FMI-950_mediumPas disa muajsh diskutimesh bazuar mbi të vërteta, hamendësime dhe spekullime mbi marrëveshjen e Shqipërisë me FMN-në së fundmi doli raporti zyrtar. Në analizën e FMN-së për Shqipërinë paraqitet gjëndja aktuale dhe rruga të cilën Shqipëria duhet të ndjekë për të patur rritje ekonomike të qëndrueshme.

Konteksti aktual

Analiza e FMN-së për Shqipërin, duke theksuar se Shqipëria nuk ka qënë e prekur plotësisht nga kriza financiare globale. Ky rezultat ka ardhur prej politikave ekspansioniste fiskale dhe gjithashtu prej politikave monetare.

Nga ana tjetër në raport ngrihet problematika se situata ekonomike është përkeqësuar pas vitit 2011 duke shkuar në rritje negative gjate 3 mujorit të tretë të 2013 kryesisht nga pasiguritë e lidhura me zgjedhjet e qershorit. Ky trend ka sjellë gjithashtu dhe rënie të prodhimit nën nivelin optimal gjatë 2013 dhe në ulje të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë si shërbimet dhe agrikultura. Për më tepër rritja e partnerëve strategjik të Shqipërisë pritet të jetë e ulët, madje më e ulta në rajon.

Defiçiti i bilancit tregëtar i Shqipërisë ka ardhur në ulje dhe bilanci tregëtar është përmirësuar,  por ky përmirësim nuk është i qëndrueshëm pasi një pjesë të rëndësishme e ka marë eksporti i naftës. Importi i elektricitetit ka rënë pasi kërkesa për elektricitet është e dobët dhe pasi kushtet klimaterike kanë qënë të mira. Investimet e huaja direkte kanë qënë burimi kryesor i financimeve të huaja, veçanërisht ato që vijnë nga dy partnerë strategjik si Italia dhe Greqia.

Situata fiskale në Shqipëri është përkeqësuar, veçanërisht gjatë vitit 2013 pjesërisht prej uljes së të ardhurave në buxhet në periudhën parazgjedhore. Borxhi i brëndshëm i Shqipërisë është 71%, një nga nivelet më të larta për të gjithë vëndet e rajonit. Të ardhurat buxhetore dhe shpenzimet si përqindje e PBB-së mbeten në më të ultat në rajon. Gjithashtu efiçenca e taksimit sipas FMN-së është jo e kënaqshme.

Gjëndja e inflacionit në Shqipëri është brenda normave të vendosura nga Banka Qëndrore(2%-4%) dhe ka patur ulje që prej vitit 2012. Kjo ka sjell ulje në çmimin e produkteve ushqimore dhe në frenim të kërkesës vëndase. Duke parë këto rezultate është vepruar me një politikë monetare më lehtësuese e cila ka ndihmuar në uljen e interesave dhe të kostos së borxhit publik.

Sektori Bankar Shqiptarë është i kapitalizuar mirë megjithëse kritik është fakti që borxhet e këqija të cilat janë në nivele më të larta se në rajon janë në trend rritës. Ky faktor ka sjellë që bankat të ndalojnë kredidhënien për sektorin vendas dhe të investojnë në asete te huaja.

Një tjetër shqetësim i shprehur në raport është mbi klimën e biznesit e cila është përkeqësuar vitet e fundit në raport me rajonin dhe ka ndalur ekonominë Shqiptare që të përthithë investime për të cilat ka aq shumë nevojë. Kjo klimë e përkeqësuar për biznesin ka ardhur kryesisht nga mungesa e reformave në këtë sektor. Problemet kryesore që biznesi ndesh si problemi i regjistrimit të pronës, moszbatueshmëria e kontratave dhe kostot për të hapur një biznes të ri janë relativisht më të larta se në rajon. Probleme të tjera që ndalojnë lulëzimin e sipërmarrjeve në Shqipëri janë ato të mungesës së gjetjes së financimeve dhe sektori i energjisë elektrike i cili megjithëse me çmime të ulta është duke performuar keq, kryesisht prej mospagesave dhe humbjeve të mëdha në rrjet.

Gjëndja e institucioneve publike në këtë raport paraqitet shumë kritike, Sipas FMN-së cilësia e institucioneve është përkeqësuar vitet e fundit prej mungesës së reformave dhe korrupsionit. Reformat në gjyqësor, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së pronës dhe reformave në administrimin fiskal e ato që kanë lidhje më efiçencën e përdorimit të fondeve publike janë të domosdoshme.

Rekomandimet për zgjidhje

Për të zgjidhur këto probleme FMN-ja rekomandon një sërë reformash strukturore të cilat nëse janë efikase do të mund të sjellin një stabilitet ekonomik dhe fiskal me ulje të borxhit me 10% dhe nivele rritje ekonomike rreth 5% brënda këtij 4 vjecari.

Reformat janë të ndara në katër shtylla kryesore ku për secilën nga to janë shprehur dhe ndërhyrjet që nevojiten.

Reforma e parë është në drejtim të rritjes së kreditimit ndaj sipërmarjeve dhe stabilitetit finaciar. Ndërhyrjet kryesore duhen bërë në drejtim të thjeshtëzimit të taksimit për nxjerrjen nga bilanci i borxheve të këqija nga ana e bankave dhe në përforcimin e kuadrit ligjor për ekzekutimin e kolateralit. Gjithashtu është i nevojshëm pavarësimi i mëtejshëm i institucioneve financaire publike si Autoriteti i Mbikqyrjes Finaciare dhe Agjensia e Sigurimit të Depozitave me qëllim që të përforcojnë rolin e tyre mbikqyrës në treg. Gjithashtu rekomandohet që të krijohet struktura e duhur ligjore dhe incentivat e nevojshme për të zhvilluar më tej tregjet e parave.

Reforma e dytë kërkon stabilizimin e financave publike. Për këtë ndërhyrjet kryesore duhen bërë në 3 drejtime. Së pari në taksim ku rekomandohet progresiviteti mbi të ardhurat personale, zgjerimin e bazës së tvsh-së duke hequr përjashtimet prej saj dhe rishikimi i akcizave. Së dyti duhet reformuar sistemi i administrimin të taksimit, ku kërkohet përshpejtimi i rimbursimit të tvsh-së dhe përmirësimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Së treti i kërkohet qeverisjes së çdo niveli që të paguajë detyrimet e prapambetura dhe të krijojë një sistem kontrolli i cili të mos lejojë që fenomene të tilla të përsëriten sërish. Së katërti kërkohet një refomë e thellë në pensione ku rekomandohet rritja e moshës së pensionit, heqjen e kontributoreve të vegjël nga fondi i pensioneve dhe rialokimi i tyre në një fond të finacuar nga përkrahja sociale. Gjithashtu kërkohet reformimi i mbrojtjes sociale duke e bërë atë më efiçente me qëllim që fondet e përkrahjes sociale ti shkojnë atyre të cilët  kanë realisht nevojë.

Reforma e tretë kërkon reformimin e sistemit energjitik, ku prioritete janë zgjidhja e konfliktit me CEZ-in, përmirësimi i rrjetit energjitik në mënyrë që të ulen humbjet dhe rritja e bazës së paguesve për këtë shërbim.

Reforma e katërt ka lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit. Për të përmirësuar gjëndjen aktuale është e domosdoshme zgjidhja e problemit të titullit të pronësisë, ulja e korrupsionit, zbatueshmëria e kontratave, rritja e forcës së ligjit dhe reforma e administratës shtetërore me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe pavarësimin e saj.

Domosdoshmëria për të realizuar reformat

Së pari mendoj se është për tu përshëndetur fakti që me publikimin e këtij raporti kemi një matricë të qartë qeverisëse e cila na tregon se kur dhe cilat reforma duhet të kryejmë në mënyrë që të arrijmë rezultatet e kërkuara.

Së dyti në raport theksohet se realizimi i objektivave të rritjes ekonomike, uljes së nivelit të borxhit dhe stabilitetit makroekonomik do të mund të arrihen vetem nëse qeveria ka vullnetin e duhur për të implementuar reformat e propozuara.

Së treti në raport shihet qartë se ndryshimet në taksim nuk kanë ndonjë impakt të lartë në përmirësimin e financave publike. Taksa e rritur e cila parashikohet të ketë impaktin më të lartë është taksa progresive mbi biznesin e cila ka nje efekt prej 0.5% të PBB në buxhet, ndërsa vetëm sistemi i sigurimeve shqërore ka një efekt negative rreth 10 herë më shumë.

Së katërti në raportet zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se në ato zëra në të cilat taksa është rritur ( Taksa mbi biznesin e madh) gjatë 2 muajve të parë pas miratimit të paketës fiskale rezutatet janë nën pritshmëritë ndërsa në ato taksa në të cilën është zgjeruar baza e paguesve (tvsh-ja) rezultatet janë mbi pritshmëritë.

Duke u bazuar mbi këtë analizë mund të thuhet se sfida kryesore e këtyre viteve janë reformat të cilat duhet të përmirësojnë efiçencën e përdorimit të fondeve publike dhe duhet të rrisin bazën e taksapaguesve për shërbimet që ofrohen. Për këtë arsye është e rëndësishme që fokusi i diskutimit publik të maxhorancës, opozitës, ekspertëve, shoqërisë civile dhe publikut të gjerë të drejtohet drejt matricës qeverisëse në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më optimale për problemet që ekonomia shqiptare ndesh dhe për të bërë sa më të qartë për publikun domosdoshmërinë e realizimit të këtyre reformave.

Pa kryerjen e këtyre reformave në kohë do të duhet të ndërhyhet me rritje taksash të tjera për të patur një stabilitet fiskal. Shembujt e vendeve fqinje na kanë treguar që rritja e taksave pa reforma strukturore të rëndësishme kanë çuar në vite të vështira ekonomike. Për të evituar këtë skenar dhe për krijuar kushtet për nje rritje ekonomike të qëndrueshme duhet të realizojmë në kohë reformat.

One Response to Raporti i FMN-së, ku jeni dhe si duhet të ndryshoni

  1. Altin says:

    Une jam me teper simpatizant i PS , por duhet te pranojme qe ideja e takses se sheshte eshte nje ide fantastike , sepse thith investitor te huaj dhe ata Shqiptar.
    Ne vend qe te merremi me taksa sa majtas apo djathtas une do te beja ligje mbi kontratat e punes, te drejtat dhe detyrat e punetoreve , te drejtat dhe detyrimet e investitoreve.
    Do te beja ligje qe te gjithe ata qe marrin para nen dore , te gjithe ata qe korruptojne te shkojne qe te gjithe ne burg minimumi 5 vjet per nje shifer te vogel dhe do e rrisja gjer ne 15-20 vjet per shifra te medha.
    Nje kriminel kur vret nje person merr minimumi 20 vjet heqje lirie, ndersa nje person qe ben nje mashtrim ekonomik po shkaterron jeten e dhjetra- qindra personave (keta qe bejne mashtrime drejt shtetit ne vlera te medha do ti dergoja ne burg per 20 vjet).
    Situata ekonomike – politike dhe sociale ne Shqiperi eshte me te vertete e mjerushme , por ama nqs duam te miren e shqiperise duhet te vleresojme ata qe punojne dhe jane te ndershem dhe jo kriminelat apo hajdutat.

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.