adi1Pse shteti rikthehet gjatë krizave financiare?!

Gjatë recesioneve apo depresioneve të mëdha ekonomike, krijesa e mrekullueshme që  udhëheq tregjet, simbolikisht e prezantuar vetëm nga “duart e saj të padukshme” duket sikur ka një kontratë“opsioni put[1]” të fshehur me Leviathanin i cili e shpëton nga paniket financiare- rrallë por vendosmëmërisht.Raste tipike rishtaz i shohim gjatë Recesionit të Madh të 2008 te “Bail-out”-i i famshëm në Shtetet e Bashkuara dhe nacionalizimin e sukseshëm dhe më pas rivitalizimin e disa bankave nga Thesari Anglez. Kjo lidhje intime, asnjëherë e shfaqur si e tillë, ndoshta për të shmangur “rrezikun moral”,është një arrnë e domosdoshme e “lassiez-faire”-totale, dhe Leviathani ka qënë dhe duhet trajtuar më shumë si një shok i mire i tregut sesa një monster që me ndërhyrjen e tij na çon drejt rrugës së robërisë ekonomike dhe individuale. Shteti rikthehet sepse idetë që propozojnë një shtet sa më të vogël-struktura bazike e sintetizuar tek shkolla austriake e cikleve të biznesit, janë sfiduar vazhdimisht nga realiteti ekonomik dhe janë intelektualisht jo-konsistente.

Kontrata e sigurimit me Leviathanit ka një origjinë të largët. Ndoshta vendi që i afrohet më shumë modelit të “laissez faire” janë Shtetet e Bashkuara të shekullit 19-të. Ky shekull u shoqërua me përshpejtim të pasurimit material, në një klimë të lirisë individuale dhe ekonomike. Gjithashtu rezultuan periudha krizash ekonomike, shpërdorimi masiv kapitali, ekstreme varfërie dhe pasurimi, korrupsion qeveritar dhe favorizime monopolistike. Shpesh ndodhën kriza bankare. Arriti një pikë ku botkuptimi ishte jo më: “shteti qeveris më mirë atëherë kur qeveris më pak”. Kështu  kemi krijimin e formave të para të ndërhyrjes së shtetit në format e sigurimeve të depozitave, krijimin e Bankës Qëndrore në SHBA, ligjet mbi minimumin e pagave, sigurime papunësie, në tërësi lindjen e shërbimeve të sigurimeve shoqërore-ku këto të fundit përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve qeveritare. Mbas kësaj vale të“lassiez-faire” kemi atë që Milton Friedman në një ese tepër dëfruese dhe  (The tides in the affairs of man) e quan vala “progresiste”, që zgjati nga vitet 30-të deri në vitet 80-të. Më pas kemi rikthimin e vales “lassiez-faire” nën komandën e Reganit dhe Theçerit. Eventet e Recesionit të Madh të 2008 duket sikur kanë përmbysur deridiku këtë valë, dhe kemi format e para të valës progresiste në nivel politikash në SHBA dhe BE si në shtimin e aparatit rregullator në tregjet financiar por dhe në zgjerimit e “rrjetës mbrojtëse” të sigurimeve shoqërore.

Krijesa e mrekullueshme e tregut, që do të thotë, sistemi i çmimeve dhe i tregjeve konkurruese gjatë kohërave me punësim të plotë, pa ndonjë inteligjencë zgjidh njërën nga problemet më komplekse (problemi themelor i çdo ekonomie: çfarë, si dhe për kë do prodhojmë) ku përfshihen mijëra ndryshore dhe relacione. Prandaj ne mund të flemë të qetë gjatë natës pa u shqetësuar se tregu i ushqimeve në Tiranë në një ditë të bukur mund të ndërpritet. Pavarësisht se çfarë lloj krijese apo organizmi mund të jetë, dhe se sa jo perfekt-nuk është një sistem kaosi dhe anarkie; ka një tip rregulli apo rregullësie-funksionon. Por nuk ka një timon, dhe rezultatet që nxjerr, specifikisht papunësisa e lartë dhe e tejzgjatur gjatë krizave ekonomike janë të padëshirueshme.

Gjatë, dhe pas krizave financiare, tregu i punës duket sikur humb vitalitetin e tij për një kohë të gjatë, i pamundur për tu rimëkëmbur. Kjo është e pashpjegueshme nga teoritë makroekonomike që kanë “lassiez-faire” si themel. Përmbledhja më përfaqësuese e argumentit për një rol sa më të vogël të shtetit, buron nga Hayek me teorinë e tij të cikleve të biznesit, e cila predikon se depresioni ekonomik është çmimi që duhet të paguajmë për ekseset ekonomike që shfaqen gjatë bum-it ekonomik. Është një ide shumë tërheqëse-dhe nga vjen forca e saj bindëse, ndoshta lidhjes se fortë me moralin brënda nesh. Teoria e Hayak vijon e tillë: Në fillim një bum investimesh del jashtë kontrollit. Ndoshta i krijuar nga eksese në krijimin e parasë, i shfaqur nga rritja e kreditit, ose ndoshta nga “irracionaliteti i tepruar” i sipërmarrësve. Pavarësisht arsyeve kemi krijimin e shumë kapaciteteve të papërdorura. Eventualisht, realiteti godet dhe investimet dobësohen. Depresioni ekonomik është një mjekim i domosdoshëm: kapaciteti i tepërt shkruhet, çmimet dhe rrogat bien nga nivelet e mëparshme, dhe vetem atëherë është ekonomia gati të ngrihet. Por pyetja kryesore nuk është pse investimet bien por pse një ulje e tillë shkakton gjithë ekonominë të bie. Problemi është si vijon: e ardhura totale duhet të jetë njësoj me shpenzimet totale. Dhe nëse individët shpenzojnë më pak në produktet e investimit, a do të thotë kjo se ato duhet të shpenzojnë më shumë tek produktet e konsumit-duke implikuar se një rënie e investimeve shoqërohet me një bum të konsumit. Dhe pse duhet të shoqërohet me papunësi? Shpjegimi më i mirë po njëkohësisht se kalon dot testin e saktësisë ishte se “papunësia” krijohet si pasojë e kalimit të punëtorëve nga sektori i investimeve në atë të konsumit [prandaj dhe vjen urgjenca për të mos ndikuar në ekonomi nga shteti pasi e lë punën e depresionit (pastrimit) të pambaruar]. Por nëse është kështu pse atëherë bum-i i investimeve i cili nënkupton tranferimin e punëtorëve në drejtimin e kundërt, të gjenerojë gjithashtu papunësi (tashmë në sektorin e konsumit)? Gjithashtu ky “tregim” nuk ka shëmbëlltyrë me realitetitin. Ne kemi rënie ekonomike te të gjithë sektorët pa përjashtim.

Mars 1944,shënon botimin e Rrugës drejt Robërisë të Hayek, një klasik i shekullit 20-t, që shërbeu si kundër peshë e implikimeve për një rol menaxhues të shtetit nga e idetë e Lord Keynes. Ekonomiksi ka qënë gjithmonë një akt balancimi, por Hayak dhe dishepujt e tij në vënd të punonin për të përcaktuar kufijtë e ndërveprimit të shtetit, qëndruan stoik ndaj tezës se sado me milimetra të avanconte roli i shtetit, ekonomia ishte e destinuar të rrëshkiste në tatëpjëtën drejt robërisë. Por historia dhe evidenca na sugjerojnë një leksion tjetër; “lassiez-faire” totale pa patur një kontratë sigurimi me Leviathanin precipiton në tatëpjetën drejt mizerjes së papunësisë gjatë krizave financaire-një rezultat që nuk e votojmë. Megjithatë, ne duhet të marrim mësimet e Hayak se ekspansioni  i shtetit duhet limituar dhe se një vijë kufiri duhet vendosur sesa shtet duam në ekonomi. Pëcaktimi i kësaj vije është drejtimi i duhur- tepër relevant edhe në kohërat e sotme ku vërehet rikthimi i shtetit. Duke menduar në këtë mënyrë ne i bëjmë më shumë nder ekonomisë sonë të tregut.

 



[1] Një kontratë “opsioni put” është një kontratë sigurimi, ku blerësi i kontratës ka të drejtën po jo detyrimin të shes një mall apo aset financiar me një çmim fiks t. paracaktuar. Kontrata siguron blerësin nga humbjet që mund të rezultojnë nga ulja e çmimit të produktit apo asetit financiar.

[2] Ky shkrim është përshtatur nga një kumtesë e autorit, mbajtur në Forumin Ekonomik të Tiranës i organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike , me temë “Rikthimi i Etatizmit”.

Tagged with:
 

One Response to Dora e padukshme e Leviathanit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.