16499034-abstract-word-cloud-for-tragedy-of-the-commons-with-related-tags-and-termsTragjedia e të përbashkëtës është një nga teoritë e zhvilluara nga ambientalisti Hardin në vitin 1968 për të shpjeguar se kur një pasuri publike nuk e ka të përcaktuar qartë se në pronësi të kujt është, kjo çon në shfrytëzim të tejskajshëm të saj, deri në shterim të plotë të kësaj të mire. Kjo sjellje egoiste e individëve për ta shfrytëzuar në maksimum këtë të mirë, sjell përfitim të përkohshëm financiar, por në periudhë afatgjatë sipas argumentimit të këtij modeli, ajo çon në rrënim. Shqipëria, si edhe shumë ekonomi të tjera, nuk i shpëtoi këtij modeli dhe për ta pasqyruar këtë mund të sjellim si rast pyjet e Lurës, pishat e Malit të Robit, si dhe tokat e shumë ish-pronarëve. Ky fenomen ndodh në çdo rast kur e drejta e pronës private ndaj këtyre burimeve natyrore nuk ekziston duke bërë që të konceptohen si të mira të përbashkëta.

Ky model shpjegon rastet e dështimit dhe pasojat e mëdha ekonomike kur mungon e drejta e pronësisë. Për Shqipërinë duhet analizuar efekti që ka patur ky fenomen për më shumë se gjysmën e popullatës që jeton në fshat dhe së dyti, efektin që ka patur në konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë.

Së pari, në rast se qeveritarët synojnë që të shndërrojnë rritjen ekonomike të vendit në rritje cilësore, atëherë duhet parë më me kujdes se çfarë e pengon zhvillimin e sektorit bujqësor në Shqipëri. Kjo industri punëson gjysmën e forcës punëtore dhe kontribuon me afërsisht 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vend. Kjo industri, pavarësisht se operon me një infrastrukturë ku toka mesatare në përdorim është e fragmentizuar në 1.2 hektar, më e ulëta në Europë, ka dhe probleme të tjera që pengojnë në zhvillimin dhe investimin e mëtejshëm nga ana e fermerëve. Sipas një studimi të kryer nga ekonomistët Imami dhe Zhllima, mungesa e sigurisë mbi pronësinë e tokës ndikon direkt në zhvillimin e sektorit bujqësor. Në mbi 700 fermerë të pyetur, më shumë se 20% e tyre ndjehen të pasigurt përsa i përket pronësisë që kanë mbi tokën e tyre. Në këtë vrojtim të bërë në mbi 15 fshatra në Shqipëri, vihet re gjithashtu se vetëm 57% e të intervistuarve kishin kryer investime për të rritur produktivitetin në tokën e tyre gjatë pesë viteve të fundit dhe 70% e investimeve totale ishin kryer në toka, pronësia e të cilave perceptohej si e sigurt nga ana e fermerëve. Sipas këtij studimi, investimet ishin më të sigurta dhe konfliktet sociale më të vogla në ato toka ku pronarët mund të tregonin se toka ishte në pronësi të familjes së tyre para vitit 1945.

Po të shohim indikatorë të tjerë mbi të drejtën e pronës si Property Rights Index, që përfshin tërë ekonominë tonë dhe që e krahason me gjithë vendet e tjera të botës, vihet re se Shqipëria ndodhet në vend të 112 nga 130 vende në total, duke treguar dobësi të mëdha në indikatorë të tillë si regjistrimi i pronës në kohë.

Ky indikator shërben për të parë se sa i formalizuar është tregu i shitblerjes së tokës, apartamenteve, apo ndërtesave në vend. Kjo ndikon direkt më pas në aftësinë e sipërmarrësve dhe individëve për të marrë hua në banka. Ndaj duke parë të dhënat për Shqipërinë, shohim se gjatë periudhës 2011-2013 ne kemi performuar më keq edhe se fqinjët tanë Maqedonia dhe Serbia. Mungesa e kreditimit të ekonomisë në vend nuk mund të adresohet vetëm nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura nga ana e shtetit ndaj bizneseve, siç pretendohet gjerësisht nga qeveritarët. Në rast se kërkohet të kemi rritje të nivelit të kreditimit në vend, qeveria duhet të rishikojë pikë së pari problemet e pronësisë në vend. Asnjë reformë tjetër nuk mund dhe nuk ka gjasa të ketë më shumë efekt në ekonominë tonë sesa kjo reformë.

Duke lexuar Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014-2020, të publikuar nga Ministria e Ekonomisë, të krijohet përshtypja se ajo është shumë ambicioze në synimet që ka. Nëpërmjet kësaj strategjie synohet që deri në vitin 2020 të arrihet një rritje e ndërmarrjeve aktive në treg me 10.6%; rritje e numrit të të punësuarve me 34%; rritje e eksporteve me 67,7 % dhe rritje e IHD-ve me 46%. Për të arritur këta objektiva, ekonomia jonë duhet të bëhet më konkurruese ndaj sfidave që vijnë nga ekonomitë e tjera të rajonit dhe të Europës.

Sipas raportit të OECD mbi konkurrueshmërinë, Shqipëria në vitin 2013 ndodhej në vend të 95-të, duke humbur 17 vende nga viti 2011. Sipas këtij raporti, një vend mund të përmirësojë konkurrueshmërinë e tij duke ofruar institucione efikase dhe duke përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe kuadrin administrativ në të cilin individët, firmat dhe qeveritë bashkëveprojnë për të krijuar aktivitet ekonomik. Konkurrueshmëria humbet në rast se ka burokraci të tepërt, korrupsion, ndërhyrje shtetërore, njëanshmëri në dhënien e koncesioneve, paaftësi të shtetit për t’i ofruar shërbimet e duhura biznesit, si dhe varësi të sistemit gjyqësor ndaj politikanëve. OECD në raport shton se konkurrueshmëria rritet në rast se bizneset kanë besim në financat publike, që do të thotë borxh të ulët. Ndaj çdo strategji për zhvillim të ekonomisë sonë duket ambicioze në rast se nuk adresohen shqetësimet e ngritura më sipër. Mungesa e të drejtës së pronës lehtësisht mund të shndërrohet nga tragjedia e të përbashkëtës, në tragjedi të përbashkët.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.