konkurenca1Një nga çështjet kryesore që diskutohet sot lidhet me dilemën si “shtyhen” konkurrenca dhe stabiliteti, a janë përjashtuese, si mund të “bashkëjetojnë”? Hipoteza kryesore fokusohet në rolin e konkurrencës në stabilitetin e sistemit bankar, duke analizuar strukturën e tregut dhe si këto struktura (monopol – oligopol – ose konkurrencë monopolistike) afektojnë ose jo stabilitetin në sektorin bankar.

Shumë studiues mendojnë se një ndër një sërë shkaqesh që sollën krizën financiare të vitit 2008 e në vijim mendohet të ketë qenë edhe një konkurrencë eksesive (e tepruar) mes bankave, por për këtë hipotezë, jo të gjithë akademikët bien dakord. Nga ana tjetër, thuajse të gjithë autorët ndajnë mendimin se ndikimi i konkurrencës në stabilitetin financiar është ambiguin, nëse ndikimi i konkurrencës është pozitiv apo negativ për stabilitetin bankar.

Por në gjykimin tim ka dëshmi të pakontestueshme se konkurrenca nuk e dobëson stabilitetin e sistemit bankar, por, mundëson një performancë më të mirë të tij, duke rritur efikasitetin e sistemit.

Bankat qendrore dhe autoritetet antitrust, në vend që të përpiqen për të trajtuar me njëri-tjetrin shkaqet/arsyet e kufizimit të konkurrencës që rezulton nga zbatimi i politikave të kujdesshme monetare ose rrezikut të stabilitetit, si rezultat i ndërhyrjes së politikave antitrust gjatë hetimeve të tregut financiar, duhet të bashkëpunojnë me të tjera institucione, me qëllim për të marrë një sistem bankar që do të jetë transparent, efikas dhe i qëndrueshëm ndaj sfidave të konkurrencës në rritje të bankave rajonale, europiane dhe globale.

Krisjet e stabilitetit

Sistemi bankar është i qëndrueshëm nëse përballon rreziqet e veprimtarisë dhe përmbush nevojat e agjentëve ekonomikë për likuiditet. Në klasifikimin e rreziqeve renditen rreziqet sistemike, të ndara në rreziqe ciklike dhe rreziqe strukturore. Nisur nga struktura e tregut bankar shqiptar duket se numri i madh i bankave, 16, të jep pamjen e parë të një tregu shumë konkurruese. Por nëse i referohemi ndarjes së tregut dhe nivelit të përqendrimit, rezulton se tregu paraqitet në formën e një oligopoli, pasi 5 bankat më të mëdha 67% të kredisë dhe 73% të depozitave dhe pjesa tjetër, 11 banka zotërojnë pjesën e mbetur 33% të kredisë (me një mesatare 3% për bankë) dhe akoma më pak pjesë të depozitave, 27% që ndahen mes 11 bankave më të vogla të sistemit.

Nëse analiza do t’i referohej modelit strukturë-sjellje-performancë duket se tregu bankar është fitimprurës dhe nuk “ka përjetuar” proceset e falimentimeve në seri që kaluan vendet europiane dhe sidomos SHBA. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë rezultati financiar i vitit 2012 gjeneroi 6.6 miliardë lekë (rreth 66 milionë dollarë) fitime për sistemin bankar. Kur analizohet lidhja mes konkurrencës dhe stabilitetit, janë të rëndësishme të dhëna si diferenca të ardhura nga interesat-shpenzime interesa, që për sistemin bankar është 3.89%, ndërkohë që për stabilitetin, tregues kryesor është gjendja e likuiditetit e matur me raportin aktive kundrejt detyrimeve që për sistemin bankar shqiptar kap shifrën 34.7%.

Lidhur me stabilitetin e sistemit financiar, specifika e Shqipërisë lidhet kryesisht me rritjen e fortë të kredive me probleme (non performing loans) dhe çështjet kryesore që kanë sjellë shqetësime për stabilitetin e sistemit bankar shqiptar gjatë kohës së krizës botërore, si dhe disa sfida të së ardhmes.

Kreditë me probleme në muajin dhjetor 2013 kapin shifrën e 23.5%, por ç’është më e rëndësishme është që më keq me pagesën e kredive ka performuar biznesi, për shkak të efekteve të krizës në ekonominë reale. Të dhënat zyrtare tregojnë se kreditë me probleme për bizneset janë në një nivel më të lartë se mesatarja, 27.7%, ndërkohë që për individët, kreditë me probleme janë vetëm 16.7%.

Rreziqet e stabilitetit

Rreziqet për sistemin financiar burojnë prej ndërveprimit të tij me mjedisin ekonomik rrethues dhe prej vetë veprimtarisë së tij. Në veprimtarinë e sistemit bankar, rreziku i kreditit përfaqëson sfidën kryesore. Prania e stokut të lartë të kredive me probleme në bilancin e bankave rrit koston e veprimtarisë së bankave, dëmton aftësinë e tyre për të realizuar ndërmjetësimin financiar dhe kërkon një përdorim të shtuar e joeficient të kapaciteteve të tyre. Duke identifikuar nevojat për përmirësim në kuadrin ligjor dhe rregullativ përkatës, Banka e Shqipërisë, së bashku me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Drejtësisë, përgatitën dha tashmë janë miratuar disa ndryshime ligjore që përmirësojnë procesin e ekzekutimit të kolateralit.

Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar vlerësohet gjithashtu në nivele të moderuara. Raporti “kredi/depozita”, për shkak edhe të ngadalësimit të kreditimit, është në nivele optimale. Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të kënaqshme por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes skenarët e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme dhe nevojat e tyre për kapital Financial-Stability-0404shtesë.

Sektori bankar paraqitet i mbrojtur ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, por ndjeshmëria është rritur. Banka e Shqipërisë ka konstatuar në raportin e stabilitetit (6-M-II, 2013) se një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku përfaqësohet nga kredia në valutë kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase, dhe nga kredia me normë interesi të ndryshueshme.

Skenarët e FMN-së

FMN, në publikimin e 18 marsit 2014 për Shqipërinë, për artikullin 4, i është referuar stabilitetit financiar, nënvizuar vulnerabilitetin e sistemit shqiptar bankar të dominuar nga degët e bankave të huaja dhe shkalla e lartë e euroizimit në lidhjet mes bankave dhe qeverisë mund të komplikojë menaxhimin financiar. Edhe FMN ka adresuar problemin afatgjatë të kredive me probleme. Kryesisht ekspozimi ndaj riskut lidhet me kreditë në euro që, megjithëse kanë pozicione të hapura në euro të vogla, vlerësohen me risk, pasi gjysma e kredive në monedhë të huaj të pambuluara nga humbjet e mundshme të kompensimit të kontratave ose transaksioneve. Kreditë me probleme, sipas Fondit, po për shkak të nivelit të lartë, po ushtrojnë presion për përfitueshmërinë e sistemit bankar. Rritja e kredive me probleme ka ardhur si nga faktorë ciklikë ashtu dhe strukturorë.

Skenarët e testuar

Banka e Shqipërisë duket se e ka pasur nën vëmendje të posaçme stabilitetin e sistemit financiar. Në raportin e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2013, banka raporton se treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë bankare ishin në nivele të kënaqshme, ndonëse fitimi i veprimtarisë ishte në nivele më të ulëta. Vëllimi i aktivitetit vijoi të ngadalësohej në kushtet e rritjes më të ngadaltë të depozitave dhe rritjes së dobët të kreditimit. Cilësia e portofolit të kredisë ka vijuar të përkeqësohet dhe një pjesë e rëndësishme e fitimit operativ të sektorit ka shkuar për krijimin e fondeve të nevojshme rezervë për mbrojtjen nga rreziku i kredisë”. Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit bankar ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë.

Skenarët, bazë dhe të rrezikut, përfshijnë supozime lidhur me lëvizjet në normën e rritjes së PBB-së, në nivelin e kursit të këmbimit e të normës së interesit, si dhe në nivelin e kreditimit dhe shtrihen deri në fund të vitit 2014. Rezultatet e ushtrimit tregojnë se në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizimit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarëve më të rënduar (që përfshijnë supozimet përkatëse për uljen e normës së rritjes së PBB-së, uljen e nivelit të kreditimit dhe nënçmimin e kursit të këmbimit), banka të veçanta mund të kenë nevojë për kapital shtesë.

Si rrjedhojë, për vendet në zhvillim do të ishte më i përshtatshëm një sistem bankar me konkurrencë të moderuar, duke qenë se për to është më e vështirë të ruajnë stabilitetin e tij, në prani të një konkurrence të lartë. Përqendrimi i tregut për kredi është më i ulët në krahasim me historikun e aktiveve dhe depozitave. Bankat janë më agresive në shitje dhe në këtë mënyrë, kanë tendencë të jenë më konkurruese për të kapur pjesë sa më të mëdha të tregut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.