8808082-business-success-competition-conceptRënia e dominancës solli reduktimin e interesit të yied-it të bonove të thesarit. Dilemat mbi sjelljen e bankës kryesore të sistemit dhe trajtimi teorik i rastit

Sistemi financiar, e në mënyrë të veçantë sektori bankar, është “zemra” e mirëfunksionimit të ekonomisë së lirë të tregut, por edhe një nga çështjet më të diskutuara në kushtet e një krize globale që filloi pikërisht nga dështimi i bankave. Gjerësisht sot pranohet se bankat janë një “specie” e veçantë e biznesit dhe konkurrenca në këtë sektor duhet parë e lidhur ngushtësisht me stabilitetin e sistemit financiar, për shkak të pasojave zinxhir që shkakton dështimi i bankave në ekonominë reale.

Konkurrencë monopolistike?!

Evidentimi i strukturës së tregut në këndvështrimin e konkurrencës është i domosdoshëm për të adresuar shqetësimet e konkurrencës dhe lidhjen me stabilitetin e sistemit bankar. Një sërë punimesh nga autorë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës dhe/ose Bankës së Shqipërisë, kanë arritur në konkluzionin se tregu bankar shqiptar është në konkurrencë monopolistike?! Po çfarë është konkurrenca monopolistike? Thelbi i konkurrencës monopolistike lidhet me konkurrencën jo çmimësore, pra që nuk ka për bazë çmimin, por karakteristikat e produktit. Pra në këtë strukturë, tregu konkurrohet me diferencimin e produktit dhe jo çmimin e tij dhe thjesht për përcaktimin e kësaj strukture tregu do të ishte e vështirë të pranohej që “paraja” si produkti i tregut bankar, qoftë për depozitat apo kreditë (e aq më pak bonot) të diferencohej në bazë të “cilësisë”. Paraja ka të njëjtin kuptim, pavarësisht nga bankat si në rastin kur konsiderohet e ardhur si interes nga depozitat ashtu edhe në rastin kur është kosto për kreditë apo bonot/obligacionet e thesarit. Por gjithsesi, ky është një diskutim akademik që do të shterohet në të ardhmen.

Modeli i analizës së konkurrencës në sistemin bankar ka në qendër lidhjen mes përqendrimit të tregut (të matur me indeksin Hirshman herfindal HHI) kryesisht nisur nga pjesët e tregut të bankës kryesore të sistemit kundrejt yield-it të bonove të thesarit. Në variablat që kanë ndikim në model do të merret edhe norma bazë e interesit, përqendrimi i tregut sipas depozitave, aseteve dhe kredive, oferta monetare etj.

Konkluzionet teorike

Disa studime teorike dhe empirike tregojnë se pozicioni monopol i jep mundësinë bankës të investojë dhe të japë kredi me interesa maksimizuese për të ardhurat. E veçanta e sistemit bankar lidhet me implikimet që sjellin strukturat e tregut në stabilitet (Goodhart [1987a] dhe [1998]) dhe për rastin e Shqipërisë do të analizohet lidhja mes strukturës së tregut, përqendrimeve të ndodhura në vite ndaj çmimit (interesat).

Disa gjetje të kërkimit shkencor lidhen me implikimet e konkurrencës në stabilitetin e sistemit bankar dhe problemet e mbikëqyrjes së bankave (nisur nga teoritë e Allen dhe Gale [2000b] dhe Canoy [2001]). Pagano (1993) thotë se fuqia e tregut i lejon bankat të aplikojnë norma interesi të kredisë (dhe/ose letrave me vlerë) më të larta dhe interesa për depozitat më të ulëta, ndërkohë që Guzman (2000) konfirmon efektin negativ të fuqisë së tregut në modelin e ekuilibrit të përgjithshëm të akumulimit të kapitalit. Autorë të tjerë si Petersen dhe Raian (1995) u fokusuan në rolin e financimit të bankave për bizneset e reja, të cilat kanë akses më të mirë dhe interesa më të ulëta, ndërkohë që tashmë është e pranuar se shkalla e përqendrimit të sistemit bankar ndikon në aksesin në kredi të biznesit (Vives 2001).

Analiza mbi efektet e përqendrimeve të bankave duhet të marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë si: niveli i zhvillimit të një vendi, cikli i biznesit etj. Hughes (1996), në analizat e tij empirike merr në konsideratë korrelacionin likuiditet dhe konkurrencë në kredidhënie. Evidencat empirike tregojnë se një nivel më i lartë konkurrence në sistemin bankar çon në rritje më të shpejtë të sektorëve të tjerë të ekonomisë, që mbështeten në financimet nga sistemi bankar (Claessens and Laeven, 2005). Deidda dhe Fattouh (2002) sugjerojnë se vendet në zhvillim kanë nevojë për një sistem bankar me konkurrencë më të lartë, për të nxitur rritjen ekonomike ndërkohë që Vives (2001) argumenton se një konkurrencë e lartë në sistemin bankar, mund të çojë në marrje përsipër të një niveli të tepërt rreziku nga bankat, gjë që rrit mundësinë e falimentimit.

Përqendrimi i tregut

Përqendrimi i tregut për depozita është më i lartë në krahasim me historikun e aseteve dhe kredive. Dy banka përbëjnë më shumë se 50% të tregut për depozitat. Trendi afatgjatë tregon një ulje të indeksit HHI në të tria llojet e produkteve, duke sugjeruar një përmirësim në konkurrencën e tregut. Statusi i përgjithshëm i tregut mbetet “përqendrim i moderuar” Konkluzionet e studimeve të deritanishme tregojnë se konkurrenca mes bankave shqiptare është monopolistike, që nënkupton se bankat në Shqipëri diferencohen nga njëra-tjetra, duke u fokusuar në segmente të ndryshme të tregut dhe duke ofruar produkte me karakteristika të ndryshme brenda të njëjtit segment. Sipas kësaj metodologjie, konkurrenca e sistemit bankar shqiptar është e një niveli mesatar.

Hetimi i Anitrustit për bonot e thesarit

Gjatë periudhës 2008-2010, Autoriteti i Konkurrencës realizoi një hetim të thelluar në tregun e bonove të thesarit, për shkak se sjellja e bankës më të madhe të sistemit kishte ndryshuar pas privatizimit. Banka kishte trashëguar nga procesi i privatizimit një pozitë dominuese individuale në tregun e bonove të thesarit, por kjo dominancë është zbehur vit pas viti. Gjatë analizës së dinamikës së yield-it të bonove të thesarit, është konstatuar një rritje e dukshme e yield-it në tremujorin e tretë të vitit 2006, që ishte edhe shkaku i këtij hetimi. Ndryshe nga konkluzionet e grupit hetimor mbi abuzimin me pozitën dominuese të bankës me vendosjen e tarifave shumë të larta si çmim i padrejtë krahasuar me koston, Komisioni i Konkurrencës nuk e vlerësoi abuzim sjelljen e bankës dominuese. Sipas vendimit të Komisionit, nga analiza e evidencave mbi faktorët që kanë ndikuar sipas raportit të hetimit të thelluar dhe pretendimeve të palës e konsultimet me institucionet publike, që janë faktorë dhe mbikëqyrës të tregut objekt hetimi, konstatohet se: (i) nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe sistematike midis pjesëmarrjes ose jo të bankës dhe dinamikës së ndryshimit të yield-it në ankandet e zhvilluara gjatë periudhës objekt hetimi (gjatë periudhës në të cilën banka kishte fuqi të ndjeshme tregu). Banka ka argumentuar që mospjesëmarrja në ankand, i cili është pasuar me rritjen e yield-it, ka ardhur si pasojë e uljes së depozitave, rritjes së kredisë dhe pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve me afat maturimi 2-vjeçar. Këta faktorë kanë sjellë mungesë të likuiditetit, e cila nuk ka mundësuar pjesëmarrjen dhe/ose masën e pjesëmarrjes në tregun primar të bonove të thesarit.

Sipas vendimit 142 të Komisionit të Konkurrencës, “komisionet e aplikuara nga Banka për transferimin e fondeve nga llogaria e saj drejt Bankës së Shqipërisë janë të larta. Sipas të dhënave të AMF-së (për vitin 2008), Banka dominuese aplikon një komision 1.2% mbi fondin e individëve për pjesëmarrje në tregun primar të bonove të thesarit, ndërsa bankat e tjera aplikojnë një komision 0.2% për të njëjtin shërbim”.

Pra banka aplikonte tarifa 6 herë më të larta se konkurrentët për të njëjtin shërbim, por gjithsesi sipas vendimit “nuk provohet abuzimi i mundshëm i Bankës në tregun primar dhe sekondar të bonove të thesarit gjatë periudhës objekt hetimi. Vendimi citon se në tregun primar “janë vënë re komisione të larta të paargumentuara nga pikëpamja ekonomike. Banka ka shprehur marrjen e disa angazhimeve, të cilat do të përmirësojnë nivelin e konkurrencës dhe do të ulin kostot për konsumatorët”.

Rënia e dominancës ul dhe yield-in e bonove

Të dhënat e paraqitura në grafikun yield-i kundrejt pjesëve të tregut të bankës kryesore të sistemit tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë mes rënies së peshës së konkurrentit kryesor me rënien e ndjeshme të yield-it të bonove të thesarit. Është e kuptueshme që janë dhe një sërë variablash të tjera që kanë ndikuar në rënien e yield-it të bonove të thesarit, si politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, zbehja e kreditimit pas bumit të disa viteve më parë (aktualisht kredia e re konvergon drejt 0), ndryshimi i politikës së investimit të bankës kryesore të sistemit drejt fondacioneve dhe ulja e ekspozimit në instrumentet e borxhit të qeverisë, etj.. Por që pas rënies së pjesës së bankës kryesore të sistemit nën 40%, që është dhe kufiri i poshtëm teorik për dominancën, shihet qartë që tendenca e yield-it të bonove të thesarit ka rënë ndjeshëm.

yield-vs-pjeset-e-tregut

 

Burimi: Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, përpunime të autorit

Tagged with:
 

3 Responses to Konkurrenca, ulet dominanca në sistemin bankar

  1. artan says:

    Ndikimi dominues nuk vihet ne dyshim ne tregun tone bankar dhe njekohesisht efekti nder vite mbi normat e interesit. Por ndoshta renia e tanishme e normave eshte me teper pjese e struktures se tanishme te investimeve te bankave dhe likuiditeteve ne treg. Ne muajt kur bankat me pronesi te huaj filluan terheqjen nga investimet ne bono, kjo gje u reflektua me nje rritje te normave, qe me pas vazhdoi korrigjimin drejt renies.
    Per me teper edhe pjesemarrja e larte per obligacionet afatgjata per perfshirjen ne fonde investimi ka sjelle nje ulje te peshes direkte ne ankande.
    Sidoqofte nevoja per shtyerjen e maturimeve sa me afatgjata dhe nje pjesemarrje sa me te larte te shume institucioneve dhe individeve ne ankandet, do te jete nje politike me e pershtatshme per krijimin e nje mjedisi sa me konkurrues dhe eficient.

  2. adi says:

    -Nuk me duket korrekte te predikohet nga nje korrelacion i thjeshte lidhja midis normave te bonove dhe dominimit ne treg; qofte edhe drejtimi shkak pasoje: ulja e dominimit–>ulje te bonove. Kjo teze me ngjau shume e cuditshme ne pamje te pare pasi eshte e pahasur ne literature,dhe nuk ka llogjike ekonomike nga mbrapa(ne pamje te pare gjithmone), por…por sistemi jone financiar dhe ekonomia ne pergjithesi ka ca “gjera” te cuditshme, dhe do me duket me interesante sikur te shpjegoheshin keto gjera te cuditshme ne shkrim.
    –Mbas evidentimit te korrelacionit te thjeshte, me pas duhet bere teste ekonometrike nese korrelacioni eshte statistikisht relevant,dhe me pas nese kalohet kjo faze,duhet dhene nje “shpjegim ekonomike”. Gjykoj se ky shpjegim ekonomik mungon ne shkrim, pra sesi dominanca ne treg sjell ulje te normes per bonot. Cfare ndodh ne ankandet?duke patur parasysh qe ankandet e bonove dhe obligacionve jane te ndryshem(Dutch vs English auctions).Mos valle banka dominuese perdor dominancen e saje per te shfrytezuar keto tipet e ankandeve? Apo kemi praktika jo te drejta nga vete BoA ne ankandet e saje, qe intencionalisht favorizon banken dominuese? keto te fundit nuk hyne te shpjegimet ekonomike, por mund te jete arsye e korrelacionit qe predikohet ne shkrim.

  3. Pajtim says:

    Artan dhe Adi, korelacioni eshte i drejtepedrejte dhe sigurisht jo i thjeshte..po ta lexosh me vemendje tekstin -Në variablat që kanë ndikim në model do të merret edhe norma bazë e interesit, përqendrimi i tregut sipas depozitave, aseteve dhe kredive, oferta monetare etj..,
    Lidhur me hipotezat e Adit jane potenciale dhe te arsyeshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.