“Nëse një intelekt, në një moment të caktuar, do të njihte të gjitha forcat që venë në lëvizje natyrën dhe të gjitha pozicionet e objekteve që e përbëjnë atë dhe, nëse një i tillë intelekt do të ishte mjaftueshmërisht i aftë me analizuar këto te dhëna, atëherë Ai (intekti) do të mbërthente në një formulë të vetme gjithçka, nga lëvizja e trupave qiellorë gjer tek atomet e padukshme; për një të tillë intelekt asgjë s’do ishte e paqartë, e shkuara si dhe e ardhmja do të ishin evidente para syve” – shkruan, rreth dyqind vjet më parë, matematicieni francez Pierre S. Laplace në “Essai philosophique sur les probabilités”.

Filozofët dhe shkencëtarët e sotëm e quajnë këtë “intelekt” si demoni i Laplace-it, i cili jep idenë e frymës shkencore të kohës së determinizmit, të frymëzuar nga Njutoni, pra drejt një zbulimi të funksionimit të botës si mekanizmat e një ore. Edhe sot ngelet plot sharm idea të deshifrosh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen nëpërmjet kalkulimeve të detajuara, çka ushqen dhe mban gjallë edhe një princip morboz të njeriut, atë të të kërkuarit të një lidhjeje shkak-efekt dhe gjithashtu, zbehjen e frikës që derivon nga e panjohura, paqartësia dhe risku drej së ardhmes.

Ajo çka na intereson më shumë në këtë blog janë ekonomia dhe financat.

Bota që njohim sot, nuk mund të përfshihet në një formulë të vetme, është shumë, shumë më komplekse dhe, një konstante e saj është ndryshimi mutatis mutandis”, në kohë e hapësirë, ndryshim i mbushur me risqe e fitime potenciale, jo vetëm materiale. Risitë teknologjike luajnë pjesën e luanit në këtë ndryshim me gjithë efektet anësore që derivojnë.

Pse shumë biznese apo edhe individë përkeqsohen ekonomikisht, humbin ose falimentojnë dhe disa të tjerë rriten në të njëjtat rrethana? Janë forca të jashtme detyruese-përcaktuese, pasivitet, keq(mirë)përdorim forcash të brendshme, rastësi, apo një kombinim i tyre?

Përgjigja mund të na vijë nga organizmi i administrimit të riskut, i cili është një ndër kollonat esenciale në vendimarrje dhe në pasjen e një subjekti ekonomik të shëndetshëm e imun ndaj agjentëve potencialë negativë (risqet). Risqet duhet të indentifikohen, të maten, të vlerësohen, të administrohen dhe e gjithë kjo në afatgjatë, veç mbijetesës, krijon një vlerë të shtuar.

E panjohura mbi të ardhmen është më keq se risku, të ç’armatos, përderisa përballë nuk kemi një objekt, një fenomen, një kundërshtar të identifikueshëm me iu (kundër)përgjigj në mënyrën dhe limitet e së mundshmes. Në qoftë se përballë së panjohurës jemi, si me thënë, në dorë të Zotit, po me riskun, veçanërisht atë financiar, në ç’raport jemi ?

– risku financiar mund të përkufizohet si paqartësia e një rezultati financiar me potenciale humbjeje, i cili (rezultati) mund të përfaqësojë vlerën e një sipërmarrje ekonomike, aseti, titulli financiar apo fitimi.

Plani kartezian që vijon na jep idenë e shtrirjes së riskut.

demoni_1_   

 

 

 

 

 

 

 

Në gjuhë sasiore, në prani të serive kohore ose të një grupi të dhënash të mjaftueshme, riskut, i pranuar si i tillë, mund t’i njihet lloji i shpërndarjes statistike që i përket, eventualisht me përllogaritjet përkatëse të mesatares, deviacionit standartd, asimentrisë (skewness) dhe peshës së kurb-anekseve të majme (kurtosis – fat tails). Ndërkohë, shpërndarja dhe funksionet e katër momenteve statistike, nuk njihen tek e panjohura.

Ndonëse për risqet që duken të pamundshme, me probabilitet të pakonsiderueshëm por që ndodhin, mund të na vijë pak në ndihmë Nassim N. Taleb me bestseller-in e tij “Mjelma e zezë”, për risqet e njohura literatura është e bollshme dhe me debate të ndezura mbi diagnozën, kurën dhe efikasitetin e tyre.

Një mirëadministrim i riskut financiar kërkon një kulturë multidisiplinore, një ndërthurrje mes shkencave ekzakte dhe sociale, kërkon një bashkëpunim shkencor mes ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët në komplementaritet mund të gjejnë rregullsinë ose llogjikën në kompleksitetin e një kaosi dinamik. Mjafton të themi që “arteriet” kryesore si risku i tregut, risku i likuiditetit, risku i kreditit dhe risku operacional “ushqehen” me nëndegëzime “kapilarë” risqesh, për të qenë të vetëdijshëm mbi vështirësitë e administrimit të riskut financiar.

Figura që vijon tregon në linjë principi që si çdo profesionist, edhe një administrator risku duhet të ketë në “arsenalin” e tij metoda dhe instrumenta efiçente dhe efikasë, si në parandalim ashtu dhe në administrim apo në të qenit gati në eventualitetin e një skenarit më të keq të mundshëm.

demoni_2_

 

 

 

 

 

 

Tani, meqenëse “produkti” risk financiar është rezultantja e forcave të ndryshme në tipologji dhe madhësi, atëherë do të thoja, edhe metodat dhe instrumentat e administrimit të tij duhet të jenë një ndërthurje arti administrimi e shkence aplikative. Dihet që institucionet bankare, financiare, shumëkombshet dhe shoqëritë ekonomike të mëdhaja janë, shumë të ndjeshme dhe të mirëorganizuara në këtë aspekt. Veç respektimit të piketave legjislative dhe regullatore të autoriteve mbykqyrëse, këto subjekte gjenerojnë edhe modele analitike të pavarura risku “të prera me masë”. Janë në evoluim konstant, të personalizuara sipas tipologjisë së riskut apo produktit financiar, për të lexuar dhe parashikuar më qartë rezultatet dhe realitetin.

Një intrument i përdorur gjerësisht edhe sot në analizë është VAR (Value at Risk), i cili përcjell një difekt embrional, përdor skartin kuadratik të një shpërndaje statistike gausiane, këmbanë e cila nuk përputhet me të dhënat e verifikuara të botës reale dhe kjo e kufizon skartin në fjalë si një përmasë koherente risku dhe në një aplikimi korrekt të tij. Në alternativë të VAR-it mund të përdoret SMC (Structured Monte Carlo) dhe WCS (Worst-Case Scenario) me pro e kundra reth efikasitetit të aplikimit të tyre.

Ashtu si dhe pilotët në ushtrimet laboratorike që simulojnë çdo pozicion të mundshëm fluturimi, mund të jetë një mënyrë efikase edhe për njësitë ekonomike të ipotizojnë skenarë nga më të veçantët, një dimensional (impakti i vetëm nje risku njëherësh) e shumëdimensional (impakti i disave njëkohësisht). Pikërisht, kjo është edhe llogjika e Stress Testing, i përdorur nga bankat dhe nga autoritet mbykqyrëse kombëtare dhe ndërkombëtare, për një qeverisje më të mirë të riskut. Derivatet financiare, një botë më vete për nga madhësia, teorikisht ndodhen (janë ideuar) në krahun e mbulimit të riskut, por nëse ata përdoren shumë më shumë për qëllime spekulative sesa për mburrojë, atëherë sistemi bëhet akoma më kompleks.

Argumenti është shumë intrigant e i gjerë, vetë jeta në tërësi është një administrim risku, i cili është i pranishëm në çdo moment të qënies sonë, kështu që kultura e një mirëadministrimi na lehtëson bashkëjetesën me të e le të jetë, figurativisht, administrimi i riskut me demonin e Laplace-it një funksion asimptotik.

Meqë ra fjala, po riskoj me bë figurë jo të mirë me këtë shkrim ? 🙂

 

Tagged with:
 

2 Responses to Demoni i Laplace-it

  1. Loren says:

    Ke zhvilluar vetem technical method(deri diku) ne kete teme. Zgjerohe me fundamental method sepse eshte me gjithperfshirese sepse perfshin edhe kovariancen ndermjet faktoreve te ndryshem ekonomik dhe social.

  2. Asllan Bekteshi says:

    Loren, ju flm per kontributin dhe sugjerimet, por shkrimi i mesiperm eshte paramenduar te kete rolin si nje parathenie 2/3 faqeshe ose hyrje teksti/libri ne financial risk management, me “zgjuar” argumentin te cilin nuk e kam hasur ne blogsferen shqipfolese. Kurrsesi nuk pretendon te kete shteruar as anen teknike, po pse jo, ne te ardhmen mos me e trajtuar mire. Cdokush eshte i mirepritur te shkruaje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.