and0929blogShkelja e rregullave të konkurrencës si abuzim me etikën e biznesit. Një rekomandim për të përfshirë angazhimin për konkurrencë të lirë në kodet e sjelljes

Personazhi kryesor i romanit “Budenbrokët” i Thomas Mann-it, e di se çfarë është një tregtar i ndershëm, kur e këshillon të birin duke i thënë: “biri im, bëje me dëshirë e pasion tregtinë gjatë ditës, por bëje në atë mënyrë që të flesh rehat natën”! Etika në biznes është kthyer në ditët e sotme në një nga çështjet më të diskutueshme dhe diabolike duke shtruar një sërë pikëpyetjesh mbi strategjitë e sjelljes në biznes, respektimin e “rregullave të lojës” të konkurrencës së lire apo “marrëveshjeve të fshehura” për të mbajtur çmime më të larta se ato që do siguroheshin në kushtet e një konkurrence efektive në treg.

Hipotezës se a është e mundur të sigurohen fitime duke respektuar rregullat e lojës ditën (në mënyrë që ta bësh gjumin rehat natën) i jemi përgjigjur me mikrotezën e MBA-së duke e konsideruar shkeljen e rregullave të konkurrencës si një çështje etike në sipërmarrje.

Nisur nga përcaktimi i menaxhimit si organizim dhe koordinim të aktiviteteve të një sipërmarrje në përputhje me politikat e kompanisë për arritjen e objektivave të përcaktuara qartë, me ndihmën e prof. Ilia Kristos kemi arritur të provojmë hipotezën se në biznes mund të jesh i suksesshëm edhe duke mos abuzuar me fuqinë e ndjeshme të tregut (pozicionin dominues) apo marrëveshje kartel, por duke respektuar rregullat e lojës për konkurrencë të lirë dhe efektive. Pra, strategjia e biznesit për të fituar pjesë tregu, rritur të ardhurat dhe fitimet duhet të mbështetet në merita dhe jo te fitimet e pandershme duke kufizuar konkurrentët me strategji përjashtuese apo duke u bërë pjesë e marrëveshjeve të fshehta për të ndarë tregje, fiksuar dhe rritur çmimet e përjashtuar konkurrentët e vegjël nga tregu.

Etika në biznes 

Duhet përcaktuar saktësisht koncepti i etikës në biznes, si etikë profesionale që i adresohet parimeve/problemeve etike dhe morale në ambjentin e të bërit biznes, si çdo fenomen tjetër, edhe etika e biznesit ka ndryshuar në kohë duke ju përshtatur ambjenteve të biznesit.

Shoqëria ka kaluar nëpër disa faza dhe etika e biznesit është parë në versione të ndryshme në periudha të ndryshme, si psh duke filluar që nga skllavëria(njerzit trajtoheshin si mall), kolonianizmi dhe më pas lufta e ftohtë. Etika e biznesit i pati fillesat në SHBA në vitet ’70 ndërkohë që zhvillimet kryesore filluan me mesin e viteve 80. Në Evropë të mësuarit e etikës së biznesit ka ardhur më vonë me krijimin e rrjetit evropian të etikës së biznesit.

Milton Fridman thoshte që firmat/bizneset duhet të kenë aq fitime sipas ambjentit shoqëror dhe aktivitetit të vetë firmës, duke respektuar ligjet dhe etikën e biznesit. Pra etikë do të thotë të respektosh shoqërinë, ambjentin ku e ushtron veprimtarinë(prandaj shumë përgjegjësi të korporatave lidhen me ambjentin) por në mënyrë të veçantë të respektosh ligjet shkelja e të cilave nga kosto financiare dhe morale për koproratën.

Mishërimi më i mire i raportit mes mungesës së etikës së biznesit në këndvështrimin e konkurrencës është shprehja e Adam Smith në librin “Pasuria e Kombeve”:  “Biznesmenët e të njëjtit treg takohen së bashku, qoftë dhe për një rast apo diversion, por fundi i takimit është një konspiracion kundër publikut, për të rritur çmimet e produkteve/shërbimeve të tyre.”

Konkurrenca dhe etika e biznesit në Shqipëri 

Ligji dhe Politika e Konkurrencës në Shqipëri ndalojnë abuzimin e monopoleve (dhe ndërmarrjeve me pozitën dominuese) me fuqinë e tyre të tregut dhe angazhimin e konkurrentëve në marrëveshje që kanë për qëllim dhe/ose pasojë ndarjen e tregut dhe/ose fiksimin e çmimeve.

Ligji mbështetet mbi parimin e vendosur edhe në Kushtetutën e Shqipërisë që tregu është i hapur ndërkohë që teorikisht konkurrenca në një ekonomi të lirë tregu do të çojë drejt çmimeve ekuilibër dhe do të promovojë një ekonomi produktive dhe eficente.

Në përgjithësi ligji konkurrencës (i njohur gjerësisht si ligji antitrust) ndalon abuzimin me pozitën dominuese të ndërmarrejeve që e zotërojnë këtë pozitë si dhe sjelljen e koordinuar(marrëveshjet e ndaluara) që kanë si objekt ose pasojë fiksim çmimi, ndarje tregu etj. Gjobat në rastet e shkeljes së këtij ligji konsiderohen të rënda sepse arrijnë deri në 10 % të xhiros(të të ardhurave) të vitit financiar parardhës, pra disa herë më të larta se barra fiskale që paguajnë kompanitë në formën e tatimit mbi fitimin(të ardhura-shpenzime). Prandaj kompanitë, kryesisht ato me fuqi të madhe tregu, duhet të jenë të kujdesshëm në respektimin e rregullave të konkurrencës. Vendet anglosaksione, SHBA dhe Kanadaja e kanë kriminalizuar pjesën e karteleve duke vendosur dënimin penal deri në 10 vite burg për drejtuesit e kompanive që bëhen pjesë e marrëveshjeve konspirative për pengimin e konkurrencës.

Struktura e një tregu është ndër faktorët kryesorë që përcakton ambjentin për biznes dhe strategjitë për arritjen e objektivave në sipërmarrje në ekonominë e lirë të tregut. Nëse një treg është i dominuar nga një ose disa lojtarë, si në rastin e telefonisë celuare në Shqipëri, kuptohet që konkurrenca e lirë dhe efektive në këtë treg është mision i pamundur. Ky dominim bën të domosdoshëm ndërhyrjen e rregullatorëve të shtetit(AKEP dhe Antitrust) për të vendosur rregulla loje dhe të të mos e lënë tregun në “Laissez-faire”( let them do as they will), pra t’i lësh kompanitë të sillen si të duan me çmimet dhe strategjitë e shitjes apo marketingut.

Etika në tregun e telefonisë 

Me rënien e hipotezës se tregu i telefonisë celulare është një monopol natyror, tashmë pranohet gjerësisht se funksionimi i këtij tregu nuk siguron konkurrencën e lirë dhe efektive në treg por duhet që shteti nëpërmjet rregullatorit të sigurojë në maksimumin e mundur konkurrencën eficente në treg.

Tregu i telefonisë së lëvizshme në Shqipëri për shkak të një sërë faktorësh është shfaqur në disa struktura tregu si monopol, duopol dhe oligopol dhe në mikrotezë është studiuar lidhja mes strukturës së tregut dhe normave të fitimit të operatorëve.

Struktura monopoliste e tregut i siguroi operatorit të parë monopolist por edhe hyrësit të dytë në strukturën e tregut duopol norma të kthimit të investimit dhe fitimeve para taksave(EBITDA) mbi mesataren e grupit ku bënin pjesë dhe mbi mesataren e industrisë së telekomunikacioneve.Blackberry_2204094b

Autoriteti i Konkurrencës në një hetim të plotë të tregut për vitet 2005-2007 (Vendim nr 59 dt. 9.11.2007 mbi abuzimin me pozitën dominuese në Tregun e Telefonisë së Lëvizshme të Shoqërive Albanian Mobile Communication sh.a. dhe Vodafone Albania sh.a.”) arriti në konkluzionin se dy ndërmarrjet e vetme aktive në treg asokohe kishin abuzuar me pozicionin e dominancës së përbashkët (që ngjason shumë me marrëveshjet e fshehta por këto të fundit janë shumë të vështirë për tu provuar) duke aplikuar në mënyrë të drejtëpërdejtë çmime të padrejta të shitjes krahasuar me benchmarkun rajonal dhe koston në kushtet që tarifat s’duhet të tejkalonin 130 % të kostos. Për këtë arsye Komisioni i gjobiti të dy ndërmarrjet me gjoba të rënda në total rreth 4.5 milionë usd për abuzim me pozitën dominuese dhe proceset gjyqësore të deritanishme në të tre shkallët kanë konfirmuar vendimin e Komisionit.

Për shkak të ndikimit joetik për mendimin tim të kompanive mbi median nëpërmjet presionit të reklamave, thuajse asnjë media e rëndësishme lokale nuk e trasmetoi lajmin e bujshëm që një autoritet konkurrence, asokohe me vetëm 3 vjet ekzistencë, kishte arritur të gjobiste dy nga korporatat më të mëdha ne vend. Për një vend që aspiron BE-në kjo sjellje e medias(nëse është e nxitur nga kompanitë dhe kjo provohet nga deklarimet of-record të gazetarëve) është e papranueshme sepse është njëlloj sikur FT apo ‘The economist” të mos publikonin lajmin e gjobës së Komisionit Evropian ndaj Microsoft mqns ky i fundit publikon reklama në këto media?!

Gjoba si dëshmi e shkeljes së etikës 

Kohët e fundit ka një debat mbi subjektin ndaj të cilit duhet të vendosen gjobat pasi në rastin e korporatave është e ndarë pronësia nga menaxhimi. Në shkeljen e ligjit në fakt mund të jetë përfshirë menaxhmenti kryesor (CEO, CFO etj) por gjoba si rregull i ngarkohet kompanisë klasifikuar si shpenzim i jashtëzakonshëm në pasqyrat e saj financiare dhe për të cilat ‘dënohen” aksionerët me fitime të ulura ose humbje të rritura si pasojë e masës administrative. Në Japoni psh Bordi i Aksionerëve e pushoi nga puna drejtuesin ekzekutiv dhe i kërkoi në rrugë gjyqësore të gjithë dëmin e shkaktuar(gjobën plus dëmin moral) nga përfshirja e kompanisë në një praktikë antikonkurruese për të cilën aksionerët kryesorë nuk kishin dijeni.

Pra, një sjelle e tillë e provuar dhe ndëshkuar me gjobë nga institucionet mund të shikohet edhe në këndvështrimin e sjelljes jo etike të biznesit pasi marrëveshjet për mbajtjen e çmimeve mbi nivelin ekuilibër dëmtojnë konsumatorët dhe minojnë lirinë e tregut dhe prosperitetin ekonomik të konsumatorëve dhe vendit në përgjithsi.

Si konkluzion 

Për këndvështrimin më lart, në konkluzionet e mikrotezës së MBA vendosa se edhe në Shqipëri ka ardhur koha e hartimit të një manuali të shkurtër për kompanitë se si të shmangin shkeljet e Kodit të Etikës së Biznesit sa i përket rregullave të konkurrencës.

Për tu siguruar që veprimtaria e tyre e përditshme është një sjellje korekte ndaj ligjit, punonjësit dhe sfati menaxherial duhet të  sillen me integritet në biznesin e përditshëm, të sigurohen që kompania po mer vendime që reflektojnë sjelljen e saj të pavarur nga konkurrentët në treg(nuk abuzon me pozitën dominuese dhe nuk hyn në marrëveshje të fshehta me konkurrentët për fiksim çmim, ndarje tregu apo përjashtim të konkurrentëve).

Menaxherët dhe punonjësit duhet të familjarizohen me praktikat e njohura si joetike sa i përket konkurrencës, të ndjekin trajnime dhe të respektojnë Kodin e Etikës si dhe aksionerët e kompanisë duhet të informohen në mënyrë të vazhdueshme mbi strategjitë e sjelljes në treg nga ana e drejtorit ekzekutiv dhe departamenteve kryesore, sidomos të shitjeve dhe marketingut.

 

 

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.