101154358-Chinese yuan.530x298

“Le invisibili monete faran trionfare molti spenditori di quelle.” (Leonardo Da Vinci)

Ekonomisti i preferuar i Ronald Reagan (që e quante shpesh edhe ‘heroi im’), Frederic Bastiat, kishte si moto në epokën e tij që ‘ka gjithmone diçka që ne shohim dhe diçka që ne nuk shohim’. Imagjinoni për një çast, një person që bie në gjumë në vitin 1790 dhe zgjohet në 1820, në një botë ndryshe (pa Napoleon e me një Angli dominuese, një Amerikë me një formë të re qeverisëse …), mendoni, bie në gjumë në 1890 e zgjohet në 1920 (pa dominantët austro-hungarezë, otomanë, rusë dhe krijimin e BS-së, ngritjen e Japonisë dhe dominimin e ShBA-së…), mendoni, bie në gjumë në 1990 e zgjohet në 2010 (një Pentagon që shqetësohet për Kinën dhe jo për BS-në që nuk ekziston, me një Europë ndryshe duke kërkuar borxh nga Kina, me një botë arabe në revoltë …). Kur ndryshimet keq-diagnostifikohen, keq-kuptohen apo keq-komunikohen, atëherë rezultati mund të jet shkatërrues. Gjithë shekulli XX-të, me fashizmin, komunizmin, genocidet masive e luftrat, dëshmon këtë të vërtetë të hidhur. Këtu është vendi që të ndërhyjnë edhe studimet ekonomike, sepse – siç thoshte i nderuari Bastiat – “Nëse në kufij nuk qarkullojnë mallra, ushtritë do u zenë vendin.”

Tendenca globale e dekadës së fundit që dominoi antazhet makro në shumë shtete, mes të cilëve edhe Shqiperia në peshën e vet të firosur, ishte ai i arbitrimit mbi koston e lirë të punës. Dihet që vendet aziatike, Kina kryesisht, kanë bërë ‘rolin e luanit’. Duket se edhe këtij avantazhi kompetitiv po i vjen fundi. Arsyeja ?! Është “Robolution”! Zhvillimet e fundit në teknologjinë e robotëve, kryesisht mbi softweare-t, po i transformon ata nga veprues automatik në autonom. Po ashtu, cilësia është në rritje dhe çmimet në ulje vazhdimisht të ndjeshme, me të gjitha gjasat edhe në të ardhmen. Japonia në këtë industri kërkon leadership-in, të mëdhenjtë e tjerë nuk po bëjnë sehir. Le të themi që dekada që vjen do të jet boom-i i robotikës, me pasoja të forta anësore papunësie në industri të ndryshme . Kështu që, nën optikën e kostos së lirë të punës, në paraqitje të teknologjive të avancuara, të sekreteve industriale dhe të kapitaleve, s’ka përse vendet e zhvillura të fokusojnë ende prodhimin në vendet në zhvillim, ku distanca, infrastruktura, kapitali njerëzor i kualifikuar apo cilësi të tjera sistemike janë më pak kompetitive. Gjithë kjo zhvendosje e mundshme ofterte pune do krijojë në vendet në zhvillim një zbrazëti ekonomike që dikush po kërkon ta mbushë akoma më frytshëm, informacione të tilla mbahet nën “hije”. Në qoftë se revolucioni industrial shumfishoi forcën fizike të njeriut, Interneti po shumfishon forcën e intelektit të tij.

Pesë faktorët përcaktues të investimeve direkte

Pesë faktorët kyç, ku secili faktor mund të jetë përcaktues në investimet direkte janë: kostoja e punës, kostoja e truallit, kostoja e shtetit, kostoja e energjisë dhe ajo e kapitalit. Meqenëse deri tani vendimet mbi investimet reale janë dominuar nga marzhi i krahut të lirë të punës, me robolucionin në ardhje në shumë sektorë, c’do të ndodhte nëse faktori vendimtar në investimet direkte do spostohej tek kostoja energjisë me të cilën “ushqehen” këta robotë ? Tek energjia ShBA-ja ngelet pikë kyçe, jo vetëm pse bën “xhandarin” e botës edhe në emër të naftës dhe kuotimit të saj në U$D, por sepse ka edhe një “as nën mëngë”. Le të themi që ka një avantazh ‘Rikardian’, ka rezerva të majme nëntokësore në naftë e gaz (Shqipëria, gjithashtu) , nën truallin amerikan, që tani ka vendosur t’i shfrytezojë në kapacitetin normal me kosto shumë të ulët. Këto rezerva jo vetëm ndryshojnë interesat e saj gjeoekonomike dhe vektorët e forcave në skakierën globale, por fatmirësisht mund të stabilizojnë edhe çmimet e naftës dhe derivatet e saja. Deficiti tregtar amerikan nga viti 2007 është në rënie nga kjo ulje importi nafte, si pasojë del edhe më pak monedhë rezervë U$D jashtë saj, ku kërkesa nuk mungon.

Po Kina si po reagon në këtë kontekst ?

Njohësit e mirë të Kinës dhe Japonisë shprehen që Kina është një vend kapitalist që i është imponuar socializmi, ndërsa Japonia një vend socialist që i është imponuar kapitalizmi. Thuhet që protestat e Tienanmen-it në 1989 nuk erdhën nga shtysa për demokraci, por nga presioni i një inflacioni të lartë, ashtu si dhe fillim-protestat në vendet arabe. Tre janë vijat orientuese të Kinës:

i) ekonomia duhet të bëhet progresivisht eficiente me rritje GDP-je;

ii) shteti duhet të mbajë rolin e pronësisë substanciale në ekonomi (rreth 35% te GDP-së);

iii) kontroll absolut i sistemit politik nga partia e vetme.

Pra Kinës i shkon kjo natyrë, në formë e përmbajtje, kompakte dhe efikase, pa komplekse të tjera. Ajo që bën Kinën unike sot, është që udhëheqësit e saj zgjohen çdo mëngjes duke reflektuar si të kthejnë vendin e tyre në ekonominë e parë botërore dhe në një superfuqi gjeopolitike (objektiv i fortë vitet në ardhje), në të drejtën e saj. Dihet që ekonomia kineze në 20 vitet e fundit ka bërë hapa gjigandë, aktualisht në ftohje të përkohshme, por akoma larg potencialit natyror të saj. Ka një axhendë të përditësuar agresive e cilësore në gjeopolitikë e gjeoekonomi si dhe në mbajtje të ekulibrave të brendshëm për një jetë më të mirë, në sintoni me kulturën dhe historinë e vet. Konjuktura aktuale ekonomike globale po i jep hapësirë për zgjerim të heshtur me financime dhe eksporte, të cilët po transformohen nga produktet e konsumit tipik ‘Made in China’ në produkte teknologjike e industriale, në një mori sektorësh, me marzh fitimi e cilësi më të lartë.

Më 1971, me shembjen e Bretton Woods, bota kaloi në sistemin e U$D vartësisë. Tregohet që atë kohë, Sekretari i Thesarit amerikan, John Connally, u bëri një batutë thumbuese europianëve, tha që “Dollari është valuta jonë e problemi juaj”. Mund të ketë qenë një shtysë e fortë për Deutsche Mark-un e një ekonomie të shëndetshme si ajo gjermane, të marrë një rol referues prestigji në Europë, deri sa lindi Euro. Sot, ekonomitë e sëmura të vendeve të zhvilluara, edhe pse me politika monetare agresive espansioniste, nuk po ringjallin ekonominë reale. Paradoksalisht, shihen edhe tendenca deflacioniste, një fenomen akoma më i urryer për një Bankë Qendrore dhee besoj që kjo vjen nga shpejtësia e ulët e qarkullimit të monedhës, fenomen që shpjegohet mirë në studimet e Irving Fisher-it (M*V = P*Q).

Shtrohet pyetja, është e panatyrshme dhe obiektivisht e kundërshtueshme që një ekonomi me peshë dhe rezerva valutore gjiganteske, si ajo kineze, që tenton të jetë ekonomia e parë e globit në të ardhmen, të ndërkombëtarizoj monedhën e saj zyrtare CNY(renminbi ose yaun), ashtu si dhe U$D-ja (me të cilën ka lidh luhatjen nga 2005-a dhe është e nënvlerësuar), Euro apo Yeni japonez ? Çfarë shprehin të dhënat e fundit rreth kësaj monedhe “të panjohur”?

Të krijosh një bursë cilësore ndërkombëtare nevojiten dekada të tëra, ‘fati’ do që Kina e izoluar deri vonë të ketë dy “trampolina” financiare ndërkombtare si Hong Kongu dhe Singapori, pa lënë pas të tjerat brenda kufijve. Në Hong Kong tregu obligacionar Dim Sum Bond, në renminbi, është realitet në rritje. Alternativë tjetër financimi në monedhë kineze është shteti kinez me BQ-në e tij. Nga 2009 tregtia e jashtme në renminbi ka arrit në 15%, pritet në 2014 të arrijë ne 25% të totalit të saj me botën. Qeveria dhe sipërmarrjet kineze po përdorin direkt monedhën e tyre për financime dhe projekte të ndërtuara prej tyre, veçanërisht në tregjet e saj më të prekshme në kërkesë e ofertë, në vendet në zhvillim, ku Shqiperia bën pjesë.

Kohët e fundit kemi vëne re interesin kinez për investime e financime jo te vogla(për ne), si ai i shprehur për Rrugën e Arbërit, aks i një rëndësie të nënvlerësuar, jo vetëm për Dibrën, por për mbarë shqiptarët. Politikbërsit e Tiranës, pa prishur ekuilibrat kontinentalë dhe pa i quajtur ‘vëllezërit tanë kinezë’, duhet të jenë shumë të ndjeshëm në diversifikimin e portofolit të investimeve të huaja direkte, ndaj kësaj qasje gjeoekonomike kineze. Dihet që paraja ka dy çmime, normë interesi dhe kurs këmbimi, kështu që, pse jo, kredi (të buta) edhe në valutë kineze. Mundësisht, në kursin aktual të këmbimit, të bllokuar përgjatë shlyerjes, sepse renminbi sot mbahet i nënvlerësuar për stimuj eksporti e nuk dihet deri kur. Gjithashtu, këshillohet që edhe aktivitetet ekonomike private të konsiderojnë mirë edhe këtë monedhë në portofol.

 

 

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.