http://www.dreamstime.com/stock-image-image36116231Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB-ja) mbushi tetëdhjetë vjet. Ati i tij është ekonomisti amerikan Saimon Kuznets (lindur më 1901 në Bjellorusinë e sotme, nga një familje hebrenjsh). Në vitin 1934, si ekonomist i Byrosë Kombëtare të Kërkimit Ekonomik (NBER), ai paraqiti raportin e parë mbi sistemin e llogarive kombëtare përpara Kongresit të SHBA-së. Në kulmin e Depresionit të Madh qeveritë perëndimore kërkonin me ngulm një tregues për të monitoruar gjendjen e ekonomisë. Me PBB-në, Kuznets bëri pikërisht këtë gjë. Mblodhi një sërë të dhënash mbi shpenzimet në mallra e shërbime të një ekonomie tregu dhe i përqendroi në një numër të vetëm, i cili do të pësonte rritje në periudha bollëku dhe rënie në periudha krizash. Pak vite më vonë, Lufta II Botërore i dha PBB-së dhe sistemit të llogarive kombëtare një rëndësi politike të paprecedent. Kuznets u emërua këshilltar i administratës Ruzvelt dhe të dhënat e tij u përdorën për të planifikuar transformimin e ekonomisë amerikane në një makinë lufte, pa penguar, në anën tjetër, konsumin e brendshëm, gjë që u dha amerikanëve një avantazh të madh në gjenerimin e burimeve me të cilat financuan luftën, duke mënjanuar ngërçet që përjetoi Gjermania. Kjo gjë u dha amerikanëve një përparësi të jashtëzakonshme mbi vendet e tjera të përfshira në luftë. SHBA-ja doli nga konflikti me një sektor industrial të paprekur dhe miliona konsumatorë të gatshëm të mbështetnin ekspansionin ekonomik global të Uashingtonit në periudhën e pasluftës. Pas konferencës së Breton Uds, dhe përcaktimit nga ana e OKB-së të udhëzimeve të para mbi sistemin e llogarive kombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Ndërkombëtar Monetar filluan ta eksportonin PBB-në nëpër botë duke transformuar një numër në standardin e artë të suksesit ekonomik të shekullit XX.

PBB-ja është në fakt më shumë se një numër. Ai përfaqëson një model shoqërie që ka influencuar jo vetëm politikat ekonomike, por edhe proceset politike dhe kulturale. Stili ynë i jetës është i përcaktuar nga cikli i vazhdueshëm i prodhim-konsumit, i thjeshtëzuar nga PBB-ja. Ky numër ka kolonizuar dhe gjuhën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit në nivel botëror. Klubet ndërkombëtare të vendeve më të zhvilluara si G8 ose G20 përcaktohen në bazë të PBB-së. Po ashtu, dhe ndarja në vende të zhvilluara dhe në vende në zhvillim ose ndarja midis botës së parë e botës së tretë janë të lidhura me vlerën nominale të PBB-së.

Në ditët e sotme, konvergjenca e krizave ekonomike, shoqërore dhe mjedisore ka shtyrë shumë ekonomistë, progresistë dhe politikanë që të ngrenë zërin kundër defekteve dhe devijimeve të mëdha të krijuara nga ky numër, duke hapur një debat ndërkombëtar. Në numrin e saj të janarit 2014, revista “Nature” botoi një apel global që fton qeveritë “ta lënë PBB-në pas krahëve”. Siç e di mirë çdo student i vitit të parë të Ekonomisë, PBB-ja është bruto sepse nuk konsideron amortizimin e mjeteve të prodhimit (p.sh. makineritë). Gjithashtu, PBB-ja nuk llogarit gjithçka që shkëmbehet jashtë tregut (p.sh. brenda familjes, në ekonominë informale, shkëmbimet në natyrë ose dhuratat). Për më tepër, PBB-ja nuk llogarit vlerën e burimeve natyrore të cilat shfrytëzohen në procesin e rritjes ekonomike, sepse këto ofrohen bujarisht dhe falas nga natyra. Dhe në fund, PBB-ja nuk konsideron kostot e mëdha ekonomike të ndotjes dhe të degradimit të mjedisit, pasoja të pandashme të zhvillimit industrial. Një vend mund të shkatërrojë sistemin e tij shoqëror, të përpijë të tëra burimet e tij natyrore, të ndotë në mënyrë të pakthyeshme ekosistemet dhe sërish PBB-ja e tij do të rritej duke i regjistruar këto abuzime si progres ekonomik.

Problemet e sapopërmendura e bëjnë PBB-në një matës shumë selektiv të performancës ekonomike dhe shumë të papërshtatshëm, madje të rrezikshëm, nëse do përdorej për të matur mirëqenien shoqërore të një vendi. Shërbimet brenda ambienteve tona familjare, duke filluar nga përgatitja e ushqimit, edukimi i fëmijëve dhe përkujdesja ndaj tyre dhe pleqve, kanë një impakt ekonomik thelbësor. Vlera e tyre, matur në para’, është tejet e lartë dhe asnjë qeveri nuk do të ishte në gjendje të paguante për sërën e panumërt të shërbimeve familjare. Një studim i vitit 2012 i Byrosë Amerikane të Analizës Ekonomike vlerësonte që prodhimi familjar në SHBA ka qenë mesatarisht rreth 30% e prodhimit ekonomik total nga viti 1965 (ku shifra arrinte pikun prej 39%) deri në vitin 2010 (ku niveli zbriste në 26%). Por PBB-ja thjesht nuk e merr parasysh vlerën e shërbimeve të ofruara në kontekstet familjare, të komuniteteve lokale dhe të vullnetarizmit.

Në vende si Shqipëria, të mirat dhe shërbimet e shkëmbyera në mënyrë informale ofrojnë një mënyrë mbijetese për shtresa të gjëra të popullsisë dhe shpesh janë shtylla kurrizore e ekonomisë reale, megjithëse nuk regjistrohen në PBB.

Të mos konsiderosh vlerën e burimeve natyrore, vetëm dhe vetëm se ato nuk na “shiten” nga natyra, të shtyn pastaj të “harrosh” që rritja ekonomike është e mundshme vetëm për shkak të një oferte të vazhdueshme “kapitali” nga ana e ekosistemeve natyrore. Prodhimi bujqësor nuk do ishte i mundur pa tokë pjellore, ujë dhe ajër të pastër. Vetë procesi i industrializimit nuk do kishte qenë i mundur pa lëndët djegëse fosile, hidrokarburet dhe burime të tjera energjetike të cilat na janë vënë në dispozicion nga planeti ynë. Ç’do të ndodhë kur këto burime të shterin? Jo vetëm progresi ekonomik, por vetë ekuilibrat natyrorë që bëjnë të mundur jetën do të viheshin në pikëpyetje. Në vend që të kërkojmë të shfrytëzojmë burimet minerare të Marsit, mbase do ishte më logjik një model i ri zhvillimi ekonomik.

Çdo libër kontabiliteti të shpjegon që fitimi është baras me të ardhurat hequr të tëra kostot. Meqenëse PBB-ja vetë nuk merr fare në konsideratë sektorë thelbësorë të ekonomisë informale dhe natyrale dhe mospërfill kosto të rëndësishme (si ndotja mjedisore etj.) asnjë drejtues nuk do ta përdorte si tregues për të monitoruar performancën e ndërmarrjes së tij. E megjithatë, PBB-ja përdoret gjerësisht nga qeveritë e pothuajse tërë vendeve të botës si një nga parametrat kyç që drejton politikat ekonomike dhe shoqërore. Vetë Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) shkruan në vitin 2005 se “nëse do të kishte një ikonë të diskutueshme në botën e statistikave, ajo do të ishte PBB-ja. Mat të ardhurat, por jo barazinë, mat rritjen, por harron shkatërrimin dhe injoron vlerat morale, kohezionin e shoqërisë dhe mjedisin. E megjithatë, qeveritë, ndërmarrjet e madje shumë njerëz e trajtojnë sikur të ishte një perëndi. “Në të njëjtën linjë mendimi shkoi dhe Komisioni mbi matjen e performancës ekonomike dhe progresit shoqëror, i ngritur me iniciativë të qeverisë franceze në 2008. Komisioni, i cili u drejtua nga ekonomistë me famë botërore si Xhozef Stiglic, Amartia Sen dhe Zhan-Pol Fitusi, nënvizoi pamjaftueshmërinë e thellë të PBB-së si masë e performancës ekonomike, duke theksuar rreziqet e lidhura me përdorimin e tij si tregues progresi: “Kjo do të çonte në përfundime çorientuese rreth mirëqenies së njerëzve, duke çuar në vendime të gabuara politike”.

Vetë Kuznets më 1934 paralajmëroi klasën politike rreth rrezikut të abuzimit me PBB-në. Në mënyrë të veçantë, ai nënvizoi se “mirëqenia e një kombi nuk mund të kuptohet nga një masë e të ardhurave kombëtare” dhe disa vite më vonë theksoi se nuk kishte kuptim promovimi i rritjes së PBB-së si qëllim në vetvete. Nuk ishte sasia, por cilësia e PBB-së ajo që i interesonte Kuznets-it. Ai e dinte shumë mirë se mënyra se si matet performanca ekonomike influencon në mënyrë të pashmangshme vendimmarrjen ekonomike dhe politike. Për këtë arsye, rekomandoi që çdo brez të kishte lirinë të ndryshonte mënyrën e matjes së progresit “duke formuluar dhe riformuluar treguesit në varësi të kushteve të reja”. Me PBB-në, në fakt jemi në vendnumëro. Ka ardhur koha të mendojmë një model të ri zhvillimi. Është koha të dëgjojmë Kuznets-in dhe ta nxjerrim PBB-në në pension.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.