images222The American jobs act” është ndoshta ligji më i shkurtër në historinë e SHBA-së me më pak se dy faqe, por një nga aktet më të rëndësishme për qytetarët amerikanë që nga koha kur Presidenti Obama drejton vendin më të fuqishëm të botës. I konceptuar me 5 kolona kryesore, i shkruar me një gjuhë të drejtpërdrejtë, ky akt ktheu në pozitive trendin e punësimit në SHBA rreth një vit e gjysmë pasi Obama mori zyrën e Presidentit. Ulja e taksave për të ndihmuar SME-të të punësojnë, rindërtimi i Amerikës (punësimi me investimet publike, reforma me sigurimet shoqërore, ulja e taksave për të punësuarit janë disa nga pikat kryesore të planit të Obamës për rritjen e punësimit. Po a vlen një plan i ngjashëm për Shqipërinë. Afërmendsh specifikat e një vendi shumë më të vogël dhe në zhvillim të detyrojnë t’i rishikosh instrumentet, por nuk të heqin mundësinë të kesh një Plan të Shqipërisë për punësimin. Në fakt, punësimi mbetet “thembra e Akilit” për çdo ekonomi të lirë tregu dhe indikatori më i mirë për të treguar nëse një ekonomi po zhvillohet, shtetasit po bëhen më të mirëqenë apo e kundërta. Jo vetëm për këtë shkak punësimi ishte në axhendën e të gjitha partive politike para, gjatë dhe pas fushatës dhe do të mbetet barometri më i mirë i performancës së çdo qeverie.

Raporti i Komisionit Europian për tregun e punës konkludon me nota negative duke reflektuar një papunësi afatgjatë që prek 2 nga 3 punëkërkues.

Programi i qeverisë “Rama” duket shumë ambicioz kur premton hapjen e 300 mijë vendeve të punës, duke specifikuar sektorët privatë ku synohet që qeveria do jetë pro punësim dhe disa instrumente të përgjithshëm si specializimet, arsimi profesional, partneriteti me privatin apo dialogu me sindikatat që do ta lehtësojnë punësimin.

Duke ju referuar planit Obama, programi “Rama” mund të pasurohet me një sërë nismash konkrete, për të pasur një plan (për analogji ekzekutive le ta quajmë “Rama”) për punësimin. Hapi i parë është hedhur me ndryshimin e tatimit të të ardhurave nga puna/personale (TAP) ku vendosja e fashos për mostaksimin e pagave të vogla dhe taksës progresive që çliron para “neto” për të punësuarit me paga të ulëta. Kjo masë mund të sjellë efekte në rritjen e kërkesës për paratë e kursyera nga TAP, por është e pamjaftueshme. Qeveria “Obama” financoi drejtpërsëdrejti firmat që punësuan gjatë periudhës së krizës duke subvencionuar taksën e punës për të punësuarit e rinj. Një përpjekje e ngjashme është bërë edhe në kuadrin ligjor të Shqipërisë, por e pa zbatuar në tregun konkret të punës. Obama hoqi taksën mbi shitjen e kapitalit, duke incentivuar hapjen e vendeve të reja të punës dhe mbajti më shumë se 1 milion vende pune nëpërmjet programit të rindërtimit të Amerikës (rrugë, shkolla etj.)

Në planin “Rama” për rilindjen ka një koincidencë jo të paqëllimtë me planin “Obama” kur flitet për uljen e taksave për rreth 95% të shtetasve, por mendoj se përshtatja e një plani punësimi duhet t’i referohet kryesisht rrethanave të vendit ku zbatohet. Shqipëria ka një treg pune jodinamik, me kufizime të mëdha të sistemit të pagave dhe sigurimeve shoqërore e shëndetësore të lidhura me pagat, një normë të deformuar të papunësisë dhe një sistem pagash thuajse referencë për të cilat kërkohet ridimensionim i plotë.

Ndërkohë që plani i Obamës për punësimin i detyroi punëdhënësit publikë dhe privatë që në vend të pushimeve nga puna tëimages3333 shkurtonin orët e punës (sistemi amerikan i pagave për orë pune e mundëson këtë) në formën e një solidariteti për përballimin e pasojave të krizës duke ulur të ardhurat mesatare, por duke mbajtur/rritur punësimin, sistemi kryesisht nepotik shqiptar e ka deformuar tregun e punës në disa super të paguar e shumë të punësuar dhe nga tjetra anë rreth 1 milion të papunë që presin me padurim ditën e parë të punës. Nëse një person paguhet në 3-8 pozicione pune, ndërkohë që sigurimet shoqërore i paguan vetëm një herë, atëherë është çekuilibruar tregu i punës pasi i “merr punën” njëherësh disa personave të tjerë duke i lënë pa të ardhura mujore dhe jashtë sistemit të sigurimeve shoqërore (pensionet e së nesërmes) dhe shëndetësore (pamundësia për të marrë shërbimin shëndetësor falas sot).

Për këtë arsye duhet një rregullim ligjor dhe fiskal që në kushtet e krizës të ketë jo thjesht një solidaritet njerëzor, por edhe një rregullim shtetëror. Mazhoranca i ka instrumentet për të rregulluar tregun e punës, duke kufizuar punësimin (ta zëmë deri në 2 pozicione pune përfshirë edhe anëtarësinë në borde) dhe për t’i dhënë frymëmarrje tregut të punës. E kuptoj që shumë syresh do të kërkojnë liritë e të drejtat e njeriut (të punës) e se mund të punojnë sa të duan, por përsëri dua t’ju kujtoj se dita ka 24 orë dhe kufizimet fiziologjike e pamundësojnë punën 24/24. Çdo i punësuar në sektorin publik apo privat paguhet për 8 orë punë në ditë dhe nëse e respekton këtë detyrim ligjor është e pamundur që të gjendet njëkohësisht në 2 e jo më në 7-8 vende pune.

E mirëkuptoj që edhe shumë të njohur të mi, mjekë, profesorë, trajnues, anëtarë bordesh etj., nuk do të jenë dakord me këtë propozim, por mendoj se duhet solidarizohen në kushtet e shtrëngimit ekonomik me maksimumin e dypunësimit. Kufizimi i shumëpunësimit do të çlironte shumë vende pune, kryesisht për të rinj, në institucione publike si shkolla, universitete, spitale, ushtri, polici etj., por edhe në sipërmarrje private, kryesisht në arsim e shëndetësi, dhe do të përfshinte në skemën e sigurimeve shoqërore mijëra persona që sot janë jashtë skeme.

Një rregullim i fundit por shumë efikas do të ishte ndryshimi i sistemit të pagesës së punës për punonjësit, nga pagë mujore në pagë për orë pune. Kjo do ta dinamizonte shumë tregun e punës duke reduktuar kostot e tepërta të ndërmarrjeve publike apo private dhe do të rriste numrin e të punësuarve sipas parimit të solidaritetit, më shumë njerëz në punë dhe që paguajnë sigurime shoqërore, por më pak orë pune.

 

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.