work-togetherNë diskutimet që bëhen në media, nga përfaqësues të të djathtës, në mënyrë të mirëorganizuar dhe konstante dëgjojmë shpesh të  flitet për nevojën e mbështetjes së ideve të tyre, për faktin se janë pikërisht ato që  duhet të mbizotërojnë në shoqëri duke eleminuar rrezikun që na vjen prej Shtetit. Vazhdon të thuhet që  demokracia identifikohet me të djathtën dhe që e majta, domosdoshmërisht, sjell autoritarizëm, duke harruar me qëllim ose jo që në Evropë, USA e kudo në ato vende që i quajmë demokratike, forcat që përfaqësojnë të djathtën dhe të majtën alternohen në qeverisje dhe, të paktën për sa kemi informacion, kur në këto vende ka qeverisur e majta, nuk dimë të ketë pasur shprehje të autoritarizmit. Ndaj duket pa vend ideja që idetë e majta sjellin automatikisht autoritarizëm.

Mbështetësit e ideve të djathta (jo domosdoshmërisht ndjekës të PD) i referohen eksperiencës së dështimit të sistemit komunist në vendet e lindjes. Meqënëse  sistemi komunist dhe diktaturat e atëhershme shpreheshin edhe me anë të një kontrolli total të shtetit në ekonomi ata dalin në konkluzionin që ndërhyrja e shtetit është gjithnjë e gabuar dhe roli i tij duhet të kufizohet me krijimin e ligjeve dhe respektimin e rregullave që shërbejnë për mirëfunksionimin e tregjeve.Por, në ditët e sotme, ne jetojmë në një sistem politiko-ekonomik që nuk ka asnjë të përbashkët me një sistem monopartiak ku nuk egzistonte prona private. Ndaj dhe argumentat me anë të të cilëve tentohet të vërtetohet superioriteti i të djathtës ndaj të majtës, bazuar në krahasimet me sistemin komunist nuk qëndrojnë.

Përsa i përket rolit legjislativ dhe vigjilues nuk besoj se mund të gjejmë dikë që të jetë kundër, por duhet në të njëjtën kohë të kuptojmë  që mirëfunksionimi i tregjeve dhe nevoja për ligje rregullatore  nuk është gjë tjetër veçse një mbrojtje e interesit publik (të mirës së përbashkët që rrjedh nga konkurrenca e pastër e tregjeve) të realizuar me anë të veprimtarisë së Shtetit.

Vetëvetiu pyetjet që lindin natyrshëm janë si më poshtë:

Ky është kufiri përcaktues i të mirës së përbashkët? Nëse jo, cili do të jetë aktori që, më mirë, do të mund të bëjë të mundur përmbushjen e saj? Sigurisht që të gjithë biem dakord që e mira e përbashkët nuk përfundon ose kufizohet me mirëfunksionimin e tregjeve, ndërsa për sa i përket pyetjes së dytë duhet të ndalemi pak.Kjo është pyetja bazike ku fillon debati midis të majtës dhe të djathtës moderne.

Pikë së pari, e majta moderne dhe kapitalizmi (i shprehur me anë të respektimit të pronës private) nuk janë në antipode të njëra tjetrës. Sistemi kapitalist mund të përdoret fare mirë për realizimin e qëllimeve të të majtës (shih psh.vendet nordike): realizimi dhe mbrojtja e interesit publik, mirëqënia sociale, dhënia rëndësi etikës dhe moralit shoqëror, sigurimi  dhe krijimi i barazisë së oportuniteteve, barazisë institucionale etj.

Dallimi midis të djathtës dhe të majtës, sot, duhet bërë duke nënvizuar faktin që, të dyja si koncepte, shpalosen në të njëjtin sistem të quajtur kapitalist, bazuar në respektimin e pronës private dhe në rritjen e përfitimeve që vijnë nga format e ndryshme të shfrytëzimit të saj. Forma, që përcaktojnë  mënyrat e ndërthurjes të veprimtarisë ekonomike midis aktorëve privatë dhe Shtetit, në realizimin e të mirës së përbashkët.  Vlerësimi i raporteve Shtet-Privat përbën bazën e analizës mbi të djathtën dhe të majtën (është e vërtetë që privati me veprimet e tij nuk mendon interesin publik por rezultantja e aksioneve të tij ka rëndësi publike).

Nga historia ekonomike e vendeve perëndimore, mund të vërejmë forma të ndryshme të këtyre raporteve: “ laissez- faire” para luftës së dytë botërore, pas luftës me modelet e një pjesëmarrje aktive të shtetit në ekonomi deri në fund të viteve 70, më pas tkurrje të aksionit dhe një zvogëlim të rolit të tij në ekonomi. Secili model ka patur si periudha pozitive rritëse ashtu dhe rënëse në varësi të  momenteve dhe kontekstit historiko-ekonomik përkatëse.

Forcat e djathta nga ato të majta, në perëndim, ndahen nga shkalla e delokalizimit nga shteti tek privatët, të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve publike. Diskutimet dhe debatet kryhen gjithnjë duke shpalosur pikëpamje të ndryshme në funksion të ndjekjes së interesit publik. P.sh., si argument, për privatizimin e shërbimeve publike jepet rritja eventuale e efiçencës në shërbimet e ofruara, meqënëse efiçenca është një karakteristikë e brendshme e aktivitetit sipërmarrës privat. Nga ana tjetër , kundërargumentat bazohen në efikasitetin e ofertës së shërbimit. Dëshira për fitim, një tipar tjetër i brendshëm i biznesit privat, mund të çojë në abuzime mbi informacionet, çmimet dhe cilësinë e shërbimit të ofruar, me kursime të tepruara, përkeqësim të kushteve te punës etj, duke përdorur për këtë, edhe fuqinë lobuese ndaj autoritetit publik.

Duke përmbledhur, me një gjykim te ftohtë, mund të themi se, historikisht, nuk ka pasur një superioritet të qëndrueshëm të asnjërës midis ideve te djathta dhe atyre të majta, në ndikimin që kanë patur në politikat ekonomike. Në të njëjten kohë, vëmë re, duke u bazuar në të njëjtin moment kohor, se kemi raste të vendeve të cilat janë te sukseshme me një prezencë te fortë të shtetit në ekonomi (vendet nordike etj.) e të tjera që kanë sukses me një prezencë minimaliste të shtetit.

I gjithë ky artikulim shërben për të kuptuar në mënyrë abstrakte që, apriori nuk duhet të bëhemi partizanë të njërës apo tjetrës teori. Duhet të nisemi nga konteksti ku ndodhemi, dhe të përpiqemi që të gjejmë përputhshmëritë me kontekste analoge , me qëllim që, duke iu referuar analizës së  efekteve të politikave ekonomike të aplikuar nga vende të ngjashme, të identifikojmë politikat dhe strategjitë e përshtatshme për vendin tonë.

Në Shqipëri, në 20 vitet e fundit, është promovuar fort implementimi i ideve të djathta. Fokusi ka qenë tek ideja se cdo individ duke u munduar  të rregulloj vetveten, do të bëj të mundur realizimin e një efekti pozitiv në ekonomi dhe shoqëri. Implementimi i kësaj ideologjie filloi që nga vitet 90’, me anë të aplikimit famëkeq të teorisë së çekut të bardhë, duke demonizuar çdo gjë që lidhej me ndikimin e shtetit në ekonomi, duke zhbërë shumëçka ishte ndërtuar në 50 vite. Kjo, nuk kish si të mos linte efekte në një shoqëri të martirizuar nga diktatura dhe thellësisht injorante, përsa i përkiste funksionimit të ekonomisë bazuar në respektimin e pronës private. Efekti qe shkatërrim i gjithçkaje publike dhe moskonsideratë totale për të mirën e përbashkët, duke e personifikuar atë gabimisht me Shtetin.

Funksionimi i biznesit gjate gjithë këtyre viteve ka shumë pak ose aspak të përbashkët me etikën apo moralin. Relativizimi i gjithçkaje në funksion të interesit personal ka berë që ne të jemi dëshmitarë të formës ekstreme të aplikimit të ideve të djathta në ekonomi, me qeveri në shërbim te lobingjeve të caktuara të momentit. Rezultati ka qenë një ekonomi parazitare, aspak kompetitive me efekte katastrofike mbi moralin dhe etikën shoqërore. Mbijetesa e ekonomisë ka qenë bazuar në flukset konsistente të emigracionit të varura nga ekonomitë fqinje, ku kriza në ekonominë e tyre reale  ndikoi direkt në flukset e remitancave, duke përbërë shkakun kryesor për fillimin e krizës ekonomike në Shqipëri, që ndryshe nga vendet e tjera në krizë, i parapriu krizës financiare.

green-ideaIdetë e së djathtës, të përshtatura nga vendet anglosaksone, ku raportet individuale dhe të biznesit karakterizohen nga  besimi, nga një fair play dhe  respektim i rregullave në përgjithësi, nuk mund të ishin të sukseshme në një shoqëri tejet të varfër e thellësisht të përçarë si kjo e jona, ku raportet njerëzore qenë ngritur mbi difidencën, servilizmin dhe mosbesimin apriori. Në vendet anglosaksone, këto ide u vunë në jetë pas disa dekadash zhvillimi ekonomik, shoqëruar me një rritje të mirëqënies shoqërore dhe të zhvillimit industrial dhe bazuar në ndikimin e fortë të shtetit në ekonomi.

Ekonomisë sonë sot, megjithëse  në fillesat e para të zhvillimit, me egzistencë të konsiderueshme burimesh natyrore , me një pozicion tepër të favorshëm gjeo-strategjik, me një moshë relativisht të re të popullsisë, me potencial për tu zhvilluar në fushat ekonomike si transport, bujqësi, turizëm etj, duket sikur i kanë shterur energjitë pa nisur ende rrugëtimi i zhvillimit. Më saktë thënë në terminologji ekonomike ndodhemi përballë nje situate te quajtur “Falimentim Tregu”.

Shumë nga arsyet e kësaj situate janë çeku i bardhë i përmendur më sipër, por duke përmbledhur, mendoj që radikalizimi dhe momenti i gabuar i implementimit të ideve të djathta në Shqipëri, ka qenë shkaktari kryesor i moszhvillimit dhe ndalimit të motorit të ekonomisë tonë.

Në mendimin tim për të dalë nga kjo situatë duhet domosdoshmërisht, për kontekstin dhe momentin aktual, të ndryshojë qasja e Shtetit në ekonomi. Duhet medoemos që të marrin jetë idetë e majta. Shteti nuk duhet të ndalet në sigurimin e minimumit jetik dhe të  bëjë spektatorin në një ekonomi si kjo e jona ku tregu ka falimentuar. Në këtë fazë ku jemi është e pamundur që tregu të ringrihet në mënyre të pavarur, të paktën për një kohë të shkurtër, duke konsideruar bllokimin e kredisë dhe përgjysmimin e investimeve (rritja e likuiditetit në treg jo domosdoshmërisht do të thotë rritje të investimeve; paret e kthyera nuk janë investime te reja, ato përkojnë me vlerën e investimeve që janë kryer në të kaluaren).

Në përfundim, duhet një  ndryshim nga kursi aktual neoliberal, specialistët tanë vendimmarrës duhet të bëjnë identifikimin dhe analizën e politikave ekonomike të vendeve ku ka një rol aktiv të shtetit në ekonomi. Jo vetëm por, duhen shqyrtuar eksperiencat, strategjitë dhe politikat e ndërmarra nga ato pak vende, që kanë rezurse natyrore, të cilat ia kanë dalë që mos të bëhen pjesë e dukurisë  së quajtur “Mallkimi i Burimeve Natyrore”, e cila prek shumicën e vendeve zotëruese të këtyre burimeve që, për çudi, janë në varfëri të plotë.

Në rast se kjo nuk ndodh, rrugët për zhvillimin e vendit në mënyrë konkurruese në rajon do të jenë të paktën të kufizuara, për mos të thënë të bllokuara. Rritje ekonomike,nëse do të ketë, do të jetë inerciale dhe vendi do të rrezikojë seriozisht përballjen me nje monstër tejet të rrezikshme, të mbiquajtur deflacion.

One Response to Përse duhet të marrin jetë idetë e të majtës në ekonominë Shqiptare

  1. Shyqiri Bytyqi says:

    Analiz e mprehet!

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.