[ File # csp9770127, License # 1813649 ] Licensed through http://www.canstockphoto.com in accordance with the End User License Agreement (http://www.canstockphoto.com/legal.php) (c) Can Stock Photo Inc. / filmfotoNë një botë gjithnjë e më konkurruese që ndryshon me shpejtësi, natyrshëm lind pyetja se çfarë mund e duhet bërë për të përballuar sfidat e për të shtyrë përpara ndryshimet pozitive  për t’u dhënë zgjidhje këtyre ose atyre sfidave edhe në vendin tonë ?! Si mund të përdoren burimet e të gjitha llojeve nga ato humane deri tek pasuritë nëntokësore e mbitokësore, në mënyrë efiçente që t’i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social të vendit tonë, duke u përdorur njëkohësisht me drejtësi, në dobi të së sotmes por dhe të ardhmes, në dobi të njerzve dhe fëmijve tanë e jo në dëm të tyre?!

Ndërsa nga njëra anë zhvillimi si kudo dhe tek ne në fund të fundit është i pandalshëm, nga ana tjetër nuk mund të mos vësh re rezistencën ndaj ndryshimeve e rrugëzgjidhjeve  të mundshme pozitive.

Nuk mund të mos shohësh dukuritë e mosreflektimit, mosreagimit të duhur, ndaj problemeve të ndryshme që determinojnë zhvillimin ekonomik e social të vendit, qoftë edhe nga njerëz të veshur me pushtet dhe që kanë interesa të drejtpërdrejta apo të tërthorta për çështjet në fjalë, por deri tek ata njerëz që nuk kanë interesa të ngushta lidhur me këtë ose atë problem ekonomik dhe u duhet të ndryshojnë ose shtojnë vetëm disa klikime në kompjutër, krahasuar me praktikat e mëparshme të punës së tyre. Megjithatë nuk janë të gatshëm të bëjnë qoftë edhe një ndryshim kaq të vogël pozitiv. Për më tepër reagohet, jo në drejtimin e duhur, pse jo në të kundërtën duke harmonizuar qëndrimin obllomovist me një fare nastradinizmi ballkanas, se ku ka ngulur shkopin Nastradini është qëndra e botës. Le të jem më konkret….

Në vitin 2008, kur u bë evidente kriza financiare–ekonomike botërore që shpërtheu fillimisht në SHBA  e u shtri më pas gjerësisht në Europë, sidomos në Greqi, Itali, Spanjë etj, kjo çështje u trajtua edhe në vendin tonë jo pak, në Tetor të atij viti por dhe gjatë vitit 2009. Nëse shfleton kronikat e kohës do të gjesh trajtesa të posaçme të kreut të Qeverisë apo kreut të Bankës së Shtetit, të ekonomistëve më në zë, mbi krizën ekonomike financiare në botë dhe mbi efektet e saj të pritshme edhe në vendin tonë. Shumëkush ka pranuar se ne kushtet kur ekonomia shqiptare është e integruar me botën, efektet e krizës nuk mund të mos shfaqeshin edhe tek ne. Tjetër gjë është shkalla, koha e realizimit të këtyre efekteve dhe ndikimeve. Objekt i këtij shkrimi nuk janë qëndrimet e politikanëve.

Për rrjedhojë po ndalem vetëm tek qëndrimi i pjesës tjetër të shoqërisë. Dhe brenda këtij kuadri nuk po ndalem në këndvështrim dhe metodën normative të trajtimit të dukurive  ekonomike, se si duhet të jenë gjerat, si dëshirojmë të zhvillohen dukuritë ekonomike. Personalish jam i mendimit se si në art e kulturë ku shijet janë të larmishme, siç ka stigmatizuar John Steinbeck:

-“ … një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione sa ka lexues. Kushdo merr atë çka do prej saj, dhe për rrjedhojë ndryshon matja e saj. Disa veçojnë këtë ose atë pjesë dhe mohojnë pjesën tjetër, disa e infiltrojnë ndërmjet këndvështimeve dhe paragjykimeve të tyre “,

edhe qëndrimet ndaj dukurive ekonomike janë të larmishme. Këtij këndvështrimi normative zor se i shpëton kush.

Por këtu e kam fjalën vetëm për metodën pozitive, të këndvështrimit të dukurive ekonomike, që fokusohet në atë se si ishte, si është kjo apo ajo dukuri ekonomike?( psh Cilat janë 10 produktet më kryesore të eksportit ?) Sipas vëzhgimeve të bëra, për fat të keq gjatë proçesit të mësidhënies së ekonomiksit apo shkencave ekonomike në tërësi këto aspekte metodike nuk marrin vemendjen e duhur, ndonse mund të jenë parashikuar në programet mësimore dhe janë të shtjelluara në tekset në përdorim. Natyrisht edhe gota përgjysëm mund të lexohet gjysëm plot apo gjysëm bosh, por përgjigja e pyetjes se sa litra është kjo përgjysëm e shishes për të cilën bëhet pyetja, nuk mund të jetë e larmishme si në shijimin dhe vlerësimin e librave, siç ka stigmatizuar John Steinbeck, duke pretenduar ky është gjykimi im personal, se përgjigja mund të jetë po aq e larmishme, megjithse përdoret i njëjti instrument e njësi matjeje.

Nga analizat e kryera nga ekonomistët në vitet 2008-2009 u bë evidente se kriza ekonomike nuk ishte një mori ngjarjesh të veçanta dhe të shkëputura, as vetëm një krizë e kredive të këqia në SHBA, apo një krizë e borxhit publik si në Greqi. Një element kryesor i saj ishte dhe mbetet rritja e kostove të burimeve të energjisë, karburanteve dhe energjisë elektrike me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomisë edhe në vendin tonë. Natyrshëm ka lindur pyetja e thjeshtë e karakterit pozitiv: -Sa ka qënë kostoja apo çmimi i karburanteve në këtë kohë apo atë kohë? Mjafton të mbahet parasysh se sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, psh në vitin 2002 vlera (çmimi Cif ) i 1 kg karburanti të zhdoganuar pa tatim taksa ishte 30.8 lek, ndërsa në vitin 2008, arriti nivelin e 78 lek për kg, me një rritje prej 2.53 herë. Pas një rënie në vitin 2009, ky nivel u rrit akoma më tej dhe përbën një nga dukuritë dhe problemet kryesore ekonomike që duhet njohur por dhe zgjidhur, nga gjithë aktorët ekonomikë:-biznesi-sipërmarrsit, qeveria-shteti, konsumatorët.

Se cili ishte apo është ndikimi i kësaj ngjarje ekonomike në zhvillimet ekonomike të vendit në përgjithësi apo ofertën agregate dhe studentë të vitit të parë Juridik, në lëndën Hyrje në Ekonomi, në masën mbi 95 % janë përgjigjur dhe përgjigjen në vazhdimësi, se kjo dukuri ka efekte në rrudhjen e ofertës agregate, dhe e zhvendos kurbën e ofertës aggregate majtas, duke ngadalësuar ritmet e rritjes të prodhimit të brendshëm bruto, duke rritur kostot e prodhimit. Në të njëjtën kohë megjithse student fillestarë nuk mungojnë të shtojnë se biznesi apo qeveria duhet të marrin këto ose ato masa për ta minimizuar ose eleminuar efektet negative të rritjes së çmimeve të produkteve çmim formues. Natyrisht kur vjen çështja për të trajtuar pyetjen, se:  Si mund të shpëtohet nga ky efekt negativ, cilat do të ishin masat më të mira në rafshin ekonomik (jo politik) për të minimizuar këtë ose atë ndikim negativ të kësaj rritje të çmimit të karburanteve, ka vështirësi ose paqartësi. Natyrisht kjo nuk është herezi, përderisa dhe midis Qeverisë qëndrore dhe Bashkisë së Tiranës ka qëndrime të ndryshme se si duhet reaguar ndaj çmimit të biletës së shërbimit urban në Tiranë.

Por, duke u rikthyer tek rritja e çmimit të karburanteve në tregun ndërkombëtar, ajo që të bën përshtypje është fakti se deri në vitin 2009, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) në botimin e Buletimi Fiskal, në sythin –Mallrat kryesore të akcizës, publikonte jo vetëm sasinë e karburanteve të çdoganuara, por edhe vlerën e tyre (për rrjedhojë dhe çmimin për njësi) dhe të ardhurat doganore të siguruara. Ndërsa me shfaqen e krizës ekonomike botërore me ndikime të drejtpërdrejta edhe në vendin tonë, ndërsa pritej që të nxitej debati konstruktiv, ekonomik se cili duhej të ishte qëndrimi i agjentëve ekonomik ndaj kësaj dukurie, DPD hoqi dorë nga publikimin e treguesve të fundit, pra sa ishte vlera e karburantit të zhdoganuar dhe të ardhurat doganore të siguruara, duke publikuar vetëm sasinë e karburantit të zhdoganuar.(paradoksalisht ashtu si tek Murtaja e Kamysë) Në këtë mënyrë u shmang dhe trualli i debatit dhe vetë debati konstruktiv dhe ju vu bryli mendimeve dhe alternativave ekonomike se si duhet reaguar dhe cilat janë rrugët më të mira për të shmangur pasojat e rritjes së kostos së karburantit ?!

Në vend të tyre u hap drita jeshile tregut elektoral, për subvencionimin e karburantit, në sera, peshkim, bujqësi, transportin urban… Subvencionet janë një karem mjaft i mirë, për vota. Kjo bëhej dhe u bë jo vetëm në vitin 2009, kur bilanci korrent fiscal i buxhetit të shtetit ishte me sufiçit jo të vogël e që në fund të fundit lejonte e mundësonte politikisht qoftë edhe këtë treg eletoral por dhe në vitin 2013 kur bilanci korrent fiscal është me deficit. Të ardhurat e buxhetit nuk mbulojnë as shpenzimet korrente, pa bërë fjalë për principalin e borxhit apo shpenzimet kapitale-investimet publike. Në çdo rast politikat rishpërndarse subvencionuese, përderisa të vazhdojë bilanci korrent fiscal i buxhetit të Qeverisë, aktualisht në Shqipëri mund të bëhen veçse duke marrë borxh.

Drejtoresha e re e DPD do i bënte një shërbim jo të vogël zhvillimit të mendimit ekonomik por dhe zhvillimit ekonomik të vendit qoftë edhe më një përmirësim shërbimi shumë të vogël:- Tek Buletini Fiskal i Doganave, të publikojë jo vetëm sasinë e mallrave të akcizës por dhe vlerën e zhdoganimit dhe atë të të ardhurave doganore, ashtu siç është bërë deri në vitin 2009.

Shoqëria do s’do, do të shkonte drejt debatin konstruktiv për gjetjen e rrugëve më të mira se si duhet reaguar ndaj faktit se nëse në vitin 2002, çmimi i zhdoganimit ishte 30.8 lek, ndërsa në vitin 2012, arriti 112.9 lek për kg ose ka pësuar një rritje prej 3.66 herë. Kushdo duke parë se çmimi mesatar i karburanteve të zhdoganuara për vitin 2013, ishte mesatarisht 105.7 lek për kg, mund të nxjerrë përfundime shumë të qarta si ndaj politik qeveritare, për rritjen e tatim taksave mbi karburantet, por dhe mbi pretendimet e operatorve të transportit urban qytetas për ta rritur çmimin e biletës, nga 30 lek, në 50 lek e deri tek 70 lek.

Si përdorues i shërbimin urban në Tiranë e ftoj personalisht znj.Spiropali të bëjë këtë ndryshim pozitiv në dobi të qytetarve. Natyrisht vlerat e këtij ndryshimi mikroskopik në sherbimin e ofruar nga DPD, janë shumë më të mëdha për mendimin por dhe për ekonominë shqiptare. Nuk duhet as 10 minuta puna.

Një gjë është e qartë për të gjithë pavarësisht nga bindjet e tyre se Shqipëria është nga vendet e pakta naftëmbajtëse në Europë. Eshtë e tepërt të thuhet se praktika e viteve ‘30, kur gjithë karburanti bruto eksportohej, ndërsa nevojat për gazoil dhe benzinë siguroheshin nga importi, nuk ishin dhe nuk janë një praktikë për tu lakmuar nga shqiptarët në tërësi. Deindustrializimi është një nga format më jo efikase të përdorimit të pasurive tokësore e nëntokësore.

Në këto kushte shumëkush (jo vetëm ekonomistët por çdo qytetar në Shqipëri) do të dijë se çfarë ndodhi me ndustrinë përpunuese të karburantit, me ndërmarrjen Armo, pas shfaqes së krizës botërore dhe rritjes galopante të çmimit të karburanteve në botë? Është e njohur nga të gjithë, përfshi publikimet e DPD, se deri në vitet 2006-2007, kur vlera e zhdoganimit të një kg karburant ishte respektivisht 59.3 dhe 60.6 lek për kg, ndonse Armo ishte shtetërore, ajo dilet me një fitim mbi 1.5 miliard lekë në vit. Në këto kushte qytetarët duan të dine se cilat ishin rezultatet e konçesioneve në sektorin e hidorkarbureve, privatizimin e ARMOS, të marra në periudhën e fillimit të krizës ekonomike botërore, si përsa i përket sasisë së prodhimit të gazoilit nga kjo ndërmarrje, kostos dhe çmimit të tij në tregun shqiptar ?! Ndërkohë do të dijë se çfarë ka ndodhur me prodhimin dhe eksportin e karburatit bruto(naftës)? Mos ka shkuar ai sipas praktikës së viteve 30-të, duke shkuar gjithnjë e më tepër drejt importit apo shtesa e prodhimit të naftës së nxjerrë nga nëntoka shqiptare është shoqëruar me rritjen e vëllimit dhe përqindjes së përpunimit të saj në vend?!

Vazhdon…

Tagged with:
 

One Response to Stoicizmi i mosreflektimit dhe mos ndryshimit ndaj problemeve reale që kërkojnë zgjidhje

  1. […] Stoicizmi i mosreflektimit dhe mos ndryshimit ndaj problemeve reale që kërkojnë zgjidhje […]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.