10463024_10203034556199087_5620548714977253198_nNjë pasqyrë teorike dhe empirike mbi rolin e decentralizimit fiskal në rritjen ekonomike[i]

Debati mbi decentralizmin është mëse aktual edhe për vende të vogla si Shqipëria. Reforma territoriale e ndërmarrë së fundmi nga qeveria shqiptare është një hap i parë drejt një reformimi të mëtejshëm të kompetencave të qeverive vendore. Po pse gjithë ky interes mbi këtë proces të aplikuar në shumë vende të zhvilluara ose në zhvillim? Decentralizimi fiskal, në fakt, është parë shpesh si një nga mënyrat për të pasur rritje ekonomike më të madhe. Në shumë vende të botës nivelet lokale të qeverisjes kanë përfituar nga një rritje e transferimit të fondeve dhe pushtetit nga qeveria qendrore me arsyetimin që kjo do të rritë performancën ekonomike si në nivel lokal, ashtu edhe në atë kombëtar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Transfertat e Pakushtëzuara ose grandet e qeverisë qendrore në Shqipëri, ndonëse në rritje të vazhdueshme nga viti 2002 në vitin 2009, kanë pësuar një rënie të theksuar në periudhën 2009-2012. Në vitin 2012 ato përbënin 47% të shpenzimeve për buxhetin e njësive vendore. Çfarë politike duhet të ndjekë qeveria në të ardhmen? T’i rritë transfertat drejt njësive vendore me shpresën se kështu do t’i japë një hov ekonomisë? Ose të marrë përsipër t’i ofrojë vetë tërësinë e të mirave dhe të shërbimeve publike me arsyetimin që çdo lek i shpenzuar nga ajo vetë do të kishte efekte ekonomike me të forta sesa po të shpenzohej nga njësitë vendore?

 

Cilat janë, pra, nga pikëpamja teorike, efektet e decentralizmit mbi rritjen ekonomike?

Një pjesë e mirë e literaturës teorike mbi decentralizimin fiskal ka vënë në dukje efektet potencialisht pozitive të decentralizimit fiskal. Një autonomi financiare më e madhe ose më shumë transferime fondesh  drejt niveleve vendore të qeverisjes do sjellin më shumë eficiencë si në shpërndarjen dhe përdorimin e fondeve, ashtu edhe në prodhim dhe, së fundmi, rritje ekonomike (Tiebout, 1956; Oates, 1972). Premisat për një marrëdhënie pozitive midis decentralizimit fiskal dhe rritjes ekonomike janë disa. Ato nisen, së pari, nga fakti që decentralizimi fiskal, si proces, nënkupton një mobilizim të burimeve financiare. Rrjedhimisht, qeveritë vendore, vetëm për faktin që kanë më shumë autonomi, do të shtyhen të mobilizojnë burimet (resurset) e tyre financiare në vend që të presin zgjidhje të problemeve ose ofrimin e të mirave publike lokale nga qeveria qendrore. Në këtë mënyrë shfrytëzojnë ato potenciale lokale që përndryshe do të mbeteshin të pashfrytëzuara.

Një nga rrugët nëpërmjet të cilave decentralizimi fiskal çon drejt rritjes së eficiensës ekonomike është e ashtuquajtura teoremë e decentralizimit fiskal. Sipas kësaj teoreme, qeveria vendore njeh më mirë nevojat dhe preferencat e qytetarëve të saj duke qenë më afër tyre. Si rrjedhojë, ajo arrin të ofrojë ato shërbime që ata kërkojnë (Tiebout, 1956). Sa më i madh dhe heterogjen të jetë vendi, aq më të mëdha janë avantazhet ekonomike të lidhura me teoremën e decentralizimit fiskal (Oates, 1993).

Një arsye tjetër që do të sillte një rritje të eficiencës ekonomike është dhe konkurrenca midis qeverive vendore. Frika që ndërmarrjet dhe qytetarët mund të zhvendosen në një lokalitet tjetër bën që të rritet cilësia e politikave, e shërbimeve dhe e të mirave publike që ofrohen nga qeverisjet vendore (Tiebout, 1956; Donohue, 1997). Si rrjedhojë, konkurrenca më e lartë do të bënte që të uleshin ineficiencat, praktikat korruptive e përfitimet (Breton, 1996) dhe të rritej inovacioni në politikat publike (Donohue, 1997). Për më tepër, shpesh decentralizimi fiskal shihet si mjet për të promovuar tregje më eficiente (McKinnon, 1997; Marks dhe Hooghe, 2004).

Decentralizimi e sjell procesin e prodhimit të të mirave dhe të shërbimeve publike më afër qytetarit duke ulur në këtë mënyrë kostot. Burokracia në qendër shpesh nuk është e aftë t’i ofrojë këto shërbime dhe të mira publike në një mënyrë më eficiente sesa qeveria lokale, e cila, për më tepër, i njeh më mirë nevojat specifike të qytetarëve të saj. Më afër qytetarëve do të thotë dhe më shumë pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrje, si dhe më shumë transparencë dhe llogaridhënie në vendimarrjen politike të qeverive vendore (Putnam, 1993).

Megjithëse nga pikëpamja teorike literatura është ndalur mbi aspektet pozitive, shumë autorë kanë theksuar rreziqet e mundshme të decentralizimit fiskal për rritjen ekonomike. Së pari, janë hedhur dyshime në vlefshmërinë e teoremës së decentralizimit fiskal, duke argumentuar që qeveria nuk ka pse të njohë nevojat e veçanta të secilës komunë. Në fakt, detyra e saj kryesore është të ofrojë shërbime bazë universale si ushqimi, arsimimi, shëndetësia, siguria e jetës dhe e pronës, infrastruktura bazë, të cilat janë të njëjta për të gjithë dhe mëse të njohura (Prud’homme, 1995). Por, edhe nëse nevojat e komunave të jenë të ndryshme, kapacitetet e kufizuara të qeverive lokale mund t’i pengojnë ato të shfrytëzojnë potencialin e autonomisë fiskale (Rodriguez-Pose dhe Gill, 2005).

Për më tepër, krahinat më të varfëra mund të gjenden në një disavantazh të mëtejshëm përsa i përket kapacitetit për të ofruar shërbime cilësore. Qeverisja vendore në këto lokalitete vuan shpesh nga mungesa e njohurive, e kapaciteteve dhe e burimeve njerëzore për të ofruar shërbimet bazë e jo më politika dhe shërbime të përshtatura për komunitetet lokale (Rodriguez-Pose dhe Gill, 2004; Sapir et al., 2004). Si pasojë e rrogave më të larta dhe mundësive për karrierë që qeveria qendrore ofron, ajo tërheq njerëzit më të përgatitur në administratën publike dhe arrin në këtë mënyrë të ofrojë shërbime më eficiente se qeveritë vendore (Prud’homme, 1995).

Gjithashtu, krahinat ose komunat më dinamike mund të tërheqin më shumë burime financiare nga mbledhja e taksave lokale dhe transferime nga fondet e qeverisë qendrore si pasojë e aftësisë më të madhe negociuese me të (Rodriguez-Pose dhe Gill, 2004). Kapacitetet e varfëra institucionale lokale mund të ulin edhe më tej aftësinë për të adoptuar dhe asimiluar përvojat më të mira të qeverisjes dhe politikëbërjes (Odero, 2004). Qeveritë vendore mund të bëhen pre e korrupsionit, e nepotizmit dhe e kapjes nga interesa specifike.

 

retirement_planning_000001776467Por cili është realiteti? Faktet empirike.

Ekonomistët që janë përpjekur të matin “dividendin ekonomik” (Morgan, 2002) të decentralizimit fiskal kanë arritur në rezultate shumë të ndryshme. Në fakt, marrëdhënia midis decentralizimit fiskal dhe rritjes ekonomike shkon nga pozitive dhe statistikisht e rëndësishme (Akai dhe Sakata, 2002; Iimi, 2005; Filippetti dhe Sacchi, 2013) në një marrëdhënie në formën e një U-je të përmbysur (Thiessen, 2003), ose në një marrëdhënie neutrale, ose lehtësisht negative (Davoodi dhe Zou, 1998; Woller dhe Phillips, 1998; Rodriguez-Pose dhe Bwire, 2004; Thornton, 2007; Baskaran dhe Feld, 2009) deri në një marrëdhënie të fortë negative (Zhang dhe Zou, 1998 dhe 2001; Rodriguez-Pose dhe Ezcurra, 2011).

Këto rezultate janë rrjedhojë e gamës së gjerë të kampioneve të përdorura, të periudhave kohore të studimit dhe të metodologjisë së aplikuar. Shpesh literatura ekonomike mbi këtë temë është fokusuar për vende të veçanta si Kina, SHBA etj., por, gjithmonë e më shumë, hulumtimet empirike po marrin në shqyrtim panele vendesh të zhvilluara relativisht të mëdhenj përsa i përket numrit të vendeve dhe viteve në studim. Megjithatë, në testimin e marrëdhënies midis decentralizimit dhe rritjes ekonomike, kjo literaturë, me pak përjashtime, është fokusuar kryesisht në një lloj të decentralizimit, atë fiskal, duke mos marrë parasysh faktin që lloje të tjera të decentralizimit, si ai politik dhe administrativ, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ofrimin e të mirave dhe shërbimeve publike, së fundmi, në rritjen ekonomike. Në fakt, disa nga kontributet më të fundit mbi këtë temë (Rodriguez-Pose dhe Ezcurra, 2011; Filippetti dhe Sacchi, 2013) kanë theksuar rolin e ndërveprimit të llojeve të ndryshme të decentralizimit mbi efektivitetin e shpenzimeve në nivel lokal.

Për arsyet e lartpërmendura ideja që qeveritë lokale të mund të ofrojnë shërbime të përshtatura për nevojat specifike të komuniteteve lokale, mund të mbetet vetëm një ide, si pasojë e mungesës së burimeve financiare dhe njerëzore, mundësive dhe aftësive për ta bërë një gjë të tillë. Literatura teorike nuk ka arritur në dhënien e një përgjigjeje përfundimtare nëse efektet e decentralizimit mbi rritjen ekonomike janë negative ose pozitive.

Siç u diskutua më sipër, edhe literatura empirike ka arritur në rezultate që përfshijnë çdo rast të mundshëm. Arsyet për këtë janë të shumta, përfshirë këtu dhe mungesën e një treguesi të mirëfilltë që mat decentralizimin dhe përdorimin ei metodave, qasjet e ndyshme ndaj problemit. Për më tepër, është e pamundur të kesh kundërprovën, për të parë se si do të kishte qenë trajektorja e zhvillimit të një krahine në mungesë të decentralizimit (Rodriguez-Pose dhe Ezcurra, 2011). Çështja mbetet e hapur. Është shumë e rëndësishme që si aspektet pozitive, si ato negative të procesit të decentralizmit të kihen parasysh përpara aplikimit të tij në kontekstin shqiptar. Kjo gjë do të na shmangte efekte të papritura dhe të padëshirueshme.

 

 

Bibliografia

Akai, N., Sakata, M. (2002) Fiscal decentralization contributes to economic growth: evidence from state-level cross-section data for the United States. Journal of Urban Economics, 52: 93–108.

Baskaran, T., Feld, L.P. (2009) Fiscal decentralization and economic growth in OECD countries: is there a relationship? CESIFO Working Paper No 2721.

Davoodi, H., Zou, H. (1998) Fiscal decentralization and economic growth: a cross country study. Journal of Urban Economics, 43: 244–257.

Donohue, J.D. (1997) Disunited States. New York: HarperCollins Publishers.

Filippetti, A., Sacchi, A. (2013) Varieties of decentralization, institutional complementarities, and economic growth: evidence in OECD countries. Paper presentet at 54° Conferenza SIE, 24-26 ottobre 2013, Università di Bologna

Iimi, A. (2005) Decentralization and economic growth revisited: an empirical note. Journal of Urban Economics, 57: 449–461.

Marks, G., Hooghe, L. (2004) Contrasting visions of multi-level governance. In I. Bache, M. Flinders (eds) Multi-level Governance, pp. 15–30. Oxford: Oxford University Press.

Oates, W. (1972) Fiscal Federalism. New York: Harcourt Brace Jovanovich.

Oates, W. (1985) Searching for Leviathan: an empirical analysis. American Economic Review, 75: 748–757.

Oates, W. (1993) Fiscal decentralization and economic development. National Tax Journal, XLVI: 237–243.

Prud’homme, R. (1995) The dangers of decentralization. World Bank Research Observer, 10: 201–220.

Rodrı´guez-Pose, A., Bwire, A. (2004) The economic (in)efficiency of devolution. Environment and Planning A, 36: 1907–1928.

Rodrı´guez-Pose, A., Ezcurra, R. (2010) Does decentralization matter for regional disparities? A cross-country analysis. Journal of Economic Geography, E-pub: 22 September 2009, doi:10.1093/jeg/lbp049.

Rodrı´guez-Pose, A., Ezcurra, R. (2011) Is fiscal decentralization harmful for economic growth? Evidence from the OECD countries. Journal of Economic Geography, 11: 619–643 doi:10.1093/jeg/lbq025

Rodrı´guez-Pose, A., Gill, N. (2003) The global trend towards devolution and its implications. Environment and Planning C: Government and Policy, 21: 333–351.

Rodrı´guez-Pose, A., Gill, N. (2004) Is there a global link between regional disparities and devolution? Environment and Planning A, 36: 2097–2117.

Rodrı´guez-Pose, A., Gill, N. (2005) On the ‘economic dividend’ of devolution. Regional Studies, 39: 405–420.

Sapir, A. et al. (2004) An Agenda for a Growing Europe: The Sapir Report. Oxford: Oxford University Press.

Tiebout, C.M. (1956) A pure theory of local expenditures. The Journal of Political Economy, 64: 416–424.

Thießen, U. (2003) Fiscal decentralisation and economic growth in high-income OECD countries. Fiscal Studies, 24: 237–274.

Thornton, J. (2007) Fiscal decentralization and economic growth reconsidered. Journal of Urban Economics, 61: 64–70.

Woller, G.M., Phillips, K. (1998) Fiscal decentralization and IDC economic growth: an empirical investigation. Journal of Development Studies, 34: 139–148.

Zhang, T., Zou, H. (1998) Fiscal decentralization, public spending and economic growth in China. Journal of Public Economics, 67: 221–240.

Zhang, T., Zou, H. (2001) The growth impact of intersectoral and intergovernmental allocation of public expenditure: with applications to China and India. China Economic Review, 2: 58–81.

 

 

 

 


[i] Pjesë e një artikulli të paraqitur në Konferencën Ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare”, organizuar nga Universiteti Europian Tiranës, 1-4 Maj 2014. Artikulli i plotë do botohet në Revistën Shkencore Economicus nr. 12, Qershor 2014.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.