10555432_10203570493676665_1670132910_oKryesisht për makroekonimistët

Ekonomisti i ekonomistave, ai që personifikoi si asnjë tjetër frymën e hulumtuesit, dhe kontribuoi më shumë në ndërtimin e asaj çfarë quajmë sot “Ekonomiks”, i madhi Paul Samuelson në një bashkëbisedim me shokun e tij, staticienin Harod, do e pyeste:

– Harod nëse djalli do vinte dhe do të ofronte një marëveshje: “Në këmbim të shpirtit tënd, do të jepte një formulë magjike”, ti do e bëje ketë?

–  “Jo”, ju përgjigj Harod!

– Ndërsa unë- tha Samuelson, do e këmbeja për një mosbarazim të thjeshtë.

Dhe një mosbarazim i tillë ka dalë nga “Kapitali në shekullin e 21-t” i Thomas Piketty në formën r>g, ku r-është norma  kthimit e kapitalit dhe g-është rritja ekonomike. Sipas Piketty, kjo e kombinuar me një regjim  me rritje te vogël ekonomike është  dinamika kryesore që rrit  pabarazisë në të ardhura. Kjo tautologji  nuk del nga nevoja llogjike për ta patur  një supozim që autori ta përdor për të ndërtuar argumentat e tij, por një fakt empirik që ka mbizotëruar pothuajse në të gjithë kohërat. E dukshme vërehet ngjashmëria e intuitës ekonomike të Piketty me inspiruesin Samuelson, ku pavarërisht boshllëqeve të vogla përgjatë argumentimit ku pjesët nuk duken sikur mund të qëndrojnë në këmbë në vetvete, rezultati final dhe teza e plotë papritmas godasin mprehtë me konsistencën dhe lehtësinë që shfaqin, duke të lënë një ndjesi habie dhe egzaltimi intelektual.  Gjenialiteti i Piketty qëndron në gjetjen e shkakut të rritjes së koncentrimit të pabarazisë në bashkimin, në dukje naiv dhe i pashpresë, midis teorisë  së rritjes ekonomike dhe asaj  së shpërndarjes së të ardhurave.

Pse pabarazia po bëhet një shqetësim madhor? Mes shumë problemesh që krijon, ajo që trondit opinionin e të dy krahëve politike është se studime të rëndësishme kanë treguar se koncentrimi i pabarazisë është përkthyer në pabarazi të “mundësive”.  Gjithashtu  një studim së fundmi nga FMN  tregon se kur pabarazia ka qenë e theksuar, më e vogël ka rezultuar rritja ekonomike. Nëse parashikimet e Piketty-t dalin të vërteta, fundi i shekullit XXI do karakterizohet nga i njëjti nivel pabarazie me atë të shekullit XIX, ku bota kontrollohej nga dinasti të cilat përcjellin pasuritë e tyre gjithmonë e më të mëdha tek gjeneratat që vijnë, që do të thotë, “kapitalizmi atëror”. Kush do e donte një shoqëri të tillë?

Veçoria dalluese e këtij “magnus opus-i” është se pavarësisht kritikave të shumta, dinamikat themelore dhe llogjika elegante që shpalos, mbeten të pamposhtura – një tip Rocky Balboa që nuk bie edhe mbas shumë goditjeve. Mes gjithë studimeve mbi pabarazinë, “Kapitali në shekullin e XXI” është më emblematiku. Për shkak të konributit unik, punimet në lidhje me pabarazinë mund të ndahen me Piketty-in dhe të “tjerët”.

Kontributet e “tjera” për pabarazinë 

Ekonomistët ja kanë atribuar shkakun e rritjes së pabarazisë në të ardhura globalizimit, avancimeve teknologjike, edukimit dhe politikave ekonomike. Mekanizimi automatik i një pune që më parë kryehej nga punëtorë manual rrit pjesën e të ardhurës që shkon për fitimin e firmës dhe jo për pagat. Gjithashtu dhe aftësia për të punësuar punëtorë të lirë nga jashtë, vepron në të njëjtën mënyrë.

Claudia Goldin dhe Lawrence F. Katz në librin e tyre: “Gara midis edukimit dhe teknologjisë” evidentojnë se edukimi avancoi para teknologjisë në gjysmën e parë të shekullit XX, ndërkohë që në gjysmën tjetër teknologjia avancoi më para. Sipas tyre ky dinamizëm është shkaku për rritjen e pabarazisë në të ardhura. Zhvillimet teknologjike kanë rritur kërkesën e sa më shumë punëtorëve të edukuar duke krijuar një treg punë shumë të polarizuar midis atyre me aftësi dhe edukim të avancuar dhe masave të paedukuara mirë.

Joseph Stiglitz në librin e tij “Çmimi i Pabarazisë” evidenton se mbas një vale neoliberalizmi ne jemi në duart e karteleve dhe e monopoleve që kanë zaptuar politikën për të rritur përfitimet e tyre, dhe pabarazia është rritur për shkak të liberalizimit, prishjeve të unioneve dhe privatizimeve. Pabarazia ul produktivitetin dhe asfikson rritjen ekonomike.

Studimet të tjera nga Alan Kruger kanë dokumentuar se rritja e pabarazisë në të ardhura ka sjell ulje të mobiliteti midis brezave (The Great Gatsby Curve). Në të njëjtën linjë me Stiglitz evidentohen ulje të konsumit, rritje të borxhit, ulje të produktivitetit dhe rritjes ekonomike.

Figura 1: Shkaqet e Pabarazisë (para Piketty-s)

fig 1_sakte

 

 

 

 

 

 

Gjithashtu ulja e taksave më të larta marxhinale dhe prishja e unioneve janë identifikuar ndër shkaqet e pabarazisë gjatë valës neoliberale të Thaçerit dhe Regan-it.  Secila nga shkaqet e përmëndur më sipër shpjegojnë një pjesë të së vërtetës, të pamundura për të dhënë një shpjegim gjithëpërfshirës sesi të pasurit bëhen akoma më të pasur.

Dhe vjen Piketty

Padyshim, puna disavjeçare me të dhënat mbi pabarazinë e të ardhurave dhe pasurisë është merita dhe forca kryesore e librit.  Mbledhja e të dhënave të para për  shpërndarjen e të ardhurave fillon me Kuznets në 1950 në Shtetet e Bashkuara.  Metodat e Kuznets u zgjeruan për rastin e Francës, Britanisë, dhe Shteteve të Bashkura. Me ndihmën e mbi 30 kërkuesve,  janë përpiluar seri kohore  për shpërndarjen e të ardhurave për më shumë se 25 vende, dhe rezultati është Databaza e Të Ardhurave Të Larta”.

 

2

Të dhënat tregojnë se ndërkohë që në fillim të shekullit XX, pabarazia në të ardhura ka qenë më e lartë në Europë se në Shtetet e Bashkuara, aktualisht është më e lartë në Shtetet e Bashkuara (Fig 2). Gjithashtu vihet re e njëjta përmbysje situate për pabarazinë e pasurisë. Pasuria neto totale e zotëruar nga 10% e mbajtësve ishte më e lartë në Europë në krahasim me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që e kundërta është sot (Fig 3).

Ka diferenca të rëndësishme midis pabarazisë së të ardhurave dhe asaj të pasurisë. Pabarazia e pasurisë është më e përqëndruar. Gjysma e poshtme e popullsisë nuk zotëron pothuajse fare kapital, por që merr të ardhura që zënë një pjesë të madhe të të ardhurës së përgjithshme.

Në Francë dhe Angli kapitali qëndroi stabël tek 7 herë prodhimin e brëndshëm bruto nga 1700 te 1910, më pas u ul ndjeshëm  në 2.5 në Angli dhe 3 në Francë nga 1910 në 1950 si pasojë e luftrave dhe depresionit ekonomik. Më pas ky raport u rrit duke vajtur tek rreth 5 në Angli dhe më pak se 6 në Francë në 2010. Trajektorja e Shteteve të Bashkuara është pak e ndryshme: fillon me 3 në 1770, rritet ne 5 në 1910, ulet pak në 1920 dhe rritet në 5.5 në 1930, ulet posht 4 në 1950 dhe 4.5 në 2010.

Përdorimi i raportit kapital përmbi të ardhurën e brëndshme bruto në krahasim vetëm me kapitalin bëhet për të krahasuar drejt vëndet me njëri-tjetrin. Me kapital kuptohet çdo aset fizik dhe financiar në pronësi të dikujt.

Raporti kapital mbi produktin e brendshëm bruto ka qenë gjithmonë më i ulët në Shtetet e Bashkuara sesa në Europë. Arsyeja kryesore është se mbas kolonializimit çmimi i tokës u rrit shumë më pak për shkak të tokave me bollëk në Amerikën e Veriut. Gjatë shekullit 20 arsya e raportit më të vogël midis kapitalit dhe produktit të brëndshëm bruto gjëndet tek produktiviteti më i lartë në krahasim me Europën. Gjithashtu dy luftrat botërore shkaktuan më shumë dëme në Europë sesa në Shtetet e Bashkuara.

Trajektorja e rëndësishme për argumentin e Piketty-it është se raporti kapital mbi produktin e brëndshëm bruto në të tre shtetet, Francë, Angli dhe Shtetet e Bashkuara ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga 1950-ta, dhe çfarë është më e rëndësishme ku dhe merr titullin libri, Piketty parashikon se ky raport do vazhdoj të rritet dhe gjatë shekullit XXI, duke na kthyer në gjëndjen e shekullit XIX të dominuar nga kapitalizmi atëror ku ekonomia nuk kontrollohet nga njerëz të talentuar por nga dinastitë familjare.

Parashikimet e rritjes së përqëndrimit të pasurisë në shekullin e XXI nga Piketty bazohen në dy tautologji të cilat ai i quan dy ligjet e kapitalizmit dhe disa supozime të qënsishme mbi normën e rritjes ekonomike dhe asaj të kapitalit. Ligji i parë i kapitalizmit shpreh pjesën e të ardhurës totale (produktit të brendshëm bruto) që i shkon kapitalit në formën  α=r*β, ku r-është norma e kthimit e kapitalit, dhe β është raporti kapital përmbi prodhimin e brendshëm bruto. Ligji i dytë i kapitalizmit huazohet nga Horrod-Domar-Soloë në formën, β=s/g e cila tregon sesa do jetë raporti afatgjatë  i kapital/ardhura bruto, ku s-është norma e kursimit dhe g-është rritja ekonomike.  Si shëmbull nëse norma e kursimit është 12% dhe rritja ekonomike 2%, atëherë , β=s/g=600%. Nëse një vënd kursen 12% të të ardhurës së tij, dhe kjo e ardhur rritet me 2% në vit, atëherë vlera e kapitalit në këtë vënd shkon rreth 6 herë të ardhurës së brëndshme. Kjo formulë tregon se nëse një vënd kursen së tepërmi dhe karakterizohet nga rritje ekonomike e vogël, në të ardhmen do grumbullojë një sasi të madhe kapitali e cila do ketë implikime mbi strukturën sociale dhe shpërndarjen e pasurisë. Rikthimi i këtij raporti në nivelet e fund shekullit XIX shpjegohet nga rikthimi i një regjimi me rritje ekonomike të vogël. Rritja ekonomike përcaktohet si produkt i rritjes së popullsisë dhe i rritjes së produktivitetit. Për një vënd që ka një rritje demografike afërsisht zero, me nje rritje ekonomike rreth 1.5-2% në vit, siç parashikohet Europa gjatë shekullit XXI, pritet qe ajo të akumuloj kapital sa 6 deri 8 herë të të ardhurës së saj bruto. Ndërsa për një vënd me rritje demografike rreth 1% në vit, dhe me një rritje totale ekonomike 2.5-3% në vit siç është rasti i Shteteve të Bashkuara, ajo do akumuloj kapital sa 3-4 herë të ardhurës së saj bruto.

Në ekonomitë me rritje të vogël, ku norma e kthimit e kapitalit(pasurisë)  qëndron vazhdimisht mbi normën  e rritjes ekonomike për një kohë të gjatë(Fig 4), pasuria e kaluar merr rëndësi të madhe pasi duhet vetëm një kursim i vogël për ta rritur atë, dhe  shanset që pabarazia të përkeqësohet janë shumë të larta. Ky mosbarazim midis normës së rritjes ekonomike dhe normës së kthimit të kapitalit (ku futen fitimet, dividentët, interesat, qeraja, dhe të ardhura të tjera) përmbledh llogjikën e argumentit të Piketty-t sesi të pasurit bëhen më të pasur dhe sesi e kaluara përpin të ardhmen. Në kushte të tilla koncentrimi i kapitalit arrin nivele të larta të cilat bien ndesh me vlerat meritrokatike dhe principit të drejtësisë sociale.

Boshllëqet dhe rruga kërkimore për pabarazinë 

Do ishte e parakohshme të arrihej në përfundimin se Piketty ka gjetur atë çfarë nuk shkon me kapitalizmin, apo mekanizmin kyresor të përkeqësimit të pabarazisë. Për vetë të dhënat ai shprehet se janë të pakompletuara dhe konkluzionet të pa-fortifikuara. Pavarësisht një përpjekjeje(e cila u provua e gabuar) për të hedhur poshtë tendencën rritëse të pabarazisë së pasurisë në Angli dhe BE nga Financial Times tendencat rritëse të pabarazisë të shfaquara në të dhëna janë të forta.  Në vënd që të fokusohen tek çbërja e argumentit të Piketty, studiuesit mund të përpiqen të idenfikojnë dinamikat – pjesë të kapitalizmit, që shkojnë ndesh me dinamikën e idenfikuar nga ai.

Ndër kritikat që qëndrojnë, është ajo mbi dyshimin se kthimi i kapitalit do vazhdojë të jetë me i madhë se norma e rritjes ekonomike. Kjo bazohet në supozimin se elasticiteti i zëvendësimit midis kapitalit dhe punës do jetë më i madhë se 1; një supozim jo tradicional[1] në modelet e rritjes ekonomike. Piketty e justifikon këtë duke vëzhguar se të dhënat flasin qartë  pasi kapitali është rritur, dhe në vënd që norma e kthimit të ulej ajo është rritur gjithashtu. Një rritje e raportit β të kapitalit përmbi produktin e brendshëm bruto duket sikur ka rritur α, pjesën e të ardhures së kapitalit nga e ardhura totale. Kjo nënkupton një situatë ku kapitalit i gjëndet gjithmonë shumë përdorime në të ardhmen. Dhe kjo ka ndodhur shpesh gjatë historisë së njerëzimit. Nuk është e lehtë të imagjonohet robotizmi i metëjshëm i disa punëve dhe  shtimi i aparateve elektronike të cilat kërkojnë investime të mëtejshme, më të mëdha në kapital.

Supozimi i tij në lidhje me rritjen e ulët të prodhimit të brendshëm bruto gjatë shekullit XXI në disa shtete kyçe gjëndet midis skenarit pesimist të propozuar nga Robert Gordon i cili predikon se  shekulli XXI do karakterizohet nga një produktivitet i dobët pasi teknologjia e infomacionit nuk ka çfarë jep më, dhe optimistët si Erik Brynjolfsson dhe  Andrew McAfee në librin e tyre “The Second Machine Age”  të cilët predikojnë se teknologjia e informacionit akoma nuk ka lëshuar frytet e vërteta të saj, dhe parashikojnë rritje të produktiviteit gjatë shekullit XXI. Vendosja midis një pesimisti dhe një optimisti për rritjen ekonomike duket sikur ka  qetësuar shpirtrat kritik për këtë supozim.

Sugjerim i Piketty për të ulur pabarazinë është taksa progresive mbi vlerën e kapitalit, jo mbi normën e kthimit të tij pasi kjo do ulte rritjen ekonomike e cila do përkeqësonte më tej diferencën “r-g”. Kjo taksë do përmbante rritjen pa kufij të koncentrimit të kapitalit pasi ky koncentrim nuk ka lidhje me shpirtin sipërmarrës dhe nuk ndihmon në rritjen ekonomike. Megjithëse është një ide e mirë teorike, ajo nënkupton bashkëpunim ndërkombëtar midis vëndeve për ta zbatuar këtë taksë.

Dinamika dhe makanizmi i propozuar nga Piketty sesi mund të rritet koncetrimi i pabarazisë mbeten të sakta. E gjitha kjo ndodh edhe me tregje super të lubrifikuara. Por historia ekonomike na tregon se kapitalizmi përveç kësaj dinamike të evidentuar nga ai, zotëron edhe mekanizma që ulin pabarazinë të  cilat janë shpërndajra e njohurive dhe e aftësive, ku duhet të jenë lehtësisht të asimilueshme nga të gjithë – një “produkt publik” par excellence. Qeveritë e vëndeve si mirëmbajtës dhe projektues kryesorë të këtyre produkteve, dhe jo tregjet, duhet të propozojnë politika për shpërndarjen dhe asimilimin e njohurive dhe aftësive nga/për të gjithë.

Referenca:

“Capital in the Twenty-First Century”; Thoma Piketty(Autor), Arthur Goldhammer(Përkthyes); Harvard University Press, Prill 2014.

“Inequality in the Long Run”; Thomas Piketty and Emmanuel Saez, ScienceMag, June 2014

“Redistribrution, Inequality and Growth”; Jonathan D. Ostry, Andrew Berg and Charalambos G. Tsangarides; IMF Staff Discussion Note; February 2014.

“The Race between Education and Technology”; Claudia GoldinLawrence F. Katz; Harvard University Press; Mars 2010.

“The Price of Inequality”: How Today’s Divided Society Endangers Our Future; Joseph E. Stiglitz.

“Piketty findings undercut by errors”; The Financial Times’ May 24, 2014; Chris Giles in London.

“Is US economic growth over? Faltering innovation confronts the six headwinds”; Robert J Gordon; Policy Insight No.63.September 2012.

“Race against The Machine: How the Digital Revolution is Accelerating Innovation, Driving Productivity, and Irreversibly Transforming Employment and the Economy”; Erik Brynjolfsson, Andrew McAfee.


[1] Analiza tradicionale nwpwrmjet Cobb-Douglas mban pjeswn e tw ardhurws qw i shkon kapitalit stabwl me supozimin se njw rritje e kapitalit sjell uljen e normws sw tij tw kthimit, me elasticitet mw tw vogwl se 1.

 

 

 

 

 

 

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.