(Vijon artikulli i datës 25 tetor)

1481885_10151797561066478_354059697_n  Hyrje

Në pjesën e parë të këtij artikulli u diskutua mbi informacionin e përcjellë në një prej mediave ditore, i cili parashtronte tezën se Vodafone është në pozitë dominuese në tregun përkatës të pakicës, si i përkufizuar provizorisht nga Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e tij të thelluar. Nga pikëpamja ligjore ky konstatim është për t’u parë e për t’u provuar.

Interesante në këtë shkrim ishte po ashtu fakti që i referohej një precedenti francez të dhjetorit të vitit 2012. Bëhet fjalë për një hetim, në përfundim të të cilit Autoriteti i Konkurrencës franceze (më tej: Autoriteti francez) gjobiti me 183 milionë euro kompanitë e telefonisë celulare Orange dhe SFR për abuzim me pozitën e tyre dominuese në tregun e terminimit të thirrjeve me zë të kryer nëpërmjet tarifave të diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit të këtyre dy operatorëve. Sipas Autoritetit francez, kjo politikë çmimesh abuzive, e pajustifikuar objektivisht nga pikëpamja ekonomike, shtrembëronte konkurrencën në tregun e pakicës së telefonisë celulare për përdorues privatë në Francën metropolitane në kundërshtim me ligjin. Për Autoritetin francez, sjellja në fjalë shkelte, nga njëra anë, artikullin 102 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE), që ndalon abuzimin me pozitën dominuese të një ndërmarrjeje në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian (më tej: BE) ose një pjesë substanciale të tij, nëse ky abuzim mund të prekë tregtinë midis Shteteve Anëtare të BE-së. Në të njëjtën kohë, kjo sjellje shkelte, sipas Autoritetit francez, edhe artikullin 420-2 të kodit të tregtisë franceze (simotra e artikullit 102 të TFBE-së në Francë), i cili ndalon “shfrytëzimin abuziv nga ana e një ndërmarrjeje ose grupi ndërmarrjesh të pozitës dominuese në tregun e brendshëm ose të një pjese substanciale të tij”.

Fillimisht, do të doja të sqaroja se këtu nuk pretendohet të mbështetet ideja se shembulli i mësipërm francez mund të mos jetë me dobi për arsyetimin që do të çojë në vendimin përfundimtar të Autoritetit të Konkurrencës shqiptare në lidhje me hetimin e thelluar ndaj Vodafone, cilido qoftë ai. Të tjera autoritete të konkurrencës në botë, të njohura si të rrepta në zbatimin e legjislacionit të tyre përkatës për konkurrencën, si, përshembull,ai i Afrikës së Jugut, po përballen aktualisht me ankimime të ngjashme në tregun e telefonisë celulare në territorin e tyre.

Por, ndonëse në rastin francez bëhet fjalë për një sjellje tregtare të ngjashme si ajo e Vodafone, kjo nuk do të thotë që ka domosdoshmërisht një problem të ngjashëm në Shqipëri, duke pasur parasysh kushtet e konkurrencës së tregut, kuadrin rregullator në vend, por edhe kohën në të  cilën janë kryer veprimet tregtare, të konsideruara abuzive,në rastin francez.Në fakt, në Shqipëri po hetohet sjellja tregtare e Vodafone nga janari 2011 deri në dhjetor 2012.

Për të qenë me specifike, në shembullin francez në fjalë, siç do të shihet më tej, Orange dhe SFR zotëronin bashkë, në vitin 2005, një shumë prej 83 % të tregut përkatës të pakicës (Orange zotëronte përkatësisht 47 % dhe SFR 36 %). Ky i fundit përkufizohej nga Autoriteti francez, siç u tha më lart, si “tregu i telefonisë celulare të përdoruesve privatë në Francën metropolitane“.[1] Kjo, midis të tjerash, i jep atij hetimi dhe analize një tjetër dimension nga rasti konkret shqiptar, i hapur vetëm kundër ndërmarrjes Vodafone.

Pjesa e dytë e këtij shkrimi synon të hedhë një vështrim mbi teoritë e dëmit në lidhje me çfarë abuzimesh mund të bëhet fjalë në rastin shqiptar:

(i) çmime diskriminuese, që do të sillnin, të paktën potencialisht, përjashtim jo konkurrues nga tregu përkatës, duke vënë konkurruesit në dizavantazh kompetitiv;

(ii) abuzim përjashtues si “shtrydhja e marzheve të fitimit” të një operatori po aq efiçent sa operatori me pozitë dominuese në tregun përkatës.

Synimi është të analizohet shembulli francez në mënyrë kritike duke faktuar, nga pikëpamja e literaturës ekonomike, pse tarifat e diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit nuk janë në çdo rast jokonkurruese.

Para se të hyj në detajet e analizës, do të doja të theksoja se aspektet e hetimit në fjalë, që kanë të bëjnë me praktikën e bonuseve të aplikuara në pikat e shitjes së pakicës (që duket se po ashtu përbën objekt hetimi nga ana e Autoritetit ndaj Vodafone), nuk janë pjesë e shqyrtimit të këtij shkrimi, i cili shtjellon vetëm analizën e praktikës së tarifave të diferencuara të thirrjeve brenda e jashtë rrjetit. Po ashtu, në parathënie do doja të vija theksin mbi faktin se referimet në këtë shkrim në lidhje me teoritë e mundshme të dëmit bazohen mbi jurisprudencën e fundit të gjykatave evropiane, si Gjykata Evropiane e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

Autoriteti i Konkurrencës, në rastin konkret, duke qenë se Shqipëria nuk është ende anëtare në BE, është kompetent për të pare nëse artikulli 9 i Ligjit shqiptar për Mbrojtjen e Konkurrencës, por jo artikulli 102 TFBE, mund të jetë shkelur ose jo. Në këtë kontekst, zhvillimet e jurisprudencës së fundit të gjykatave evropiane të sipërpërmendura në lidhje me abuzimet e mundshme në fjalë janë të dobishme për Autoritetin e Konkurrencës shqiptare në interpretimin e legjislacionit përkatës.

Edhe diçka tjetër duhet saktësuar në lidhje me shembullin francez, përpara se të analizohet ai më nga afër: gjoba e vënë nga Autoriteti francez ndaj sipërmarrjeve Orange dhe SFR nuk do të thotë që ky vendim administrativ është përfundimtar, duke qenë se si Orange, ashtu edhe SFR e kanë apeluar gjobën përpara gjykatave franceze. Pra, analiza e gjykatave mbetet vendimtare.

1.       Shembulli francez Orange/SFR: një përmbledhje e shkurtërlogosfrorangebouygues1

Në France, Bouygues Télécom, një operator i vogël telefonie celularesi dhe konkurruesi kryesor i Orange dhe SFR, ankohej në vitin 2006 kundër sjelljes së Orange (më parë France Télécom, ish-monopolisti ligjor i telefonisë fikse në Francë) dhe SFR, dy ndërmarrje aktive në shërbimin e telefonisë celulare. Objekti i këtij ankimi ishin tarifat e diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit të aplikuara nga këta operatorë, të filluara në vitin 2005.

Në mënyrë më specifike, Bouygues Télécom mbështeste arsyetimin se ofertat e telefonisë celulare të hedhura nga ndërmarrjet me pozitë dominuese në tregun përkatës të shumicës së terminimit të  thirrjeve me zë, Orange dhe SFR, shkelnin ligjin që ndalon abuzimin me pozitën dominuese në tregun përkatës. Midis të tjerave, këto oferta parashikonin mundësinë për përdoruesit e rrjeteve Orange dhe SFR për të bërë telefonata brenda rrjetit të tyre përkatës (on net) me çmime më të lira në krahasim me telefonatat më të shtrenjta të kryera nga rrjetet Orange dhe SFR (off net) drejt përdoruesve në rrjetin e operatoreve konkurrente. Sipas Bouygues, këto tarifa të diferencuara të aplikuara nga Orange dhe SFR ishin abuzive, pasi ato krijonin një “efekt rrjeti”, në rastin konkret një dukuri për të cilin një produkt ose shërbim bëhet më i vlefshëm sa më shumë njerëz e përdorin atë duke sjellë një eksternalitet pozitiv. Ky diferencim tarifor dëmtonte fluiditetin e tregut të pakicës, duke shtrembëruar kështu konkurrencën e lirë në treg.

Kështu, Autoriteti francez dënonte Orange dhe SFR për abuzim me pozitën e tyre dominuese në tregun përkatës të shumicës së terminimit të thirrjeve në rrjetet e tyre gjatë viteve 2005-2008. Orange dhe SFR gjendeshin nga Autoriteti francez përkatësisht me pozitë dominuese në dy tregjet përkatëse të shumicës së terminimit të thirrjeve me zë në rrjetin e secilës. Ndërkaq, vendimi i Autoritetit francez përcaktonte se efektet e abuzimit me këtë pozitë shfaqeshin në tregun përkatës të pakicës (të përbashkët për të gjithë operatorët), pra, siç u tha, atë të telefonisë celulare të përdoruesve privatë në Francën metropolitane.

Pas përkufizimit të tregut dhe analizës së pozitës dominuese të dy operatorëve të mësipërm në tregun përkatës të shumicës, në mënyrë paksa të thjeshtuar, Autoriteti francez mbështeste përfundimin se tarifat e diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit, të aplikuara nga këto dy sipërmarrje, ishin abuzive, duke i analizuar ato si çmime diskriminuese, ashtu edhe një pjesë të tyre si një tjetër abuzim me pozitën dominuese, “shtrydhjen e marzheve të fitimit”, sipas jurisprudencës Deutsche Telekom si dhe TeliaSonera.[2]

1.1.Çfarë është shtrydhja e marzheve të fitimit?

“Shtrydhja e marzheve të fitimit” i referohet një praktike të operatorëve vertikalisht të integruar, të cilët manovrojnë çmimet e shumicës dhe/ose të pakicës (ose duke rritur ato të shumicës, ose duke ulur ato të pakicës, ose duke ndërhyrë në të dyja nivelet) duke krijuar një diferencë negative (sepse çmimet e pakicës janë më të ulëta se ato të shumicës, përshembull). Kjo gjë sjell konkurruesit në tregun e pakicës të ndërmarrjes vertikalisht të integruar, të paktën po aq efiçent sa ndërmarrja në pozitë dominuese, të cilëve ajo iu jep produktin e shumicës, të mos arrijnë dot të fitojnë një marzh të tillë për të mbuluar kostot dhe për të shmangur humbje të vazhdueshme, duke shkaktuar kështu që ndërmarrja po aq efiçente sa ndërmarrja dominuese të dalë eventualisht nga tregu (këtu qëndron “shtrydhja” e sipërpërmendur). Kostot që merren parasysh për të analizuar sjelljen në fjalë janë, në parim, ato të ndërmarrjes me pozitë dominuese dhe jo ato të operatorëve të tjerë në treg (i ashtuquajturi “as efficient competitor” test). Ky test buron nga nevoja për siguri ligjore, pasi i lejon një ndërmarrjeje me pozitë dominuese në një treg të caktuar të vetanalizojë politikat e çmimeve që ajo synon të aplikojë, duke mos ditur, në rast konkurrence të lirë, ç’kosto kanë konkurrentët.

Në Mbretërinë e Bashkuar, në një hetim të kohëve të fundit kundër British Telekom në sektorin e telefonisë fikse, autoriteti përkatës rregullator në sektorin e komunikimeve eletronike (Ofcom) dalloi midis “shtrydhjes se marzheve teknike” dhe abuzimit me pozitën dominuese, duke vendosur ta mbyllte hetimin në fjalë pa dënuar British Telekom. Sipas Ofcom, edhe kur diferenca midis çmimeve të pakicës dhe shumicës krijon një marzh negativ – duke aplikuar testin e mësipërm,  pra atë që përkufizohet si testi i “konkurruesit po aq efiçent sa ndërmarrja me pozitë dominuese”– është vetëm në rastet kur kjo diferencë rezulton në dëm të konsumatorëve, dëm ky konkret ose potencial, që abuzimi me pozitën dominuese mund të quhet i provuar.Në substancë, shtrydhja e marzheve nuk është domosdoshmërisht, sipas Ofcom, abuzim me pozitën dominuese në treg.

Siç shprehen edhe dy ekonomistë, Edwards dhe Walker, ajo që ka rëndësi në një rast shtrydhjeje të marzheve të fitimit janë efektet e sjelljes në fjalë. A ka gjasa që konkurruesit të përjashtohen nga tregu dhe a janë konsumatorët (të paktën) potencialisht të dëmtuar nga kjo? Do të doja të theksoja sërish, se për të provuar abuzimin, theksi nuk është te pyetja se a mund të përjashtohet çdo konkurrent, por te analiza nëse mund të përjashtohen ata konkurrentë, të cilët janë po aq efiçentë, sa ndërmarrja me pozitë dominuese. Nëse pergjigjja e kësaj pyetjeje është jo, atëherë abuzimi nuk është kryer. Abuzimi në këtë kontekst do të thotë, në thelb, se, nëse ndërmarrja vertikalisht e integruar do t’i aplikonte vetes së saj në tregjet e pakicës çmime shumice të njëjta me çka i aplikon konkurrentëve, ajo nuk do mund të mbijetonte në treg, sepse nuk do mund të mbulonte kostot e kryerjes së shërbimit ose do të operonte me zero fitim, duke dalë kështu më pas nga ky treg.

Vazhdon…

 

[1]http://www.lemonde.fr/economie/article/2012/12/13/concurrence-orange-et-sfr-sont-condamnes-a-une-amende-record_1805515_3234.html

[2] C-280/08 P Deutsche Telekom/Commission, [2010] ECR I-9555;C-52/09, TeliaSonera Sverige AB [2011] ECR I-00527

 

 

One Response to Çështja Vodafone: në pritje të përfundimit të hetimit të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës

  1. […] Çështja Vodafone: në pritje të përfundimit të hetimit të thelluar nga Autoriteti i Konkurrenc… […]

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.