competition-monopoly-1Konkurrenca është një fjalë me shumë kuptime që nga garat sportive te festivalet e këngës, por në këtë shkrim do të fokusohemi vetëm te konkurrenca në biznes(tregti), madje vetëm te rregullimi i sjelljes së firmave në treg për pjesën antitrust(marrëveshjet e ndaluara dhe abuzimi me pozitën dominuese, në rastet ekstrem të monopolit). Në ditët e sotme thaujse të gjitha shtetet zbatojnë ligjet e konkurrencës dhe kanë institucioneve (kryesisht të pavarura) për mbrojtjen e konkurrencës. Dy legjislacionet kryesore të konkurrencës janë të SHBA-së dhe BE-së dhe Shqipëria si një vend në prag të marrjes së statusit kandidat për antarësim në BE ka përafruar në një shkallë të lartë legjislacionin e saj në fushën e konkurrencës me acqui-communitaire. Ky përafrim e bën më konfort tregun, sipërmarrjen vendase dhe sidomos atë huaj që rregullat që zbatohen për një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg janë të ngjashme në mos të njëjtat me ato në vendet antare nga vijnë bizneset.

Historia rreth 10 vjeçare e Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës është e shkurtër në këndvështrimin e kohës por nëse i referohemi hetimit për marrëveshje të ndaluara, abuzim me pozitën dominuese dhe kontrollin e përqëndrimeve, duke ju afruar madje tejkaluar për numër rastesh edhe disa vende të reja antare të BE-së.

Parimet që ndjek Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës për kartelet dhe abuzimin me fuqinë e tregut janë të njëjtat me ato të BE-së dhe ngjajnë shumë me ato që zbaton departamenti i Tregtisë dhe ai i Drejtësisë në SHBA (ku kartelet trajtohen dhe si shkelje penale jo vetëm administrative siç është praktika në shumicën e vendeve të BE-së dhe në Shqipëri). Nëse për kartelet vlen rregulli i ndalimit në vetvete të marrëveshjeve kur ka evidenca direkte të fiksimit të çmimit ose ndarjes së tregut, për abuzimin me pozitën dominuese vlen rregulli i arsyes (rule of reason) ku dominon shkolla e Harvardit me paradigmën strukturë-sjellje-performancë.

Strukturat kryesore të tregut janë:

–           konkurrenca perfekte, (me produkte identikë, informacion të plotë, hyrje-dalje e lirë nga tregu, firma është çmim-pranuese),

–          oligopoli(me pak shitës, ku dominuesi i tregut është çmim përcaktues, ka barriera, fitime mbi normalen etj),

–          konkurrenca monopolistike(konkurrencë joperfekte bazuar mbi diferencimin e produkteve dhe markave ku firmat injorojnë çmimet e konkurrentëve),

–          monopoli (struktura më pak konkurruese e tregut ku firma është çmim-përcaktuese).

Ndërhyrjet e Autoritetit të Konkurrencës në zbatimin eksluziv të ligjit të konkurrencës lidhen me rivendosjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Rastet klasike të ndërhyrjes lidhen me marrëveshjet e ndaluara që fiksojnë çmimet dhe vendosjen e çmimeve të tepruara në krahasim me koston nga firmat me pozitë dominuese. Por për një/disa firma dominante në treg, Autoriteti ndërhyn edhe në rastet kur ka ulje të çmimeve, kryesisht në sjelljet që synojnë të nxjerrin konkurrentë nga tregu. Duket si paradoksale pasi pa menduar gjatë gjithkush mund të thotë se ç’kuptim ka ndëhyrja kur çmimet ulen dhe përfitojnë konsumatorët? Por duhet të mbajmë parasysh se objektivi kryesor i ligjit antitrust është mbrojtja e konkurrencës dhe për pasojë e konsumatorit.

Dhe përgjigja është PO, ndërhyrja e Autoritetit është e justifikuar madje e domosdoshme edhe në rastet e uljes së çmimit kur firma me pozicion dominues përdorin të ashtuquajturit çmime grabitqare(predatory pricing) të cilat ju shkaktojnë atyre kosto afatshkurtër.

Konkurrentë më të vegjël nuk arrijnë të përballojnë presionin konkurrues të këtyre çmimeve duke dalë nga tregu dhe duke i lënë rrugë të hapur firmave dominante që të rrisin çmimet në atë nivel që kompenson sakrificën afatshkurtër të uljes së çmimeve dhe madje siguron fitime mbi normalen në afatgjatë. Pra është e qartë që në këtë rast edhe konsumatorët janë të humbur pasi do të përballen me më pak zgjedhje dhe përgjithësisht me çmime më të larta.

Por çfarë nënkupton pozicioni dominant në treg, i cili në vetvete nuk është i ndaluar, por sipas ligjit evropian dhe atij shqiptar të konkurrencës, është e ndaluar të abuzosh me këtë pozicion. Ligjërisht, “pozitë dominuese” është ajo fuqi ekonomike e mbajtur nga një ose më shumë ndërmarrje, që i jep atyre mundësinë për të penguar konkurrencën efektive në treg, duke i bërë ato të afta të veprojnë, për sa i takon ofertës ose kërkesës, në mënyrë të pavarur nga pjesëmarrësit e tjerë në treg, si konkurrentët, klientët ose konsumatorët. Kriteret për dominancën përcaktohen në nenit 8 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” dhe lidhen kryesisht me pjesën e tregut përkatës të ndërmarrjes ose ndërmarrjeve në shqyrtim dhe të konkurrentëve të tjerë. Të rëndësishme janë edhe pengesat në hyrje në tregun përkatës, konkurrenca potenciale si dhe fuqia ekonomike dhe financiare.

Ligji shqiptar nuk ka një kufi për pjesën e tregut për ekzistencën e pozitës dominuese në treg por praktika e vendeve antare të BE-së dhe rastet e shqyrtuara nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë përcaktojnë si rregull një pozicion dominant të një firme me mbi 40 % të tregut përkatës dhe në mënyrë absolute kur ajo zotëron mbi 50 % të tregut(C-85/76 Hoffmann-La Roche & Co AG v. Commission [1979] ECR 461. Niveli më i ulët i pjesëve të tregut kur një kompani është shpallur me pozicion dominues në BE është 39.7%,- BA/Virgin [2000] OJ L30/1).

Po si maten pjesët e tregut?

Pyetja duket e thjeshtë (llogarit xhiron totale, pjesto xhiron e ndërmarrjes me totalin) por përgjigjet jepen sipas interesit të firmave dhe atyre që i përfaqësojnë në mënyrë legale dhe/ose të fshehur. Shumësyresh tentojnë t’i ndajnë tregjet sipas numrit të klientëve dhe jo sipas parave që shpenzojnë klientët në dyqanet e tyre. Është e kuptueshme dhe nga nxënësit e klasës së dytë që nuk ka rëndësi sa herë hyjnë e dalin te dyqani lodrave por se sa shpenzojnë për t’i blerë lodrat që shohin e ju pëlqejnë. Llogjikë simetrike edhe për të rriturit, shumëpak për të mos thënë aspak rëndësi ka sa njerëz vizitojnë panairin, të cilët mund t’i shohin të gjitha stendat, në fund të panairit llogaria bëhet te cila stendë blenë më shumë dhe ndarja tregut bëhet mbi bazën e të ardhurave që u siguruan nga shitjet. Eshtë i njohur fakti që 20 % e klientëve kryejnë 80 % të xhiros dhe anasjelltas ndaj dhe është shumë joprofesionale të ndash tregun mbi bazën e numrit të klientëve.

Një tjetër debat lidhet me trajtimin e barabartë të firmave në treg. Që në fillim duhet sqaruar se mes të pabarabartëve nuk mund të flitet për kushte të barabarta. Duhet sqaruar se ligji i konkurrencës zbatohet vetëm ndaj ndërmarrjeve që hyjnë në marrëveshje të ndaluara (kartel) ose atyre që abuzojnë me pozitën dominuese. Një ndërmarrje që nuk hyn në marrëveshje të ndaluara dhe nuk ka pozicion dominues është krejt e lirë të ndjekë strategjinë e saj të përcaktimit të çmimit dhe sjelljes në treg dhe në asnjë rast nuk preket nga zbatimi i ligjit të konkurrencës. Prandaj është i gabuar pretendimi që edhe kur një firmë është në pozicion dominues dhe të tjerat jo, trajtimi nga ligji i konkurrencës duhet të jetë i barabartë. Qartësisht jo sepse firma me pozicion dominues ka detyrime shtesë që vijnë nga zotërimi i kësaj pozite dhe fuqie tregu që e bëjnë atë të jetë nën “prozhektorët” e Autoritetit të Konkurrencës për abuzim të mundshëm me pozitën dominuese.  Dhe nëse firma e ka shtrirë në kohë abuzimin duke ngushtuar hapësirat konkurruese në treg, ajo ka konsumuar shkeljen e nenit 9 të Ligjit dhe rrjedhimisht duhet të gjobitet jo më shumë se 10 % e xhiros totale në bazë të nenit 74 të ligjit të konkurrencës.

Ligjet e konkurrencës si rregull parashikojnë penalitete të larta ndaj dhe për këtë arsye firmat duhet të jetë shumë të kujdesshme në përfshirjen në marrëveshje të ndaluara ose në zgjedhjen e strategjive të fitimit të tregut duke abuzuar me pozitën dominuese në treg. Në temën time të MBA-së kam rekomanduar që në Kodet e Etikës së biznesit të përfshihen kapituj për etikën ndaj konkurrencës ku CEO, drejtuesit e shitjeve, marketingut etj., të angazhohen në mospërfshirjen në sjelljet antikonkurruese, abuzimin me fuqinë në treg dhe hyrjen në marrëveshje të fshehta(collusion) që kanë si objekt ose pasojë kufizimin e konkurrencës. Afrimi me BE duhet t’i bëjë lojtarët e tregut(firmat) dhe arbitrin e lojës (Autoritetin e Konkurrencës dhe Gjykatën Administrative) më të ndërgjegjësuar respektivisht për rëndësinë e sjelljes në treg dhe vendimmarrjen për shkak se llogaridhënia kalon në një nivel më cilësor, përpara ekspertizës së vendeve të BE-së ku një pjesë e konsiderueshme e tyre i kanë kaluar 100 vite të zbatimit të ligjit të konkurrencës.

 

 

 

2 Responses to ABC e konkurrencës

  1. Kletia Noti says:

    I nderuar Zoti Melani,
    Ju falenderoj per artikullin interesant qe me te drejte ve theksin mbi nevojen e perhapjesse kultures se konkurrences te biznesi dhe publiku. Shume interesant edhe perfundimi i studimit tuaj!
    Ne lidhje me shkrimin tuaj interesant, kisha, nese me lejoni, disa pyetje dhe disa komente:
    Per sa i perket zbatimit (ku propozimi juaj qe ne Kodet e Etikes se biznesit perfshihen edhe kapituj te posacem ku udhezohen drejtuesit e larte te kompanive mbi detyrimet qe burojne nga respektimi i normatives se konkurrences me gjen plotesisht dakort),Komisioni Europian ka nxjerre kohet e fundit nje broshure “Compliance Matters” (http://ec.europa.eu/competition/antitrust/compliance/) ku i drejton biznesit disa udhezime mbi si te zhvillojne nje strategji kompliance pro-aktive. Parashikon dhe Autoriteti i Konkurrences ne Shqiperi nevojen per masa te tilla dhe a besoni se do ta ndihmonin ato perhapjen e kultures se te drejtes se konkurrences ne vend?
    Per sa i perket nje komenti qe do te doja te beja,pervec karteleve, ju citoni si raste klasike nderhyrjeje, ne lidhje me abuzimin e pozites dominuese, edhe ate te çmimeve të tepruara në krahasim me koston nga firmat me pozitë dominuese. Por nese i referohemi jurisprudences United Brands, ashtu dhe precedenteve te Komisionit Evropian (se ne te drejten antitrust ne SHBA cmimet e tepruara nuk denohen) duket se nje autoritet konkurrence, perfshire dhe Komisionin, eshte pergjithesisht shume i kujdesshem per te nderhyre me keto praktika tregtare. Kjo pasi eshte shume veshtire te provohet – sipas testit United Brands – se cfare jane cmime te tepruara dhe per nevojen per te evituar qe nje autoritet konkurrence te kthehet ne rregullues cmimesh.
    Se fundmi per “rule of reason” ne lidhje me analizen e nje abuzimi te mundshem ne treg – ndonese tendenca e Komisionit Evropian shkon ne kete sens, pas Udhezimit mbi abuzimet perjashtuese te 2009-tes – ne disa raste Gjykatat evropiane kane qene pak me konservatore per sa i perket disa llojesh abuzimesh, duke vazhduar te aplikojne nje analize formaliste, si pershembull ne rastin e loyalty rebates (Tomra, psh). Po ashtu, AKZO per cmimet grabitqare parashtron se nen nje nivel te caktuar (average variable costs) ato prezupozohen jo-konkurruese (ndersa mes average variable costs dhe average total costs ato mund te jene jo-konkurrense kur jane pjese e nje strategjie per te eliminuar nje konkurrues). Nga ana tjeter, Komisioni Evropian ne Udhezimin e tij te 2009-tes i referohet nje benchmark tjeter cmimi, ate te average avoidable costs – ndonese AKZO vazhdon te mbetet precedent i vlefshem.
    Ne kete prizem, mendoni se udhezime biznesit, te ngjashme me Udhezimin e siperpermendur te Komisionit, ne lidhje me Art. 9 te Ligjit Mbi Mbrojten e Konkurrences mund te ishin te dobishme po ashtu, per te rritur parashikueshmerine si dhe transparencen ne aplikimin e legjislacionit antitrust?
    Per shembull, Autoriteti i Konkurrences kanadez ne 2008 publikoi disa udhezime ne lidhje me si autoriteti i analizon cmimet grabitqare (http://www.competitionbureau.gc.ca/eic/site/cb-bc.nsf/eng/02712.html).
    Dhe se fundmi, Komisioni Europian shpeshhere hetimet e hapura per abuzim pozite dominuese i mbyll pa gjetur shkelje, me ate qe duhet “commitment procedure”, ku kompania e hetuar vendos t’i parashtroje Komisionit vete nje ndryshim te politikave te saj tregtare per t’ju pergjigjur preokupimeve te Komisionit e per te evituar te gjobitet ndersa konkurrenca ne treg rivihet shkurt dhe shpejt. Mendoni se zhvillimi i nje procedure e tille do ta ndihmonte apo pengonte, ne kete faze, zbatimin e legjislacionit per konkurrencen – e sidomos parandalimin e abuzimit me poziten dominuese – ne Shqiperi?
    Duke ju falenderuar paraprakisht per pergjigjen!

  2. Pajtim Melani says:

    E nderuar znjsh Noti, ju falenderoj pa mase per kontributet te cilat vlejme per vazhdimin e ciklit te shkrimeve. Do nenvizoja se Une nuk I referohem nje rasti konkret dhe megjithe deshiren per te komentuar mbi shkrimin tuaj pasues per ceshtje konkrete te Autoritetit e kam te pamundur.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.