jon_iKohët e fundit një nga lajmet e bujshme në rrjet ka qënë edhe iniciativa e qeverisë për krijimin e databazës së numrave IMEI. Justifikimi kryesor dhënë nga Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Harito është parandalimi i kontrabandës së telefonave celularë dhe jo përgjimi i komunikimit të shqiptarëve. Reagimet ndaj këtij projekti të qeverisë kanë qënë të shumta por ajo që bën më shumë përshtypje është histeria e përgjithshme e gazetarëve që kanë 20 e kusur vjet që e ushtrojnë profesionin e tyre në rrezik të vazhdueshëm përgjimi, e për herë të parë po shqetësohen për rrezikun që i kanoset komunikimit të publikut. Edhe pse tërësisht sipërfaqësor, më vjen mirë që të paktën ky shqetësim po ngrihet për herë të parë edhe në Shqipëri – më mire vonë, se kurrë. Paraprakisht dua të them se personalisht e shoh të tepërt vendimin e qeverisë për “taksimin” e aparatëve celularë duke i identifikuar ato nëpërmjet IMEI-t. Nuk ma mbushin mëndjen argumentat se kjo lëvizje do të parandalonte tregun e “zi” të celularëve në Shqipëri, e aq më pak se do sillte ndonjë të ardhur të konsiderueshme në financat publike. Njëkohësisht nëse evazioni i aparatëve elektronike është problem real e shqetësues atëherë si e zgjidh kjo lëvizje “trafikun” e laptopeve, tabletave apo paisjeve elektronike pa IMEI? Nëse ky problem është real atëherë duhet identifikuar një zgjidhje më gjithëpërfshirëse që e sulmon problemin tek burimi. Vetë origjina e këtij problemi nga ana tjetër – në opinionin tim – nuk është problem. Loja që luhet nga prodhuesit e distributorët e paisjeve elektronike me luhatjen e cmimeve nga një rajon në tjetrin është absurde. Kompjuteri im i ri kushtoi rreth 500 Euro në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që e gjeta për 1200 Euro në një dyqan në Tiranë. Qeveria nuk ka përse pengon aksesin në mjete që në fund të fundit frymëzojnë komunikimin dhe edukimin, përkundrazi në mendimin tim – në të mirën e inovacionit dhe shoqërisë së teknologjisë së informacionit – duhet ta incentivojë aksesin në teknologjitë më të fundit për të rinjtë që jetojnë në Shqipëri. Nga ana tjetër cdo individ që ankohet për rrezikun që na kanoset nga IMEI harron se ka vite që me vullnet të lirë dhe pa asnjë kundërshti ka dorëzuar një fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës në momentin e blerjes së kartës së tij SIM. Vlen të përmëndet në amullinë e reagimeve pa hulumtimin më të vogël, se secila prej kartave tona SIM – të cilat në shumicën e rasteve janë të lidhura në mënyrë të drejtëpërdrejtë me individin që i përdor, kanë një numër të përcaktuar e të pandryshueshëm IMSI. Ky numër mund të përdoret, e mund të jetë përdorur dekadën e fundit për të lidhur komunikimin me telefon, sms apo internet me individin që ka regjistruar kartën SIM. Vlera e numrit IMSI vis-à-vis numrit IMEI në potencialin e përgjimit të komunikimeve ndërmjet qytetarëve nga qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me operatorët celularë është e njëjtë. Pra duhet të jemi koshientë se fuqinë përgjuese që pretendohet do të fitohet nga databaza IMEI, qeveria e ka patur përgjatë gjithë dekadës së fundit.

Shqetësimi pra për përgjimin e qytetarëve është i pavend duke qënë se ky përgjim – nëse ekziston vullneti i qeverisë dhe bashkëpunimi i operatorëve celularë – mund të ketë ndodhur e të ndodhë rëndom në Shqipëri, e në cdo vend tjetër ku ushtrohet kjo praktikë (regjistrimi i IMSI është thuajse universal). IMEI nuk ndryshon asgjë nga potenciali përgjues i status quo-së.

Një tjetër argument lidhur me privatësinë i referohet edhe mundësisë që një individ ka për tu mosidentifikuar kur përdor një aparat celular (IMEI) dhe nje kartë SIM (IMSI). Rëndom në Tiranë gjen disa “cuna” që shesin numra celularë të pre-regjistruar me emrin e dikujt tjetër. Kjo praktikë ku dikush blen një kartë SIM, e regjistron me emrin e tij dhe më pas e shet me një marzhin të vogël fitimi në “tregjet” e shumta elektronike në Shqipëri, hedh poshtë sigurinë së një kartë SIM është e lidhur drejtëpërdrejtë më individin që e përdor atë. Rrjedhimisht do të ishte e pamundur që dikush të përgjohej nëse ky individ do të vendoste ta blente celularin dhe kartën e tij SIM tek një nga “cunat” përballe albtelekomit. Kjo praktikë pra nuk i siguron asnjë garanci qeverisë se individi që po komunikon është individi i cili ka regjistruar kartën apo celularin. Komunikimi elektronik e sidomos ai me aparate celularë është një nga rreziqet më të mëdha për privatësinë individuale. Aparati celular i përdoruesit mesatar regjistron në mënyrë të vazhdueshme metadata mbi cdo komunikim me tekst, ze, të dhëna apo edhe vendndodhjen sekondë pas sekonde të individit në fjalë. Këto informacione ndahen në të shumtën e rasteve me shumicën e aplikacioneve të instaluara në aparatin tuaj celular duke filluar nga aplikacioni i Facebook e deri tek ai i Balkanweb apo Cineplexx. Nëse doni të trembeni ju ftoj të logoheni në llogarinë tuaj google dhe të vizitoni faqen e mëposhtme për të parë ku keni qënë muajt e fundit sipas celularit tuaj Android: ketu apo te ndiqni hapat e mëposhtme në celularin tuaj Apple: ketu. Shqetësimi mbi privatësinë në këndvështrimin tim duhet të jetë universal. Nëse këto të dhëna janë në rrjet, atëherë cdo entitet inteligjent publik apo privat mund ti aksesoje me pak vështirësi. Ndërkaq, ndërsa shqetësimi mbi krijimin e databazës së numrave IMEI nuk zgjidh asnjë problem mbi privatësinë e komunikimit në Shqipëri, ai ndihmon në rritjen e profilit të këtij problemi. Nëse doni vërtetë që komunikimet tuaja të jenë privatë dhe të papërgjueshme nga operatorë të ndryshëm shqiptarë apo të huaj ju ftoj ti hidhni një sy shkrimit tim mbi privatësinë e komunikimit në rrjet. Edhe pse artikulli nuk pretendon të përfshijë cdo rast apo zgjidhë cdo problem mund të jetë një hyrje e mirë në botën e enkriptimit dhe sigurisë së komunikimeve e mund të avancojë debatin e dobishëm të ruajtjes së privatësisë përtej argumentave sipërfaqësorë kundër regjistrimit të numrave IMEI.

Tagged with:
 

2 Responses to IMEI: Tigri prej letre

  1. […] – Gjermani përgjonë bisedat telefonike në Shqipëri që prej viti 2009. Për të gjithë ata që kishin problem me nismën e re të Ministris së Inovacionit dhe Administratës Publike […]

  2. blerina says:

    Kur kupton qe bisedat telefonike ne Shqiperi kane kohe qe pergjohen….
    http://mapo.al/2014/08/pergjimi-shqiperise-merkel-refuzon-te-flase-duhen-detaje/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.