flattaxNë këtë periudhë të pasigurisë së krijuar në ekonominë shqiptare qeveria duket e vendosur të adoptojë taksën progresive ose “të ndershme”. Kjo, pavarësisht situatës aktuale të ekonomisë kombëtare dhe rajonale. Taksa progresive synon, sipas qeverisë, rishpërndarje të të ardhurave për më shumë barazi sociale. Por deri tani nuk është ofruar asnjë studim nga ana e qeverisë për efektet negative të taksës së sheshtë dhe arsyet përse ajo duhet ndryshuar. Në mungesë të argumentimit shkencor apo metodik, po ofrojmë disa evidenca në favor të mbajtjes të taksës së sheshtë dhe të efekteve që ajo do të vazhdonte të sillte në shoqërinë shqiptare.

 

Taksa e sheshtë ka qenë pozitive për ekonominë tonë për të paktën tri arsye themelore.

Së pari, ajo ka synuar thjeshtëzimin e sistemit fiskal për të nxitur formalizimin e ekonomisë sonë duke patur parasysh se sipas Bankës Botërore, ekonomia e zezë në vend është pothuajse 50% e PBB-së. E thënë ndryshe, më shumë se 7 miliardë dollarë shkëmbehen pa paguar taksa. Taksa e sheshtë ka nxitur punësimin ose minimalisht formalizimin e vendeve të punës në Shqipëri. Kështu, sipas të dhënave zyrtare gjatë taksës progresive, nga viti 2002 deri në 2007, punësimi është rritur me 22 mijë vende. Ndërsa nën regjimin e taksës së sheshtë (2008-2013) janë shtuar 55 mijë vende pune. Në këto llogaritje nuk është përfshirë sektori bujqësor, shifrat e të cilit mbeten problematike dhe jo të besueshme.

Së dyti, taksa e sheshtë nxit investimet pasi ato janë të thjeshta për t’u paguar dhe për t’u përllogaritur. Kështu, deri në vitin 2007 Shqipëria kishte 76 mijë ndërmarrje aktive. Pavarësisht krizës ekonomike gjatë këtyre viteve në Shqipëri janë krijuar 28 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara ose 25% më shumë. Ajo që është akoma dhe më e rëndësishme dhe që tregon rritjen  e konkurrueshmërisë së vendit tonë është fakti se në të njëjtën periudhë numri i bizneseve të mëdha (me më shumë se 80 punëtorë) u rrit me 37%, duke kapur shifrën 1000 ndërmarrje.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, Shqipëria mbetet një ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Europë. Sfida e Shqipërisë është që të tërheqë sa më shumë kompani dhe investitorë të huaj. Ndaj është jetësore ruajtja e konkurrueshmërinë dhe stimulimi i një rritjeje ekonomike më të shpejtë. Edhe në këtë aspekt taksa e sheshtë e ka ndihmuar Shqipërinë, pasi Investimet e Huaja Direkte janë rritur, sipas treguesve të Bankës Botërore, nga 652 milionë dollarë në vitin 2007, në 1.3 miliard në vitin 2009 (kulmi i krizës ndërkombëtare).

Ndaj shqetësimi ynë është se taksa progresive do ta përjashtonte Shqipërinë nga klubi i vendeve me taksë të sheshtë të konsoliduar. Duhet të theksojmë se kompanitë e huaja nuk kanë interes të investojnë vetëm për tregun shqiptar, pasi ai është i vogël dhe i dobët përsa i përket fuqisë blerëse. Shqipëria bëhet më pak tërheqëse kur shohim se ka infrastrukturë të papërfunduar, burime njerëzore që nuk japin garanci, korrupsion të lartë politik, kosto të larta të energjisë elektrike dhe karburanteve. Ndaj me implementimin e taksës progresive Shqipëria, të paktën në letër, vetëpërjashtohet nga lista e investitorëve të huaj. Shqetësimi shumëfishohet kur mendon se kapitalet vendase të akumuluara, që me shumë probabilitet do të investoheshin në vend, tashmë mund të largohen drejt vendeve fqinje me taksë të sheshtë.

Së fundmi, rishpërndarja e pasurisë mundet të jetë argument bindës për vendet e industrializuara të Europës Perëndimore. Në këto shtete, shumica e popullsisë përbën klasën e mesme (70%), dhe përqindja e të pasurve dhe e të varfërve është pothuajse e barabartë në 15% secila. Me këtë strukturë sociale, politika e rishpërndarjes është më e lehtë dhe më efikase. Por në një ekonomi ende në rrugën e zhvillimit, ku nevojitet akumulimi i kapitaleve, rishpërndarja mundet të rezultojë jo efikase dhe dëmtuese në të njëjtën kohë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në Shqipëri vetëm 4% e popullsisë konsiderohet e pasur dhe 52% e varfër. Kjo nënkupton se në vendin tonë aktualisht ka 13 persona të varfër për çdo të pasur. Në rast se ne kërkojmë të marrim 100 lekë më shumë me anë të taksës progresive nga i pasuri, do të mundet t’i jepnim të varfrit vetëm 8 lekë. Kjo shifër mundet të zvogëlohet akoma më shumë kur marrim në konsideratë edhe kostot burokratike të rishpërndarjes që shkon deri në 11%, sipas Oxfam. Pra kjo rishpërndarje me këto të dhëna do të godiste më tepër sipërmarrësit dhe ata që krijojnë pasuri dhe do të kënaqte shumë pak, nëse do t’i kënaqte, të varfërit.

Në ekonomi koha vërteton supozimet; edhe të këtij shkrimi. Deri atëherë nuk mund të themi lamtumirë, por mirupafshim taksë e sheshtë!

Taksa mbi të ardhurat personale duhet të jetë progresive apo e sheshtë

Mateo Spaho – Universiteti i Parmës;

Gunther Fehlinger – Europeans for Tax Refom

3 Responses to Lamtumirë taksë e sheshtë!

  1. Arbri says:

    Artikull shumë i goditur. Qeveria përpara se të zbatojë një reformë, duhet të kryejë studime të thelluara mbi koston e jetesës dhe se si nuk do e dëmtojë taksapaguesin e ndershëm. Asgjë nga këto nuk është bërë dhe unë si banor i këtij vendi e ndjej veten të dhunuar nga qeveria ime. Kam një rrogë që mund të konsiderohet e mirë në vendin ku jetojmë, por me shenzimet që duam apo nuk duam, jemi të detyruar t’i bëjmë, kur vjen fundi i muajit nuk mbetet gjë mënjanë për të menduar për një siguri si për vete edhe për fëmijën. Madje kam përfunduar me një makinë nga më ekonomiket, nga ato më të voglat që mund të ekzistojnë. Më ka pëlqyer një artikull i një gazetari ku thoshte që kam një rrogë të barabartë me të politikanëve (ajo e ditura, e deklaruara), kam një makinë mesatare, dhe bëj një jetë mesatare. Nuk e kuptoj thoshte se si ia dalin politikanët me të njëjtën rrogë të kenë makinat më luksoze, të kenë nga tre palë shtëpi, në plazh, mal e Tiranë. Edhe unë nuk e di nëse qeveria do e bëjë studimin mbi koston e jetesës bazuar mbi rrogën e tyre të borderosë, apo do të kryejë një studim real. Me këtë taksë stimulohet fuqishëm fshehja e të ardhurave – pra rritje e informalitetit, që ne e kemi të lartë e duhet ta ulim. Futja e FMN-së mund të ketë disa të mira të vogla, por për mua si taksapagues i ndershëm dhe që nuk kam asnjë të ardhur tjetër përveç rrogës, do të më dëmtojë shumë, pasi një taksë prej 25% është vrasëse. Ndaj edhe do të ngrihem të protestoj kundër qeverisë sime. Qeveria nuk na dëgjoi për mbetjet siriane, por ne do bërtasim edhe më fort, sepse jemi të ndershëm. Ne do të veprojmë që të dëgjohet zëri jonë!

  2. Altin says:

    Taksimi 25% eshte me i larte sesa ne itali. Ne itali eshte 21 % dhe jane ne krize te tmerrshme.
    cili eshte ai investitor i huaj qe do vije qe te investoje ne shqiperi ?
    Nje investitor vjen ne shqiperi nqs ka perfitime dhe jo qe te paguaje me shume sesa ne vendin e tij.
    E vetmja gje qe ndryshon ne shqiperi eshte niveli i pageses me i ulet sesa jashte per punetoret. Nuk mund te nxjerret perfitim nga rroga e punetoreve sepse punetoret duhet te marrin ate qe meritojne si rroge.
    Me ket menyre taksimi çdo investiror per te qendruar brenda investimeve do te filloje dhe te luaje me te drejtat e punetoreve ne menyre automatike duke qene se shteti do 25% te sigurt.
    çdo investitor i huaj e kalon limitin e 50-80 milion leke te vjetra ne vit , keshtu qe ata qe do te jene me te goditur do te jene investitoret e medhenj. Ne kete menyre ata do te largohen nga Shqiperia.
    Ne keto vite rroga ne drejtim te punetoreve ne sektorin privat eshte rritur per thjesht faktin se ka qene taksimi i sheshte dhe investitoret e huaj kerkojne njerez profesional.
    Une kam shok ne Shqiperi qe marrin nga 1 milion leke te vjetra ne muaj.
    Me ane te taksimit progresiv do te zhduket avash avash shtresa e mesme shoqerore.
    Zvicra qe eshte nje nder shtetet me te pasura ne bote ka taksim te sheshte me 6 % por rroga a punetoreve eshte e larte 2500-3000 euro minimumi dhe te gjithe e dime nivelin e jetes ne zvicer.
    vitin e kaluar po mendoja seriozisht qe te vija ne shqiperi per te investuar por ama tani nuk jam me i sigurt.

  3. Altin says:

    Nuk eshte puna qe ai qe ka para ose qe ka investuar te paguaje me shume (ai prape se prape paguan me shume sepse 10% per nje firme qe faturon 1 milion euro do te thote 100’000 euro duhet qe tia japesh shtetit) ketu pa llogaritur rrogen e punetoreve , sigurimet shendetesore , pensionin e punetoreve , taksat e bashkise , taksat e mbeturinave , te raklamave etc etc etc.
    ketu pa llogaritur investimin qe kane bere dhe qe rrezikojne te digjen.
    Ne Shqiperi nuk ka merkato pune , dhe firmat e huaja nuk mund te shesin produktin e tyre ne shqiperi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.