131206142720-economic-roundup-620xaFusha e ekonomisë është fusha me më shumë pasiguri se çdo shkencë tjetër, ku me përmirësimin e të dhënave në 80 vitet e fundit, teoritë janë adaptuar e ndryshuar dhjetëra herë për të kuptuar dështime dhe suksese të mëdha të shteteve të ndryshme anembanë botës. Le të marrim debatin e madh të Krizës Financiare të vitit 1929 në SHBA. Sipas ekonomistit britanik Kejns, ajo u shkaktua nga mungesa e aktivizimit të politikave ekspansioniste të qeverisë amerikane në kohën e duhur, pa lejuar panikun bankar të shpërhapej. Nga ana tjetër, për të njëjtin event Friedman shkruan se kriza u zgjat për shkak të mungesës së ofertës së parasë, e cila ra me 1/3 në katër vjet. Kjo vinte pasi qytetarët kërkonin të mbanin më shumë para në dorë sesa ishte oferta e Bankës Qendrore (Rezerva Federale).

Kjo dëshirë për të mbajtur më shumë para përkthehet automatikisht në më pak konsum dhe për rrjedhojë, në ulje të kërkesës së përgjithshme për mallra e shërbime në ekonomi. Shkolla e mendimit austriak nga ana tjetër thotë se kriza u shkaktua nga norma të ulëta të kredisë në ekonomi, e cila çoi në flluska të çmimeve të aksioneve në bursë dhe të apartamenteve, dhe kur Rezerva Federale synoi të ndërhyjë, ishte shumë vonë! Mungesa e besimit në sektorin bankar çoi për më tepër në panik bankar. Marksistët nga ana tjetër e interpretojnë këtë krizë si mungesën e përhershme të stabilitetit të kapitalizmit e për rrjedhojë nevojën për ndryshim…Arsye tjetër e zgjatjes së krizës i atribuohet dhe vendimit të qeverisë amerikane për të vendosur tarifa për gjithë produktet e importit për të mbrojtur prodhuesit vendas, por që në fakt pati krejtësisht efektin e kundërt.

Shkrimet dhe librat për të gjetur “fajtorët” e kësaj krize vazhdojnë edhe sot, 85 vjet më vonë, për të ndihmuar politikanët të marrin vendimet e duhura në rast se kriza të ngjashme përsëriten. Është e rëndësishme të theksohet se krizat janë të ngjashme, por jo të njëjta, pasi çdo krizë ekonomike është e ndryshme nga tjetra. Sfidat e ekonomisë shqiptare janë të shumta dhe për ta bërë më të kuptueshme për lexuesin, ato kërkojnë dy periudha kohore për t’u adresuar dhe për të patur rezultat. Së pari, është periudha afatgjatë, që kërkon përmirësim të sasisë dhe cilësisë së faktorëve të prodhimit në ekonomi, si burime njerëzore dhe kapital fizik. Së dyti, është periudha afatshkurtër dhe e mesme ku qeveria ndjek prioriteteve strategjiko-politike të qeverisë me anë të shpërndarjes dhe investimeve të burimeve publike.

Dihet se që nga viti 2011, ekonomia shqiptare ka ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike dhe për ta rikthyer atë në ritmet e mëparshme kërkohej që ekonomistët apo grupi i ri qeverisës të kishte bërë një analizë të plotë dhe teknike të “fajtorëve” që sollën këtë ngadalësim, prej të cilave mund të përmendim: krizën globale, destabilitetin politik pas 21 janarit, mungesën e kreditimit në ekonomi, politikat monetare, institucionet e paanshme dhe të korruptuara, apo dhe paaftësinë e klasës politike etj. Vetëm pasi të jetë bërë kjo analizë e plotë dhe të kuptohen shkaqet e rënies së ekonomisë, mundet të ndërtohet strategjia e adresimit të këtyre problemeve dhe politikat e reja.

Por sipas shpjegimit të dhënë nga ministri i Ekonomisë, Ahmetaj, për rënien e ekonomisë me 0.6% gjatë muajve prill-maj-qershor të këtij viti, ka të bëjë me “gropën elektorale të krijuar nga qeveria që e la vendin në atë situatë të rëndë ekonomike”. Pra në këtë analizë thuhet qartë se ritmet e ulëta të ekonomisë kanë të bëjnë vetëm me qeverinë e mëparshme dhe asnjë faktor tjetër nuk duhet llogaritur. Por e dhëna tremujore është afatshkurtër dhe në periudhën afatshkurtër qeveria shqiptare ka patur të nevojshme të shlyejë bizneset për tërë punimet publike që ato kanë kryer. Sipas Ministrisë së Financave, deri tani janë kompensuar vetëm gjysma e asaj që vetë qeveria kishte planifikuar, duke ndikuar sërish negativisht në likuiditet në ekonomi. Nga ana tjetër, vetë Ministria e Ekonomisë e cila është ngarkuar me planifikimin e strategjisë së investimeve, ka kryer 30% më pak investime nga ajo që vetë kishte planifikuar.

Gjithashtu, të dhënat tregojnë se të ardhurat nga tatim-fitimi dhe nga tatimi i të ardhurave personale janë më të ulëta nga plani. Ky mosrealizim në fakt mundet të tregojë pasojat e para të një shqetësimi afatgjatë të ekonomisë sonë, pasi në një ekonomi tregu “incentiva e taksës” shërben për të nxitur ose frenuar një aktivitet ekonomik. Vetë kryeministri Frances Valls po largohet nga taksat e larta të Presidentit Hollande, pasi sipas tij “për të patur rishpërndarje pasurie, në fillim ne duhet ta krijojmë atë”. Konkurrenca është e fortë për të tërhequr investitorë të mëdhenj dhe në vendet e BE-së, e cila po investigon Luksemburgun, pasi ka ofruar taksa të ulëta për gjigantin ‘Amazon’ dhe ‘Irandën’, pasi ka ulur taksat për “Apple”.

Shumë ekonomistë do të argumentonin se në vendet në zhvillim, për shkak të rritjes së lartë ekonomike, sistemi fiskal nuk është më i rëndësishëm sesa respektimi i kontratës, baza e ekonomisë së tregut. Reforma në gjyqësor padyshim që në të ardhmen mundet të ketë efekt pozitiv dhe në ekonomi, por për 12 muajt e parë të kësaj qeverie bizneset që kanë investuar në HECE-e po shprehen se kanë po 12 muaj pa u paguar për produktin e tyre, se e drejta e koncesionit të tyre është në mëdyshje, se kontrata për çmimin e blerjes së energjisë do të rishihet etj. Kjo pasiguri juridike ndikon menjëherë në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Nuk duhet harruar çfarë ka thënë fituesi i çmimit “Nobel”, historiani amerikan North, se “rritja ekonomike e Europës Perëndimore filloi vetëm atëherë kur u respektua kontrata”. Ndaj duket e nxituar dhe e pabazuar në teori apo analiza ekonomike pretendimi i qeverisë se tani “kemi një model të ri ekonomik, i cili garanton rritje afatgjatë, rritje të zgjuar dhe stabilitet ekonomik”. Fajësimi i qeverisë së shkuar mund të jetë një pjesë e problemit, por sfidat e ekonomisë shqiptare janë më të mëdha se individët e përkohshëm që drejtojnë institucionet ekzekutive. Ndaj mjaft folëm për politikën! Kur do të flasim për ekonominë?

 

 

Tagged with:
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.