iStock_000005149757XSmallStrukturat e tregjeve, pagesa dhe trasmetimit i akcizës në çmime dhe një propozim kur duhet paguar akciza

Duke ju përmbajtur kriterit që analizat ekonomike duhet të fillojnë nga përcaktimet e sakta, që në krye të herës biem dakort që akciza është një taksë indirekte që vendoset kryesisht mbi produktet që kanë kërkesë të fortë në treg. Kjo nënkupton që kërkesa për këto produkte është thuajse inelastike dhe konsumi i këtyre produkteve nuk ndryshon ndjeshëm me rritjen e çmimit si pasojë e rritjes së akcizës. Ligji Nr. 61/2012, ndryshuar me ligjin Nr. 121/2012 “Për akcizat” përcakton se “Akciza”(për lehtësi këtu e në vijm i referohemi Ligji) është një taksë që aplikohet mbi produktet e akcizes si,  produktet  energjitike(karburantet), alkoolin dhe pijet alkoolike(tashmë dhe ato energjike), duhanin dhe nënproduktet e tij të prodhuara dhe të importuara, që hidhen për konsum në territorin e Shqipërisë. Prej datës 01 tetor 2012 administrimi i akcizës është transferuar nga Administrata Tatimore në Administratën Doganore gjë që ka ndryshuar mënyrën e administrimit.

Debatet si janë reflektuar taksat

Hyrja në fuqi e paketës së re fiskale që nga data 1 janar 2014 ku ndryshuan akcizat dhe/ose taksat për produktet me kërkesë të fortë si karburanti, cigaret, pijet alkoolike përfshirë dhe ato energjetike ishte e pritshme të prekte çmimet finale të këtyre produkteve. I rikthehemi teminologjisë ku gjerësisht pranohet se  akciza është një taksë indirekte që do të thotë se prodhuesi/shitësi i cili ja paguan këtë taksë qeverisë është e pritshme të përpiqet tja kalojë këtë taksë konsumatorit duke rritur çmimin.

Debatet në media kohët e fundit lidhen me pikëpyetjet nëse masa e trasmetuar në çmimet përfundimtare e tejkalon apo jo masës e taksës/akcizës së rritur?(Megjithëse në media nuk kanë munguar shkrime edhe nga autorë të njohur të politikës dhe akadmisë, për aq sa kam lexuar, gjithçka mbetet në zhargonin që ta thonë të gjithë në rrugë, Facebook e kafene se “në Shqipëri reflektohet menjehëre rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndërsa nuk reflektohet, pra nuk ulen kur bien çmimet në tregjet ndërkomëbtare”.

Pyetja si janë reflektuar taksat/akcizat në zinxhirin e vlerës(prodhim/import, shumicë, pakicë) për mendimin tim modest mund të marrë dy përgjigje. Një të thjeshtuar që vjen direkt nga çmimet në treg ku dukshëm çmimet e cigareve janë rritur mbi masën e akcizës së rritur, karburantet kanë reflektuar në përgjithësi të njëjtin marzh rritje mes çmimit final dhe akcizës ndërkohë që kafeja dhe pijet alkoolike duken tregje më konkurruese dhe trasmetimi i paketës fiskale ose do të jetë më i zbehtë ose do t’i japë efektet në një gjatësi më të vonuar vale. Përgjigja më e komplikuar lidhet me analizën e strukturës së tregjeve dhe si dhe pse tregje përkatëse të ndryshme të produktit, reflektojnë në shkallë të ndryshme ndryshimet e taksave dhe akcizës në çmimet finale. Dhe kjo analizë duhet gërshetuar me mënyrën e trasmetimit të taksave dhe akcizës në gjithë hallkat e zinxhirit të vlerës.

Importet “boom” të dhjetorit

Një debat tjetër në media lidhet me rritjen artificiale të importeve të mallrave të akcizës në muajin dhjetor 2013 për shkak se do të rriteshin taksat dhe akcizat në janar 2014. Këto importe “boom” rritën edhe realizimin e planit të doganave duke çuar në tejkalimin e tij pavarësisht se Doganat e kishin analizën mbi bazë tremujore për ta shtrirë efektin në një periudhë më të gjatë kohe. Sqarimi i kësaj çështje lidhet me mënyrën e taksimit dhe mbledhjen e akcizës për produktet me kërkesë të fortë që i nënshtrohen regjimit të akcizës, pra kur duhet ta paguajnë akcizën mallrat në momentin e zhdoganimit apo në momentin e hedhjes në treg, apo realizmit të shitjes me shumicë apo në momentin kur produkti kalon te konsumatori përfundimtar. Ligji përcakton në dy nene të veçanta  “lindjen e detyrimit për akcizë”. Në nenin 4 përcaktohet se për mallrat e akcizës detyrimi i akcizës lind në momentin e hedhjes së mallit për konsum në territor me një sërë sqarimesh se cilat konsiderohen hedhje për konsum në territor[1].

Ndërkohë që në nenin vijues, “Momenti i lindjes së detyrimit të akcizës në import”, specifikohet se në rastet e importit të mallrave të akcizës, detyrimi i akcizës lind në momentin e lindjes së borxhit doganor, sipas përcaktimeve përkatëse të Kodit Doganor, me përjashtim të rasteve kur detyrimi i akcizës pezullohet sipas dispozitave të këtij ligji.

Rasti i rritjes së akcizave nga 1 janari 2014 parashikohet pikërisht në pikën 2 të nenit 5, se “në rast të iniciativave për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 20 për qind më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës”.

Pra, ligji e ka specifikuar qartë se në dhjetor 2013 boom-i i importeve sipas subjekteve duhet të kufizohej deri në 20 % më shumë se dhjetori 2012 dhe nëse Doganat e kanë respektuar këtë kufi s’ka asgjë për t’u çuditur për rritjen e importeve në dhejtor. Nëse jo, duhen ndarë përgjegjësitë administrative dhe mbi importuesit.

Gjithësesi për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje, që duket e vështirë në mënyrën e administrimit të akcizës nga doganat, do të ishte më e drejtë që gjithë bara fiskale përfshirë akcizat të aplikohej në momentin e hedhjes së produktit në treg.

Task force, analizë apo gjoba aforfe?!

Për këtë arsye është shumë i nxituar dhe i pamenduar nga ana e ekspertëve, analistëve apo reportëreve një konkluzion se “nuk duhet të ngrihen task forcë” me batutën se ‘nëse nuk do të zgjidhësh një punë krijo një komitet”?  Nëse do shtronim një pyetje teorike për të kundërtën, si e mendojnë këto akademikë/politikanë/gazetarë ndëshkimin e shtetit pse janë rritur çmimet në tregjet (të liberalizuar dhe të parregulluar) me prerje gjobash aforfe?! Absolutisht jo, s’mund të funksionojë kështu. Shteti ka strukturat dhe instrumentat që të mbrojë konsumatorin, sigurisht dhe biznesin, por për çdo sjellje që duhet të ndëshkohet sigurisht që duhet të ngrihen grupe ekspertësh, task-forcë në rastet kur kërkohen përgjigje të shpejta dhe për çështje të përkohshme.

Për këtë arsye të gjitha strukturat dhe organet publike po mbikëqyrin tregun (inspektoriatet dhe autoritetet e mbikëqyrjes së tregut), duke evidentuar ndryshimet e çmimeve në çdo hallka të tregut, për të parë abuzimet e mundshme sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi që sigurisht nuk janë miratuar në tre muajt e fundit por janë në zbatim prej vitesh. Kështu organet fiskale po evidentojnë si dhe sa janë pasqyruar në regjistrat dhe librat e shitjes këto çmime të rritura dhe a është paguar e gjithë barra fiskale për to, inspektoratet e kontrollit të cilësisë po shohin nëse po respektohen standartet e cilësisë dhe sasisë(kryesisht te karburantet) etj

Nga pikëpamja e mbikëqyrjes së tregut do të analizohet dominimi(nëse ka) i tregjeve përkatëse i cili në vetvete nuk është i ndaluar nga legjislacioni i konkurrencës por duhet parë nëse është abuzuar me këtë dominim. Shpesh dëgjojmë “monopolet” në zhargonin e komunikimit publik që përdorin mediat por edhe politikanë-ekspertë të ekonomisë megjithëse e dinë se nuk është i saktë pasi në asnjë nga tregjet ku zbatohet akcizë nuk ka një shitës të vetëm=monopol apo subjekte që kanë mbi 90 për qind të tregut-quasi monopol. Një tjetër pistë e analizës është sjellja e ndërmarrjeve në tregjet përkatëse(pra konkurrentëve) nëse kanë koordinuar duke fiksuar çmimet apo rritjet e çmimeve kanë qenë individuale. Ndaj dhe përgjigja është më mirë një masë ndëshkimore e vonuar(sigurisht sa më shpejt është e mundur) por e drejtë nëse do të ketë abuzime sesa një gjobë e shpejtë por aforfe.

 


[1] a) dalja, përfshirë edhe daljen e parregullt, e produkteve të akcizës nga një regjim i pezullimit të detyrimeve; b) mbajtja e produkteve të akcizës jashtë një regjimi pezullues të detyrimeve, ku akciza nuk është vjelë sipas këtij legjislacioni; c) prodhimi, përfshirë edhe prodhimin e parregullt, i produkteve të akcizës, jashtë një regjimi të pezullimit të detyrimeve; ç) importi, përfshirë edhe importin e parregullt, i produkteve të akcizës, me përjashtim të rastit kur produktet, menjëherë pas importit, janë futur nën një regjim të pezullimit të detyrimeve. 3. Moment i hedhjes për konsum është gjithashtu: a) momenti i dërgimit të produkteve të akcizës nga një depozitues i miratuar drejt një personi juridik ose fizik, që nuk është i autorizuar të presë mallra akcize nën regjimin e pezullimit të detyrimeve; b) momenti i prodhimit të produkteve të akcizës përtej sasive të parashikuara në nenet 66 e 73 të këtij ligji; c) momenti i konsumimit të produkteve të akcizës për qëllime vetjake brenda ambienteve të magazinës fiskale; ç) momenti i krijimit të humbjeve apo firove të produkteve të akcizës, me përjashtim të humbjeve dhe firove të shfaqura gjatë periudhës së pezullimit të detyrimeve, nëse depozituesi i miratuar mund të provojë që këto humbje apo firo kanë ardhur si rezultat i një ngjarjeje të paparashikuar ose force madhore, ose që këto humbje a firo të lidhura në mënyrë të pandashme me karakteristikat e produktit janë shfaqur gjatë prodhimit, magazinimit dhe transportit të produkteve të akcizës; d) dita kur autorizimi i depozituesit të miratuar ose autorizimi i përjashtimit nga detyrimi i akcizës pushojnë së qeni të vlefshëm, sipas dispozitave të këtij ligji; dh) momenti kur pritësi i regjistruar merr mallra akcize nën regjimin e pezullimit të detyrimeve, sipas nenit 30 të këtij ligji

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.