84e78114-6180-11e3-9ffd-12313d0244d2-largeSigurisht që “para në dorë” nuk do të thotë automatikisht evazion por mund të jetë kështu kur flitet për shuma të konsiderueshme. Duke e konsideruar jozyrtare dhe të parregjistruar, ekonomia informale së bashku me të gjitha pagesat me para në dorë, përbën një ndër aktivitetet më të dëmshme për strukturën e zhvillimit dhe harmoninë financiare të Shqipërisë. Me harmoni financiare nënkuptohet “paqja” ndërmjet detyrimeve të qytetarëve apo bizneseve dhe të ardhurave të shtetit nga sistemet e tatimeve dhe taksave. Pra, sa më pak të kryhet evazioni fiskal, shmangia e pagesës së taskave, aq më e lartë është norma e rishpërndarjes së tyre me anë të investimeve publike.

Në nëntor të vitit të kaluar, tema kryesore e bisedimeve të grupit të shteteve më të fuqishme të botës G8 në Irlandën e Veriut ishte evazioni i taksave. Sipas studimit të Royal Bank of Scotland, në vitin 2012 pagesat elektronike në të gjithë globin, pra ato pa para në dorë, ishin rritur në 333 miliardë transaksione nga 307 miliardë në vitin 2011 dhe përsëri sipas këtij institucioni financiar, në vitin 2013 kjo shifër parashikohet të ketë qenë 354 miliardë veprime. Vendet me nivelin më të lartë të pagesave elektronike, ashtu si në shumë fusha të tjera të jetës, sigurisht që janë Finlanda dhe Suedia. Sipas studimit të Bankës Qendrore të Italisë, në vitin 2012 në vendet e Gadishullit Skandinav kryhen rreth 350 transaksione elektronike në vit për cdo banor, ndërsa në Greqi rreth 55 të tilla, ndërkohë që shifra mesatare e Bashkimit Evropian është 160 veprime elektronike financiare në 365 ditë. Është e qartë se e ardhmja na rezervon vetëm pagesa elektronike. Për këtë mjafton të vështroni 3 shigjetat të cilat po drejtojnë këtë revolucion : telefonë inteligjentë dhe internet, thjeshtësia e  teknologjisë si dhe shërbimet apo produktet novatore. Për më tepër, aty ku bankat nuk shkojnë, kanë arritur e-pagesat dhe m-pagesat.

Për këtë qëllim, nën presionin e rritjes së transparencës financiare, luftës kundër evazionit dhe pastërtisë së bilanceve të korporatave, shtetet në të gjithë botën janë angazhuar në aplikimin ligjor të tavanit mbi pagesat cash (me para në dorë). Por cilat janë këto limite? Në Shtetet e Bashkuara aktualisht është e paligjshme të paguash me para në dorë shuma mbi 10 000 dollarë, ndërkohë që nga janari i vitit 2013, me hyrjen në fuqi të dispozitave të Bashkimit Evropian, në Evropë ky limit nuk e kalon vlerën 1 000 euro me shtete shembullore si Franca apo Italia. Sigurisht që shtetet në kontinentin e vjetër, ashtu si në fushën e politikës apo financave, parapëlqejnë të veprojnë me “kokën” e vetë kombëtare. Për këtë mund të shohim se aktualisht në Spanjë është 2 500 euro limiti i përdorimit të parave në dorë, ndërsa në Bullgari është 5 100 euro. Edhe pse këto limite aplikohen në vlera të ndryshme për transaksionet ndërmjet individëve apo bizneseve, si dhe janë të ndryshme për rezidentët dhe për jo rezidentët, përsëri fryma në të cilën është përfshirë bota e zhvilluar duket fare e qartë. Përdorimi dhe imponimi i pagesave elektronike është lufta më e mirë kundër evazionit fiskal si dhe mundësia më e mirë pro standartizimit dhe transparencës.

Nën të njëjtën frymë, edhe pse ende pa detyrim politik, qëndron Shqipëria. Në një ndër udhëzimet e reja të Ministrisë së Financave, mbi procedurat tatimore, detyrohen me ligj pagesat elektronike, dhe jo me para në dorë, në vlerat mbi 150 mijë lekë apo pak më shumë se 1 000 euro. Ky tavan është më i ulët se ai i mëparshmi prej 300 mijë lekësh dhe shoqërohet me penalitete financiare në rastin e moszbatimit. Duket se në luftën 23-vjecare të Tiranës zyrtare kundër informalitetit ka lindur një armë e re në shërbim të rregullimit të tregut dhe parandalimit të abuzimeve.

Por ashtu si vendet e tjera të Evropës dhe të botës, edhe Shqipëria duhet të përballet me dy elemente shumë të rëndësishme të këtij ekuacioni: infrastruktura teknologjike dhe mentaliteti i popullsisë.    

Përsa i përket infrastrukturës teknologjike, vendi ynë qëndron prapa fqinjëve tek të cilët pikat e shitjes, apo të ashtuquajtura POS, ndodhen pothuajse në secilin cep të shtetit. Ndërkohë ende sot, në Tiranë dhe jo më larg, ekzistojnë dyqane dhe tregje shumë prestigjoze, në të cilat tentohet të shmanget përdorimi i këtyre pajisjeve me të gjitha mënyrat e mundshme, edhe pse klienti tenton të përdorë kartën e tij të debitit apo kreditit. Gjithashtu një tjetër tregues i shpërndarjes së ofertës financiare është dhe raporti i bankomatëve përballë numrit të popullsisë. Në këtë raport Shqipëria paraqitet në nivel mesatar por ende shumë larg nivelit të vendeve evropiane.

Me një sistem shumë të zhvilluar bankar, me supermarkete të mëdha, me dyqane financiarisht të kontrolluara, me kredi, lehtësi financiare, sisteme dhe kompani të konsoliduara të kontabilitetit dhe me linja të sigurta të transmetimit të të dhënave, Shqipëria sot ofron kushte të përqindjes së ulët të përdorimit të parave në dorë. Por me sa duket ende  nuk i plotëson.

Për këtë duhet analizuar dhe ana tjetër e medaljes. Konsumatorët, si të thjeshtë ashtu dhe bizneset, mbajnë përgjegjësinë e vet në nivelin e lartë të lekut të prekshëm në qarkullim. Banka e Shqipërisë në vrojtimin anketues të zhvilluar në vitet e fundit ka arritur në përfundimin se rreth 75% e të intervistuarve nuk kanë dëgjuar për kredi konsumatore apo fonde pensioni, ndërkohë që vetëm 2 në 10 veta kanë dëgjuar për llogari rrjedhëse. Për më tepër vetëm 20% e të anketuarve janë shprehur se njohin llogarinë e kursimit, edhe pse ndoshta kjo mund të jetë një ndër konceptet më të lashta financiare së bashku me borxhin. Në këto kushte është e qartë pse karta nuk të duhet!

Edhe pse ekzistojnë argumente të shumta të lidhura me faktin se detyrimi për të përdorur karta debiti dhe krediti për transaksione financiare mund të ndikojë në sigurinë e përdoruesit si dhe të cenojnë privatësinë e tij, përsëri prevalojnë argumentet pro pagesave elektronike. Në këtë drejtim mund të sjell në kujtesë raportin “Kosto e Monedhës” të publikuar nga Banka Qendrore Evropiane sipas së cilës ndërmjet rishtypjes, pastrimit dhe kontrollit, shpenzohen rreth 100 miliardë euro për mirëmbajtjen e parasë cash. Për më tepër, agjencia Moody’s, në raportin “Impakti i Pagesave Elektronike mbi Rritjen Ekonomike”, ka arritur në përfundimin se ndërmjet vitit 2008 dhe 2012 përdorimi i lartë i parasë elektronike është përkthyer në 983 miliardë dollarë rritje ekonomike, ekuivalente me 1.9 milionë vende pune në shkallë botërore. Nëse përshkallëzohet, analiza e Moody’s shpjegon se rritja me 30% e përdorimit të kartave të kreditit e rrit me 0.3% PBB e shtetit. Pra, duket se pagesat elektronike nuk rrisin vetëm eficencën e transaksioneve, aksesin e konsumatorit në kredi si dhe sigurinë e përdoruesit, por ndikojnë dhe në mirëqenien e të gjithëve.

Aktualisht në Shqipëri, në shërbim të formalizimit të parasë dhe rritjes së transparencës ndërmjet qytetarëve apo bizneseve, aplikohet vetëm tavani mbi pagesat dhe transaksionet. Por ekzistojnë dhe forma të tjera edhe më konkrete të luftës kundër evazionit, të cilat nëse ende nuk i kemi provuar në vendin tonë, të jemi të sigurtë se shumë shpejt do të vijnë. Në muajin e ardhshëm në Bashkimin Evropian pritet zyrtarizimi total i pagesave të qirave të banesave vetëm nëpërmjet bankave. Gjithashtu ekziston një projektligj në sirtarët e Parlamentit Evropian, sipas të cilit cigaret duhet të blihen vetëm elektronikisht nëpërmjet kartave. Vende si Anglia kanë arritur deri aty sa të shpallin të detyrueshëm me ligj për secilin subjekt shitës tatimor aplikimin e pikave të shitjeve POS.

Për më tepër Shqipëria ndonjë ditë mund të zgjohet në “No Cash Day”, ditë në të cilën autoritetet evokojnë platforma komunikimi kundër përdorimit të monedhës tradicionale si një mjet i kushtueshëm, burim papastërtish apo dhe element i së shkuarës.

Me këtë qëllim dhe nëpërmjet teknologjisë së duhur disa shtete të zhvilluara në ditët e sotme e kanë kaluar edhe vetë konceptin e kartës së kreditit për të ofruar të gjitha mundësitë në respektimin e kësaj fryme nga qytetarët. Në Japoni telefonët celularë përdoren edhe si karta krediti ku mjafton të bësh një rimbushje dhe me anë të tij mund të paguash në supermarkete, parukeri apo restorante.

Duke u nisur nga shprehja e shkrimtarit kanadez Marshall McLuhan se “Paratë në dorë janë karta e kreditit për njerëzit e varfër”, mund të them se derisa paraja elektronike të jetë e vetmja rrugë, “Adios Cash” do të mund të themi vetëm kur të jemi më të pasur. Deri atëherë, përdorini të dyja.

image001-723x1024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.