photo_verybig_162491Ngjarjet e ditëve të fundit lidhur me Bankën e Shqipërise paraqesin një situatë të papranueshme. Jemi përballë një vjedhje të një shume të pamenduar, prej një punonjësi të institucionit dhe arrestimit të disa të tjerëve, përfaqësues të “elitës profesionale”, që deklarojnë, si element mbrojtës, në lidhje me përgjegjësitë e tyre për të cilat paguheshin, sipas mediave, se nuk kishin lexuar manualet dhe procedurat e bankës. Nga ana tjetër guvernatori i bankës justifikohet se e “pabëra” u zbulua nga vetë banka dhe nxiton të futet nën ombrellën e mbrojtjes të spektrit politik që ka rëndësi, si majtas dhe djathtas.

Nga shoqëria civile janë ngritur zërat e protestës, nëpër gazeta është nënvizuar përgjegjësia “morale” që ka guvernatori për të dhënë dorëheqjen e tek-tuk ndonjë politikan që kërkon me forcë këtë gjë.

Po pse Guvernatori Fullani duhet të largohet? Përse ai si funksionar publik, duke patur parasysh radhitjen e panumërt të funksionarëve të papërgjegjshëm të këtij vendi që ose kanë ruajtur vendet e tyre ose janë larguar pa iu hyrë një gjemb në këmbë për të pabërat e tyre, duhet të largohet. Përse populli i thjeshtë duhet të kuptojë që ajo që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë nuk mund të jetë si ndodhitë e tjera në Shqipëri ku “çudia më e madhe zgjat tre ditë”?

Përse është i rëndësishëm stabiliteti i monedhës?

  1. Stabiliteti i monedhës dhe vlera e saj lidhen ngushtë me besimin tek ajo si mjet shkëmbimi dhe si një rezervë vlere.

“Monedha jonë, Leku, ka vlerë kur ne besojmë se është ajo mjeti i duhur për të bërë shkëmbimet për produkte/shërbime të ofruara prej secilit prej nesh. Duke pranuar Lekun si mjet shkëmbimi, në të njëjtën kohë ne shprehim kërkesën për Të, për kryerjen e transaksioneve. Duke qenë se aktiviteti ekonomik zgjat në kohë dhe shkëmbimet i bëjmë në Lekë, nevojitet dhe që monedhën ta përdorim si rezervë vlere për ta përdorur në momentin e duhur.

Nëse njerëzit, dhe aktorët e tjerë institucionale, nuk do te kishin besim në monedhën e emetuar nga “Shteti” atëherë do të kërkonin një monedhë tjetër të lëshuar nga një “Shtet” tjetër. Mungesa e besimit mund të vijë vetëm si pasojë e instabilitetit dhe paqëndrueshmërisë së vlerës së monedhës vendase. Efekti do të ishte zhvlerësim i monedhës dhe humbje e Pavarësisë Financiare dhe jo vetëm të vendit.

  1. Investimet e huaja

Në botën e sotme, me ekonomitë e hapura ndaj  njëra-tjetrës, kërkesa për lekë mund të bazohet në nevojën e të huajve për të bërë investime fizike ose financiare në titujt e shtetit Shqiptar, në mënyrë direkte ose nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.

Mungesa e stabilitetit të monedhës do të perceptohet si një risk nga të huajt që mund të ndikojë negativisht në investimet e tyre, sidomos në ato financiare.

Kjo për të kuptuar rëndësinë e stabilitetit monetar.  Për vetë rëndësinë që prezanton stabiliteti i monedhës kërkohet që të trajtohet me profesionalizëm maksimal  e për këtë arsye i është veshur si përgjegjësi BSH si institucioni  më elitar e profesional në vend.

Tani le të vijmë në rastin konkret. Fullani është përfaqësues i një institucioni që duhet të përçojë si brenda dhe jashtë vendit transparencë e profesionalizëm, veti këto që ndikojnë në stabilitetit të monedhës, kostos së saj dhe që këtej të financimit publik. Nga ajo që kemi parë këto ditë në media jemi vënë në dijeni, minimalisht, të një papërgjegjshmërie totale të tyre në raport me rolin përkatës administrativ, kur nga të arrestuarit është deklaruar se nuk kishin dijeni mbi procedurat, që ishin detyrat e tyre në fund të fundit. Perceptimi në publik si brenda dhe jashtë vendit është për një mungesë ekstreme profesionalizmi. Pra po na serviren ata që deri dje i quanim profesionistët elitarë të vendit si ordinerë që nuk kuptojnë as konceptin ligjor që: “injoranca nuk të justifikon”. Unë këtë nuk mund ta besoj por do ta vazhdoj arsyetimin pak më poshte pasi të nënvizoj faktin që edhe me kaq roli i Fullanit si përfaqësues i institucionit të BSH ka dështuar. Perceptimi pozitiv të paktën për anën teknike të këtij institucioni ka rënë përposhtë duke minuar besimin që këta njerëz janë të aftë për të bërë punën e tyre. Dhe kjo nuk është e pranueshme duke patur parasysh rolin fondamental që zë BSH në politikat monetare të vendit.

Siç thashë më sipër unë nuk besoj në paaftësinë e personave të punësuar aty por në papërshtatshmërine e një pjese të mirë prej tyre për tu shndërruar me një të rënë të shkopit magjik në profesionistë ekselentë, pasi ky duhet të jetë përcaktimi i një nëpunësi të BSH. Ajo që unë besoj është që punësimi në mënyrë nepotike  nuk i ka lejuar këta të kuptojnë rolin e tyre të rëndësishëm për ekonominë dhe ecurinë e vendit. Pas asaj që kemi lexuar në media ku një mori të punësuarish të Bankës ishin motra vëllezër, nipër gra etj, të miqve sa majtas sa djathtas, megjithë respektin për teknicialitetin e disa prej tyre, unë e kam të pamundur të imagjinoj një debat të pavarur dinjitoz të tyre ndaj fuqive institucionale vendase apo të huaja si p.sh.m raporti me FMN etj. Ajo që ka ndodhur së fundmi ka nxjerrë në pah me gjithë peshën e tij problemin e Dinjitetit Profesional.

Të arrestuarit pa një pa dy i janë referuar paaftësisë së tyre pa menduar aspak se sa rrënuese është kjo për institucionin që i kishte punësuar. Komplet një zinxhir kontrolli pa hallka funksionuese është i pamendueshëm e i papranueshëm për BSH.

Dinjiteti profesional lidhet direkt me ndershmërinë. Ndershmëria lidhet me Pavarësinë. Nëse dikush  përpiqet, e meriton dhe arrin një pozicion me mund e sakrificë atëherë gjëja më e vështirë për të është t’i vëj shkelmin emrit të mirë profesional të krijuar. Është shumë e vështirë që një profesionist meritokrat të korruptohet. Arsyeja është që për tu korruptuar do t’i duhet të kompromentohet duke vënë në lojë pavarësinë dhe profesionalizmin e tij.

Ky është një problem që ka gjithë shoqëria jonë por evidentimi i tij në këtë farë forme banale, të një vjedhjeje ordinere në Tempullin Financiar të vendit të bën të pranosh thënien e popullit që e “keqja nuk ka fund” dhe une do të shtoja “nëqoftëse e lëmë të marrë revansh”. Ndaj dhe duhet një reagim i fortë për te penguar që ky rast t’i shtohet morisë së ndodhive pa përgjegjës në Shqipëri.

Governatori i Bankës merr rrogën më të lartë në vend, për mendimin tim me të drejtë në funksion të rolit shumë të rëndësishëm. Por roli nënkupton dhe përgjegjësi. Lind pyetja kur është përgjegjës Guvernatori nëse nuk konsiderohet i tillë në rastin e humbjes së reputacionit të bankës për një vjedhje që nuk ka të ngjashme në botë?

Përveç të tjerave, sipas medias, lajmi është botuar në sitin e vetë Bankës duke përhapur e bërë publike një fakt që duhej mbajtur i fshehtë në sytë e publikut, që duhej menaxhuar duke lënë prokurorinë të bënte punën e saj dhe me Fullanin që jepte dorëheqjen duke u larguar pa dëmtuar kaq rëndë imazhin e BSH dhe të vendit.

Nëse do e kishim të bënim me një korporatë private në rast se CEO, përfaqësuesi i saj, do të dështonte, në instalimin e elementëve të kontrollit duke përçuar idenë se korporata është një “han pa porta” as nuk do të mund të imagjinohej që ti gjendej një justifikim apo të viktimizohej. Tani, një korporatë private mbron interesa të kufizuara të vetëm disa personave aksionerë, të punësuar etj, ndërsa B.SH mbron interesa kombëtare. Mos duhet të mendojmë që interesat kombëtarë vlejnë më pak se ato të individëve, se me mbajtjen e Fullanit ende në funksion ky është konkluzioni. Po ata që mbështesin Fullanin interesin e kujt bejnë?

One Response to Fullani duhet të largohet për të mirën e të gjithëve

  1. goldman says:

    Komentet jane te sakta, thene kjo nga dikush qe puna e lidh shume me BSH. Doreheqja do duhej te ishte dhene tani. Po ceshtja eshte se reputacioni dhe aftesia profesionale dhe integriteti moral jane gjeja e fundit qe Fullani dhe entourage I tij kane per shqetesim. Dhe entourage I Fullanit rrethohet nga grate, gocat, nuset, motrat, kushurinjte e elites politike ne Shqiperi. Ti thuash atyre qe familjaret e tyre jane problem, nuk besoj se do ngelen te lumtur nga ky fakt.
    Duhej te ndodhte kjo vjedhje, dhe mali I abuzimeve qe ka bere Fullani, per te kuptuar qe ne BSH ka nje problem. Po kur u zgjodh e u rizgjodh Fullani, ku ishin ky opinion public dhe keta gazetare qe te kalonin ne site kete kandidat dhe te shihnin se ai zoteri, pervecse te bleje veshje te shtrenjta dhe te haje si derr, nuk eshte ndonje intelektual I atij kalibri qe te drejtoje BSH. A e ka vrare mendjen ndokush pse profesionistet e mire ne kete vend, ne fushen e bankave qe e njoh me mire, largohen nga tregu, nderkohe qe Fullanet bejne hajer. Sa te tjere si Fullani ka ne BSH? Po Keshilli Mbikqyres I BSH, a ka ndonje nder ta bankiere qe ju do t’i respektonit?
    Ne kujtohemi kur gjema ndodh qe aty qenka bere nami. Nami ne BSH ka te pakten 23 vjet qe behet, po asnje gazetar se rruan, ose s’ka mjaftueshem tru apo kurajo ta denoncoje. Pyesni cfare ndodhi me BSH ne 1991, ku humben qindar milione dollare me operacione burse (ose kumar financiar), dhe ai borxh qe u krijua nga humbja edhe sot rendon mbi supet e taksapaguesve shqiptare. Shikoni se mos ju del prape emri I Fullanit me te njejtin skandal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.