bulb-technology-innovation-2664Dinamikat dhe zhvillimet ekonomike dhe shoqërore kanë bërë që sot kur themi ekonomi nuk  tregojmë gjithë çfarë është mbas termit, por kur themi ekonomia e njohurive (Knowledge Economy) i fusim njerëzit në një kontekst të ri dhe jo shumë të njohur zakonisht. Dashje pa dashje dhe ekonomia shqiptare po hyn drejt kësaj paradigme të re duke u përballur me efektet që përcillen në mënyrë të paevitueshme sot nga proceset e globalizimit.

Rëndësia e inovacionit në ekonomi është kthyer në jetike jo vetëm në nivel individual të firmave dhe bizneseve, por për ekonominë si e tërë. Të nevojshme për inovacionin si proces, janë një set njohurish dhe aftësish të cilat tregu i kërkon me ngulm. Në kontekstin shqiptar duhet pasur kujdes me përqasjen ndaj inovacionit. Kujdes në kuptimin e politikave dhe evidentimit të problematikave në mënyrë që tregu të rris efiçencën e vet dhe aktorët e tregut të sofistikohen në krahasim me standardet e konkurrentëve të tyre.

Duke marre parasysh çka më sipër, do të doja të theksoja se përqasja që unë besoj se është me e drejte për ekonominë shqiptare ndaj inovacionit është ajo e kapaciteteve absorbuese dhe mundësisht e inovacionit inkremental dhe jo ajo e nxitjes se inovacioneve radikale. Ose si është kuptuar nga politikë bërësit dhe masa sikur ne në këtë kontekst, me këtë ekonomi, këtë treg, dhe këto kapacitete do ri-shpikim rrotën…

Shumë shkurt po paraqes tre argumente kryesore që pas një analize të gjatë më bëjnë të besoj në këtë përqasje: Së pari, studime të ndryshme qoftë të Bankës Botërore, Unicefit, dhe kërkues shqiptarë vënë re se tregu ka mospërputhje në çka ofron dhe çka kërkohet në lidhje me kualifikimet. Përveç kësaj, kërkime në terren mbi bizneset shqiptare tregojnë se hasin vështirësi të mëdha në gjetjen e forcës punëtore të kualifikuar. Pra boshllëku i parë është ai me kryesori në paradigmën e re ekonomike: aftësitë dhe njohuritë jo vetëm për risitë e tregut por dhe bazën e tyre. Në këtë kuadër, duke parë evoluimin e ekonomive botërore që janë shumë para asaj tonës në fushën e njohurive dhe asaj teknologjike ne na mbetet që të drejtojmë burimet tona drejt trajnimit dhe pajisjes me njohuri në lidhje me absorbimin e teknologjive që kanë krijuar ekonomitë e zhvilluara. E kundërta do të ishte gabim i madh, humbje kohe shumë të çmuar, dhe kosto të mëdha. Pra në këtë kontekst shkon dhe shprehja e Newton-it:

“Mbërrita deri këtu duke qëndruar në shpatullat e më të mëdhenjve…”

Së dyti. Për te kanalizuar gjithë financimet dhe mundimin në burime njerëzore duhet një organizim në kuadrin makro. Modelet kombëtare të inovacionit që vijnë nga vendet si Gjermania, Japonia, dhe ato Skandinave kanë eksperiencën e mjaftueshme të suksesit që dhe në të nxjerrim disa pika kryesore në shërbim të një politik-bërje të mirë. Për të pasur inovacion radikal kërkohet eksperiencë, kohë e gjatë, dhe kosto të cilat vendi ynë është e vështire ti përballoje. Ndaj nëse serish do fokusohemi te kapacitetet absorbuese pika e dytë e rëndësishme pas trajnimit dhe pajisjes së tregut me njohuri, është organizimi makro i gjithë strukturës. Ose ndryshe e njohur si partneriteti akademi-biznes-shtet (Tripple Helix). Ky lloj partneriteti jo vetëm që ndihmon në lidhje me argumentin e parë, por krijon një rreth iterativ i cili ka si kusht të vetë-ekzistencës përmirësimin e vazhdueshëm. Akademia bashkëpunon me biznesin duke e ndihmuar në evidentimin e problemeve, në kërkim dhe studim tregu. Bizneset përfitojnë duke marrë njohuritë e nevojshme dhe aftësitë më të reja që kërkohen nga tregu dhe shprehur ato në produkte dhe shërbime më të mira, ndërsa shteti është facilitatori dhe ai që detyrohet të përmirësojë këtë infrastrukturë bashkëpunimi duke përmirësuar ligjet, financuar dhe ndarë kostot me biznesin. Në këtë trinom, për sa i përket universitetit janë bërë përpjekje në drejtimin e duhur. Përmirësimi i kurikulave duke futur lëndë që kërkohen me doemos nga bizneset. Gjithashtu ka pasur tentativa që universiteti të jetë afër biznesit me projekte, studime tregu, analiza strategjike dhe trajnime aftësish të nevojshme. Megjithatë, mendoj se duhet bërë më tepër. Universiteti mund të jetë një ingranazh më i fortë duke qenë se është ai i cili përthith dhe analizon njohuritë e para të reja të cilat qarkullojnë.

Dhe së fundi, kërkim-zhvillimi aq i nevojshëm për ekonominë. Përqasja e kapaciteteve absorbuese nuk do të thotë se fondet dhe politikat për kërkim-zhvillim nuk duhet të jenë se e kemi gati nga çdo gjë nga vendet e zhvilluara. Por nëse burimet alokohen në mënyrën më utilitare të mundshme atëherë ato do te japin më shumë efekt. Jo vetëm efekt momental në ekonomi por të qëndrueshëm dhe me impakt më të gjerë se thjesht qeliza ekonomike në të cilën ato janë investuar. Sërish, kërkimi shkencor nuk mund të behet më mirë se në universitete për arsye se kanë një infrastrukturë ekzistuese dhe një rrjet të ngritur për këtë arsye duke ulur automatikisht kostot e procesit. Ndaj biznesi duhet të jetë më afër universitetit, dhe shteti duhet të bëj të mundur infrastrukturën e ndërmjetësimit.

Si përfundim nëse Shqipëria do të arrij të pozicionohet më mirë në përqasjen ndaj ekonomisë së njohurive dhe inovacionit ajo do të përfitojë më shumë nga flukset e financimeve jo vetëm me burim shtetëror por dhe nga rritja e bizneseve. Këto sfida që i paraqiten ti kthej në oportunitete duke absorbuar në mënyrën më të mirë teknologjitë, njohuritë dhe aftësitë ekzistuese që vijnë nga tregjet më të avancuara në mënyrë që të ngrejë ngrehinën e vete të sistemit inovativ për brezat e ardhshëm. Inovacionet më të mëdha sot vijnë nga kombinimi i frymëzimit njerëzor me fuqinë e teknologjisë dhe njohurive. Të mundohemi të krijojmë kushtet e duhura për përmirësimin e teknologjive dhe njohurive në treg se me këtë shoqëri të re që ka vendi ynë nuk është e vështirë për të gjetur frymëzimin!

2 Responses to Përqasja ndaj Inovacionit

  1. Endrit Kromidha says:

    Tre pikat e paraqitura në artikull qëndrojnë dhe përgëzime për prekjen e një teme me rendësi për kohen dhe Shqipërinë. Vetëm dy koment të vogla: Nëse vendos te shkruash shqip, inovacion=risi, paradigmë=përqasje ose këndvështrim, absorbuese=përthithëse etj.. Edhe ndonjë reference për ta zbatuar ne praktike thënien e Njutonit qe keni vene nuk do ishte e tepërt.

  2. eva says:

    Ju pergezoj per shkrimin. Ne jemi duke implementuar rpikerisht nje projekt te tille per identifikimin dhe promovimin ne rajon te SME qe aplikojne elemente te inovacionit ose teknologjise bashkekohore .

Leave a Reply

Set your Twitter account name in your settings to use the TwitterBar Section.