(Vijon artikulli i dates 19 dhjetor)

1.2. Çfarë janë çmimet diskriminuese?Price Discriminiation

Neni 9 i Ligjit nr. 9121, të datës 28/07/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, në paragrafin 1 ndalon çdo abuzim, nga ana e një ose e më shumë ndërmarrjeve, të  pozitës dominuese në treg, duke sqaruar, në paragrafin 2, pika (c), se mund të  përbëjnë abuzim veçanërishtzbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të  pafavorshme konkurrence.”

Në vendimin Post Danmark të vitit 2012 të  Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, në një çështje të  referuar asaj nga një gjykatë daneze, u tha qartë që, nëse praktika e çmimeve të një kompanie në pozitë dominuese mund të klasifikohet si diskriminim çmimesh (t’iu vësh konsumatorëve të ndryshëm ose grupeve të ndryshme të konsumatorëve çmime të ndryshme për produkte dhe shërbime, kostot e të cilave janë të njëjta, ose çmime të njëjta  të gjithë konsumatorëve, pavarësisht nga fakti që kostot e produktit ose të shërbimit janë të ndryshëm), kjo nuk do të thotë në vetvete se ekziston një abuzim përjashtues (paragrafi 30 i vendimit Post Danmark). Pra, nuk duhet të  bazohemi te forma e praktikës në fjalë por te efektet e saj.

Në rastin Post Danmark, praktika e hetuar në fjalë ishte ulja e çmimeve në mënyrë selektive nën kostot mesatare të  prodhimit, por mbi kostot inkrementale mesatare, nga ana e Post Danmark, ish-monopolisti i shërbimeve postare në Danimarkë, ndaj klientëve të  saj, duke iu vënë klientëve të  rinj tarifa të ndryshme nga ato të vëna klientëve ekzistues, të cilat nuk justifikoheshin nga diferencat në kosto. Autoriteti i Konkurrencës daneze arrinte në konkluzionin se, nëpërmjet praktikës së mësipërme, Post Danmark abuzonte me pozitën e saj dominuese në tregun e shpërndarjes e postës së pa adresuar në Danimarke (për shembull, broshura publicitare, lista telefonike etj). Gjykata e Apelit konfirmonte këtë vendim. Në apel Gjykata e Lartë daneze, duke gjykuar se një sqarim i ligjit të Bashkimit Evropian ishte i nevojshëm për të marrë vendim, pezullonte çështjen duke i referuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë pyetjen se “në cilat raste praktika në fjalë mund të përbënte abuzim me pozitën dominuese në kundërshtim me artikullin 102 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian”.

Në çështjen në fjalë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë mbështeste, midis të tjerash, përfundimin se Autoriteti i Konkurrencës daneze  gabohej nëse ai konkludonte se, nëse një praktikë mund të përbëjë diskriminim çmimesh, ajo është rrjedhimisht abuzim përjashtues me pozitën dominuese në treg. Për të arritur në konkluzionin se është kryer abuzim me pozitën dominuese, do të duhej të provohej se:

(i)                  Një konkurrent po aq efiçent sa ndërmarrja me pozitë dominuese nuk mund të konkurronte në treg nëse çmimet e tij do të ishin ato të aplikuara nga kjo ndërmarrje, pa iu shkaktuar këtij të fundit humbje, të cilat ai nuk do mund t’i përballonte në periudhën afatgjatë;

(ii)                Kjo politikë çmimesh nuk do të ishte e kryer për arsye objektive, si interesa legjitime tregtare, apo edhe efiçenca ekonomike.

Vendimi Post Danmark tejkalon linjën formaliste të jurisprudencës ekzistuese të gjykatave evropiane në lidhje me çmimet diskriminuese – kur dëmi mund të ishte përjashtimi nga tregu i një konkurruesi të ndërmarrjes me pozitë dominuese. Për të parë nëse një praktikë çmimesh diskriminuese mund të jetë abuzive, e si e tillë, në kundërshtim me legjislacionin përkatës për konkurrencën, është e nevojshme për t’u bazuar mbi efektet konkrete ose potenciale mbi konkurruesit po aq efiçente sa ndërmarrja me pozitë dominuese.

Arsyetimi i këtij rasti mund t’i aplikohej shembullit të tarifave të Vodafone, objekt të hetimit në fjalë.

1.3.  Shembulli francez në detaje: përkufizimi i tregjeve përkatëse, pozita dominuese e Orange dhe SFR në tregun e shumicës së terminimit të thirrjeve dhe abuzimi me të sipas Autoritetit francez

Le t’i kthehemi më në detaj precedentit francez. Ofertat e denoncuara nga Bouygues Télécom, të aplikuara nga Orange dhe SFR, pasi këta të fundit gjendeshin nga Autoriteti francez se zotëronin në vitin 2005 një shumë prej 83% në tregun e pakicës të telefonisë celulare të klientëve privatë në Francën metropolitane, si dhe secila pozitë dominuese në tregun e shumicës së terminimit të thirrjeve për rrjetin përkatës, ishin sipas Autoritetit përkatës abusive për arsyet që vijojnë.

Së pari, ofertat shtonin efektin “tribu”, që do të  thotë prirjen e konsumatorëve për t’u bërë pjesë të rrjetit të të njëjtit operator, aty ku janë të abonuar të afërmit, familja, miqtë.  Ato dëmtonin fluiditetin e tregut të pakicës, sepse këto oferta rritnin kostot e daljes nga rrjeti Orange dhe SFR për pajtimtarët e tyre.

Së dyti, këto oferta favorizonin automatikisht operatorët e mëdhenj në dëm të operatorëve të vegjël për shkak të efektit “rrjet”, fenomeni për të cilin një produkt ose shërbim bëhet më i vlefshëm sa më të shumë të jenë përdoruesit e tij. Konkretisht, Bouygues, duke pasur parasysh numrin e vogël të pajtimtarëve të tij (17%), e shihte të pamundur të konkurronte, nëpërmjet ofertave të ngjashme, ofertat e kryera nga Orange dhe SFR. Për këtë arsye, Bouygues ishte i detyruar t’i kundërpërgjigjej konkurrentëve në fjalë me oferta “ndër-rrjet”.Oferta ndër-rrjet do të thotë që si telefonatat e kryera për pajtimtarët e tij brenda rrjetit Bouygues, ashtu edhe ndaj pajtimtarëve të rrjeteve të operatorëve të tjerë, janë të përfshira, për  një  kohëzgjatje të caktuar, për  përdorim pa limit brenda një çmimi të parapaguar (forfeit) që i aplikohet konsumatorit final, të pavarur nga numri dhe kohëzgjatja e thirrjeve, si dhe të  pavarur nga rrethana nëse telefonata kryhet brenda ose jashtë rrjetit. Kështu, sipas Autoritetit francez, Bouygues i duhej të kishte mbartur kosto më të  mëdha për  dhënien e shërbimeve të  tij pikërisht si pasojë e politikave të  çmimeve të  aplikuara nga Orange dhe SFR, gjë që shkaktonte kështu dobësimin e tij  si operator në treg.

Së treti, sipas Autoritetit francez, diferencat në kosto midis telefonatave brenda dhe jashtë rrjetit, të  parashtruara nga Orange dhe SFR, nuk përbënin arsye objektive për të  aplikuar tarifat e diferencuar në fjalë.

Vlen të përmendet se, duke gjobitur dy kompanitë Orange dhe SFR për abuzim me pozitën e tyre dominuese në tregjet përkatëse të përfundimit të thirrjeve me zë, Autoriteti francez ulte gjobën prej 50% për secilin prej të dy operatorëve. Ai u njihte sipërmarrjeve të mësipërme një ulje nga gjoba, sepse nga pikëpamja rregullatore, ulja progresive e tavanit të tarifave për terminimin e thirrjeve, e imponuar nga legjislacioni i sektorit, krijonte për këta operatorë një interes ekonomik të përkohshëm për të inkurajuar përdoruesit e tyre për të kryer telefonata brenda rrjetit.

1.4. Legjislacioni përkatës i sektorit mbi tarifat e terminimit të thirrjeve me zë dhe tarifat e diferencuara në tregjet e pakicës

Le të  marrim parasysh faktin se, në saje të  legjislacionit të sektorit, një sipërmarrje me fuqi të ndjeshme në treg nuk ka marzh manovre në nivel shumice, sepse tarifat e terminimit të thirrjeve në rrjet janë të  përcaktuara nga rregullatori kompetent për sektorin në fjalë (në Shqiperi, AKEP) e do të duhet të shkojnë drejt kostos, siç duket të jetë rasti në Shqipëri, duke marrë parasysh nevojën për të arritur përafrimin e legjislacionit tonë përkatës me rakomandimet e KE-së. Shpesh kjo kryhet në mënyrë asimetrike, duke sjellë uljen drejt kostos më të  shpejtë për operatorët e mëdhenj, për   të nxitur operatorët e rinj në treg, siç duket nga fakti se, në fazën e tretë të rregullimit të tarifave të terminimit sipas rekomandimeve të KE-së, në të cilën ndodhemi, për tre operatorët, AMC, Vodafone dhe Eagle Mobile tarifat e terminimit janë reduktuar duke arritur në vlerën e 4.57 lekë/min, ndërsa për Plus Communication tarifa është reduktuar, duke arritur në nivelin 8.85 lekë/min. Kjo sjell të  krijohet një interes për ndërmarrjet në fjalë, duke parë të ulur fitimin e tyre, nga njëra anë, për të manovruar me çmimet e pakicës për të ulur në minimum efektin tek ato të reduktimit të tarifave të terminimit të thirrjeve.

Duke nxitur përdoruesit të kryejnë telefonata brenda rrjetit nëpërmjet tarifave më të ulëta se jashtë rrjetit, këto ndërmarrje munden, pra, të ulin impaktin negativ në fitimet e tyre, të krijuar për t’iu përshtatur ndryshimit të kuadrit rregullator në fjalë.  Lind pyetja, a është kjo rrethanë të paktën për t’u marrë në konsideratë, në rast se do të mund të provohej abuzimi me pozitën dominuese, për reduktimin e mundshëm të gjobës së aplikuar?

2. Impakti i shembullit francez në hetimin shqiptar ndaj Vodafonebn

Në rastin shqiptar, duket që njëri prej operatorëve të telefonisë celulare, Plus, është ankuar pranë Autoritetit në lidhje me sjelljen e Vodafone. Deri këtu asgjë e çuditshme, përkundrazi. Hetimi i thelluar në fjalë ka për qëllim të zbulojë nëse konkurrenca e lirë në treg është cënuar nga disa veprime tregtare të Vodafone në tregjet e pakicës në kundërshtim me ligjin.

Duke u kthyer te tarifat e diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit, le të shohim anën tjetër të medaljes përtej historisë së servirur nga artikulli në media, i përmendur në shkrimin tim të mëparshëm. Një pjesë e literaturës ekonomike, siç do të përmendet më tej, pohon se praktikat e çmimeve diskriminuese brenda dhe jashtë rrjetit nuk janë automatikisht dhe domosdoshmërisht antikonkurruese. Përkundrazi, ka edhe evidencë empirike nga akademikë në zë të kësaj fushe që provon se jo domosdoshmërisht tarifat e diferencuara janë në dëm të konsumatorëve.

2.1 Literatura ekonomike në lidhje me tarifat e diferencuara brenda dhe jashtë rrjetit. Pasojat për hetimin në fjalë

Literatura ekonomike  shtjellon përse çmimet e diferencuara, siç janë tarifat e diferencuara “brenda” dhe “jashtë” rrjetit të aplikuara nga një ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun përkatës të  shumicës, mund të jenë si anti-, ashtu dhe prokonkurruese.[1]

Profesor Justus Haucap, një ekonomist ekspert i telekomunikacioneve, përshembull, në një prezantim të tij në ITU (International Telecommunications Union) të kryer në vitin 2004, të  titulluar: “Si të rritet konkurrenca në tregjet e telefonisë celulare”shprehej se, nëse nga njëra anë, tarifat e diferencuara rrisin barrierat e hyrjes në treg (efekt që mund të jetë jokonkurrues), nga ana tjetër, një pengesë e aplikimit të këtyre tarifave mund të çojë në rritje të çmimeve të telefonisë celulare me pakicë si dhe në probleme me tarifat e terminimit të thirrjeve (efekte të cilat, do të doja të shtoja, mund të shtrembërojnë po ashtu konkurrencën në treg).

Po ashtu  Prof. Haucap, në një artikull të tij me Dr. Heimeshoff të dy viteve më parë analizon nga pikëpamja empirike efektet në sjelljen e konsumatorëve të tarifave të diferencuara, duke u shprehur se konsumatorët nuk janë objektivë, kur bëhet fjalë për  të  vlerësuar diferencimin e çmimeve ( “price differentiation bias” ). Në bazë të kësaj dukurie, sipas Prof. Haucap dhe Dr. Heimeshoff, një numër jo i vogël konsumatorësh mbivlerësojnë kursimet që rezultojnë nga tarifat e reduktuara brenda rrjetit pa konsideruar çmimet brenda e jashtë rrjetit e pa i vlerësuar ato, duke pasur parasysh probabilitetin e kryerjes së telefonatave brenda e jashtë rrjetit.  Sipas tyre, si rezultat i anësisë së një pjese të studentëve të anketuar për të llogaritur tarifat optimale në një mënyrë që merr saktësisht parasysh strukturat e telefonave brenda e jashtë rrjetit:

For competition authorities these findings suggest that the presence of on-net/off-net price differentiation does not automatically raise competition concerns. Hence, a per se prohibition of on-net/off-net price differentiation would most likely constitute a case of over-regulation, also against the evidence that small entrants sometimes use on-net discounts as a tool for competitive entry.” [emphasis e shtuar]

Pra, sipas autorëve të  mësipërm, jo vetëm diferencimet e tarifave të pakicës brenda e jashtë rrjetit nuk janë automatikisht abuzim me pozitën dominuese, por disa herë pikërisht operatorët e vegjël i përdorin uljet e çmimeve brenda rrjetit si një mjet për hyrje në treg.Një ndalim automatikisht (pra, në të gjitha rastet) i çmimeve të diferencuara brenda e jashtë rrjetit do të përbënte kështu një rast ndërhyrjeje rregullatore të tepërt në tregjet në fjalë.

Po ashtu, një pjesë e literaturës ekonomike vë theksin mbi rrethanën se, midis të tjerave, evidenca historike nuk tregoi se tarifat e larta jashtë rrjetit dhe të ulëtat brenda rrjetit sollën efektin e ndalimit të konkurrencës së operatorëve të vegjël, si pasojë e fuqizimit në tregun përkatës të operatorëve të mëdhenj. Operatorët e vegjël, edhe në rastet kur në tregjet në fjalë përdoreshin kësisoj tarifash të diferencuara, arritën të fuqizohen.

Çfarë del nga analiza e mësipërme është se tarifat e diferencuara – në lidhje me elementin përjashtues se tyre – nuk janë automatikisht (ose, e shprehur në zhargonin ligjor per se) abuzive të  pozitës dominuese në treg.

Pra, përtej faktit që literatura ekonomike është e dyzuar në këtë drejtim, shembulli i mësipërm francez nuk do të thotë se automatikisht në Shqipëri një kompani telefonie celulare si Vodafone ka abuzuar me të ashtuquajturën pozitën e saj dominuese.  Lipset një analizë e bazuar mbi kushtet konkrete në të cilat këto politika çmimesh janë aplikuar, si dhe mbi efektet e sjelljes në fjalë, potenciale ose konkrete, në dëm të konsumatorëve. Në këtë prizëm, bashkëpunimi midis rregullatorit AKEP, nga njëra anë, dhe Autoritetit të Konkurrencës, nga ana tjeter, është për t’u  mirëpritur.

2.2 Një vëzhgim kritik mbi shembullin francez dhe hetimin shqiptar në fjalë

Le të shohim më poshtë përse rasti i mësipërm francez duhet të interpretohet në mënyrë kritike.

Ndryshe nga shembulli francez, ku, siç u pa me sipër, Orange dhe SFR zotëronin 83 % të tregut përkatës të  pakicës  dhe sjellja në fjalë kryhej në vite më të hershme se praktikat në fjalë në tregun shqiptar, në rastin shqiptar hetimi është hapur vetëm ndaj ndërmarrjes Vodafone. Gjithnjë nëse përkufizimi provizor i tregut përkatës, i dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës është i saktë, në rastin francez, asnjëra nga Orange apo SFR të marra më vete nuk kishin pozitë dominuese në tregun e pakicës . Kjo, në fakt, përforcon tezën e parashtruar në pjesën e parë të  këtij shkrimi (artikullin e datës 25 tetor) se Vodafone nuk është automatikisht në pozitë dominuese në tregun e pakicës. Kjo edhe nëse tregu perkatës i pakicës do të  përkufizohej në mënyrë më të ngushtë (pra, si ai i telefonisë celulare me parapagese). Po ashtu, edhe nëse në nivel pjese tregu sipas fitimeve operatori Vodafone zotëron mbi 50% të tregut përkatës provizorisht kështu të përkufizuar (si pasojë i përket Vodafone që ta kundërshtojë këtë pozitë e jo Autoritetit ta provojë, duke qenë se Autoriteti në raste të tilla e presupozon pozitën dominuese sipas jurisprudencës Akzo),do të ishte pozita dominuese në tregun e terminimit të thirrjeve me zë, e zotëruar nga Vodafone, që mund të shkaktonte shqetësim, duke parë numrin në rritje të  trafikut telefonik të  kryer brenda rrjetit Vodafone. Sidoqoftë, në prizmin e kësaj analize, do të duhej që Autoriteti të shikonte nëse praktika e çmimeve të  aplikuara nga Vodafone mund të sjellë (është e aftë të sjellë) përjashtimin nga tregu të një operatori po aq efiçent sa ndërmarrja me pozitë dominuese.

Siç u përmend edhe në pjesën e parë të këtij artikulli,është e nevojshme të shihet edhe aspekti rregullator, pra detyrimet mbi operatorët me fuqi të ndjeshme në treg të imponuara nga AKEP-i, përfshirë edhe asimetrinë në lidhje me kohën kur tarifat e terminimit duket të konvergojnë drejt kostove për operatorët me fuqi të ndjeshme, nga njëra anë, e ata të vegjël, nga ana tjetër. Më tej, duhet parë nëse ky detyrim rregullator ka impakt mbi hetimin në fjalë e, nëse pergjigjja e kësaj pyetjeje është pozitive, cili është, në thelb, ky impakt.

Së fundmi, nuk është e thënë që të mos jetë tejkaluar nga efiçenca ekonomike, të cilat mund t’i përcillen përdoruesve, efekti “rrjet”, i cili mund të rriste mundësinë e një përjashtimi jokonkurrues nga tregu të një operatori po aq efiçent sa ndërmarrja me pozitë dominuese (nëpërmjet rritjes së kostove të  një rivali më të  vogël si Plus). Këto efiçenca mund të parashtroheshin nga ndërmarrja në hetim në rastin konkret dhe duhet të merren parasysh nga Autoriteti, se cilit i përket të  provojë mungesën e efiçencave në fjalë.

Po ashtu, nëse do të kryhej një analizë dinamike e tregut, mund të vihet re në të ardhmen një drejtim drejt tarifave, të cilat nuk diferencojnë midis përdorimit të thirrjeve brenda rrjetit ose jashtë rrjetit, por japin mundësinë si për thirrjet brenda, ashtu dhe jashtë rrjetit, për  t’u bazuar mbi tarifa forfetare (d.m.th.paketa), që do t’u shërbenin konsumatorëve përtej përkatësisë së tyre ose jo në një rrjet të  caktuar.

Në prizmin e një analize dinamike, sipas lajmeve të  javëve të  fundit, AKEP ka bërë të ditur se brenda këtij viti do të  hapet gara për të  dhënë licensat për telefoninë celulare me teknologji 4G. Maria Maher, në një artikull mbi impaktin që do të ketë hyrja e 4G mbi politikat e konkurrencës në sektorin e telekomunikacioneve, shprehet se ky zhvillim do të ulte barrierat rregullatore të  hyrjes dhe, si pasojë e mundësisë për të ofruar shërbime në një numër të  ndryshëm platformash, “konvergjenca” e shërbimeve do të  ulte gjithashtu edhe prirjen për të  diskriminuar nga ana e operatorëve.  Nga ana tjetër, ajo mbështet se “përkufizimi i tregjeve përkatëse si dhe përcaktimi nëse një praktikë tregtare është përjashtuese ose e diktuar nga konkurrenca ekzistuese në treg bëhet akoma më tepër i vështirënë prezencën e shërbimeve konvergjente. Zakonisht, këto faktorë e bëjnë analizën ekonomike më të  rëndësishme në çështjet e Konkurrencës së sektorit”.

Edhe impaktet e këtyre zhvillimeve nuk do të ishte e përshtatshme të mos merreshin parasysh në çështjen në fjalë.

3. Disa reflektime përfundimtare

Nëse prania e pozitës dominuese të Vodafone në tregun e terminimit të thirrjeve mund të shkaktonte, nëpërmjet tarifave të diferencuara sipas ofertave objekt të hetimit në fjalë, përjashtim nga tregu përkatës i një operatori po kaq efiçent sa ndërmarrja në pozitë dominuese, në kundërshtim me Artikullin 9, paragrafi 2, i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, do duhej provuar nëpërmjet një analize rigoroze ekonomike.

Nuk mjafton, sipas jurisprudencës së sipërpërmendur, që abuzimi i çmimeve diskriminuese me element përjashtues të  supozohet. Në fakt, Avokati i Përgjithshëm Jacobs në çështjen Bronner u shpreh se: The primary purpose of Article 86 [now, Article 102 TFEU] is to prevent distortion of competition – and in particular to safeguard the interests of consumers – rather than to protect the position of particular competitors.”

Po ashtu, Artikulli 9 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës në Shqipëri (i cili i korrespondon Artikullit 102 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian), që ndalon abuzimin me pozitën dominuese në një treg përkatës, nuk duhet të  synojë të  mbrojë pozitën në treg të konkurruesve të veçantë, por parandalimin e shtrembërimit të konkurrencës në treg dhe, në veçanti, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

Për aq kohë sa një ndërmarrje dominuese në tregun përkatës vepron me mjete të ndershme, në zhargonin e të drejtës së konkurrencës “konkurrencë e ndershme ose në merita”, (ndonëse doktrina juridike ka shkruar gjerë e gjatë se nuk është shumë e qartë ç’do të thotë kjo në praktikë), nuk ka asgjë në kundërshtim me ligjin. Tarifat e diferencuara, të  cilat aplikohen shpesh në sektorin e telekomunikacioneve, nuk janë automatikisht ose në çdo rast konkurrencë   jo në merita. Siç shprehen edhe Geradin e O’Donoghue, konkurrencë në merita është përjashtimi i një konkurruesi më pak efiçent, por jo po efiçent sa ndërmarrja në pozitë dominuese.

Në përfundim, siç shtjellon edhe literatura ekonomike e përmendur në këtë shkrim, abuzimi me pozitën dominuese, thjesht për shkak të pranisë së tarifave të diferencuara, nuk është diçka automatike. Analiza e Autoritetit të Konkurrencës kërkon një hetim të thellë e të përpiktë mbi çështjen: “ç’efekte mund të ketë politika e çmimeve në fjalë e vënë në praktikë nga Vodafone mbi një operator po aq efiçent sa ajo?” Lipset, në këtë kontekst, kujdes e jo nxitim, si dhe një analizë ekonomike e thelluar dhe e gjithanshme, sidomos duke pasur parasysh thirrjet populiste që vihen re rëndom në media, në pritje të vendimit të Autoritetit.[2]

Desha të shtoj obiter e të sqaroj se interesi im është tërësishti shtyrë nga nevoja për të theksuar mangësi në disa reportazhe mediatike në fushën e konkurrencës dhe se nuk kam asnjë interes në këtë çështje, përfshirë asnjë konfikt të drejtpërdrejtë si juriste.

Autorja dëshiron të falënderojë për komente të dobishme mbi një draft të mëparshëm të këtij shkrimi Z. Eduard Alia LLM (European Commission) si dhe për diskutimet mbi literaturën ekonomike dhe precedentin Post Danmark, Prof. Phedon Nicolaides (Profesor i Ekonomisë së Konkurrencës Evropiane dhe Drejtor i Departamentit Ekonomik, College of Europe, Bruges), si edhe Prof. Luca di Mauro (European Commission, DG Competition, si dhe College of Europe, Bruges).  Po ashtu autorja falënderon Znj. Vjollca Dhimolea, redaktore letrare (Biblioteka Kombëtare). Opinionet e shprehura në këtë artikull janë personale. Të gjitha gabimet mbeten të autores.

I. Referenca bibliografike

Për përdorimin e tarifave të diferencuara “brenda dhe jashtë rrjetit” si një mënyrë strategjike për të rritur barrierat në hyrje në tregun e pakicës së telefonisë celulare, shih, midis të tjerave, Hoernig, S., On-Net and Off-Net Pricing on Asymmetric Telecommunications Networks, 2007, në Information Economics and Policy 19, 171-188; Lopez, A. & Rey, P., Foreclosing Competition Through Access Charges and Price Discrimination, 2009, IDEI Working Paper No. 570; Cabral, L. Dynamic Price Competition with Network Effects, 2009, IESE Business School Working Paper No. WP-843, University of Navarra; Calzada, J. &Valletti, T., Competition and Entry Deterrence, 2008, në The Economic Journal 118, 1223-1244; Stennek, J. &Tangerås, T., Intense Network Competition, 2008, NET Institute Working Paper no. 08-36; Harbord, D. &Pagnozzi, M. Network Based Price Discrimination and ‘Bill-and-Keep’ vs. ‘Cost-Based’ Regulation of Mobile Termination Rates, 2010, në Review of Network Economics 9 (1).

Nga ana tjetër, nuk mungon as literatura ekonomike që fokusohet mbi efektet prokonkurruese të çmimeve të diferencuara në sektorin e telekomunikacioneve. Shih, për shembull, Carter, M. &WrightW., Asymmetric Network Interconnection, 2003, në Review of Industrial Organisation 22-27-46; Laffont J.J., Rey P. & Tirole, J.,  Network Competition II: Price Discrimination, në RAND Journal of Economics 29 (38-56); Muck, J., The Effect of On-net/Off-net Differentiation and Heterogeneous Consumers on Network Size in Mobile Telecommunications – An Agent-based Approach, 2012; Gual, J., “Virtual private networks and the risk of price squeezes”, në: Moving the debate forward, The Vodafone Policy Paper Series, Number 8, April 2008, f. 3 e në vazhdim; Elliot, D. On/Off Net Differentials, Frontier Economics, 2004: http://www.frontier-economics.com/_library/publications/frontier%20paper%20-%20on-%20and%20off-net%20differentials%20-%20mar04.pdf.

Për literaturën më të fundit ekonomike në lidhje me tarifat e terminimit të thirrjeve, shih, midis të tjerave, Jullien, B.,Rey.P., &Sand-Zantman, W., Termination fees revisited (Mars 2012).

Mbi të ashtuquajturat “rrethe thirrjesh” dhe konkurrencën në tregun e pakicës, duke pasur parasysh se shumica e thirrjeve kryhet në një rrjet të vogël njerëzish (familje e miq), dhe për parashikimin se në këto raste konkurrence të bazuar mbi këto rrjete, midis të tjerave, çmimet brenda rrjetit do të jenë më të ulëta se ato jashtë rrjetit, shih më së fundmi, Valletti T., Inderst R., Hoernig S., 2013, Calling circles: Network competition with non-uniform calling patterns,në Rand Journal of Economics.

Si përfundim, për një studim mbi terminimin e thirrjeve në rrjet nga ana e rregullatorit të Mbretërisë së Bashkuar në sektorin e komunikimeve elektronike, Ofcom, shih Ofcom (2010), Wholesale Mobile Voice Call Termination, Market Review, Volume 2, Main Consultation.

 


[1] Shih referencat bibliografike, infra.

[2]http://www.sot.com.al/ekonomia/vodafon-n%C3%ABn-hetim-p%C3%ABr-grabitjen-e-qytetar%C3%ABve-autoriteti-i-konkurrenc%C3%ABs-nuk-shpall-vendimin. Ky artikull presupozon, duke u bazuar te shembulli francez, që teoria e dëmit mund të ishin çmimet diskriminuese dhe jo ato grabitqare.  Ai bazohet vetëm mbi informacionin e bërë publik e autorja nuk disponon mjaftueshëm të  dhëna për   të  hulumtuar nëse çmimet e aplikuara brenda rrjetit mund të  analizoheshin edhe nëpërmjet teorisë së dëmit të  çmimeve grabitqare

 

 

 

One Response to Çështja Vodafone: në pritje të përfundimit të hetimit të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës

  1. genci says:

    E nderuar autore- mendoj se shkrimi ka ane pozitive referencat e rasteve dhe gjeresine e argumentit por te gjitha keto zhbehen madje tejkalohen nga fryma pro vodafone…. e ke kuptuar dhe vete qe I ke sherbyer si avokature me ose pa pagese pak rendesi ka kjo kur ne paragrafin e fundit shkruan tere te verten e shkrimit…,, qe eshte e kunderta e asaj qe thua se ske asnje interes ne kete ceshtje,,, do shpresoja te ishte ndryshe dhe nese eshte keshtu duhet ra korigjosh shkrimin duke dhene pro&cons per ceshtjen…. ju zonje nuk shkruani si gazetare qe merrni persiper te korigjoni shtypin per pasaktesi ( nese do kishte shtremberime duhej qe kompania ose konkurrenca ta pergenjeshtronte) …, nese shkruani si juriste dhe e pandikuar nga kompania qe eshte hetuar dhe oret vendimin duhet te duroni sa te dale vendimi e me pas ta komentoni qofte dhe kaq hapur ne favor te vodafone .,,, ju pa dashje dhe me qellim po mundoni te ndikoni ne vendimin qe pritet per te cilin jane te interesuar shume kompani qofte dhe ajo qe thoni eshte ankuar,,, si juriste e te drejtes konkurences si do reagoint nese komoanite e fundit ne treg do falimentonin si pasoje e abuzimit te vodafone …, ? Do ju rekomandoja te lexoni nje shkrim te aghencise birn ku shkruhet se vodafone ka rreth 60 per qind te tregut ndersa konkurrenti I dyte me pak se gjysma e saj..,, 27 per qind… me keto te dhena si te duket ka pozite dominimi vodafone apo duhet ta kete gjithe tregun qe te quget..,, cfare te dhenash dispononi ju qe paragjykoni vendimin dhe mundoheni ta ndikoni kur thoni se diferencimi on net of net ka sjelle vendine me gjiba te renda ne evrope ( fr, sl, tur, ) por jo per vodafonin tend te dashur… besoj e dini ose mund tua thone mentaret tuaj se vd ka qene vete ankuesi per turcell per abuzim me pozite dominuese.., dhe nje verejtje te funfut.., mos spekuloni me referencat por jepini sic jane.., kur I referoheni ligjit shqiptar te konkurrences ja fusni kot me referencen per konsumatorin…ise cutoni sakte ku e gjeni kete reference se neni 9 qe citoni ska asnje fjale konsumatorin.., ose kerkoni ndjese e korigjoni shkrimin.., ligji shqiptar I konkurrences ka objekt mbrojtjen e konkurrences te lire dhe efektive….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.