Mikrondërmarrjet dhe SME-të përfitojnë, problem mbetet administrimi nga pushteti qëndror dhe çdo bëhet me taksambledhësit lokalë. Rëndohet vetëm biznesi madh me 15 % tatim-fitimi

Kur debatojmë për ngjarjet dhe gjërat, është mirë t’ja nisim nga përcaktimet. Taksat padyshim që janë çështja më e diskutueshme e fundvitit për shkak se në mënyrë direkte ose indirekte prekin thelbin e mirëqënies së individëve dhe ekonominë në tërësi. Sipas fjalorit juridik, taksa ka kuptimin e një ‘gjobe” të detyrueshme mbi individët ose firmat për të mbështetur shërbimet publike të qeverisë(qëndrore ose lokale) e vendosur me ligj. Pra, sipas përcaktimit nuk është një pagesë vullnetare apo donacion por një kontribut i detyrueshëm i vendosur nga qeveria. Në këtë pikëpamje është e kuptueshme që taksapaguesit do dëshironin gjithnjë e më pak taksa ndërkohë që ajo që ndryshon është qasja e qeverisë ndaj paketës fiskale.

Një qeveri në bazë të situatës makroekonomike dhe filozofisë së saj të ndërtimit të politikës fiskale paraqet për miratim një paketë ndryshimesh në taksa dhe tatime të cilat kërkojnë një shumicë të thjeshtë (mazhorancë) për tu miratuar duke nënkuptuar që vullneti i taksapaguesve është shprehur me votën e të zgjedhurve në Kuvend. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që qeveria e qëndrës majte do të zbatonte një sistem progresiv tatimor ndryshe nga ajo e mëparshmja (një qeveri-djthtas-majtas) që aplikoi sistemin e taksës së sheshtë. Deri këtu besoj se jemi brenda common sens (parimeve të gjithëpranuara) ndërkohë që thuajse të gjitha organizmat e biznesit e kanë kundërshtuar paketën fiskale parë në këndvështrime të ndryshme, si më mirë të rriten të ardhurat nga administrimi sesa bara fiskale, të mos ndryshojë tatim-fitimi, të mos hiqet tavani për sigurimet shoqërore, të lehtësohet industria rieksportuese etj…

Nuk është shumë trasparente reagimi i korportave të mëdha të cilat kanë marzhe fitimi relative dhe fitime absolute të mëdha dhe që duhet të tatohen me 15 në vend të 10 % për tatim-fitimin ndërkohë që tatimi mbi dividentin mbetet po 10 %. Në total efekti i këtij ndryshimi është rreth 100 milionë dollarë po të kemi parasysh relacionin e Komisionit parlamentar të ekonomisë që tatim-fitimi i paguar në shqipëri me taksën ekzistuese(10%) është 200 milionë $, pra me taksën e re(15%) do të jetë 300 milionë dollarë. Por edhe ky ndryshim nuk është progresiv por thjeshtë është rritur shkalla e tatim-fitimit me 5 %.

Pra, taksa progresive është aplikuar vetëm mbi të ardhurat nga paga dhe efekti neto në buxhet është negativ, pra thjesht zbatohet parimi kur gjeneron më shumë të ardhura paguan më shumë në mënyrë progresive deri në 25 % të të ardhurave nominale ose deri në 20 % si taksë efektive. Pjesa tjetër e paketës fiskale çka duhet të merte më shumë vëmëndje se tatimi mbi pagën është një zhvillim pozitiv për sipërmarrjet me vetëpunësim, mikrondërmarrjet dhe SME-të.

Sipas Ligjit Nr. 8957 , Date 17.10.2002 “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, ndërmarrjet klasifikohen në: mikrondermarrje, ndermarrje te vogla dhe ndermarrje te mesme. Mikrondermarrjet jane ndermarrjet te cilat punesojne deri ne 5 punonjes, ndermarrjet e vogla jane ndermarrjet te cilat: (a) punesojne 6 – 20 punonjes; (b) xhiroja ekonomike vjetore e tyre nuk kalon shumen 40 Mln Leke;(c) 100 per qind e kapitalit te ketyre ndermarrjeve zoterohet nga subjekte, te cilat, ne kuptim te ketij ligji klasifikohen si ndermarrje te vogla. Ndërkohë që ndermarrjet e mesme jane ndermarrjet te cilat: (a) punesojne 21 – 80 punonjes;(b) xhiroja ekonomike vjetore e tyre nuk kalon shumen 80 Mln Leke;(c) me pak se 25% e kapitalit te ketyre ndermarrjeve zoterohet nga subjekte, te cilat ne kuptim te ketij ligji nuk klasifikohen si ndermarrje te vogla dhe te mesme.

I vetmi sugjerim për paketën fiskale do të ishte një shkallëzim i barrës fiskale dhe mënyrës së administrimit sipas klasifikimit të mësipërm, mikrondërmarrje me kufi xhiro deri në 2 milionë, ndërmarrje të vogla me xhiro 2-4 milionë dhe ndërmarrje të mesme me xhiro 4-8 milionë lekë.

Në një shkrim të mëparshëm në Monitor kam theksuar se sfida e kësaj qeverie është të ndërtojë një klimë probiznes, pro-sipërmarrjes së re dhe pro-rritjes ekonomike dhe taksat e lehtësuara janë një nga instrumentet kryesore.

Çlirimi biznesit të vogël

Efekti real i paketës së re fiskale do të jetë në çlirimin e biznesit të vogël e të mesëm e në mënyrë të veçantë te mikrondërmarrjet të cilat kanë një xhiro vjetore jo më shumë se 2 milionë lekë. Pa hyrë në detajet e shifrave biznesi i vogël pritet të jetë i fituari i madh i paketës fiskale në rradhë të parë për shkak të ndryshimit të formës së administrimit. Personalisht në këndvështrimin e sfidës së të hyrave jam skeptik për centralizimin e mbledhjes së taksave të biznesit të vogël nga administrata qëndrore por po ta shohësh nga roli i sipërmarrjes është një lehtësim absolut. Biznesi i vogël nuk do të ketë më survejimin non-stop të taksidarëve lokalë por të gjitha subjektet, me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit, do të ketë një taksë fikse prej 25 000 lekë në vit. Nëse personalisht do të kisha një sipërmarrje një nivel absolut i tillë takse do të ishte krejt i përballueshëm dhe duhet të paguhej “me dëshirë” po t’i përmbahemi thjesht përcaktimit të taksës që bëra në krye të shkrimit. Nga relacioni i projektligjit, kjo taksë do të jetë taksë vendore, e cila do të mblidhet nga administrata tatimore qendrore për llogari të administratës lokale.

Në ditët e fundit pushteti vendor, kryesisht i kontrolluar nga opozita, e ka kundërshtuar formën e administrimit dhe vakuumin që krijon heqja e të drejtës së mbledhjes së kësaj takse. Por qeveria mendon se biznesi i vogël nuk meriton të përqaset më në dy administrata tatimore, për të cilat paguan për të njëjtin aktivitet 2 lloje taksash, por do të paguajë vetëm një tatim. Ekspertët e Ministrisë së Financave thonë se përveç tatimit më të ulët, më pak kohë fizike dhe kosto monetare duhet të harxhojë kjo kategori biznesi. Qeveria e pranon se ka një efekt negativ në të ardhurat e qeverisjes vendore rreth 2 miliardëlekë, që do t’i kompensohet me tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, në masën 1.2 miliardë lekë, të cilat do t’i mbledhë administrata tatimore qendrore për llogari të pushtetit vendor dhe 700 milionë lekë nga rritja e transfertës së pakushtëzuar.

E paqartë mbetet zgjidhja e armatës së taksambleshësve lokalë në Bashki dhe komuna dhe për këtë arsye ndoshta një zgjidhje më oportune do të ishte që kjo paketë fiskale të ndryshohej në këtë formë por adminstrimi t’i mbetej pushtetit lokal për shkak se e ka më të qartë hartën e bizneseve dhe e kontrollon më nga afër territorin. Zgjedhja e administratës qëndrore mund ta cojë procesin në një një zgjedhje vullnetare të biznesit të vogël për t’i paguar taksat, qofshin dhe 25 mijë lekë në vit sa çështë vendosur.

Sfida e vertëte e sistemit të ri të taksimit do të jetë biznesi mesëm, pasi shumë sipërmarrje do të synojnë të ulin tavanin e xhiros. Ndryshimi me 200 % i tatimit mes bizensit të mesëm dhe atij të madh(respektivisht 7.5 dhe 15 %) do të rrisë presionin të bilanchartuesit për të ulur kufijtë e xhiros ose për të gjetur forma të reja të organizimit të biznesit si psh ndarja në dy tre NIPT-e apo krijimi i shoqërive të reja duke mbyllur ato ekzistuese. Kufiri i xhiros 8 milionë lekë në vit do të synohet kuptohet nga biznese që kanë një xhiro të përafërt për të ulur fiktivisht nivelin e të ardhurave por edhe ndërmarrje të mëdha mund të krkojnë ta çojnë nivelin e qarkullimit nën këtë limit.

 

One Response to Paketa fiskale, Pro-Biznes

  1. Igli says:

    Me gjithe respektin per njohurite qe autori ka mbi shifrat e mesiperme, do te thoja se e gjithe kjo teori nuk vlen perderisa kemi te llogaritur perafersisht 60% informalitet. Per te bere nje krahasim pak banal por besoj te kuptueshem:
    Taksapaguesit e ndershem, qofshin keto biznese te medha apo individe me te ardhura te konsiderueshme, tanime do te paguajne apo gjobiten (meqe ju pelqen termi) edhe per te gjithe ato subjekte (rreth 60%) qe bejne evazion fiskal, njesoj si qytetaret qe paguajne energjine elektrike me cmim te kripur per te mbuluar te gjithe ato qe nuk hedhin asnje kacidhe per kete sherbim.
    Kjo qeveri nuk duhet te merret me gjeagjeza matematikore por t’i vihet punes per te ulur evazionin. ju siguroj qe te ardhurat ne buxhetin e shtetit do te ishin disa fish me te larta.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.