0613-Froese-GodEconomy-550x358Vizita e Papës duhet dhe bashkëjetesa e suksesshme fetare në Shqipëri si argument kryesor i saj nuk mund të diskutohet jashtë analizës ekonomike. Për këtë duhet të kuptojmë ndikimin që disiplinat e ndryshme fetare ushtrojnë mbi sjelljen financiare të vetë individëve dhe të sistemit në tërësi.

Në vitet e fundit ekonomistët italianë kanë publikuar zbulime empirike mbi mënyrën se si feja fuqizon prodhimin e brendshëm bruto, kryesisht nëpërmjet rritjes së besimit. Përtej oqeanit kërkues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vërtetuar se besimi fetar zvogëlon korrupsionin dhe rrit respektin për ligjin në mënyra të cilat mbështesin rritjen ekonomike. Gjithashtu studiues nga Azia e largët kanë arritur të dokumentojnë se si tregtarët përdorin përkatësitë fetare në përcaktimin e partnerëve në biznes.

Ekzistojnë disa kushte për të arritur zhvillimin. Mënyra e funksionimit të një shoqërie është element i rëndësishëm në përcaktimin e mirëqënies së saj. Funksionimi varet nga kultura e popullsisë dhe në shumicën e shteteve të botës, kultura kryesisht do të thotë fe. Feja udhëheq kulturën, kultura drejton funksionimin social dhe ky i fundit ndikon menjëherë në zhvillim. Koncepti dhe bindja se feja ndikon në ekonomi paraprihet nga historia por përherë specifikat e këtij binomi kanë qënë të vështira për tu zbuluar. Në ditët e sotme, tek sa studiuesit përpiqen të japin një përgjigje me anë të mjeteve moderne, në dritë po del ndërlidhja se si zhvillimi i një kombi mund të varet pjesërisht nga mësimet e teologjisë, besimi apo udhëzimet fetare.

Ndër të parat studime mbi lidhjen e fesë me ekonominë është ajo e Max Weber. Si sociolog, filozof dhe studiues i politikës ekonomike, Weber argumenton lidhjen e dy elementëve: protestanizmin dhe kapitalizmin. Në publikimin e vitit 1904, “Etika Protestante dhe Shpirti i Kapitalizmit”, sociologu gjerman shpjegon se si parimet protestante lehtësojnë ngritjen e kapitalizmit. Teza kryesore e tij thote se feja mund të luajë një rol jetësor në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e aktivizimit dhe drejtësisë ekonomike. Fetë kërkojnë nga njerëzit respektin dhe kujdesin për të tjerët, larg konsideratës mbi pozicionin klasor apo kulturor. Nëse e shohim në këtë drejtim, të konsiderosh tjetrin me dinjitet do të thotë të respektosh punën dhe pronën e tij. Pikërisht këto dy elementë qendrojnë në themelet e funksionimit ekonomik të një shteti apo shoqërie.

Rreth 6 muaj më parë, i intervistuar nga prestigjozja Forbes, sociologu austriak Peter Berger, e mbështet tezën e ndërlidhjes mes fesë dhe ekonomisë edhe në besimet e tjera. Ndër të tjera Berger thekson se fete, të paktën në format aktuale moderne, ushtrojnë ndikime të ndryshme në zhvillim.

Ekziston një tentativë e suksesshme e shpjegimit numerik dhe racional të ndikimit të fesë në ekonomi.

Zbulimet më provokuese kanë ardhur nga Robert Barro dhe gruaja e tij Rachel McClearly, të dy profesorë të politikave ekonomike në Universitetin Harvard. Studimi i tyre përmbledh të dhëna nga 59 shtete ku shumica e popullsisë ndjek 1 nga 4 besimet kryesore fetare, Katolicizmi, Muslimanizmi, Hinduizmi dhe Budizmi. Ata analizuan statistika si besimi në Zot, besimi në jetën e përtejme dhe prania në aktet e lutjes. Rezultatet e tyre kanë treguar një lidhje të fortë ndërmjet rritjes ekonomike dhe ndryshimeve në praktikat fetare, kryesisht në vendet në zhvillim. Për shembull besimi në jetën e përtejme ka ndikim të dukshëm në aktivizimin ekonomik të individit ndërsa thjesht besimi në zot nuk përbën ndryshim. Për më tepër stastikat e studimit tregojnë se praktikimi i ritualit të  faljes ka impakt negativ në rritjen ekonomike të shteteve në zhvillim. Ky fakt mund të argumentohet shumë thjesht duke nënvizuar se tek sa ekonomitë zhvillohen dhe individët fitojnë më shumë para, koha e tyre bëhet përherë dhe më e vlefshme. Edhe pse ky studim është publikuar në vitin 2003, që nga ajo kohë ekonomistë dhe teologë të tjerë e kanë konsideruar me shumë seriozitet impaktin e besimeve fetare në zhvillimin e popullsive.

Atëherë çfarë përmban feja që ndikon drejtpërdrejt në ekonomi? Në njërën anë lidhja duket shumë logjike: Të gjithë fetë kryesore evokojnë virtyte si disiplina vetjake, sakrifica dhe efiçenca në përdorim. Disa predikojnë deri se suksesi mund të përkthehet në të mira në jetën e përtejme. Për më tepër feja mund të ndikojë qartazi në të ardhurat e secilit ku mund të përmendim rastin e evangjelistëve në Shtetet e Bashkuara të cilët kanë nivele kursimi më të ulta se të tjerët pasi është një komunitet që përbëhet nga  familje të mëdha dhe pjesën më të madhe të parave e dhurojnë. Këtu duhet thënë se e vërteta është që besimi nuk ndikon direkt por nxit ato sjellje që mbështesin rritjen ekonomike. Charles M. North, profesor i ekonomisë në universitetin Baylor në Texas, argumenton se koncepti i mbrojtjes së pronës private u krijua nga Kisha si mburojë nga sekularizmi dhe u përkthye në themele të forta të respektimin të të drejtave të njeriut, duke krijuar gjithashtu incentiva për suksese individuale. Më tej për sa i përket islamit, dukshëm influenca e dietës ushqimore të predikuar ka ndikuar në industritë prodhuese dhe politikat bujqësore të shteteve muslimane. Konsumi për produkte, ushqime dhe shërbime në komunitetet muslimane, edhe në Shqipëri, ndodh përherë në rrjetin e bizneseve në pronësi të praktikuesve musliman dhe askujt tjetër.

Nëse besimi fetar ka efekt të rëndësishëm në mirëqenie, ngrihet një pyetje e vështirë për cilindo që kujdeset për zhvillimin ekonomik: Si duhet ta shfrytëzojmë këtë fakt? A ka kuptim të vendosen “billbord”-e fetare në rrugë? A duhet të ketë në përbërje të qeverisë një ministër të fesë?

Me shumë mundësi jo.

Duhet të kuptohet që feja është vetëm një ndër faktorët që ndikojnë në ekonomi. Gjithashtu është parë se duhet shumë kohë që lëvizjet dhe forca fetare të katalizojnë ekonominë. Në fund të arsyetimit mund të themi se kemi vënë re që shumë shtete të botës në zhvillim kanë përqafuar besimin katolik apo musliman gjatë shekullit të XX-të, por pak mrekulli ekonomike janë vënë re në to. 

Këto fakte dhe arsyetime nuk duhet ti shtyjnë qeveritë që të fuqizojnë fetë, por vetëm ti ndërgjegjësojnë mbi vlerën e tyre. Kërkimet shkencore mbi besimin nuk duhet të rrisin “imperializmin” fetar, por të ndërtojnë ekonomi më të informuar dhe gjithashtu politika të duhura publike.

Ne në Shqipëri përmendim shumë shpesh harmoninë fetare të vendit si pikë të fortë referimi për mirëqenien e shoqërisë. Ndoshta ka ardhur momenti që të mësojmë edhe ta shfrytëzojmë këtë fakt në dobi të zhvillimit. Ashtu si fermerët pranë malit të Tomorrit presin ditën e pelegrinazhit bektashi për të shitur mbi 3000 kokë dhenë në ditë, ashtu dhe dija mbi praktikat dhe të mirat e feve duhet të shfrytëzohen për zhvillim.

Ardhja e një figure të rëndësishme të kulturës fetare si Papa Francesco në Shqipëri do të ishte mirë të hapte debate konstruktive mbi përdorimin e fesë si element të shtuar në zhvillim. Për më tepër me rritjen e rolit të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkëjetesa fetare mund të shfrytëzohet si pikë e rëndësishme e kapitalit social dhe financiar.

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.