10450452_10203044605290308_2951403666727278706_nStatusi kandidat është vetëm një sinjal politik, një letërinkurajimi për hapat e tjerë në rrugën e gjatë drejt integrimit në Bashkimin Evropian pasi nuk sjell asnjë fond shtesë  për ekonominë shqiptare (sipas deklaratës së kryeministrit holandez, fondet IPA  mbeten në të njëjtin nivel) e megjithatë opinioni publik ka një ndjeshmëri të lartë për këtë çështje. Sipas këtij mendimi, kjo ka të bëjë me aspiratën tonë për t’u integruar në  organizatën e vendeve më të zhvilluara të rajonit ku jetojmë, por shumë pak prej nesh bëjnë pyetjen se sa larg atyre standarteve jemi dhe çfarë do të thotë ky proces në secilin drejtim.

Nga pikëpamja ekonomike, Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi konceptin e lirisë për të zgjedhur. Kjo liri mund të ushtrohet kur ka shumë aktorë në treg si nga ana e kërkesës, ashtu dhe e ofertës. Në këtë rast individët ushtrojnë lirinë e tyre  themeltare  për të rënë dakort pas një negociate. Produkt i këtyre negociatave është çmimi natyral i produktit, i cili ndan përfitimet e transaksionit në mënyrë të drejtë midis palëve. Me reduktimin e numrit te shitësve do të shtohet forca e tyre negociuese e si pasojë do të rritet çmimi i ekulibrit në dëm të konsumatorëve dhe të nivelit të përgjithshëm ekonomik. Në ato raste ku përqendrimi i tregut bëhet alarmant dhe pengon konkurrencën, është e nevojshme ndërhyrja e autoriteteve kompetente. Rasti i gjobës së propozuar prej 563 milionë euro nga ana e Komisionit Evropian për Konkurrencën ndaj Microsoftit, pasi ky i fundit nuk i ofronte përdoruesve mundësinë që me lehtësi të zgjidhnin browserin e preferuar dhe pengimi i blerjes së Honeywell nga General Electric janë ndër rastet që studiohen në çdo shkollë biznesi dhe juridik për këtë fushë.

Në Shqipëri në rolin mbikqyrës është Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka për detyrë luftimin e praktikave antikonkurruese që shfaqen në formën e marrëveshjeve të ndaluara dhe karteleve; ndalimin e praktikave abuzuese në mënyrë që hyrësit e rinj të mund të sfidojnë ndërmarrjet ekzistuese; duke nxitur bashkimet e ndërmarrjeve që çojnë në kompani akoma më konkurruese, si dhe duke ndaluar ato bashkime që mund të çojnë në pozita dominuese që kërcënojnë konkurrencën; duke vlerësuar aktet ligjore dhe nënligjore për të parandaluar kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës apo që mbështesin kompanitë joeficiente dhe duke mbështetur masat që ndërmerr shteti për të nxitur e promovuar konkurrencën dhe interesin e përgjithshëm publik.

cartoon-globe-man-holding-a-flag-of-the-european-unionSë fundmi, si pjesë e procesit të hetimit të koncesioneve të dhëna në kushte monopoli e rekomanduar dhe nga Parlamenti në rezolutën e fundit,  koncesioni për shërbimin e skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera është vlerësuar nga Autoriteti i  Konkurrencës si e dhënë në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së, një marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, sipas parashikimeve të nenit 116 të Kushtetutës. Ata i rekomandojnë Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave që të ndërpresin këtë koncesion duke ndarë shërbimin nga produkti, pra  të blejnë pajisjet, por të mbajnë vetëshërbimin publik. Kjo, pasi ky treg është i përqendruar në hallkën e zinxhirit të shërbimeve. Për këtë arsye, nëse i jepet në koncesion me çmim të parregulluar një privati, çmimi i ekulibrit do të jetë ai i një  monopoli dhe jo çmimi natyror i cili është më i parapëlqyeri për shoqërinë në tërësi. Megjithëse një hap shpresdhënës, lufta ndaj monopoleve të dhëna në kushte monopoliste, në të cilat kostot për qytetarët janë rritur në nivele shumë të larta, vazhdon. Së shpejti duhen adresuar dhe problematikat e shërbimit të pajisjes me pulla fiskale shërbimit të markimit të karburanteve, llotarisë kombëtare si dhe e shërbimit të skanimit të kontenierëve pranë terminalit të Portit të Durrësit .

Është gjithashtu e nevojshme që puna e Autoritetit të Konkurrencës, në ndryshim nga viti i kaluar, në të cilin i vetmi rast që ishte gjetur si pengesë e konkurrencës ishte ai i shpërndarjes së aboneve të autobusëve për studentët në qytetin e Tiranës, të fokusohet në sektorët më prioritarë të ekonomisë, ku përqendrimi i tregut në subjekte të caktuara ka sjellë deformime të funksionimit të tregjeve.

Tregu i telefonisë celulare është paraqitur problematik pasi shihet një fenomen antikonkurrues që lidhet me diferencimin e theksuar të tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit nga operatorët e konsoliduar në treg, pavarësisht se kostot janë të përafërta. Ky fenomen, i cili ka kushtëzuar sjelljen e konsumatorit dhe ka shkaktuar impakt negativ për konkurrencën e lirë, ka sjellë që numri i thirrjeve brenda rrjetit të jetë në nivelin më të lartë në botë (97% e thirrjeve brenda rrjetit, ku Kenia është e dyta me 96%) dhe në përqendrim të tregut, ku një kompani e vetme ka rreth 50% të tregut dhe dy kompanitë e para rreth 90%.  Një tjetër treg problematik është ai i sigurimeve, ku rënia e shpejtë e çmimeve pas liberalizimit në nivele shumë të ulta dhe jokonkurruese, cilësim ky që vjen si nga aktorët në treg, ashtu dhe nga organet mbikqyrëse kompetente, nuk është zgjidhur, duke diversifikuar produktin sipas modelit të propozuar (bonus-malus), por është bërë duke koordinuar rritjen e çmimit. Problematikat e këtyre dy tregjeve, ajo e tregut të energjisë, ajo e tregut të gazit të lëngshëm si dhe problematika të tregjeve të tjera të bëra publike nga operatorët, të cilat tregojnë brishtësinë e konkurrencës në Shqipëri, duhet të jenë në fokus të të gjitha autoriteteve përgjegjësë.

Autoriteti i Konkurencës është mbikqyrës i konkurrueshmërisë, por nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk ka një 14862_10203044629130904_7198601826082785690_nbashkëpunim dhe vullnet nga të gjithë aktorët e tjerë. Po të shohim gjendjen deri ne fund të vitit 2013, vetëm për 71.2% të vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës është marrë një përgjigje nga organet e gjyqësorit, ndërsa për çështje sensitive, si liberalizimi i tregut të sigurimeve, nuk është marrë opinion i tyre si nga ana e qeverisë, ashtu dhe nga ana e Kuvendit.

Moskoordinimi dhe opaciteti i organeve përgjegjëse kanë sjellë këtë gjendje të konkurrencës në treg e për këtë arsye është e rëndësishme që në të ardhmen të rritet koordinimi dhe transparenca. Vetëm me një bashkëpunim të shtuar do të mund të kemi legjislacion më të mirë, vendimarrje më të shpejtë, koncesione në përputhje me  ligjin dhe autoritete mbikqyrëse më proaktive dhe më efikase në zgjidhjen e  problemeve që prishin funksionalitetin e tregut. Një rol të rëndësishëm kanë dhe individët, të cilët duhet të jenë më të informuar për ofertat e ndyshme që janë në treg si dhe bizneset të cilat duhet të jenë të detyruara që të jenë transparente në atë çfarë ofrojnë.

Siç shihet nga kjo analizë, por dhe nga studimet e ndryshme të institucioneve  kombëtare dhe ndërkombetare, tregu shqiptar është larg të qenit plotësisht i lirë dhe, si pasojë, larg vendeve që sot janë anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, rezoluta e  fundit e Kuvendit si dhe vendimi i Autoritetit të Konkurrencës për koncesionin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera, janë hapa pozitivë. Në këtë drejtim, edhe konkurrencës së tregut shqiptar mund t’i rekomandohet statusi kandidat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.