Economic-GrowthI have a dream”, “unë kam një ëndërr”, kështu e niste Martin Luther King cdo fjalim të tij. Një ëndërr të madhe, mundësia për ta realizuar atë. Shpresa për ti dhënë një sens të ardhmes për ta bërë atë më të bukur, kjo ishte ëndra e një ndër predikuesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, e cila nuk është utopi, por siguria se gjithcka mund të realizohet nëse do ketë besim. 

Do doja ta nisja këtë artikull me këtë frazë: “Ne kemi një ëndërr”, një ëndërr të madhe për ta konkretizuar e cila është: “një model i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm për Shqipërinë.

Para se të flas për këtë do doja të ndalesha tek prejardhja e konceptit të zhvillimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. 

Në 1986 asambleja e përgjithshme e OKB sanksionoi për herë të parë të drejtën e zhvillimit, e cila është një e drejtë e detyrueshme që çdo person human dhe të gjithë popujt kanë të drejtë të marrin pjesë dhe kontibuojnë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik në të cilën çdo e drejtë e të qënit human e të gjitha liritë themelore mund të realizohen plotësisht. Ndërsa në raportin e Brundtland të OKB-së në 1987 u dha për herë te parë koncepti i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm:“një zhvillim që plotëson nevojat e së tashmes pa kompromentuar aftesitë e brezave të ardhshëm për të plotësuar nevojat e tyre.” Ndërsa vetë koncepti “zhvillim” ka lindur për herë të parë në 1949 me përcaktimin e të kundërtës së tij, pra “moszhvillimi” kur presidenti i SHBA-së, Truman me rastin e fjalimit të tij inagurues në Shtëpinë e Bardhë e ndau botën në dy pjesë ku papritur, dy miliardë njerëz u konsideruan të pazhvilluar, kjo duke u bazuar në shkallën e tyre të produktivitetit në treg. 

Le të rikthehemi në Shqipëri, përgjatë tranzicionit utopik shqiptar të këtyre 20 viteve të fundit, në të cilin Shqipëria ka pasur një zhvillim ekonomik të pa kontestueshëm ku GDP kaloi nga 2.2 miliardë dollar në 1990 në rreth 13 miliardë në 2013. Po ashtu mbas një periudhe 11- vjecare nga 1999 deri në 2010 me një rritje ekonomike relativisht të kënaqshme, performanca e ekonomisë shqiptare nga 2012 filloi të tkurret në mënyrë të konsiderueshme. Në publikimin e fundit të INSTAT vërehen ritme negative të rritjes reale të GDP ku dominon sektori i ndërtimit me një rënie me dy shifra. Perveç zbehjes së ritmit të rritjes ekonomike kësaj situate i shtohet edhe rritja e menjëhershme e deficitit dhe borxhit publik ku ky i fundit ka kapur vlerën rekord prej 70.4%. Në këto kushte qeveria e re ka një mision të vështirë, ndoshta shumë më të veshtirë se sa ishte menduar e cila është marrja e masave për dalë nga kriza. J.M. Keynes në 1935 thoshte se një ndër mënyrat më të mira për të dalë nga kriza është stimulimi i kërkesës agregate me anë të borxhit publik. Kjo do të mjaftonte për të rivitalizuar ekonominë dhe  për të prodhuar rritje ekonomike në mënyrë të tillë që të paguajë koston e borxhit. Të njëjtën gjë bëri edhe qeveria shqiptare me lindjen e krizes globale në 2008, filloi të stimulonte ekonominë me anë të borxhit publik duke krijuar kështu një deficit impresionant me një rritje të konsiderueshme të borxhit publik, kjo për faktin që qeveria e kaluar financonte me borxh ndërtimin e rrugëve dhe të infrastrukturës në përgjithësi. Rrugët dhe infrastruktura janë primare për zhvillimin e biznesit por nuk kanë një kthyshmëri investimi të menjëhershme, pra ato nuk prodhojnë të ardhura për të financuar më vonë borxhin e marrë. Në 2008 qeveria e kaluar ndryshoi  gjithashtu edhe sistemin fiskal duke kaluan në taksën e sheshtë 10%, për të stimuluar investimet private ku ish kryeministri ynë e pagëzoi ndryshe edhe si celësin e suksesit të ekonomisë shqiptare edhe pse sipas të dhënave të World Tax 2013, të gjitha vendet e Ballkanit kanë të njëjtin presion fiskal pra rreth 10%. Një politikë shume e mirë kjo për të ulur informalitetin dhe për të rritur investimet private, sidomos ato të huaja. Qeveritarët tanë si ata të kaluarit dhe të tashmit flasin shpesh për investime të huaja, të cilat në Shqiperi në 2011 kapën shifrën rreth 1 miliardë euro. 

Pjesa më e madhe e ekonomistëve të zhvillimit i konsiderojnë investimet si primare për zhvillimin e një vendi sidomos ato të huajat. Por nuk duhet harruar që kur flasim për investime të huaja ato duhet të jenë  investime të tipit “greenfield” ose më saktë duhet të gjenerojnë punësim dhe rritje prodhimi. Ato nuk duhet të jenë si blerja e hidrocentraleve nga Kurum e cila pagoi 110 milionë euro hidrocentralet që gjeneronin rreth 30 milionë dollar të ardhura vjetore, pra ky “investim i huaj” nuk gjeneroi as rritje prodhimi të energjisë elektrike që ne si vend jemi defiçitar, as ulje të çmimit të energjisë e aq më tepër punësim. 

Nëse duhet të flasim për një model zhvillimi ekonomik të qendrueshëm, atëherë duhen reforma ekonomike rrënjësore si: rritje të konkurueshmërisë në treg, mbështetje të drejtpërdrejtë të biznesit vendas, rritje e dinamikës së tregut të punës etj. 

Nëse duhet të flasim për një model zhvillimi ekonomik të qendrueshëm, atëherë duhen reforma ekonomike rrënjësore si: rritje të konkurueshmërisë në treg, mbështetje të drejtpërdrejtë të biznesit vendas, rritje e dinamikës së tregut të punës etj. 

Është e kotë të flasim për agrikulturën si sektori i të ardhmes ekonomike kur policy maker-at tona i lënë agrikultorët shqiptarë në mëshirë të fatit, vjet u kalbën patatet në Korcë e në Kukes se dikush u tregua i “zgjuar” dhe i futi me një çmim më të ulët nga jashtë, sivjet po kalben rreth 3,500 tonë mollë dhe askush nuk shqetësohet.

Zvicra një ndër vendet me papunësinë më të ulët në Europë edhe pse nuk është një vend bujqësor mbron prodhimin vendas, në çdo supermarket produktet vendase kanë shkrimin  Swiss quality,  pra promovojnë konsumin e produkteve të prodhuara në vend dhe jo ato të importuarat. 

Sot, komponenti më i rëndësishëm i PBB së Shqipërisë është konsumi, kriza financiare e 2007 ka lindur si krizë financiare dhe është transformuar në një krize konsumi, për të pasur zhvillim duhet të ketë konsum. Por konsumi nuk vjen nëse në vendin tonë zhvillohen vetëm ato aktivitete që gjenerojnë punësim në shkallë të gjerë si industria e fasonit apo call center, të cilat paguajnë punëtorët me rreth 60 cent ora, kjo pagë është shume e ulët për të zbutur varfërinë apo për të rritur kërkesen e brendshme e si pasojë konsumin. Nuk duhet harruar se çfarë po i ndodh Bullgarisë apo Rumanisë sot, pikërisht pse e kishin bazuar zhvillimin e tyre ekonomik në sektorët lobor intensive pasi kishin kosto të ulët të forcës punëtore. Nëse analizojmë delokalizimin e prodhimit  nga Italia në Shqipëri vërejmë kryesisht ndërmarrje që bëjnë konkurrencë kostoje dhe jo konkurrencë cilësie kjo do të thotë se nëse nesër shikojnë se kosto e punës në Eritre apo Bangladesh ulet së tepërmi, me siguri që do e marrin në konsideratë dhe do shkojnë aty ku jo me larg se 1 javë vdiqën me tepër se 100 veta në një rrobaqepsi si pasojë e shembjes së çatisë. 

Nuk them se duhet përbuzur fasoni, pasi është diçka pozitive, por jo për të bazuar zhvillimin ekonomik të një vendi vetëm në atë sektor. 

Kur themi zhvillim ekonomik të qendrueshëm, fjala është për zhvillimin e  industrisë së lehtë për vendet e vogla apo duke krijuar zhvillimin e disekuilibruar që ekonomisti i zhvillimit A.Hirschman e kishte aq për zemër, pra duke stimuluar agrikulturën që të zhvillohet edhe me tej duke krijuar agro-industrinë dhe industrinë ushqimore që ska nevojë për investime konsistente dhe për më tepër ne jemi defiçitar. Duke ndihmuar bizneset private dhe të huaja që të kenë sukses në investimet apo duke i stimuluar me anë të sistemit fiskal, uljes së burokracisë, uljes së korrupsionit dhe forcimin e sistemit të drejtësisë dhe pse jo duke i stimuluar ato ekonomikisht qoftë edhe duke i dhënë në përdorim pronën shtetërore por me kusht që ajo të mos përdoret për shfrytëzime makabre siç po ndodh me koncesionet sot në miniera apo në naftë. Ku vetëm për 2013 kemi eksportuar rreth 1 milionë tonë naftë por nga ana tjetër nga 560,000 tonë që ishte konsumi i brendshëm, vetëm 160,000 tonë ishte prodhim vendas ndërsa pjesa tjetër ishte naftë importi. Kjo ka bërë që edhe te produkti naftë vlera monetare e balancës tregtare të jetë negative. Nëse kërkojmë zhvillim ekonomik duhet kërkuar nga shoqëritë koncesionare jo shfrytëzim, jo Afrikanizim, por investime për të përpunuar prodhimin në vend dhe për të rritur punësimin. 

Pra nëse qeveria jonë e re kërkon vërtet ta nxjerrë ekonominë nga kriza dhe kërkon të ketë sukses në zhvillimin e qendrueshëm të ekonomisë shqiptare duhet të marrë masa për krijimin e një ambjenti atraktiv për biznesin, rishikimin e koncesioneve duke pasur si piksynim punësimin, krijimin e një administrate publike profesionale të depolitizuar dhe të demilintarizuar. Të luftojë informalitetin jo duke ndryshuar sistemin fiskal duke i shkaktuar një ulje të të ardhurave me tre miliardë lekë e duke mos arritur ti bëjë të kuptojnë qytetarët se kjo nuk ishte një rritje e taksave pasi shkaktoi një efekt psikologjik negativ. Por duke i kërkuar administratës tatimore që mos të detyrojë bizneset vetëm për të blerë kasat fiskale me një çmim të pa justifikueshëm por ti detyrojë ata që të presin kuponin tatimor, ku rreth 200,000 kasa fiskale mbahen shpesh herë vetëm për “zbukurim” nga bizneset. 

Dhe për të konkluduar nuk duhet harruar që zhvillimi ekonomik nuk vjen duke analizuar veç të dhënat makroekonomike të vendit dhe as ato mikroekonomike, por vjen duke u nisur nga “mezoekonomia”, pra nga një analizë rrënjësore e një niveli ndërmjetës që përfaqëson vendin,  ku krijohen lidhjet dhe ndërveprimet ndërmjet një agjenti ekonomik apo individi me një sektor prodhues brenda një sistemi ekonomik. Gjithashtu zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm me anë të integrimit Europian por vjen, së pari nga zhvillimi i brendshëm dhe duke qënë se Shqipëria është një vend i vogël dhe tregu i saj është i papërfillshëm për të tërhequr investime, mund të mendohet edhe krijimi i një tregu të përbashkët të Ballkanit.

Tagged with:
 

2 Responses to Modeli i zhvillimit ekonomik të munguar

  1. adi says:

    Nje korrektime dhe disa komente:
    -Nuk di te kete pature nje program specifik stimuli fiskal gjate viteve 2008, specifikishte per te zbutur krizen.Projektet infrastrukturore ishin thjesht vazhdim i planit, dhe ato kane nje kthim te larte investimi afatgjate-per cfare besoj eshte edhe shkrimi.Por gjithashtu ato japin dhe nje stimul afatshkurter ne konsum. Nje studim i fundi nga FMN per investimet ne infrastruktur i cileson ato si politiken me te mire per te ndjekur gjate krizes se tanishme.
    -Nese shikohet sesi “emergin markets”(asia lindore, latin americ, etc) jana zvhilluar, ka qene prurja e kapitalit te huaj me kombinimin e punes se lire, dhe nje ambienti institucional shume ne favor te biznesit. Une nuk kam vene re akoma qe nje kapital ne vlera te “konsiderueshme” sic ka ndodhur ne Bullgari dhe Rumani te kete ardhur ne Shqiperi.
    -Nuk e di a je ne dijeni te punimeve te fundit te Rodrik me “pre-industrialization” ku shpjegon uljen e rritjes ekonomike te emerging markets, ku verehen kerkesa me te avancuar ne aftesite e punonjesve pasi kapitali sofistikohet. Rodrik sugjeron edhe konkueshmerine ne serktoret e sherbimit por qe kerkon punonjes te sofistikuar.
    -Ajo qe do i shkonte shume qeverise aktuale me moton e “Rilindjes” eshte teza e re e Stiglitz per zhvillimin e ekonomik te vendeve ne zhvillim i cili thote see asimilimi i njohurive te reja eshte celesi i suksesit ku thote se ishte pikerisht idete e “Renaissance” qe shollen zvhillimin ekonomik dhe jo rritja e kapitalit.
    Pra te konkurosh sot do te thote qe te kesh nje “knowledge economy” me nje treg pune qe asimilon shpejt aftesite dhe njohurite qe duhen. Sipas Stiglitz, tregjet nuk e bejn dot kete pune, por Qeverite me ane te politikave te tyre per edukimin mund te ndihmojne.
    -Reformat strukturore jane ato qe sipas konsensusit te ekonomistave krijojne rritje ekonomike afatgjate. SnP na e kishte rrit outlookun per shkak te permiresimit te disa reformave. Do doja te shikoja ne shkrim sesi kush eshte statusi i reformave perkatesisht ne tregun e punes, dhe sektor te tjere te ekonomise.

  2. Klodi says:

    Ne 2008 ka hyre ne fuqi flat tax ne Shqiperi. Ideja e aplikimit te flat tax ishte ajo e thithjes se investimeve te huaja dhe uljes se informalitetit.Une do te shtoja gjithashtu edhe faktin qe te gjitha vendet e Ballkanit kishin nje flat tax qe shkonte nga 9%-13%. Ne kete kontekts kame thene se u perdor stimuli fiskal per te thith FDI. Persa i perket krizes ekonomike, ne si vend perdorem politiken ne fjale stimuluam investimet ne infrastrukture me ane te borxhit publik po gje qe solli nje risk ne paqendrueshmerine e borxhit publik pra situata kaloi parashikimet. Keynes qe ne ’36 ka thene qe stimulimi i kerkeses agregate me ane te borxhit sjell ritje po duhet te kemi ne te njejten kohe qe kjo rritje te sjelle perfitime me te larta sesa kosto e vete borxhit. Borxhi ne Shqiperi ka pasur nje kosto rreth 12%-13%. Eshte e vertete se Stiglitz, Krugman e shume ekonomiste italiane jo te degjuar thone tashme qe jemi ne krize kerkese dhe jo krize oferte kshu qe nuk nevojiten politikat austerity.Tani ka nevoje per investime ne ifnrastrukture per te gjeneruar vende te reja pune dhe te stimulohet konsumi. Pra per sa i perket c’eshtjes se pare ti ke te drejte por ne Shqiperi investimet ne infrastrukture u keqmenaxhuan dhe u kthyen ne risk ne paqendrueshmerine e borxhit. shpresoj qe jemi dakort ne kete c’eshtje. E dyta per sa i perket FDI kam lexuar pjesen dermuese te literatures qe flet per investimet e huaja dhe spostimit te prodhimit duke perfshire ketu edhe Rodrik, Stiglitz and co, eshte e vertete ajo qe thua po une mendoj se nuk jane problem competenzat profesionale qe mungojne Shqiperise, problemi i Shqiperise eshte se eshte abuzuar me termin “FDI” nuk ka pasur investime greenfield, ka pasur shume pak investitore serioze qe kane investuar per periudha afatgjata etj etj. Nje investitor serioz ska pse vjen ne Shqiperi vetem per koston e ulet te forces punetore pasi nuk kemi akoma stabilitet te qarte politik. kemi korrupsion te larte dhe njeanshmeri ne perkrahjen e bizneseve. Paaftesi ne organet tatimore etj etj etj. Arsimi eshte primar ne zhvillimin ekonomik te nje vendi e rilindja e dinte kete se di tani se sa do ja arrij apo jo. Persa i perket temave te reformave strukturore do tet ftoja te lexoje artikullin: Nje reflektim mbi zhvillimin ekonomik te qendrueshem”, “si te evitohet rritja e cmimit te energjise elektrike” edhe pse titulli nuk i perket temes ne fjale. Artikulli fillimisht flet per reformat strukturore e per te konkluduar nese lexon ne italisht te ftoj te lexosh edhe “la crisi economica nell’area balcanica” te treja keto trajtojne skenaret e daljes nga kriza. keto artikuj mund ti gjesh ke http://www.tesheshi.org

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.