullates ne perdorimin e kartave te kreditit ose debitit…kjo do te perbene nje politike ne interes te bankava ku ta themi qartazi nje kriminel ose hajdut gjen gjithmone menyren per te perdorur leket e vjedhura….ka plot menyra se si te luftohet krimi ekonomik…..
    Interesante pika e fundit, per nje popull qe e ka qef bixhozin si i yni edhe mund te fnuksjonoje….

  3. Eniel Ninka says:

    Falemnderit per komentet te dyve.

    Per B. Selmani: ruajtja e kuponave fiskale/tatimore pergjate vitit ka disa probleme organizimi. 1) Te mbledhesh kuponat tatimore per nje vit te tere kerkon shume organizim. Duke marre si mesatare 5 kupona ne dite, per nje familje me dy antare kjo do te thote rreth 3600 kupona ne vit. 2) kuponat shtypen ne nje leter e vecante e cila zbardhet me kalimin e kohes, pra do te duhej te fotokopjoheshin per tu ruajtur.

    Per Leon kam disa sqarime:
    1. pohimi qe ndalimi i transaksioneve me cash per shuma mbi 1000 euro ka patur ndikim ne krizen ekonomike duhet bazuar ne fakte p.sh. nje studim i Confindustria a ndonje qender kerkimi sepse perndryshe nuk ka vlere.
    2. eshte e vertete qe shtimi i transaksioneve do shtonte koston e paisjes me karta per qytetaret, por zakonisht kartat jepen ne forme e nje pakete bashke me llogarine bankare pra pa kosto shtese. Kosto shtese te paisjes me karte do te kishin vetem ata persona qe nuk kane aktualisht nje llogari bankare.
    3. problemi i kostove mund te linde per shitesit te cilet do kene rritje te kostove ne rast se me shume transaksione do kalonin permes sistemit bankar. Por, nga ana tjeter, te njejtit shites do kishin kosto me te ulet te menaxhimit te cash-it: derdhja ne banke, ruajtja me kamera, primet e sigurimit, etj etj. Rasti i America Exprees eshte pastaj nje rast i vecante, pasi AE ka historikisht kosto me te larta dhe shpesh nuk perfshihet ne paketen e paisjes me POS. Megjithate, une e them ne artikull qe kjo strategji duhet bere ne bashkerendim me sistemin bankar, pra ta detyrosh te ofroje paketa baze: llogari rrjedhese dhe karte debiti/bankomat me kosto shume te uleta.
    4. paraja NUK hyn te prona (besoj se nenkuptoje ate private). Ajo eshte mjet transaksionesh po aq sa dhe kartat. Ne Shqiperi eshte prone e BSh-se dhe demtimi i saj eshte i denueshem me ligj. Ne nje kuptim me te gjere te fjales te paraja do te futnim si bankenotat ashtu edhe monedhat, kartat e debitit, ceqet etj. etj. Mos harro se kripa, delet e mallra te tjera jane perdorur si para historikisht.
    5. Jam shume dakord qe kriminelet i gjejne menyrat per ti ricikluar parate e fituara me ane te krimit, por askush nuk na ndalon tua bejme jeten pak me te veshtire…

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.